Gaqo VESHI: Ja si e kam njohur Lasgush Poradecin

1206
Sigal

Gaqo Veshi (Hyskë Borobojka) rrëfen detaje të këndshme nga takimet që ka patur me poetin e shquar Lasgush Poradeci

Në librin e Leximit Letrar të klasës së tretë të shkollës unike gjatë vitit shkollor 1947-1948, kam lexuar për të parën herë vjershat e bukura të Poetit Lasgush Poradecit, si “Kroi i fshatit tonë”, “Poradeci”, që mësuesi ynë, i nderuari Xhuvi Bino na i recitonte me aq pasion. Këtë dëshirë për të lexuar e mësuar vargjet e këtij liriku të madh mu shtua akoma më shumë kur shkova në shkollën e mesme në Gjirokastër, ku profesori i apasionuar (ishte dhe vetë poet) Fejzi Dika. Kur lexoja vargjet e tij nga dy librat “Ylli i Zemrës” dhe “Vallja e Yjve” sa shumë poezi i mësoja përmendësh, mendoja se autori i tyre ishte i veçantë edhe në pamjen e jashtme, ashtu si ishte edhe poezia e tij. I frymëzuar nga vargjet e tij, u lodha të thurja edhe unë një vjershë “dashurie”. Vjershën e quajta “Dashuri krenare” dhe pasi u konsultova me mikun tim, Dritëro Agolli, e dërgova në Tiranë, në redaksinë e gazetës “Letrari i ri”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë. Por mbeta i zhgënjyer kur lexova në faqen e katërt të saj, në rubrikën “Posta e redaksisë” përgjigjen: “Gaqo Veshit, shkolla e mesme “Asim Zeneli” Gjirokastër. Morëm vjershën tuaj “Dashuri krenare”, e pamë në redaksi dhe mendojmë të mos e botojmë. Ju humbisni frymën e Partisë ne letërsi dhe jeni influencuar nga një poet dekadent, siç është Lasgush Poradeci”.  Pas largimit të profesorit nga shkolla jonë, në orët e letërsisë, kur binte fjala për Lasgushin thuhej se ai “është mbyllur ne kullën e fildishtë dhe kur të tjetër kishin rrokur armët në luftë për liri, shkruante vjersha për shtojzovallet e leshverdhat liqeri” Madje një nga drejtuesit e Lidhjes së Shkrimtarëve të atyre viteve, e mohonte fare artin e poezinë e tij, duke thënë se Lasgushi di të shkruaj “Lasgush që mendjen na lasgushon”.

Takimi im i parë me Lasgushin

Pas këtyre ngjarjeve të shkollës së mesme, kisha një dëshirë të madhe ta takoja këtë “Lasgush që mendjen na Lasgushonte”. Çfarë njeriu ishte, i gjatë, i shkurtër, i hollë i trashë, si ecte, si shkruante. Do të kalonin disa vite dhe një ditë vere, me të ndjerin, shkrimtarin Sotir Andoni dhe një nxënësen tim që recitonte shumë bukur poezitë e tij, e sidomos “E mora shoqezën për krahu”, shkuam në Pogradec, vendlindja e poetit, ku ai kalonte verën, në “kullën” e tij (siç e quante shtëpinë e tij të vjetër) Aty te “Turizmi i vjetër takuam Lasgushin. Si e kisha parafytyruar e si po e shihja tani. Ishte një plak me shkop në dorë, veshur me një kostum të errët e me një republikë të vjetër në kokë. Pas e shoqëronte një qen i vogël i bardhë, që Poeti e kishte pagëzuar “Cuc Kosava”. Me të po shëtisnim nga dalë bashkë me Lasgushin dhe qenin e tij. Ai sytë nuk ia ndante liqenit dhe brigjeve të tij, sikur donte të çmallej atje “ku buçiste liqeri pa kufi, porsi me zjarr e me flori”. Mbase donte të shihte “perëndimin e vagëllyer, që përhapej mbi liqerin pakufi”. Mos donte të ulej e të çlodhej “ku çelte junapi” apo të vështronte “valët e urta, që i shtroheshin valës, dalë nga dalë e fashe-fashe”. Mos ishte nisur drejt “zallit të përbujshëm” të shihte si “niseshin lundrat lavarashe”. Mos vallë “niste rrugën ca nga ca, sikur e ndillte lark diçka”. Kur nxënësia ime e bukur, me flokë të verdha si ari, të derdhura mbi supe, i recitoi vjershën e tij “E mora shoqezën për krah,/ E matëm rrugën ca nga ca”. Poeti e treti shikimin në valët e gjolit dhe tha: -Nga ka dalë kjo shtojzovallë? -Mjeshtër, -e pyeti Sotir Andoni, – nga cila anë e gjolit e ke thurur këtë perlë? -Andej! – iu përgjigj Poeti, duke tretur shikimin bregut të gjolit dhe iku duke trokitur shkopin e tij i shoqëruar nga Cuci.

Lasgush Poradeci dhe Tefta Tashko

Do të kalonin kohë dhe pas vitit 1972, kur punoja redaktor në revistën “Hosteni” shpesh vinte Lasgushi, pasi kryeredaktorin tonë, Niko Nikollën e kishte bashkëqytetar dhe mik të hershëm. Ngjiste shkallët gjithnjë me atë kostum të errtë e me shkopin që s’e ndante kurrë. Ardhja e tij për ne redaktorët e revistës ishte një kënaqësi e madhe, pasi na tregonte botën e tij të pasur. Na fliste për vitet e shumta të shkollimit, deri sa vetë Fan Noli ishte interesuar dhe i kishte dhënë bursë për të vazhduar studimet në Grac të Austrisë, bashkë me Eqerem Çabein e Aleks Budën, me të cilët shoqërinë nuk e kishte ndarë asnjëherë. Na fliste me mall të madh për sopranon e Madhe, Tefta Tashko Koço, për të cilën kishte thurur disa nga perlat e tij, që ishin kthyer në këngë. “Tefta shkoi në Itali për t’i incizuar dhe kur u kthye më tha: “Edhe ty Lasgush të takojnë honorare prej tyre!” Po çfarë t’i merrja unë të gjorës Teftë, që e kishte zemrën flori! Thoshte se disqet e saj i ruante si sytë e ballit. Një herë Ziniu (Sakoja, drejtori i Institutit te Folklorit), me mustaqe si të Stalinit, i kishte thënë: “Lasgush na i jep disqet me këngët e Teftës se do  të t’i kthejmë përsëri!” ” -Ja, – i thashë, – qenke i ditur (dhe vuri dorën mbi ballë si strehë) T’i incizosh zotrote dhe pastaj unë ç’të kem. I do bliji, aq sa i kam blerë unë !”

Nga kalon Drini, o tuaf?!..

Tregonte se dikur Zyadin Kodra i kishte thënë se në poezinë “Poradeci” ku thotë se: “Drini plak e i përrallshëm” kalon mes për mesh Shqipërisë,. Kjo nuk është e vërtetë, ai s’kalon përmes Shqipërisë, po anës së saj. Poeti kishte vënë dorën në ballë, si zakonisht e i qe përgjigjur: “Ja, po Kosovën ku e le?!”. Ai kishte një mall e një dashuri të madhe për Kosovën e robëruar nga Serbët dhe kishte qejf të recitonte vargjet që kishte shkruar për të: Kosova që bën sulm në zjarr/ Posi dragoi me fletë, Siç bënte  sulm ngadhnjimtar, Gjergj Kastrioti vetë./ Kush është lulja në Ballkan? Që bota ia kanë sevdanë/ Kosova që nuk pret Sulltan /Plot dritë e kapedanë. Të sedrës e me shpirt krenar, S’durojnë cen e dhunë. Tregojnë gjoks në sulm e zjarr, Si shkaba në furtunë.

Një fat i madh që nuk zgjati

Rrëfente kur bashkë me Dhimitër Paskon (Mitrush Kutelin) punonin si përkthyes me normë në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, kur një ditë u kishte qeshur fati. Kësaj shtëpie i kishte ardhur drejtor Drago Siliqi. “Eh, çfarë djali ishte Dragoja, – thoshte Lasgushi, – Na mblodhi në zyrën e tij e na tha: “Që sot e tutje rrogën nuk do ta kini 4 mijë lekë, por 8 mijë e do të përktheni sipas dëshirës autorët më të mirë, kryeveprat e letërsisë botërorë, që t’ia japim lexuesve shqiptarë. Do të punoni në shtëpitë tuaja, s’do të kini më normë, sepse arti, poezia nuk bëhet me normë!”  Por ja që fati i keq i ndjek pas njerëzit e mirë. Nuk qe e thënë që të gjeja frytin e punës time të mundimshme, se i miri Drago Siliqi do të vdiste në një aksident ajror.

“…Është treni i Shqipërisë, plani i hekurt i Partisë”!

Filluam përsëri na “norma” dhe recitoi një poezi që me sa mbaj mënd thoshte: “Norma është ajo që duhet tejkaluar!” Pastaj me tallje recitoi një vjershë për “Trenin” që thoshte:

Ç’është ai që shkon kaluar, Porsi gjarpër gjarpëruar, Është treni i Shqipërisë, Plani i hekurt i Partisë!

Ministrja dhe kolltuku i shqyer i poetit

Një herë në katin e dytë të “Kullës” së tij, ku para dhomës ku rrinte, në korridor ishin varur disa llastiqe, që Lasgushi gjuante zogjtë apo ata që vinin t’i trazonin pemët në oborr. Aty i kishte bërë një vizitë ministria e arsimit dhe kulturës, Tefta Cani. Pushtetarët e vendit kishin nxituar t’i shpinin kolltukë nga turizmi që të ulej ministria, por Lasgushi i kishte përzënë duke u thënë: “Ministresha të ulet në karrigen time të lidhur me tel, ku ulet poeti!” Ministria e arsimit dhe kulturës e përqafoi Lasgushin. Sekretari i parë i Komitetit të Partisë të rrethit, që e shoqëronte i dha dorën, ndërsa sekretari i dytë i zgjati dorën, kurse Lasgushi i dha vetëm gishtin e vogël.

REDAKTORËT QË QORTOJNË, JANË QENËR QË S’KAFSHOJNË

Një ditë një nga ne redaktorët i tha se kishte dërguar një libër në vjersha në Shtëpinë Botuese dhe i kishin bërë një thes me vërejtje.  “Mos u çudit, se ata atë puna kanë. Përse e kam bërë unë vjershën “Redaktorët”- tha dhe filloi ta recitonte: Redaktorët trukokallë,/ Redaktojnë vjershëtorët. Pa më thoni, cilët vallë/ Redaktojnë redaktorët?Redaktorët zemërpisë, Fyes të poezisë/ Shpirtkatarnë që më qërtojnë,/Janë qen që s’më kafshojnë, Pata lexuar që herët vjershën “Lasgush Poradecit” shkruar nga Lame Kodra (Sejfulla Malëshova), ku, midis të tjerash thoshte për Poetin se “Dhe ato duar që prekën zambakun,/ Që fërkuan një leshverdhë në pyje,/ Do të prekin vetëm duar xhelati,/ Do të prekin vetëm kartë dhe flori.” Në vitet 70′ revista Hosteni i kishte zyrat në katin e parë të Ministrisë të Industrisë së Rëndë. Një herë, siç vinte shpesh Lasgushi, për të kërkuar ndonjë gazetë, e pyeta për historinë e kësaj vjershe të shkruar nga Sejfullai. Ai u revoltua e më tha: “Ja këtu në këtë sallë të madhe ku jini ju e kishte zyrën Sejfullai më 1945, kur ishte Ministër i Kulturës!” Zgjati shkopin dhe tregoi tavolinën në krye të sallës, ku punonte njëri nga redaktorët e revistës dhe vazhdoi: “Aty ishte Sejfulla Malëshova. Unë i kisha kërkuar takim. Ai më priti. Por unë, sa hyra te dera i thashë: “Sejfulla! Cilit mbret bejlerësh i kam kënduar?! Kur ia kam shitur ndjenjat e njoma?! Sa para karte e flori kam marrë?! Dhe cilat duar xhelati kam prekur?!…” Sejfullai kishte ulur kokën në tavolinë dhe nuk më ktheu asnjë përgjigje. E dinte se ishte fajtor.

LASGUSHI -KADARESË: “PËRDOR FORCËN TËNDE, MË SHPËTO CUCIN NGA POLICIA”!

Një nga miqtë e tij ishte Ismail Kadareja. “Më do Ismahili!”- thoshte Lasgushi. Një ditë i bën vizitë Kadareja me një mikun e tij, i cili ishte dërguar nënkryetar i Degës së Punëve të Brendshme në Pogradec. Ismaili i tha Lasgushit: “Zoti Llazar! (Ai s’pranonte kurrë t’i thoshe shok) Për çfarë problemi që mund të keni, t’i drejtoheni këtij shokut tim se do të ndihmojë!” Dhe Lasgushi iu përgjigj : “Siç e dini dhe ju, o miqtë e mi, unë kam një hall dhe dua  të bëj vetëm një kërkesë. I lutem këtij shokut tënd të më shpëtojë qenin, Cucin e dashur, se nuk ma lënë rehat policia!” Ai Cucin e kishte shokun e rij besnik e nuk e ndante kurrë dhe thoshte shpesh: “Thonë se qeni emrin e ka të keq, por punën e bën të mirë. Qeni vdes sapo vdes i zoti, nuk i ndahet as në varr!”. Dhe vërtet Cuci i tij i dashur “vdiq” një javë përpara se të ndërronte jetë Poeti.

BALLADAT E “KULLËS SË VJETËR”

Sa herë takohesha më Lasgushin në Pogradec e ngjitesha në “kullën” e tij të vjetër, do të mësoje prej tij gjëra të reja nga jeta e tij. Se si kishte mësuar për 6 muaj gjermanishten apo si kishte dashur të mësonte edhe  sanskritishten, se prej kësaj gjuhe kishte marrë shumë fjale. Tregonte se kur ishin në Vjenë me Eqrem Çabejin dilnin shëtitje natën, prandaj i quanin “zogjtë e natës”. Kishte dëshirë të madhe të fliste e të tregonte për patriotët e trimat e Shqipërisë, se donte të bënte një baladë për Themistokli Gërmënjin, ashtu siç kishte bërë për Muharrem Çollakun. Të tregonte tri dëshirat e tij përpara skuadrës së pushkatimit: Të vishej me rroba shqiptare shqiptarisht. Të mos ia lidhnin sytë përpara pushkatimit. Ta jepte vetë komandën  për zjarr kur ta qëllonte skuadra e pushkatimit. Dhe recitonte: Tha tri fjalë dhe mbaroi,/ Dhe shpejt jep urdhrin: “Zjarr”/ Atje ku bie e vdes hero/ Rilind Atdheu shqiptar.