Gëzim Llojdia: Banesat brenda kalasë dhe Tepelena si një qytet turistik

2022
Sigal

Tepelena në rrëzë të malit. Buzë lumit ujëshumë, Vjosë. Në kohën socializmit thirrej një qytet provincial. Tepelenën e mbaj mend, si një udhëkryq me dy kahe. Kurvelesh dhe Gjirokastër. Rrugët e ngushta, fasada ndërtesash me arkitekturë të kohës së socializmit. Pamja fizike e lodhur e qytetit. Kalaja e Aliut, dikur fshehur ferrash kutërbonte nga era e rëndë. Rruga rrëzë kalasë. Autobusët çekë gulçonin. Hë do biem këtu apo atje në Vjosë. Banjot publike i quajtën komuniste u vunë dermën. Rrëzat, cepat, hyrja, muret e kalasë, shërbenin deri vonë si të tilla. Nuk di ç’orë e mbrapshtë luante me ne, që na takon në pikën e ndarjes, na zhbiron dhe provon qëndrueshmërinë. Sot. Fytyra e re, shfaqet dukshëm në tërë hiret e saj. E pastër, e bukur me disa e vepra arti. Një pedonale e re. Frymën kërkon ta mbajë nga turizmi. Monumente të lyer rishtazi. Buste dhe shtatore. Ali Pashai, Sali Nivica, Nimete Progonati, Selam Musaj, Abaz Shehu, Mustafa Matohiti, Asim Zeneli. Një dorë e kujdesshme i ka pastruar. Rrugë me asfalt pa gropa. Pallate të kohës së socializmit. Një arkitekturë e njohur, por të mirëmbajtur. Lokale, që gumëzhijnë. Dritë. Si amvisat e dikurshme e kanë bërë qytetin e vogël të këndshëm. Në hyrje të qytetit Ali Pashai, i bronztë me përmasa 3.25×1.25 m vështrimin e ka nga vendlindja e tij, Beçisht. Realizuar nga Muntaz Dhrami, më 2001.

Kryeqendra e erërave të dikurshme dhe të sotme jugore.

 

Të vizitosh këtë qytet të bukur, duhet të mendosh për parkimin. Te kthesa, aty udha merr drejt për Gjirokastër. Askush nuk të shpjegon. Tabela thotë: Qendër. Vjen rrotull pedonales me gurë të bardhë. Fjalia asgjëkund, është e kuptueshme për ven qëndrimin. Ca djem levendë si janë përgjithësisht djemuria e kësaj ane vijnë rrotull. I ngjitemi tatëpjetave të qytetit, i cili është i kapur në kodër. Lagjet janë të sistemuara. Rrugët të mbipopulluara nga automobilat. Zbresim te kalaja. Parkim me pagesë. Ish-minatori, një shitës disqesh na bën nder, heq dy gurët që të na lejojë parkimin. Përkarshi Albtelekomit. Sa kushton ora, asgjë. Po ku gjenden parkimet e këtij qyteti të vogël në kodër? Gjithandej dhe asgjëkund.

Banesat brenda kalasë

Kalaja e Ali Pashës është monumenti më i bukur në këtë qytet jugor. Ai e identifikon me Ali Pashën e shtrirë në hyrje të qytetit. Pikë horizonti kjo largësi e afruar. Pjesa më piktoreske e qytetit në kodër. Që prej vitit 1819, thonë studiuesit e kështjellave ishte murosur një pllakë mbi hyrjen lindore, që e shënonte këtë vit. Muret e kalasë vërtetë ndjekin formën natyrore të terrenit. Ato i dallon në hyrje dhe në dalje. Meqenëse nuk ka formë të rregullt gjeometrike muret e kalasë i sheh, e prek me gishta fortësinë e tyre të tri kullave poligonale, që janë vendosur në kthesat kryesore të mureve. Dy prej tyre s’duken deri në vështrimin tënd, të fundit te busti Selamit. Po shquhet një hyrje. Kalaja ka tri porta, njëra prej të cilave (lindorja) mban mbishkrimin “Porta e Vezirit”. Një hyrje e madhe me dy kthesa, është hyrja jugore. Brenda kësaj hyrje ka veç ndërtesa. Ngrehina banimi me rrush, gjelbërim dhe porta hekuri. Kjo lemeri shqiptare nuk kishte si fillim vitin 1990. Të dhënat flasin se në fillim të viteve ’90 brenda në kala jetonin dhe kishte 75 ndërtime me leje. Pas 1990, katrahura erdhi duke shtuar sipërfaqe ndërtimi në një vend monument kulture, u prishën rrënoja për të ndërtuar me gurët e tyre banesa. Rrënimi që nisi me furi pas ’90-s tashmë është ndalur me ligj. Mirëpo brenda sarajeve të pashait qëndrojnë pa leje ende mjaft ndërtime.

Çfarë duhet të kishte brenda kalasë?

Gjerak Karaiskaj shkruan: “Në 500 vjet fortifikime. Ndërtimet e brendshme, për ekonomizimin e vendit, i mbështeten mureve rrethuese. Ato mbulohen me qemere cilindrike, një thembër e të cilave është pjesë përbërëse e murit rrethues. Kalaja ka tri porta, njëra prej të cilave (lindorja) mban mbishkrimin «Porta e Vezirit». Interes për zgjidhjen e tyre arkitektonike, paraqesin edhe dy hyrjet e tjera, prej të cilave më e ruajtur është hyrja jugore (fig. 178). Ajo është ndërtuar pranë njërës nga kullat poligonale. Porta e jashtme nuk i ekspozohet drejtpërdrejt shikimit, pasi ajo është ndërtuar në faqen anësore të një të thelluare drejtkëndëshe të murit të kalasë. Përballë portës qëndron kulla poligonale, e cila, duke qenë me përmasa të mëdha, kontrollon jo vetëm sheshin e vogël drejtkëndësh, që krijohet para portës, por dhe krejt murin jugor. Porta e parë ose e jashtme, është e tipit portë-urë. E vendosur mbi një bosht rrotullimi horizontal në nivelin e pragut, ajo komandohej nga brenda nëpërmjet një çikriku me zinxhirë, që dilnin nga dy dritare të vogla dhe fiksoheshin në pjesën e sipërme të portës. Flegra e portës-urë shërbente njëkohësisht edhe si plan i pjerrët për bazamentin e nivelit të jashtëm dhe të brendshëm, mosnivelim që në gjendjen aktuale, arrin në 2 m. Mekanizmi i ngritjes dhe uljes së portës-urë ka qenë vendosur në pjesën e brendshme mbi një platformë dërrase, që vendosej mbi harkun e portës. Pasi kalon portën-urë, ndodhesh brenda një kthine katërkëndëshe, muri ballor i së cilës është pajisur me frëngji pushke. Frëngjitë komandoheshin nga një kthinë tjetër, që ishte për truprojën. Por, për të shkuar në oborrin e kalasë, duhet të ktheheshe nga e djathta, ku ishte një portë e dytë dykanatëshe, e cila sigurohej nga brenda me katarah. Kthina katërkëndëshe e hyrjes ka qenë mbuluar me një qemer cilindrik. A mund të zhvendosen popullsia brenda kalasë? Lufta që zuri Ali Pasha kur u prish me osmanlinjtë ka shekuj që ka përfunduar. Aktualisht ne jemi në NATO dhe këta “kryengritës” që e pushtuan me ligj dhe pa ligj mund të zhvendosen diku. P.sh ta zëmë qeveria t’u japë tokë diku pranë stadiumit, për të ndërtuar. Vërtetë se përfundoi deri në fund pashai, por ajo tashmë ka një destinacion tjetër, turizmin kulturor. Ajo mund të jetë një muze atraktiv i Ali Pashës dhe banorët ta përdorin edhe për një kafe se mund të jetojnë njëlloj si në zonën muzeale të Gjirokastrës me të ardhurat e turizmit. Aty është pjesa e jetës së pashait por edhe më interesante mund të jetë edhe historia e vizitës që një personalitet evropian ka bërë në këtë kala. Bëhet fjalë është për një poet me prirje seksuale të dyshimtë si Lord Bajroni. Udhëtari dhe poeti në vitin 1809 ishte mysafir në kala. Në kullën jugperëndimore qysh nga koha e regjimit të shkuar u vendos një basoreliev në sheshin ‘Lord Bajron’ me fjalët e poetit:

O Shqipëri ku lindi Inskanderi

këngë e rinisë fanar i të urtëve…

 Shqipëri, lejomë të kthej sytë e mi

Mbi ty, o nënë e rreptë burrash…!

Tepelena njihet për këngët e saj, për polifoninë dhe këngën qytetare apo edhe sazet e Tepelenës. Bukuria e këtyre këngëve kanë hedhur rrënjë në kujtesë, mbeten ndriçim që nuk eklipsohet kurrë. Krahët imagjinarë të kujtesës hapen, kur dëgjon një krijim polifonik dhe të përfshijnë si jehonë të vetme, në vorbullën pa kthim. Bukuria e këtyre këngëve vjen si vezullimi i yjeve të shndritshëm, mbuluar në tisin e bardhë të reve. Goligu, Parua dhe Grupi i Bënçës apo grupe të tjerët të polifonisë të këtyre fshatrave jugorë. Këngën qytetare pas viteve ’90 e përfaqësuan dy grupe muzikore: Djemtë e Vjosës dhe grupi Ali Pasha. Dje isha në udhët e këtij qyteti provincial, me një peizazh turistik, i bukur, i pastër që duhet të ruajë traditën e tij edhe në muzikë. Nëpër rrugët e Tepelenës, nëpër lokale deri sipër dëgjohen këngë italiane, angleze. Te kalaja apo në pedonale, nëpër lagje, këngët e zhurmshme të huaja s’kanë lidhje me qytetin, me turizmin, këngë me zë të lartë, asgjë të përbashkët me këtë qytet, që ka marrë formën e plotë të një qyteti vital turistik. Me muzikën italiane, angleze, spanjolle turistit i janë lodhur veshët në vendin e tij. Çfarë muzike afroni ju tepelenasit, që e keni traditë të bukur muzikën qytetare, sazet e bukura tepelenase apo polifoninë e fshatrave të malësisë së Kurveleshit. Tepelena, fatkeqësisht, në këtë drejtim është e tjetërsuar. Ajo ofron të gjitha tërheqjet e mëdha si, kalaja, kulinaria , sportet malore ne Kurvelesh dhe atraksione turistike më gjerë si Gjirokastra. Qyteti gjithashtu mburret me kalanë atraksionin e vetëm turistik. Qyteti ka pamjen e vjetër të disa shekujve, kalanë e Ali Pashës dhe ngrehinat e regjimit socialist. Duke kërkuar aventurë dhe pamje Tepelena është një magji e vogël. Ka ruajtur trashëgiminë e qytetit është plot me dyqane, rrugë që jetojnë në harmoni dhe dashuruar me natyrën që të gëzojnë shpirtin me freskinë kur i sheh: Vjosën, si dhe shtigjet e shumta që çojnë në Kurvelesh edhe me këmbë. Tepelena është qytet çuditërisht i paprishur i dy kohëve, duke pasur parasysh afërsinë e saj me Gjirokastrën dhe më tej në brendësi modernizimin që të shfaqet përgjatë një rruge të bukur skenike, si pedonalja e re. Ky qytet është në një pozicion spektakolar me muret e saj kapur në anët shkëmbore, kurorëzuar nga një kala e kohës së sundimit të Ali Pashës në jug. Përtej dhe përkëtej qytetit të vogël, por historikisht interesante në veri edhe më tej në jug të tij gjenden fshatra me histori të spikatura si dhe malësia e Kurveleshit, vendi më i madh përgjatë kësaj rruge malore të pyllëzuar ku mund të shihni edhe ujësjellësin e Aliut në Bënçë.