Sigal

ARKIV/ Flet Gjeneral Majori në rezervë Kostaq Karoli, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë

KOSTAQ KAROLI

Ju rrëfej fuqinë e ushtrisë, si u armatosën 127 brigada

Mobilizimi, 750 mijë ushtarë “nën armë”

Leonard VEIZI

Asgjë e panjohur në zyrën e madhe të Shefit të Shtabit të Ushtrisë. Telefoni pesëshifror dhe ai me manual ishin aty, po aty ishte dhe i njëjti portret, i drejtuesit më të lartë të shtetit, qëndronte i varur në ballinë. Emërtimi i ri edhe pse në kontaktin e parë dukej fort tundues, nuk është se të jepte mundësinë për të reflektuar një entuziazëm të tepruar. Për më tepër asgjë nuk të linte aq të qetë sa për të qëndruar gjysmë shtrirë në kolltukun e zyrës, ku mund të mendoje ngeshëm se ku duhej ngrënë dreka; në repartin “N” apo “X”. Por koha nuk premtonte as për stërvitje me trupa dhe as për stërvitje shtabi, koduar me emra të pazbërthyeshëm terrenesh. Në ato ditë ndryshimesh të shpejta, ku vendi ishte në prag të një shpërthimi të dukshëm, duheshin dhënë vetëm urdhra dhe vendime të rrufeshme. Ndërmjetësia e viteve 1991 – 1992 do të karakterizohej si një kohë trazirash. Regjimin nuk e mbanin më këmbët e veta, ndërsa ushtria kish rrezik të shthurej. Në radiogramet që merrnin arratinë dhe për në repartin më të skajshëm, duheshin thënë aq fjalë sa duhej. Dhe vetëm kështu situata nuk do të mund të precipitonte. Nëse nuk ishe i zoti ta bëje dot këtë, katër mijë gryka zjarri të artilerisë mund të të dilnin jashtë kontrollit, pa folur për të tjerat… Situata ishte e ndezur. E megjithatë ai hyri me hap të sigurt në studion e tij të re, për të përshkuar ato pak metra që ndanin derën e “blinduar” me sfungjer nga poltroni i “rehatshëm” i Shefit. Pasi ka vendosur dhe bërrylat mbi syprinën e tryezës së punës ai është treguar i gatshëm që tridhjetë sekonda më pas të merrte receptorin për të bërë telefonatën e parë të rëndësisë së veçantë, apo të nënshkruante aktin e radhës që ndihmësit prej ditësh e kishin përgatitur për firmë…

 

… Ky është Kostaq Karoli, i cili edhe pse ditën e parë të marrjes së detyrës si Shef i i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare ishte një ushtarak pa grada, shumë shpejt do të vendoste mbi supe spaletat e gjeneralit. Gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Telegraf” Gjeneral Majori, i cili mban dhe titullin civil të Profesor Doktorit, rrëfen për reformat e njëpasnjëshme të ushtrisë shqiptare, që nga dita kur ai u emërua të komandonte një togë me 30 apo 40 ushtarë, e deri në kohën kur organikat e ushtrisë, thërrisnin “nën armë” të paktën 750 mijë ushtarë e oficerë, rezervistë e vullnetarë. Dhe të gjithë këta, së bashku me mjetet e motorizuara, tanke, avionë, anije e nëndetëse, përbënin atë që cilësohej: “Ushtria Popullore Shqiptare”.

Jetëshkrimi i një Gjenerali

Kostaq Karoli u lind në 14 dhjetor të vitit 1945. Në vitet 1959-1963 ai do të vazhdonte shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”, ndërsa në vitet 1963-1965 do të ndiqte studimet në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve, ku në përfundim të saj do të merrte gradën “Toger”. Më pas arsimimi i tij profesional do të kalonte dhe në shkollat superiore ku në vitin 1975-1977 do të vazhdonte Akademinë e Mbrojtjes, ndërsa në vitin 1986 do të përfundonte kursin e Shtatmadhorisë. Por nuk do të mbaronte me kaq, sepse ai do të vazhdonte me kurse të ndryshme kualifikimi si: për matematikë, psikologji, për problemet e stërvitjes etj. Por në jetëshkrimin e tij, si kualifikime të mëpasme do të vijnë: Grada shkencore “Doktor” dhe titulli “Profesor”, ndërkohë që është dhe autor i dy librave dhe bashkautor në dhjetëra tekste, metodika e artikuj të ndryshëm. Gjithashtu ai njeh gjuhët ruse dhe serbo – kroate.

Cili është mendimi juaj për goditjen e parë në ushtri, heqjen e gradave në vitin 1966?

Ju thoni goditja e parë, por ushtria dhe para kësaj ka pasur goditje, sigurisht më të vogla, por gjithsesi ka pasur. Por heqja e gradave ishte një veprim masiv, që përfshiu të gjithë oficerët e nënoficerët e tërë strukturave. E mbaj mend shumë mirë që këtë vendim na e lexuan në Feken, gjatë një marshimi 21 ditor që po kryenim në rrugën ku në vitet e Luftës Nacionalçlirimtare kishte kaluar Brigada e Parë Sulmuese partizane.

A ishte një emocion negativ të dilje pa spaleta?

Ne ishim oficerë të rinj, nëntogerë dhe togerë, e nuk e kishim atë ndjenjë, ose më saktë atë nostalgji që kishin kuadrot më të vjetra e me grada më të larta. Sepse këtu flitet kur ke gradën e kolonelit apo të gjeneralit. Megjithatë në këtë rast do të perifrazoj dikë nga eprorët e mi të nderuar të asaj kohe, që është shprehur se: kjo masë i ngjante asaj të futjes në kooperativë, ata që kishin pak ishin më entuziast për hyrjen në kooperativë se sa ata që kishin shumë. Gjithsesi edhe në te rinjtë bënim pyetje: si do të nderohet në qytet? Si do të njihet eprori që vjen nga një repart tjetër? Cilin do të nderojë ushtari? Ndërkohë që heqja e gradave në tërësi, ndikoi ndjeshëm në rënien e disiplinës dhe të rregullit ushtarak, në një farë tulatje të kërkesës së llogarisë, në disa komplikacione të çuditshme të vijës së masave.

Në vitin 1968, pas pushtimit të Çekosllovakisë nga ushtria e ruse, Shqipëria doli juridikisht nga Traktati i Varshavës. Cila ishte situata e atyre ditëve?

Denoncimi i Traktatit të Varshavës nga ana e vendit tonë dhe dënimi i pushtimit të Çekosllovakisë nga ana e Trupave të Bashkimit Sovjetik, ishte një veprim politik shumë i guximshëm. Në të njëjtën kohë ai mbarte në vetvete edhe rrezikun e një sulmi ndaj vendit tonë.

Si i keni përjetuar ato ditë dhe cilat ishin masat që u morën në mbrojtjen e vendit, sidomos për pjesë ne mbrojtjes kundërajrore, kur mendohej se mund të kishte desantim nga trupat ish-aleate?

Ne ishim me punime në Bizë, kur na vjen urdhri që për 5-6 orë të ktheheshim në Tiranë. Me një marrshim të sforcuar mbërritëm në Tiranë dhe këtu na u komunikua detyra, që ne të kalonim në vartësi të njësive të tjera. Me togën time u caktuam në Korpusin e Fierit. Qëndruam rreth dy javë e u kthyem sërish në shkollë. Në shkollë qëndruam në gatishmëri Nr.1 deri në muajin dhjetor të vitit 1968. Në atë kohë u morën masa të jashtëzakonshme. U ndaluan lejet e vogla dhe lejet e zakonshme të të gjithë efektivave të ushtrisë. Efektiva të të gjitha njësive, veçanërisht atyre të drejtimeve bregdetare dhe zonave të desantimit ajror iu shpërnda armatim dhe municion luftarak, u kompletuan me efektiv rezervist, sipas një grafiku, ndërkohë që njësitë tankiste dhe ato të artilerisë kundërajrore, aviacionit dhe flota detare kaluan në tërësi në organika të kohës së luftës, etj. Aq të shumta ishin këto masa gatishmërie, sa këto u shtrinë dhe në institucionet e ndërmarrjet civile.

Çfarë armatimi posedonte Shqipëria në vitet ‘70-‘80? Cilat ishin resurset në njerëz, që formonin njësitë e ushtrisë?

Vitet që pyesni ju, Forcat e Armatosura kishin një efektiv shumë të madh, si aktiv ashtu edhe rezervist. Efektivi përbëhej nga rreth 16.500 oficerë, rreth 9.000 nën/oficerë, rreth 60.000 ushtarë si dhe nga rreth 8.000 civilë. Ndërkohë që rezervistë kishte rreth 450.000 vetë, dhe 230.000 Forca Vullnetare. Këto forca përfshiheshin në 22 Divizione dhe tre Forca që ishin: Mbrojtja Kundër Ajrore (MKA), Flota Luftarako-Detare (FLD) dhe Aviacioni.

Ishin 127 Brigada Këmbësorie (BrK), Brigada Artilerie (BrA) dhe Brigada Sulmuese (BrS); rreth 1050 tanke të inkuadruara në 9 brigada tankesh e në dy batalione autonome, rreth 4.000 gryka zjarri artilerie tokësore; 34 regjimente të artilerisë kundërajrore pa llogaritur artilerinë kundërajrore të Brigadave, etj

Flota Luftarake Detare kishte 80 katera silurues, 4 nëndetëse, 4 gjuajtës të mëdhenj kundër nëndetëseve dhe 6 gjuajtës të vegjël, 8 minahedhëse 2 prej të cilave të mëdha dhe 6 të vogla, si dhe anije ndihmuese (cisternë, rimorkiator, polumbare, çmanjetizuese)

Aviacioni kishte rreth 240 avionë e helikopterë, cilësia e të cilëve në atë kohë ishte e njëjtë me atë të mjeteve ajrore të fqinjëve tanë.

Ja forca e mekanizuar e ushtrisë shqiptare në vitet ‘80

 

AVIACIONI

Të paktën 240 ishte numri i mjeteve fluturuese, që përbënin armën e Aviacionit Luftarak Shqiptar, nga të cilat rreth 200 ishin avionë:

95 avionë MIG-19-S,

12 avionë MIG-21,

12 avionë MIG-17,

3 avionë IL-14 për shërbime qeveritare

1 avion bombardues IL-28.

36 helikopterë MI-4.

12 avionë AN-2 transporti

1 ofiçinë për kapitalin e të gjithë tipave të avionëve që posedonte Shqipëria

ANIJET

Në vitin 1980 flota detare shqiptare kishte anije luftarake të tipave dhe destinacioneve të ndryshme të ardhura nga Bashkimi Sovjetik dhe Kina

 

Katër silurues Pr.123 bis   1954    80 copë rus + kinez

Dragamina rade Pr. 254-K 1957 6 copë rus

Dragamina bazë Pr, 56 1958 2 copë rus

Gjuajtës detarë Pr.1228 1958 4 copë rus

Nëndetëse  Pr. 613         1958    4 copë rus

Motovedetë tip Shangai II 6 copë kineze

Anija Patosi cisternë nafte

Anije frigorifer

Silur kapësja

Anija çmagnetizuese

Anija e polumbare

Cisterna uji 250 ton

Katëra rade

Rimorkiator oqeanik 1000 kf

Motoskaf komande

TANKET

Në vitet ‘80 ushtria shqiptare kishte 9 brigada dhe 2 batalione tankiste me nga 100 tanke. Kompania e parë e tankeve u krijua në 1 prill 1946 me tanket e mbetura si trofe nga Lufta e Dytë Botërore, ku të binte në sy kryesisht tanku i prodhimit italian tip “Spali”. Përveç tankeve, ushtria shqiptare zotëronte dhe 3-4 batalione të mekanizuara me transportues të blinduar, të gjitha të prodhimit kinez

T – 34 – prodhim sovjetik

T – 54 – prodhim sovjetik

T – 59 – prodhim kinez

T – 62 – prodhim kinez

AVL – 76 m/m – prodhim kinez

AVL – 100 m/m – prodhim kinez

Përgatitur për gazetën “Telegraf”, 2006

(Vijon nesër)

NESËR DO TË LEXONI

-Si u bë fortifikimi i vendit dhe sa është numri real i bunkerëve

-Reforma në ushtri e vitit 1983, pse Korpuset u kthyen në Divizione

-Çfarë problemesh dolën në ushtri pas dënimit të kuadrove të saj