Gëzim Prengzi: Haxhi Zekë Byberim figurë e lëvizjes kombëtare

913
Sigal

Haxhi Zek Byberi është një nga figurat kryesore të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare të gjysmës së dytë të shek. XIX dhe fillim shek. XX. I lindur më 1832 në Shoshan të Malësisë së Gjakovës, biri i Mehmet Byberit dhe i Zylfise, ai qysh në moshë të re u mbrujt me dashurinë për trojet e të parëve, për tokën shqiptare të rrezikuar nga copëtimi nga fqinjët dhe Perandoria Osmane. Të dhëna shkencore për jetën dhe veprimtarinë e Haxhi Zekës jepen në monografinë e Prof. Dr. Shefqet Canhasit “Haxhi Zekë Byberi në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare”.

Fëmijëria e tij kaloi në varfëri, pasi familja e tij në Pejë u ballafaqua me vështirësi të mëdha ekonomike. Vdekja e nënës së tij i vështirësoi edhe më shumë jetesën, prandaj Haxhi Zeka bashkë me vëllain e tij të madh, Dervishin filluan të punojnë qysh në moshë të re si transportues mallrash në Pejë dhe rrethinat e saj. Lidhur me shkollimin e tij, ka të dhëna se ai studioi 8 vjet në Medresenë e Madhe të Gjakovës, e cila ishte e një niveli të lartë, në të cilën mori diplomën e Myderrizit dhe të Specialistit për Drejtësi, dhe më pas vijoi studimet në Stamboll ku pati kontakt me atdhetarë të Lëvizjes Kombëtare si Hasan Tahsini, vëllezërit Frashëri etj., me të cilët punoi me përkushtim, për çështjen kombëtare shqiptare. Më pas ai filloi punën si mësues, njerëzit panë tek ai dëshirën që shqiptarët të jenë të ditur dhe të angazhohen në lëvizjen çlirimtare antiosmane, ndërsa gjatë kohës kur ishte myfti në Prishtinë, kërkonte më këmbëngulje respektimin e dinjitetit njerëzor të shqiptarëve.

Periudha në të cilën jetoi dhe veproi Haxhi Zeka karakterizohet nga përpjekjet e popullit shqiptar dhe popujve të tjerë të Ballkanit për t’u çliruar nga kthetrat e zgjedhës osmane, është koha e kthesës ndër më të mëdhatë në historinë e popullit shqiptar, procesi i zgjimit dhe afirmimit të ndërgjegjes kombëtare shqiptare. Zbatimi i reformave të Tanzimatit, në 1845-n dhe kryengritjet shqiptare kundër tyre e gjejnë Haxhi Zekën, megjithëse të ri në moshë përkrah babait të tij, Mehmet Byberit në kryengritjen e malësorëve të Krasniqes, e cila udhëhiqej nga Binak Alia e Sokol Rama. Gjithashtu, në prill 1845 u shqua në qëndresën e rrallë mes malësorëve të rrethinës së Gjakovës ndaj forcave osmane, ku shkëlqen shpirti luftarak i malësorëve të Krasniqes, Gashit, Bytyçit, Rekës e Gjakovës, dhe mbetet në kujtesën e tij akti heroik i luftëtarit gjakovar Dah Polloshka. Këto akte trimërie ndikuan në formimin e personalitetit të Haxhi Zekës si atdhetar. Në kryengritjen e Malësisë së Gjakovës në vitet 1862 të udhëhequr nga Binak Alia, Shaqir Curri e Sokol Rama kundër ekspeditës së Maxharr Pashës, dhe në kryengritjet e viteve 1862-1866, Haxhi Zeka jo vetëm mori pjesë si luftëtar, por organizoi dërgimin e ndihmave me armë e materiale të tjera nga Peja e Gjakova në Malësi, ndërsa në kryengritjet e majit 1867 ishte autori i memorandumit me kërkesa të kryengritësve ndaj autoriteteve osmane. Gjatë viteve 1867-1875 Haxhi Zeka bashkë me Sulejman Vokshin, Ymer Prizrenin, Haxhi Jonuzin, Ali Ibrën e atdhetarë të tjerë e ashpërsuan luftën ndaj përpjekjeve të monarkive ballkanike dhe pushtetit qendror osman. Duke parë këmbënguljen e malësorëve, të cilët i detyruan autoritete osmane të pranonin autonominë e këtyre krahinave, Haxhi Zeka kërkoi: “Të shkëputemi sa më parë nga Perandoria Osmane, se ua kanë hap derën spiunëve të Moskovit që po i mpreh pa pushim dhëmbët për t’i ngulë në trojet tona që i kemi trashëgim nga të parët tanë”. Ai u shqua si organizator dhe luftëtar në kryengritjen e vitit 1869, në Pejë dhe në formimin e komiteteve të fshehta që në fillim ishin lokale e më pas krahinore. Haxhi Zeka i dha ndihmë të pakursyer “Komitetit të Stambollit” që çështja shqiptare të ngrihej para botës, dhe organizoi mjaft tubime proteste kundër Traktatit të Shën Stefanit. Ai bashkë me patriotë të tjerë të Lëvizjes Kombëtare dha një kontribut të madh në organizimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, bile ai u zgjodh anëtar i Komitetit Kombëtar të Lidhjes Shqiptare si organ politik dhe më pas u zgjodh anëtar i Këshillit të Përgjithshëm si organ administrativ-pushtetar. Në mbledhjen e Komitetit Qendror të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit që u mbajt në mesin e Korrikut 1878, Haxhi Zeka mbajti një qëndrim të prerë kundër vendimeve të Kongresit të Berlinit dhe Portës së Lartë që kërkonin dorëzimin e Plavës e Gucisë. Në aksionin e Gjakovës të shtatorit 1878 kundër marshallit Mehmet Ali Pashës, Haxhi Zeka në cilësinë e komandantit ushtarak të këtij operacioni dha urdhrin për rrethimin e Sarajeve të Abdulla Pashë Drenit ku ishte strehuar marshalli turk. Ky aksion, i pari i Lidhjes së Prizrenit në të cilën morën pjesë 3500 malësorë trima përfundoi me vrasjen e marshallit turk nga Geghyseni Col Delia. Vendimet e padrejta të Kongresit të Berlinit fill Haxhi Zeka i kundërshtoi me forcë, ai organizoi dhe luftoi për mbrojtjen e Plavës e Gucisë, më 1879 dhe hartoi për të planin që u quajt “Pesë pikat e Zekës”, dhe kreu detyrën e komandantit të shtabit kryesor të Lidhjes për mbrojtjen e këtyre trevave shqiptare.

Pas një veprimtarie të dendur pune që bënë atdhetarët e shoqërive e komiteteve shqiptare brenda e jashtë atdheut, Haxhi Zeka bashkë me Bajram Currin përcaktuan platformën programatike të Kuvendit. Kështu me 23-29 Janar 1899 zhvilloi në Pejë punimet një kuvend shqiptar, i cili formoi Lidhjen Shqiptare të Pejës ose Besa-Besë. Në kuvend morën pjesë rreth 500 delegatë, të cilët i zgjodhën kryetar të Kuvendit Kombëtar dhe të Komitetit Drejtues të Lidhjes, udhëheqësin politik dhe komandantin ushtarak, njërin nga organizatorët kryesorë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, Haxhi Zekën. Kuvendi miratoi dokumente të rëndësishme si:

Rezolutën prej 11 pikash

Aktin e Besës prej 12 pikash

Një akt i rëndësishëm ishte edhe thirrja “Rruga e shpëtimit është në Besa-Besë”. Në Kuvend Haxhi Zeka dhe bashkëpunëtorët e tij përpiluan një dokument programor shumë të rëndësishëm që u quajt “Manifesti i Atdhetarisë Shqiptare”. Gjatë punimeve të Kuvendit pati edhe polemika e kundërshti, sidomos nga krahu proturk i Riza bej Kryeziut, me krahun radikal-autonomist të Haxhi Zekës e Bajram Currit. Porta e Lartë për të shtypur Lidhjen e Pejës dërgoi në pranverën e vitit 1900 rreth 40000 forca me të cilat arriti që ta shtypë këtë Lidhje. Lidhja e Pejës edhe pse e kufizuar në shtrirjen dhe kërkesat e saj, ishte një hap më tej drejt realizimit të autonomisë në viset shqiptare. Autoritet politike serbe, Aleksander Obrenoviç e Mihajlo Vujiç vendosën që detyrën e vrasësit të Haxhi Zekës t’ia besonin Adem Zajmit, kapiten i xhandarmërisë osmane në Pejë. Kështu në pasditen e 18 shkurtit 1902, Adem Zajmi kryen atentatin e pabesë ndaj Haxhi Zekës, duke “ngrënë paratë e serbëve”. Vrasjen e Haxhi Zekës qarqet politike serbe dhe zyrtarët osmanë e pritën me entuziazëm të madh. Rapsodi popullor aktin e vrasjes së Haxhi Zekës në pabesi e shprehu:

“Adem Zajmi veshi setrën

Ndeshëm Zot me Haxhi Zekën

Ballë për ballë do t’ia bëj dekën!…

…Krah për krah ata zotni

I ra Zajmi gjashtë herë allti…”

Haxhi Zeka me veprën e tij u bë shëmbëlltyrë e bashkimit shpirtëror e kombëtar të shqiptarëve për brezat e ardhshëm, duke i frymëzuar ata me vlerat e atdhe dashurisë,drejtësisë shoqërore,e të një shoqërie shqiptare pa dallime fetare, klasore e krahinore. Ai qëndroi i palëkundur në jetësimin e idealeve të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.