Gezim Llojdia: Ujësjellësi i Ali Pashait

1143
1.
Pas krahëve kemi lënë Ali Pashës dhe kalanë e tij, udha zbret ndërsa një copë tabelë shënon: Bënçë, Progonat, Lekdush, Gusmar, Nivicë, Rexhin. Ky është itinerari. Duhet të ecësh buzë lumit të Bënçës .Asfalti sa pak të humbet nga sytë. Ke përpara udhën me çakëll të imtë, në një terren të thyer malor. Kjo hapësirë e pamasë. Rruga ngushtohet. Dale po të shohësh më lart, më thonë. Dy qen stani i qepen mercedesit. Janë të egërsuar. Ç’bëhet kështu, o Zoti im? Përse qentë i lënë zgjidhur në Labëri në pikë të diellit? Ndër idetë që mund të konceptohet do të ishte, për të ruajtur bagëtitë që diku kullosnin aty. Po ç’kusur kanë kalimtarët dhe motoçiklistët që të bëhen pre e këtyre ‘ujqërve’ mund të shqyejnë, se nga dhëmbët dhe egërsia e tyre shfaqej sheshit. S’kishim cenuar askënd, udha ishte e të gjithëve në atë copë zallishte ku automobili mezi ecën me marsh të dytë.
2.
Në strehë malesh, në këtë zonë të harruar me sytë gjithë trishtim na përshëndet, një ujësjellës i kohëve të largëta. Ujësjellësi ka rreth 20 këmbë, katër këmbët e para ku shtrihet ujësjellësi janë me harqe. Ato janë dëshmi e kohës së ndërtimit të tij. Pjesa tjetër duhet të jetë rindërtuar, madje jo shumë vonë, por në kohën e kooperativave besohet se duhet të jetë kryer. Tepelena.com disa vite më parë sillte këto të dhëna interesante për ujërat e zonës: Ujërat nëntokësore përfaqësohen nga burimet masive karstike si Ujët e Ftohtë në Tepelenë, Hormovë, Lekël, Bençë, Gurra në Progonat, Bambulli ne Dukaj ku shumica e tyre përdoret si ujë i pijshëm për fshatrat dhe dy qytetet. Po kështu janë ndërtuar edhe 14 ujëmbledhës si në Krahës, Izvor, Komar, Gusmar etj, të cilët me sistem pompash ose vetërrjedhje vadisin sipërfaqe të mëdha të tokave bujqësore. Ujësjellësi i fshatit Bënçë gjendet në listën e shpallur monument kulture për rrethin e Tepelenës. Ja vendimi: Rektorati i Universitetit Shtetëror të Tiranës, në mbështetje të nenit 3 të dekretit nr. 586, datë 17.3.1948 “Mbi mbrojtjen e monumenteve të kulturës dhe të sendeve natyrale të rralla” si dhe të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 130, datë 9.4.1995, në bazë të të cilit Universiteti Shtetëror i Tiranës autorizohet që të aprovojë në lista të posaçme monumentet e kulturës që vihen në mbrojtjen e shtetit dhe duke marrë parasysh vlerën historike, shkencore dhe artistike të monumenteve që përmendën në listën e bashkëngjitur.

XI. Rrethi i Tepelenës
1. Kalaja e Tepelenës në qytetin e Tepelenës, e Leklit, në fshatin Lekël, e Matohasanajt, në fshatin Matohasanaj, e Qytezës, në fshatin Dukaj, e Kalivaçit, në fshatin Kalivaç e Nivicës, në fshatin Nivicë, e Zharës, në fshatin Dukaj. Ujësjellësi i Bençës, në fshatin Bençë. Një listim tjetër të monumenteve të kulturës që duhet të jetë kryer para viteve ’90 është Kalaja në qytetin e Tepelenës. Kalaja e Qytezës në fshatin Dukaj. Kalaja në fshatin Lekël. Kalaja në fshatin Matohasanaj. Kalaja në fshatin Kalivaç. Kalaja në fshatin Nivicë. Kalaja e Zharës në fshatin Dukaj. Kalaja në fshatin Horë. Vendbanimi antik në fshatin Qesarat. Ujësjellësi i Bënçës në fshatin Bënçë. Rrënojat e Urës antiko-mesjetare mbi lumin e Vjosës në Tepelenë. Rrënojat e Kishës së Dashajt në Lagjen Dashaj në Stanajt. Banesa e Myfit Kaçubajt në fshatin Nivicë. Shtëpia e Selam Musait në fshatin Salari. Mulliri në fshatin Nivicë. Duke sjellë në kujtesë monumentet kulturore të këtij rrethi përmenden kalatë vendfortifikimet. Ajo e Mathoasanj është një qytet fortifikues që kishte si kryeqendër Amantian në Ploçë të Vlorës.
Rrethi Tepelenë
Duke udhëtuar për në Kurveleshin e sipërm ka monumente monumente natyre, të cilat janë një atraksion i rrallë natyror si:
1-Shpella Mema e Ujit
2. Sterra e Cikës
3. Shpella e Lekë Petës
4. Shpella e Ujit –Dhëmbel
5. Vrima e Shkëmbit
6. Ujëvara e Progonatit
7. Shpella e Kasarit
8. Kanionet e Nivicës
9. Lugjet e Dhëmblanit
10. Lisi i Levanit
11. Buza e Bredhit – Luzat
12. Rrapi i Selam Musait
13. Shpella e Mezhgoranit
14. Shpella e Leklit
15. Burimet e Ujit të Ftohtë
16. Pusi i Shëndëllisë
17. Mogillat e Vasjarit
18. Tarraca erozive e Bënçës
19. Shkëmbi i Prerë Dukaj
20. Triavgat në Gllavë
21. Rrepet e Dervenit
22. Rrapi i Damës
23. Rrapi i Progonatit
24. Rrapi i Qesaratit
25. Rrepet e Donies -Kalivaç
26. Rrepet e Ujit të Ftohtë
27. Lisi i Luzatit
28. Rrapi i Hormovës
29. Mrezhda e Zhabokikës
3.
Tepelenën e kanë përshkruar edhe autorë të huaj. Roberto Almagia dhe Gaetano De Sanctis. Roberto Almagia shkruan kështu në “Enciklopedia italiane” (1937).“Tepeleni – Vendndodhja e Shqipërisë jugore, në bregun e majtë Voiussa, në një tarracë rreth 40 m në fund të luginës, 2 km. Ishte qendër e shquar në gjysmën e parë të shekullit XIX, sepse ajo dominon rrugën që shkon nga Voiussa(Vjosa) dhe të çon në Greqi..” Ndërsa Gaetano De Sanctis në “Enciklopedia italiane” (1929) shkruan për lumin Vjosë: “AOO. – Lumi në pjesën veriore të Epirit, sot Voiussa . Një betejë është luftuar midis mbretit Filip V të Maqedonisë dhe romakëve. Në fillim të një sezoni të mirë në vitin 198. C. Filipi, për të mbrojtur atë nga sulmet, që romakët ishin të përgatitur nga bazat e tyre në Shqipërinë e sotme dhe në veçanti nga Apolonia, mori një pozicion mbrojtës në AOO pranë Antigonea, rrënojat e të cilit qëndrojnë pranë Tepelenës, në afërsi luginës lumit Aoo dhe Drino….”

4.
I kthehem përsëri ujësjellësit. Duke parë këtë mrekulli të krijuar nga dora e njeriut në kohët e Ali Pashait,vrojton se ky ndërtim në anën e djathtë të tij është i vendosur mbi një urë me hark me dy këmba dhe poshtë tij nanuriset lumi i Bënçës që rrjedh nga kationet e thella të Lekdushit e Progonatit. Ujërat, ujësjellësi i merrte nga zona e kodrës. Këmbët e tij fillojnë me një lartësi më të vogël se të tjerat të tjerat vijnë duke u rritur për të arritur kuotën. Ka rreth 20 këmbë që mbajnë bazamentin e tij. 4 këmbët fundit të tij që përfundojnë në anën e djathtë të lumit janë me harqe dhe të vendosur përmbi një urë tjetër, e cila përbëhet nga një hark i madh dhe tre të vegjël në anët e saj. Si një vepër inxhinierie, ky ujësjellës mund të quhet i përsosur për kohën e ndërtimit të tij. Ujësjellësi është ndërtuar nga Ali Pasha në kohën sundimit të tij. Sillte ujët nga njëri breg në tjetrin. Lumi i Bënçës rrjedh nga burime te ftohta në malet e Lekdushit dhe Progonatit, është i pastër dhe mund të përdoret edhe për të pirë pavarësisht se fshataret nuk kanë nevojë për ta përdorur për ujë të pijshëm mbasi aty ka shumë burime të tjera dhe që janë të një cilësie tepër të veçantë ku furnizohet edhe qyteti i Tepelenës në mënyrë të pandërprerë, ai pra lumi i Bënçës bashkohet me lumin e Vjosës një kilometër ne veri të qytetit të Tepelenës dhe derdhet në detin Adriatik.

5.
Ujësjellës i ndërtuar nga Ali Pashai në Bënçë. Ali Pasha 1740-1822.
Katherine Elizabeth Fleming shkruan: “Sapo mori titullin “Pasha i Janinës” nisi një projekt ambicioz veprash publike, duke ndërtuar rrugë, lokale, duke përmirësuar rrugët e komunikacionit dhe inkurajuar tregtinë”. Broughton shkruan: “Ka ndërtuar ura mbi lumenj, diga në këneta, ka hapur shumë rrugë, zbukuruar fshatrat dhe qytetet me ndërtesa të reja. Me sa duket Aliu synonte të prezantohej si një guvernator shpirtgjerë dhe mbrojtës i popullit të vet, duke përmirësuar nivelin e jetesës. Vepra të tilla shërbenin edhe si garanci në rast të ndonjë revolte nga ana e popullit. Aliu i njihte mirë fatet e një regjimi të decentralizuar, i izoluar nga territoret e veta dhe nga popullsia e vet. Në fund të fundi ai vet kishte marrë fuqinë edhe falë paaftësisë së qeverisë otomane për të kontrolluar edhe pikat më të largëta të Perandorisë. Përmirësimi i komunikacioneve ishte i leverdishëm si për Pashain si për popullsinë e pashallëkut. Gjatë viteve të rinisë Aliu kishte mësuar t’i njihte jashtëzakonisht mirë tokat në të cilat më vonë ndërtoi pashallëkun e vet. Kjo njohuri, si dhe shumë të tjera të fituara në fitet e rinisë, ishte shumë e dobishme për pashain. Udhëtar të shumtë si Leak e Broughton vunë re, se pashai shpeshherë nuk gjendej në Janinë, dhe kalonte shumë kohë duke lëvizur në territoret e veta. Një udhëtar evropian pohoi se kishte mësuar nga burime të sigurta se Aliu vizitonte, pa përjashtim, të paktën një herë në vit të gjitha fshatrat e veta.(Hobhouse 1813:121)1. Përveç se i vizitonte këto zona periferike Aliu kishte ngritur një rrjet të gjerë informatorësh lokalë. Kështu Broughton dhe Byron që më 1809 po projektonin një udhëtim drejt Peloponezit u habitën nga njohja perfektë e Aliut për rrugën që duhet të përshkonin. Ali Tepelena kujdesej shumë për centralizimin e pashallëkut dhe ishte shumë i kujdesshëm dhe i kudogjendur ne tokat e tij, i kushtonte vëmendjen më të thellë dhe zonave më të largëta. Ndërtimi i rrjetit rrugor të zgjeruar, hanet dhe magazinat kishin si synim kryesor lehtësimin e udhëtimeve të pashait. Rezidenca dytësore dhe verore u ndërtuan në të gjitha qytetet kryesore, qoftë për arsye strategjike, qoftë për arsye dashurie .Aliu ndërtoi një nga rezidencat dytësore më të pasura dhe madhështore në vendlindjen e vet, në Tepelenë. Këto ndërtime, më shumë se pashait, iu shërbyen popullsisë, tregtarëve, artizanëve dhe shtegtarëve të huaj. Punime të tjera të nisura me urdhër të Aliut ishin dhe ato të bonifikimit të kënetave. Ato në veri të Artës u thanë me supervizim të inxhinierëve evropianë dhe rritën ndjeshëm prodhueshmërinë në këto zona. Këto vepra publike dhe siguria e padiskutueshme e territoreve ndihmuan në një zhvillim të paparë të tregtisë të brendshme dhe ndërkombëtare. Pirateria e përhershme e Egjeut dhe Adriatikut bënë që interesi i tregtarëve t’i drejtohej transportit tokësor. Territoret e Aliut ishin mjaft të përshtatshme. Të gjithë këta elemente e bënë ekonominë e pashallëkut të fortë dhe në rritje konstante.

6.
Për të dhëna rreth lashtësisë së kësaj zone. Në luginën e Bënçës, shkruan Engjell Shehu, kanë jetuar disa fise Ilire si : Bishqevi, Bathësi, Bukshi, Dilqni, Ludova dhe Tola. Këto emra janë të fiseve ilire dhe pikërisht banesat e tyre të hershme janë në disa shpella që i mbajnë edhe sot e kësaj dite emrat e tyre, siç janë; shpella e Bishqemit, shpella e Bathësit, shpella e Bukshit, shpella e Tolës dhe gryka e Dilanit. Këto fise themeluan fshatin me emrin Bënçë. Në këto shpella kanë banuar fiset e lartpërmendura ku kanë bërë një jetë primitive për vetë kushtet e atëhershme të shkëputur nga njeri tjetri duke jetuar në natyrë. Kjo periudhë që unë po përshkruaj këtu i përket komunitetit primitiv. ..

7.
Qendra e sotme e fshatit është një rrëpirë me gjithë bukurinë e saj. Fshati përbëhet nga ndërtesa ku ndihet dora e amvisave. Një kafene në qendër, punuar mjeshtërisht me gurë të gdhendur me ngjyrë gri dhe të bardhë. Mirëseardhja është dëshira e kahershme, mirëpo porta është e kyçur. Kafe është mbyllur. Edhe këtu bën vapë. Shprehja ndizet guri, besoj këtu ka lindur. Një tufë dhi e dhën na zënë udhën. Bariu përshëndet. Paro dhe Goliku me sjellin ndër mend këngën e tyre: Bij çobanësh neve jemi/dhën e dhi kullotur kemi. Sipas të dhënave ky fshat ka 2225 ha pyje mbarështron dhinë, që i përshtatet zonës malore.

Bënça duhet të futet në hartat turistike. Klima, ujërat, largësia nga qyteti rreth 5-6 km. Turizmi malor këtu duhet të kishte filluar prej kohësh. Si problem kryesor është udha. Këto dreq udhë! Nuk shkohet në Labëri as me avion, as më det, as me hekurudhë. E vetmja mënyrë për të shkuar atje është rruga automobilistike. Është në ndërtim e sipër autostrada e jugut. Një degë e saj fillon në Levan dhe gjarpëron anës Vjosës,tjetra ka filluar nga Memaliaj dhe shkon të takohet me pjesën tjetër. Çfarë do të zgjidhin këto arterie?Ardhjen e turistëve të huaj, pakësimin e kohës,kursimin në goma, karburant etj. Por për të shkuar në Bënçë dhe më tej në komunën Kurvelesh me se duhet të udhëtosh?Kurveleshi si pjesë e Labërisë ka një histori të pasur: Në lashtësi, Tepelena bënte pjesë në trevën e Kaonisë. Zona e Buzit lidhej me ilirët e Antipatresë (Beratit), Krahësi me Bylynet (Mallakastër) dhe Lopësi me Amantinët (Plloça e Vlorës). Në fundin e shekullit të 9-të, Tepelena hyn ne Themën e Nikopopjes pastaj në Despotatin e Epirit. Nga fundi i shekullit të 14-të, filloi depërtimi i turqve në Shqipërinë e Jugut. Në shekullin XVI, Tepelena bënte pjesë në sanxhakun e Vlorës. 
Sigal