Sigal

Leonard VEIZI

(Vijon nga numri i kaluar)

Gjatë gjithë kohës në ushtri, kishte punuar në sektorin komandues, pra në sektorin ushtarak, në detyra të ndryshme, nga komandant toge, kompanie, komadant batalioninë detashmentin e zbulimit. Por ai kujton se në maj të vitit 1979, e thirrën për ta emëruar në një detyrë krejtësisht politike, në detyrën e komisarit politik të një njësie ushtarake, moment që i ndryshoi të gjithë linjën dhe karierën e mëtejshme ushtarake.

Si do të vazhdonte karriera juaj pas përfundimit të Akademisë?

Pas mbarimit të studimeve në akademinë ushtarake, u emërova në detyrën e komandantit të repartit ushtarak 2942 në Tiranë, ose ndryshe në shkollën e radiozbulimit të Ministrisë së Mbrojtjes. Para se të bëhej ky emërim, diskutohej që mund të emërohesha pedagog në akademi, siç u veprua me shokët e mi Kostaq Karoli, Shamet Shabani, Ramadan Kamberi e ndonjë tjetër, por me sa duket Eqerem Osmani, në atë kohë drejtor i drejtorisë së zbulimit të ushtrisë, kishte ngulur këmbë që unë të mos largohesha nga shërbimi i zbulimit. Megjithëse vinte në detyrën e drejtorit të drejtorisë së zbulimit pas Andon Shetit, i cili kishte një autoritet dhe prestigj të veçantë në hierarkinë e lartë të ushtrisë, Eqeremi në përgjithësi ia doli me sukses në detyrën e re. Me një sens praktik në kuptimin dhe shtruarjen e problemeve, në lidhjet dhe komunikimin me vartësit dhe kolegët, ai arriti të krijojë një profil te veçantë në drejtimin e shërbimit të zbulimit, duke e mbajtur atë përgjithësisht në nivelet që kishte qenë deri në atë kohe. Gjatë kohës që Eqeremi punoi në këtë detyrë, arriti të bëjë disa ndryshime të dukshme në sektorë të veçantë të zbulimit, veçanërisht në atë të radiozbulimit. Megjithëse më parë nuk kisha patur lidhje të afërta pune me të, kisha marrëdhënie të mira dhe vlerësime reciproke pozitive, gjë që ndikoi që Eqeremi të kërkonte që të mbetesha në shërbimin e zbulimit. U emërova komandant i repartit të radiozbulimit, duke zëvendësuar në këtë detyrë Spiro Stojën, një nga kuadrot e vjetër të radiozbulimit, që u caktua në një repart tjetër të këtij shërbimi, në Korçë.

Cfarë specifike kishte reparti 2942?

Reparti 2942 ishte një repart-shkollë, për përgatitjen e efektivit të radiozbulimit të ushtrisë, të cilët pasi mbaronin përgatitjen profesionale në këtë repart, caktoheshin të shërbenin në reparte të tjera të këtij shërbimi, në këtë rast në postet e radiozbuluesve, në detyra luftarake. Në vitin që unë u emërova në këtë detyrë, këtij reparti iu shtua edhe një detyrë tjetër, ajo e përgatitjes së oficerëve rezervistë të reparteve të zbulimit dhe të reparteve sulmuese, në kurse tre mujore. Një ndryshim i tillë i destinacionit u bë me qenë se ish rregjimenti i zbulimit (detashmenti) ishte organizuar si shkollë e oficerëve rezervistë të ushtrisë dhe nuk ishte më në vartësi të drejtorisë së zbulimit.

Si e ndjetë veten në detyrën e re?

Pavarësisht se shërbimi i radiozbulimit nuk ishte specialiteti im, asnjëherë nuk kam menduar keq për këtë emërim, së pari, sepse në këtë detyrë u njoha nga afër me praktikën dhe përvojën e këtij reparti mjaft të rëndësishëm të shërbimit të zbulimit, për të cilin kisha patur njohuri vetëm nga kontaktet me kuadrot e radiozbulimit dhe, së dyti , sepse, si duket ky emërim hapi rrugë edhe për lëvizje të tjera në repartet dhe njësitë e ushtrisë, siç ndodhi më 1979 kur u emërova në detyrën e komisarit politik të brigadës 22, në Burrel.

Si bëhej përgatitja e kuadrove në repartet e radiozbulimit?

Në shkolle zhvillohej një program mjaft cilësor dhe i ngjeshur, i cili përfshinte njohjen dhe përdorimin praktik të aparaturave marrëse-dhënëse; përgatitjen praktike për aftësimin e efektivit si transmetues dhe përgjues në postet e radiozbulimit; njohjen e strukturës organizative të disa ushtrive të huaja, që mund të ishin objekt i punës së radiozbulimit, veçanërisht njohjen e strukturës së radiondërlidhjes që ata aplikonin; përvetësimin dhe përdorimin praktik të disa gjuhëve të huaja, si anglisht, rusisht, italisht, greqisht dhe serbisht etj. Programi i shkollës përmbante dhe tema të përgatitjes së përgjithshme ushtarake e fizike të efektivit të radiozbulimit, sidomos njohjen e përdorimin e armatimit të lehtë, të mjeteve të mbrojtjes kundërkimike, mjeteve xhenire, përgatitje fizike etj.

Po kualifikimi i oficerëve rezervistë?

Meqenëse detashmenti i zbulimit, i riorganizuar tanimë në shkollë të oficerëve rezervistë të ushtrisë, nuk ishte më në juridiksionin e drejtorisë së zbulimit, kjo drejtori përgatitjen e oficereve rezervistë të reparteve të saj, ia ngarkoi shkollës së radiozbulimit. Një detyrë e tillë e ngarkonte me të vërtetë shumë punën e komandës dhe të trupës së oficerëve dhe e shmangte disi nga detyra kryesore, përgatitja e efektivave të radiozbulimit. Megjithëkëtë, kjo detyrë gradualisht do të merrte terren, duke i dhënë shkollës gjithnjë e më shumë drejtimin e një reparti eksperimental të përgatitjes së reparteve të zbulimit. Një gjë e tillë do të nxitej më shumë me ardhjen në këtë repart, në detyrën e shefit të shtabit, të njërit nga shokët e mi më të mirë, të Hysen Ymerit.

EMËRIMI

Mihal Bisha më emëroi Komisar Politik

“Ndërkohë që vazhdoja një kurs tremujor politik, organizuar nga komiteti i PPSH i Ministrisë së Mbrojtjes, më thirrën në drejtorinë e zbulimit për të përgatitur dokumemtet e nevojshme për ndonjë shërbim jashtë shtetit. Në atë periudhë kuadrot e reparteve të zbulimit ngarkoheshin me detyra të veçanta, në kuadrin e shërbimeve të Ministrisë së Jashtme, si korierë diplomatikë ose si punonjës të trupit tonë diplomatik në vende të tjera. Bashkë me mua ishin edhe dy shokë të tjerë, Mumin Hoxha dhe Apostol Simo. Mumini kishte qenë edhe më parë në këso shërbimesh. Pasi mbaruam me dokumentet, bashkë me Muminin u nisëm për në repart, ku vazhduam me hamendjet për qëllimin e një përgatitje të tillë. Mumini, më tha se në këto lloj rrugësh drejtorisë së zbulimit i vinte rradha e fundit. Rrugët e klasit të parë i merrte Ministria e Jashtëme, ato të klasit të dytë i merrte sektori i zbulimit i Ministrisë së Brendshme dhe ato të fundit ngeleshin t’i merrte drejtoria e zbulimit të ushtrisë. Dhe në fakt ashtu ndodhi. Më 29 maj 1979, bashkë me shumë kuadro të tjerë të ushtrisë, më thirrën në drejtorinë e kuadrit të KQ të PPSH, tek Mihal Bisha, në atë kohë drejtor i kësaj drejtorie. Në këtë ditë ishte thirrur edhe Mumini. U futëm në dhoma të veçanta dhe morëm emërimet përkatëse, ai u emërua në ambasadën tonë në Bullgari, une u emërova komisar politik i brigadës së këmbësorisë në Burrel. Nisur nga rruga që mori kariera ime ushtarake, emërimi në brigadën e këmbësorisë të Burrelit, mbetet një eveniment shumë i rëndësishëm në jetën time. Ky emërim më hapi mundësinë të njoh nga afër ushtrinë shqiptare, njësitë dhe repartet e saj, strukturat e tjera të mbrojtjes dhe detyrat që zgjidhnin ato në kuadrin e përgatitjes për mbrojtjen e vendit”.

KOMISARI

Në brigadën e këmbësorisë Burrel

“Në brigadë u paraqita në fillim të qershorit të vitit 1979. Një nga shokët e komitetit të PPSH të korpusit të Burrelit, Ethem Halili, zëvendës sekretar i komitetit, më prezantoi në prani të efektivit të shtabit të brigadës dhe të disa kuadrove të reparteve në afërsi të qytetit të Burrelit. Ndërkohe, në ditët e para të fillimit të punës në detyrën e re, u zhvillua edhe konferenca e partisë e korpusit, e cila më zgjodhi në detyrën e zëvendës sekretarit, jo funksionar, të komitetit të partise. Në këtë mënyrë filloi aktiviteti im në këtë njësi ushtarake, e cila ishte nga njësitë më të vjetra, jo vetëm të korpusit të Burrelit, por edhe të gjithë ushtrisë. Korpusi i Burrelit ishte nga njësite e para të krijuara në fillim të viteve 60-të. Deri në vitin 1964, kur u krijua korpusi i Shkodrës, korpusi i Burrelit përgjigjej për organizimin e mbrojtjes së vendit në të gjithë kufirin me Jugosllavinë, nga Pogradeci deri në Shkodër. Ndërsa pas vitit 1964, korpusi i Burreli përgjigjej për organizimin e mbrojtjes në frontin veri-lindor, nga Qafa e Thanës, Pogradec, deri në Peshkopi, duke mbrojtur një nga drejtimet më të rëndësishme, në kuadrin e mbrojtjes sonë strategjike, atë Dibër e Madhe (Maqedoni), Kaptinë e Martaneshit, Tiranë, i cili ishte drejtimi më i shkurtër që mund të çante mbrojtjen tonë në dysh dhe të rrezikonte seriozisht qëndrueshmërinë e sistemit tonë të mbrojtjes në shkallë vendi, duke dalë shumë shpejt në rrethinat e Tiranës. Komandant i korpusit ishte Abdyl Duka. Në detyrën e komisarit të korpusit ishte Ahmet Gjoliku, nga familja e Jaho Gjolikut. Në detyrën e sekretarit të Komitetit të Partisë të Korpusit ishte Ibrahim Farrici. Pas largimit të tij nga detyra erdhi Pandeli Martini, që ishte vërtetë kuadër me cilësi jashtëzakonisht të mira”.

 SKEMA

Si ishte e organizuar ushtria Shqiptare

“Në Korrpusin e Burelit mësova se çfarë ishte struktura organizative e ushtrisë, si dhe si përgatitej ajo. Në atë periudhë, si linjë organizative e ushtrisë ishte afërsisht një skemë e tillë. Ministria e Mbrojtjes – Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë – Korpusi me repartet speciale të tij të të gjithë llojeve të armëve dhe të shërbimeve, si ato të zbulimit, të ndërlidhjes, të xhenios, të kimisë, të shërbimit të prapavijave, të shërbimit teknik autotraktor, etj – Brigada me repartet e saj speciale, si edhe korpusi, por në nivele më të vogla, kryesisht në rang kompanie – Batalioni i këmbësorisë (bk), Grupi i artilerisë (Gra) – deri tek Kompania (kk) dhe Toga e këmbësorisë (tk), që organizoheshin edhe këto në struktura më të vogla organizative, si skuadra apo grupi i ushtarëve. Po në këtë linjë ishte edhe organizimi i llojeve të tjera të armëve, si për forcat ajrore, për forcat detare etj. Veç forcave të ushtrisë, në strukturat e mbrojtjes ishin organizuar dhe vepronin edhe forca të tjera, siç ishin forcat vullnetare të vetëmbrojtjes popullore, që organizoheshin në Komanda rrethesh, Brigada vullnetare, Batalione vullnetare deri në Çeta të forcave vullnetare në bazë fshati apo lagjeje. Ndërsa rinia shkollore e armatosur organizohej në Batalione të rinisë shkollore ose Grupe artilerie, që zakonisht organizoheshin mbi bazë të 1-2 shkollave të mesme, ndërsa në qytete të mëdha kishte dhe Brigada të rinisë shkollore. Mbrojtja Civile e Republikës ishte një tjetër strukturë, që plotësohej nga kontigjentet që nuk mobilizoheshin në ushtri dhe në struktura të tjera luftarake dhe që përgjigjeshin për aktivitete ndihmëse, sidomos në prapavija të forcave tona, për të likuiduar pasojat e goditjeve të kundërshtarit në qendra të banuara apo në objekte ekonomike”.

BRIGADA 22

Gadishmëria e këmbësorisë dhe artilerisë

“Brigada e 22-të kishte në përbërjen e saj organike 5 batalione këmbësorie, batalionin e Derjanit, batalionin e Klosit, batalionin e Krastës, batalionin e Kroit të Kuq në Tiranë dhe batalionin e Gurit të Zi në Elbasan, tre grupe artilerie tokësore, grupin e topave në Baz, grupin e top obuzave në Zenisht, grupin e mortajave 107 mm në Klos, një grup të artilerisë kundër ajrore në Burrel, një kompani dhe dy toga të këmbësorisë kundërajore në Bize, Ballenjë dhe në Lugun e Gjatë, që më vonë u organizuan në strukturë batalioni, kompaninë e ndërlidhjes, kompaninë e xhenios, atë të zbulimit, të mbrojtjes kundërkimike, grupin e fortifikimit, sektorin e prapavijës, të teknikës, të shëndetësisë etj. Me ardhjen në brigadë, u ndesha drejtpërdrejtë me detyra e përgjegjësi të reja, disi të panjohura deri në atë kohë, me organizimin dhe drejtimin e përgatitjes luftarake të strukturave të popullit të armatosur, me organizimin ushtarak dhe mbajtjen në gatishmëri të reparteve dhe nënreparteve të brigadës dhe të strukturave të tjera që bashkëvepronin me të, me probleme të organizimit dhe të funksionimit të shkollave të lira ushtarake, me probleme të fortifikimit të brezave dhe të rajoneve të mbrojtjes, me probleme ekonomiko-financiare, si dhe me probleme të bashkërendimit të punës me organet e partisë, pushtetit dhe ekonomisë në terren. Në detyrën e komisarit, u njoha nga afër me politikën e shtetit tonë në fushën e mbrojtjes që, me konkretisht, pas vitit 1975, materializohej në kërkesat e Artit Ushtarak të Luftës Popullore, të miratuar në vitin 1975 dhe në dokumente të veçanta të Këshillit të Mbrojtjes së Shqipërisë apo të institucioneve të larta partiake dhe shtetërore, në Planet Luftarake të njësive dhe reparteve ushtarake, etj”.

 NJËSIA

Ju rrëfej organizimin e Korpusit të Burelit

Në përbërjen e korpusit të Burreli hynin shumë njësi ushtarake dhe konkretisht Brigada e Burreli, ku u emërova unë, brigada e Bulqizës, e cila drejtohej nga Simon Tanushi, brigada e Peshkopisë, e cila drejtohej nga Baftjar Vuka, brigada e Librazhdit që drejtohej nga Myftar Gjoçi, brigada e Përrenjasit që drejtohej nga Zydi Kroi në detyrën e komandantit, brigada e artilerisë në Burrel që drejtohej nga Qemal Gegollari në detyrën e komandantit, regjimenti i artilerisë kundërajrore që drejtohej nga Josif Duni dhe, pas largimit të tij, Maksim Bejko në detyrën e komandantit, brigada Sulmuese që kompletohej në rrethin e Dibrës me komandant Agim Methasanin, brigadë tjetër sulmuese që kompletohej dhe vepronte në rrethin e Librazhdit me komandant Qani Aliajn, si dhe shumë reparte autonome të llojeve të shërbimeve, si batalioni i zbulimit, batalioni i ndërlidhjes, batalioni i fortifikimit, batalioni i xhenios, etj. Brigada e Burrelit, në të cilën unë mora detyrën e komisarit, ishte një njësi ushtarake që vepronte në skalion të dytë të Korpusit, në detyra të ndryshme mbrojtëse dhe kryesisht kundërsulmuese dhe kundërgoditëse. Duke qenë njësi e skalionit të dytë, ajo kishte detyra të shumta të karakterit mbrojtës dhe mësymës, të cilat kryheshin në rajone dhe drejtime të ndryshme. Kështu, nëse brezi kryesor i mbrojtjes i saj ishte në masivin e malit të Kaptinës së Martaneshit, ajo parashikonte të mbronte edhe drejtime të tjera sipas situatave luftarake që do të zhvilloheshin. Kishte detyra mësymëse në kuadër të kundërgoditjeve dhe mësymjes së Korpusit në disa drejtime,si në drejtim Kaptine e Martaneshit – Zerqan të Dibrës, Masdeje të Matit – Kastriot të Dibrës, Orenjë – Mali i Shebenikut Librazhd, Ostren -Ramnagore – Shupenzë të Dibrës dhe deri në drejtim të fushave bregdetare në grykëderdhjen e lumit të Ishmit në rrethin e Krujës. Duke qenë një njësi e planëzuar për detyra të tilla, ajo kompletohej me rezervistë jo vetëm në rrethin e Matit, ku merrte pjesën më të madhe të tyre, por edhe në rrethe të tjera, si në Tiranë, në Elbasan, në Librazhd etj.

(Vijon nesër)

NESËR DO TË LEXONI

– Stërvitja me trupa “Shebeniku –80”, organizimi dhe zhvillimi i kundërmësymjes

-Telefonata e papritur e Mehmet Shehut gjatë stërvitjes së jashtëzakonshme