Gezdar Serjani/ Po prishen simbolet kombëtare dhe po deformohet historia

782
Sigal

Në kontinentin e vjetër kemi lindur të parët, kemi histori që fillojnë prej lashtësisë dhe për rrjedhojë edhe simbole të cilat përjetësojnë këtë histori. Përpjekjet për rishikimin apo ndryshimin e historisë me ngjyra politike e për interesa të ngushta të grupeve të ndryshme, janë veprime antihistorike e jo atdhetare. Shumë autorë sot anojnë nga keqdashja për ndryshimin e historisë gjysmë shekullore të periudhës së socializmit, me pretekstin e luftës kundër komunizmit. Me gjithë këto përpjekje tendencioze e të njëanshme, historiani i nesërm me ndjenja të vërteta patriotike, apo arkeologu që do të bëjë gërmime edhe kur ti mbulojë balta këto vepra gjigande, të cilat akoma i shohim me sytë tanë si Mitarë të vërtetë, na duket sikur flasin e thonë. “Ja ç’bëri sistemi pluralist, ndërsa e ashtuquajtura demokraci shkatërroj çdo gjë, deri tek simbolet kombëtare. Populli ynë lëngoi për pesë shekuj nën pushtuesin otoman, pushtuesit bënë ndryshime në disa fusha të jetës veçanërisht në atë fetare, synimi përçarja e popullit tonë nëpërmjet besimit fetar. Duke kuptuar këtë dëm të madh kombëtar, rilindësit e mençur thanë: “feja e shqiptarit është shqiptaria”. Rilindësit duke luftuar në shumë fronte me pushkë e penë bënë përpjekje sublime për shkrimin e gjuhës shqipe dhe ruajtjen e identitetit kombëtar. Historia dhe simbolet e kombit tonë ishin shkruar në memorien popullore nëpërmjet folklorit, edhe në kushtet e mungesës së shkrimit, shqiptarët i përjetësonin ngjarjet historike në këngët popullore, të cilat përcilleshin brez pas brezi. Në këtë mënyrë u ruajtën edhe simbolet kombëtare. Përpjekjet e kryeministrit dhe qeverisë aktuale për të kënaqur disa rryma antikombëtare dhe për të mbuluar nga pluhuri i harresës historinë dhe krimet e viteve nëntëdhjetë, rëndojnë edhe simbolet kombëtare. Ky veprim synon të harrohen veprat e bëra, të harrohen faktorët që nxitën largimet në masë të shqiptarëve nga trojet, gjaku i derdhur i tyre pa qenë në luftë. Por edhe këto ngjarje e shumë të tjera janë regjistruar në memorien e popullit. Mund të mos shkruhen në histori edhe shkatërrimi i simboleve kombëtare, por edhe kjo vepër antikombëtare ruhet nëkujtesënpopullore. Ka një shprehje popullore e cila thotë: “Ai nxjerr edhe të vdekurin nga varri” dhe ishte kjo qeveri që urdhëroi nxjerrjen e dëshmorëve dhe heronjve të LANÇ nga varret. Kjo vepër e shëmtuar ndodhi në çdo rreth, ku lapidari i dëshmorëve në lagjen Manalat të Gjirokastrës. Pas luftës u ndërtuan lapidare e pllaka përkujtimore në nderim të veprës së LANÇ-it dhe të periudhave të mëparshme historike. Por pas vitit 1990 të gjitha u shkatërruan. Mirë simbolet e luftës që u shkatërruan, por u prishën varrezat e rilindësve ku janë vendosur eshtrat e rilindësve të mëdhenj gjirokastrit Koto Hoxhit, Çajupit, Çerçizit, Pandeli Sotirit, pse u prishën? Të njëjtin fat ka pasur edhe pllaka përkujtimore në lagjen “Hazmura” e cila përkujton vrasjen e bimbashit turk, nga patriotët, Bajram Ligu e Hito Lekdushi. Mos vallë edhe këta ishin komunist? Heqja e simboleve nxitet edhe nga armiqtë e Shqipërisë që duan të na shfarosin si komb. Mos vallë kjo epidemi i intereson Evropës që na ka ndarë pjesë-pjesë e nuk na jep të drejt edhe sot në kohën moderne?

Qeveria moniste ngriti në çdo fshat muzetë ku pasqyrohej historia në gjithë spektrin dhe kohën e saj. Pjesa më e madhe e këtyre muzeve u prishën, midis tyre edhe muzeu i luftës në qarkun e Gjirokastrës: Ja ç’shkruan një mëmëdhetar, një Lab në mërgim: Unë e dua Labërinë/ E kujtoj me mallëngjim/ Kurveleshin e gjithë Shqipërinë/ I laj me lot në mërgim/ Kij besim o nëna ime/ Se gjithë bijtë e Labërisë/ Betohen kudo që janë/ Flamurin e lirisë lartë do ta mbajnë/ Si bëri Hitua, Sinani me nam….

Sot më shumë se kurrë gjithë shqiptarët të bashkuar t’i dalim zot kombit. Intelektualët të shfaqin hapur e qartazi mendimin e tyre. Kontributi i tyre të mos jetë për karrigen dhe interesin e njërit e të tjetri por për kombin e vendin. Intelektualët duhet ta thonë me forcë fjalën e tyre, në mënyrë që të frenojnë ata që duan të shkatërrojnë historinë dhe simbolet e këtij vendi.