FURTUNA E 1981-shit, QË ÇOI MEHMET SHEHUN NË GREMINË

314

Intervistoi Albert Zholi

Heshtja dhe mëria mes E. Hoxhës e M. Shehut “udhëton” drejt vdekjes

Arkiva/Dhënë për Telegraf, më 13 dhjetor 2008/ Marash Hajati: Starti dhe finishi i konfliktit më të madh në udhëheqjen e Partisë së Punës. Dëshmi dhe fakte historike përmes ekranit televiziv, përvjetori që zbuloi ferrin e familjes Shehu.

Zoti Marash, po e nis këtë intervistë me një pyetje anësore. Në rrjedhën e këtyre viteve të fundit, pas 1990, me ndryshimet politike shoqërore në vendin tonë, duke qenë publicist e gazetar në kreun e shtypit shqiptar për shumë kohë, si e ndjeni atmosferën, kur sot Shqipëria “gjëmon” nga radiot e televizionet, ku veç atij publik, sot kemi media në numër me dy shifra.

Një larmi mediash e këndshme. Nëse në drejtimet e zhvillimit ekonomik e shoqëror, nuk mbajmë ndonjë vend të pëlqyeshëm në renditje, në fushën e mediave, si atyre elektronike apo atyre të shkruara, e them me bindje, aq sa i takon numrit të tyre duhet të na kanë zili shumë vende të tjera. Dhe kjo është një pasuri e madhe. Nuk kemi frikë sot se mbetemi pa edicion lajmesh, as pa filma e dokumentarë, as pa humor, as pa të kërkuarish që kanë humbur në vite. Madje tërë Italia me Pipo Baudon bënë një “Domenika In”, ne për fat të mirë kemi dy, nesër mund të takoni të tretën. Natyrisht, me gjithë këto “bahçe” me lule, ka dhe mjaft barishte të egra. Kështu, një lajm me vrasje barbare të frikshme, mund të përsëritet 50 herë në ditë. Ka shumë televizione. Ato janë private e kanë strukturën e tyre me ligje e licencë dhe e bëjnë punën sipas interesave të ekonomisë së tregut mediatik. Veç kësaj, në mjaft raste, një njeri i “ekzekutuar” në ekrane të ndryshme, herë del me një mbiemër, herë me një tjetër sipas ekranit. Ndërsa për të dhënat e tjera s’ka pse të shqetësohemi. Diku thonë është nga Tropoja, diku nga Librazhdi. E për moshën e të vrarit apo të arrestuarit s’ka pse të shqetësohemi, nëse varion nga 25 vjet deri në 40 vjet. Ka edhe shaka në këtë mes, por bota e asaj kohe vetëm me një sinjal televiziv publik, siç ishte atëherë të dukej e frikshme, plot përgjegjësi, të papritura, por në të njëjtën kohë plot emocion e kënaqësi në fushën e krijimtarisë kulturore, artistike, letrare, shoqërore dhe ekonomike. Mirë apo keq, kur jam larguar nga Radiotelevizioni Shqiptar, në harkun e disa viteve ishin prodhuar mbi 50 filma artistikë ( përfshirë seritë ). Ndër ta mund të përmendim qoftë edhe një, që sot vlerësohet si më të arrirët, “Udha e shkronjave” etj. Nuk e them këtë për nostalgji, por në rrjedhën e shumë viteve Radiotelevizioni Shqiptar ka mbajtur peshë shumë të rëndësishme si krijues e si dëshmitare në fushën e zhvillimeve shoqërore e politike.

Siç e theksuat më lart, në kohë të veçantë, krijimtaria juaj ka qenë e lidhur me fakte e ngjarje tepër dramatike, sidomos në politikën shqiptare, natyrisht gjithmonë mbështetur mbi bazën e ekranit. E kjo sidomos në marrëdhëniet mes dy drejtuesve kryesorë të asaj kohe, E. Hoxha e M. Shehu. Mendoj se në këtë drejtim keni shumë gjëra për t’i thënë lexuesve tanë. Realisht, kur kanë nisur e cilat janë dukuritë e para të mosmarrëveshjeve mes E. Hoxhës e Mehmet Shehut, duke pasur në mes ekranin si dëshmitar.

Për të shtjelluar këtë përgjigje marr shkas nga dy momente të pyetjes suaj. E para, në mënyrë ekskluzive në këtë intervistë do të ndalem në mjaft detaje të ngjarjes lidhur ngushtë me punën profesionale publicistike në televizion. Me fjalë të tjera, si janë shfrytëzuar mundësitë e format televizive të pasqyrimit e të dhënies së informacionit përmes ekranit për atë ngjarje. Dhe e dyta, sa i takon mosmarrëveshjes mes dy të mëdhenjve të asaj kohe, ka ardhur jo nga një televizion shqiptar, por nga ekrani i një televizioni të huaj.

Duhet të ketë diçka interesante kjo histori. A mund të shtjellohet diçka që lexuesit të njihen me atë që pohuat më lart.

Jo thjesht për kureshtje, por ngjarja që do të rendis më poshtë në përgjigjen time, ka pasur një jehonë të madhe publike në atë kohë. Paraprakisht dua t’i bëj të qartë lexuesit se kjo ngjarje nuk është aspak fillimi i konflikteve mes dy udhëheqësve kryesorë të asaj kohe. Në një intervistë më pare, po në gazetën tuaj kam folur se mes E. Hoxhës e M. Shehut ka pasur qëndrime të ndryshme për shumë probleme, bile edhe në çështje me rëndësi politike e ideologjike. Veçse ato janë kapërcyer gjithmonë me një anashkalim të mençur për të mos rënë në greminë, natyrisht, kurdoherë në dëm të Mehmetit. Mirëpo kjo temë nuk i përket intervistës sonë të kësaj radhe. E bëra këtë hyrje pikërisht për të dalë tek ngjarja me programet e televizionit italian, lidhur me një konflikt që përmenda më lart e që acaruan marrëdhëniet mes dy udhëheqësve kryesorë të asaj kohe. Si erdhi kjo? Aty nga fundi i pranverës së vitit 1980 apo 81, nuk ka rëndësi ajo datë, që ta verifikoja, rëndësi ka pasur përmbajtja e kjo është e saktë, sepse çdo gjë ka qenë publike. Dhe kështu, mbas lajmeve të orës 20 të RAT-it, që në atëkohë liheshin hapur përsëritësat për kryeqytetin, nga numri i telefonit të shtëpisë së kryeministrit, u dha kjo porosi: Duke filluar nga dita e nesërme, programet e RAI-1, të lihen të hapura tërë kohën. Drejtori i përgjithshëm, Çajup Rusmajli, u befasua. Me dijeni nga lart, ndonjëherë përsëritësi i Dajtit, ishte lënë hapur për emisione të veçanta shkencore. Mirëpo tani, të lihej hapur i gjithë programi? Me filma, biseda në studio, me emisione fetare e të tjera iu duk e habitshme. Çajupi, që të sigurohej se ky urdhër vinte nga shtëpia e M. Sh, mori në telefon në po atë numër që i kishte dhënë folësi, e që në të vërtetë korrespondonte plotësisht me numrin e librit tepër sekret të udhëheqjes.

– Të gjitha emisionet dhe tërë kohën? – theksoi drejtori, gjoja nuk e kishte kuptuar mirë porosinë.

-Po,- ia priti zëri si më parë. – Ashtu të veprohet.

Kolegu ynë, që nuk dyshoi, as nuk mendoi se po bënte ndonjë gabim, sipas rregullave, nëpërmjet linjës së veçantë urdhëroi pikën e malit të Dajtit, të linte hapur sinjalin e RAI-1 pa ndërprerje, bile insistoi që kjo porosi të shkruhej në librin e teknikës në mënyrë që të mos ngatërroheshin ata që do të merrnin detyrën e radhës. Për rreth 3 ditë buçiti tërë Tirana. Kudo bisedohej për këtë hapje spektakolare. Po ku vajtën direktivat e partisë? Vendimet e Plenumit të katërt? Sikur u shkri gjithçka. Shumë njerëz merrnin në telefon njëri-tjetrin duke shfaqur një habi të gëzueshme. Të tjerët pyesnin nëse do të hapeshin kanalet e tjera. Një ngazëllim e hutim i pa imagjinueshëm. Pati edhe mjaft drejtues partie e shteti të rangjeve të ndryshme që, për t’i dalë të keqes përpara, ngulnin këmbë të dinin se kush ka dhënë leje për këtë veprim.

Ditën e dytë të çudisë së madhe, siç përflitej në atë kohë, këmbyem mendime me Çajupin, nëse ai e kishte kuptuar mirë porosinë apo jo. Ai qëndronte pa mëdyshje në të tijën. Ditën e tretë në mëngjes u dëgjua ajo kënga e “prapme e mrekullisë” seë përsëritësit të Dajtit, lënë ashtu hapur për kryeqytetin.

Po pse udhëheqjes, në atë kohë, nuk u sigurohej sinjal i huaj televiziv?

Po në atë periudhë shtëpitë e Sekretarit të parë, Kryeministrit dhe Sekretarit të propagandës, nëpërmjet të teknikës sonë, me anën e kabllove, merrnin programet e huaja. Për atë ngjarje që tundi Tiranën, nuk u mor vesh se në çfarë rrethanash e për çfarë arsyesh u bë hapja e përsëritësit të Dajtit. Çajupi u thirr në K. Q. Veç shpjegimeve gojore, atij iu kërkua të përgatiste një relacion të hollësishëm, të cilin më vonë ia dorëzuan edhe E. Hoxhës. Transmetimet e RAI-1 nëpërmjet Dajtit u ndërprenë menjëherë. Banorët e kryeqytetit hapën veshët për të dëgjuar pasojat e atij “tërmeti “. Kush do të bëhej kurban? Mes të dy kryesorëve, me sa u bë e njohur më vonë, kishte pasur “fërkime” në distance, por pa shprehur ndonjë emër. Kryeministri thirri urgjentisht Çajupin dhe pa hapur mirë derën iu vërsul me thirrjet e tij karakteristike:

– Cili jeni ju që dezinformoni K. Q. për lënien hapur të përsëritësit të Dajtit? Do të jepni llogari deri me teserën e partisë

– Nëse më keni thirrur për sqarime, dëgjomëni deri në fund, i ishte përgjigjur kolegu ynë me kurajë e pa ngurrim. Në relacion e kam thënë dhe po e përsëris edhe tani se urdhri për atë çështje është dhënë nga telefoni sekret i familjes suaj. Nëse ju nuk dini se kush flet atje, atëherë faji më mbetet mua. Mbas kësaj këmbënguljeje, kryeministri kishte filluar të ndërronte tonin e bisedës, sikur ta zbuste, bile i kishte propozuar të gjenin së bashku ndonjë rrugëzgjidhje për të kapërcyer atë mosmarrëveshje. Kompromisi nuk qe pranuar. Gjithçka më tutje ka marrë një zgjidhje të cilën ne nuk e mësuam kurrë. Në një takim të veçantë me dy drejtuesit kryesorë të Radiotelevizionit, Ramiz Alia ka porositur që mësimi të bëhej mësim. Ne duhet të ishim më të vëmendshëm dhe që aty e tutje asnjë veprim të mos ndërmerrnim, nga kushdo qoftë urdhri, pa u konsultuar me atë. Ne gjithçka e morëm si një detyrim tepër të rëndësishëm..

E panjohur ishte ngjarja në marrëdhëniet e Enverit me Mehmetin. Sidokudo “ndeshje” e drejtpërdrejtë edhe kjo nuk paska qenë. Atëherë, kur ka nisur acarimi më i egër në mes tyre?

Është rasti më i mirë për të shpjeguar mënyrën sesi janë zhvilluar konfliktet në elitën drejtuese të asaj kohe. Fjala e të parit, udhëheqësit e drejtuesit, nuk ka qenë e nxjerrë kurrë në ankand, pëlqehej apo jo, diskutohej apo jo. Në raste të kundërta, kur situata ka mbajtur deri replika apo përplasje drejtpërdrejt, atëherë ka marrë fund çdo gjë me fitoren e udhëheqësit kryesor. Kështu që në “stilin” e mospërplasjes janë evituar situata tepër të vështira, të cilat kanë marrë rrugëzgjidhje e kanë evituar konflikte për jetë a vdekje. Në këtë drejtim, acarimi i mosmarrëveshjeve mes E. Hoxhës e M. Shehut, as që mund të kuptohej si përplasje me këmbim dialogu e replikash kontradiktore. Po të kishte ndodhur kjo, më së paku, as kjo intervistë s’do të kishte dalë në dritën e botimit

Nëse e kuptova mirë, nuk besoj të ketë vend më të zgjedhur për të sjellë në këtë bisedën tonë atë mençurinë popullore, kur thotë në një proverb: gjithçka po ecën, tërhiq e mos këput.

Më krijove shumë saktë korsinë e zgjedhur për të vazhduar bashkëbisedimin. Kjo është e vërtetë. Acarimi i tejskajshëm dhe i vërtetë deri sa ka ardhur përplasja, ka ndodhur në harkun kohor të rreth 3 muajve. Kjo lidhet edhe më ekspozenë time të mbështetur vetëm në filmimet dhe transmetimet e Televizionnit Shqiptar e që përfshin kohën nga 1 tetori e deri në mesin e dhjetorit 1981. Edhe faktet që unë do të sjell më poshtë, nuk do të përbënin ndonjë dramë për t’u shënuar po të mos qe ai finishi i tragjedisë. Atëherë po kthehem tek ajo filozofia e popullit, tërhiq e mos këput.

Më 1 tetor është festuar në Kamzë themelimi i 30-vjetorit të Institutit të Lartë Bujqësor. Për hir të së vërtetës, ai Institut në atë kohë ishte nga më të dëgjuarit, sa i takonte nivelit arsimor e shkencor në Ballkan. Aty patën mbaruar shumë studentë nga vende të ndryshme. Diplomat e këtij Instituti janë njohur deri edhe në vende të tilla si Algjeri, Itali, Anglia etj. Për këtë kam fakte. E bëra këtë rrëfim hyrës për faktin, se në ato festime të 30-vjetorit me tërë atë reputacion, duhej të ndodhej njëri nga kryesorët e vendit. E them këtë se porosia në drejtimin e Radiotelevizionit ishte në shkallën më të lartë për lajmet. Po çfarë ndodhi? Nuk erdhi as Enveri, as Mehmeti. Ata të dy, sipas mendimit tone, u përfaqësuan nga bashkëshortet e tyre, Nexhmije Hoxha dhe Fiqerete Shehu. Ato të dyja ishin në presidiumin e mbledhjes. Kronika jonë që ishte e para në edicionin e lajmeve kryesore të darkës, ashtu ishte konceptuar. Nexhmija e Fiqereti përfaqësuan bashkëshortët në planin politik. Edhe kamera atë zgjidhje kishte bërë. Herë paraqiste si portret në plan të parë shoqen Nexhmije e pas një montazhi ndërmjetës, tregohej në plan të parë shoqja Fiqeret. Është interesante të pohohet se në presidiumin e asaj date përkujtimore të dy bashkëshortet e udhëheqësve ishin ulur larg njera-tjetrës. Vonë morëm vesh se çdo gjë kishte ecur sipas një porosie nga lart. Ajo kronikë u bë pikënisja e zbulimit të përplasjes së furtunës që po afronte. Të nesërmen rreth orës 9 të mëngjesit, jemi thirrur në një takim të veçantë me Ramiz Alinë, unë, Alfons Gurashi dhe kameramani Gazmir Shtino, operator i shkëlqyer i kronikave televizive, sot emigrant në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dua të theksoj se asgjë e vlerave të veçanta nuk transmetohej pa pjesëmarrjen e këtij grupi. R. Alia e filloi bisedën në mënyrë të papritur:

– More, normale ju duk ajo kronika që transmetuat mbrëmë për Institutin Bujqësor? – e filloi bisedën shtruar.

Heshtëm, dëgjuam e mbasi dyshuam, pyetëm si me habi:

– Mos ishte shumë e gjatë?

Dale, prit, nuk e kam aty llafin, – vazhdoi ai, – po njerëzit që paraqitët aty njëlloj janë? E njëjtë është ndihmesa e tyre e roli në shoqëri? Po e kaluara? Secili ka vendin e vet të kuptohemi, por tjetër gjë është ta zëmë N. Hoxha, e tjetër F. Shehu. Kurse ju njëlloj njërën, njëlloj tjetrën i nxirrnit në televizion, qëndron kjo? Shikojeni me kujdes këtë që po them e nxirrni konkluzione.

Asnjëherë në tërë vitet e punës porosi më enigmatike e më të papërcaktuar nuk kisha përjetuar. Gjithçka mbeti në hamendësi, në intuitë, por sidokudo ne kuptuam se koha për Fiqereten, pra për Mehmetin, nuk punonte më si më parë. Këtë dyshim na e shtoi edhe përhapja e rrufeshme e shpalljes së fejesës së Bashkimit me vajzën e Turdive.

Aty mbaroi biseda, por aty filluan edhe njëqind dilema. Ishte e para herë, që për gjëra kaq të rëndësishme nuk jepej një mendim i prerë. Në të vërtetë nuk u mor vesh si të vepronim në të ardhmen. Për N. Hoxhën ishte e qartë, s’kishte ndonjë ndryshim, po si të vepronim me F. Shehun? Ta nxirrnim më pak apo të mos e nxirrnim fare në ekran.

Paraprakisht, për t’i zënë rrugën së keqes, kërkuam nga arkiva jonë e Radiotelevizionit informacion të plotë për të gjitha emisionet “Ngjarje dhe data”. Asnjë intervistë apo bisedë nuk do të organizohej me personalitete të çdo rangu, pa marrë përpara miratimin e drejtorisë. U shtua kujdesi edhe për emisionet e fëmijëve, sepse disa herë e kishim pësuar nga bisedat disi të pakontrolluara që organizoheshin në takime me veteranë. Apo nuk ishte edhe 40-vjetori i Partisë. Për lajmet u dyfishua kontrolli. Nga vëzhgimet e dyshimet që na u krijuan, shkurtuam disa emisione historike. Hoqëm nga transmetimi mjaft fotografi dhe dokumente të luftës. Minutat e fundit anuluan një grup xhirimi, që po shkonte për një kronikë në Shkollën e Partisë. Më vonë morëm vesh, se për të ishte interesuar vetëm drejtoresha.

Ngjarjet e ndërlikuara mes E. H. dhe M. Sh, po shtoheshin e acaroheshin, po zienin nga brenda. Por, po afrohej edhe koha e reagimit. Sinjalin e parë, aty nga mesi i tetorit e dha një konferencë e sektorit të shtypit. Në atë mbledhje u tha shkurt, rrjedhshëm e qartë, se në artikujt përkujtimorë e studimorë me rastin e festave, si edhe në emisionin “Ngjarje dhe data” protagonistë të vetëm do të jenë partia dhe themeluesi i saj, E. Hoxha. Materialet më të rëndësishme do të kalonin për publikim vetëm nëpërmjet sektorit. Mirëpo dyshimi mbeti. Aty nuk u tha se nuk duhej të paraqiten udhëheqës të tjerë në televizion?! Afrimi i 40-vjetorit të Partisë dhe i Kongresit të 8-të të saj, po tingëllonin ftohtë dhe zbehtë. Në drejtim lart pak entuziazëm, poshtë në bazë pak eufori. Këto ishin refleksione e konkluzionet e atyre ditëve plot ankth.

Furtuna e 1981-shit që çoi Mehmet Shehun në greminë, funerali i një miqësie dhe armiqësie të gjatë politike

Konturet e një historie që rrëzohet. Televizioni italian mes Çajup Rusmajlit dhe Mehmet Shehut

Studimi i historisë së Partisë së Punës të Shqipërisë është sot si një temë e frikshme, tabu që nuk e merr kush guximin, qoftë individualisht qoftë në grup, historianë apo studiues, t’i afrohen asaj teme për vetë faktin, se gjithfarë lidhet me këtë histori, dokumente e formulime i ngjajnë më shumë një arkivi pa skedarë, pa përkufizime e pa konkluzione të sakta. Kjo ka arsyet dhe shpjegimet e veta. Dikur studimi i historisë së Partisë së Punës, formulimi i tekstit për botim, pati mbledhur elitën e historianëve shqiptarë. Në vite të tëra në Institutin e Studimeve Marksiste-Leniniste, që drejtohej nga N. Hoxha, u realizuan dhjetëra e dhjetëra tema, referate, faqe pa fund kujtimesh, intervista e deklarata, e të gjitha për një qellim, për një ide: formulimin më të saktë e më realist të Historisë së Partisë së Punës, por gjithmonë në këndvështrimin e Nexhmijes. Në realitet, përmbushja e asaj detyre e botimi i atij libri, nuk pati qenë aspak çështje e një libri. Ishte diçka shumë më tepër. Gjithë ajo sipërmarrje e madhe shumëvjeçare përbënte një memorandum, një platformë të drejtimi të një vendi nga partia-shtet, jo vetëm të afro gjysmë shekulli, por të një perspektive për dekadat e ardhshme. Mirëpo, për fatin e keq të saj, e gjithë kjo përpjekje u shemb, në një legjendë si ajo e Rozafës së Shkodrës, që sa herë ndryshonte atmosfera e ndërtuesve, pra e udhëheqjes, aq herë shembej kalaja. Historia e Partisë së Punës pati një fillim, por gjatë rrugës së drejtimit të shtetit i dolën përpara shumë deviatorë e tradhtarë, armiq e komplotistë, që më së paku donin të ndryshonin pushtetin apo edhe ta përmbysnin fare e t’i merrnin pushtetin Enver Hoxhës, ku gjithçka më shumë se ideologji, mbante ngarkesa për sundim. Në këto kushte, ajo që më parë ishte shkruar si histori, nuk ishte më e tillë. Goditje të pariparueshme i dha asaj arkitekti kryesor Prof. Ndreçi Plasari, që i kushtoi tërë krijimtarinë e tij ngritjes së platformës së asaj historie dhe më pas u deklarua armik i lidhur me Mehmet Shehun. E ku mund të qëndronte më ajo histori, ku i sapodalë nga burgu, profesori deklaroi për falsitetin e saj. Është kjo arsyeja që historia e Partisë së Punës mbeti si ngrehinë e pambaruar. Në këtë kontekst ka qenë e pamundur të konturohej e aq më pak të përfundonte. Megjithatë zbardhja e shumë enigmave, fakteve e ngjarjeve për një sundim të gjatë të një shteti e të një partie, nuk mund të merret kurrë si një kapitull i mbyllur. Kjo, sepse në atë histori ka punuar një popull, që nisi rrugën e vet nga një varfëri e skajshme, e prapambetur në fushën ekonomike, me një sistem shoqëror gati feudal, pa arsim e shëndetësi, pa bukë e pa dritë, por me një besim se do të dilte në bregun e shpresës. Qëllimi i intervistës sime është që, si gazetar e si qytetar, të zbardh një copë të vërtetë nga kjo histori vetëm përmes fakteve, filmimeve e transmetimeve të të vetmit televizion shqiptar në atë kohë e që tema ka të bëjë me faktet e konfliktin më të ashpër të asaj kohe e të asaj historie, me duelin politik mes Enver Hoxhës e Mehmet Shehut e me fundin tragjik të atij dueli, ku E. Hoxha ishte shumë mirë i armatosur, ndërsa kundërshtarët e tij, si gjithnjë, me armë pa fishekë. E gjithë kjo nga ana e ime bëhet jo thjesht për informacion apo sensacion, por për faktin, se sidokudo do t’i shërbejë historisë së shtypit shqiptar. Nga ana tjetër, e quaj si obligim me vlerë për të rrëzuar mjaft hamendësime, insinuata, spekulime, gjithmonë sa i takon realitetit e fakteve të atij konflikti.

Nga Marash Hajati