Frashëri: Ja si po i përzënë çamët për t’u marrë pasurinë

964
Leonard VEIZI
ARKIVA / Detaje nga letërkëmbimi i Mit’hat Frashërit, ministrit të parë Fuqiplotë i Shqipërisë në Greqi. Presioni mbi pretendimet e Athinës për 230 mijë grekë në Shqipërinë e Jugut 
Reagimi i Ministrit Fuqiplotë: Përzini grekofonët nga Shqipëria
Ajo pjesë e Shqipërisë ka qenë mjaft e pasur, me toka, pyje e kullota, përveç bregdetit të jashtëzakonshëm. Por prej vitesh pjesa më e madhe e tyre nuk administrohen më nga të zotët, por nga të tretë, të cilët i kanë marrë në huazim, pa asnjë të drejtë ligjore. Pasuritë e krahinës shqiptare të Çamërisë, nuk është se kanë filluar të shpërdorohen pas Luftës së Dytë Botërore. Masakrimi i kësaj popullsie dhe konfiskimi i pasurisë së tyre, kishte filluar vite më parë. Këtë e bën të njohur letërkëmbimi i ministrit fuqiplotë të Shqipërisë në Athinë, Mit’hat Frashërit, me eprorët e tij në Ministrinë e Jashtme. Sipas shtypit të kohës, data 3 mars 1923 mbahet mend si dita e parë kur flamuri shqiptar u valëvit në kryeqytetin e Greqisë, Athinë. Ky ishte flamuri që ishte vendosur në makinën e diplomatit Mit’hat Frashëri. Dhe fill pas një pritjeje të bujshme, për diplomatin shqiptar filluan dhe problemet e mëdha. Sidomos ato që kishin të bënin me detyrimin për shpërngulje të popullsisë çame.
Letra për ministrin francez
“Një ditë në fjalë e sipër, ” shkruan Mit’hat Frashëri, “Z. de Marcilly, ministër i Francës (në Athinë) më tha këto fjalë: “Grekët e dinë mirë, cilët janë turq dhe cilët janë shqiptarë. Po duan të grabisin pasurinë e shqiptarëve. Prandaj, duan edhe t’i përzënë.” Ndërkaq, persekutimet e çamëve vazhduan me egërsi dhe asnjë masë nuk u mor nga qeveritë shqiptare, që në vitin 1924 ndryshonin çdo tre muaj, dhe kur stabiliteti i Shqipërisë u trondit, sidomos mbas Revolucionit të Qershorit të 1924-s. Kjo gjendje e rëndë gjeti shprehjen e saj në një mesazh nga ministri shqiptar në Athinë, Mit’hat Frashëri, heroi i ditës për problemin çam, i cili shkruante nga Parisi, më 15 dhjetor 1924: “Domethënë se Greqia, Turqia dhe Komisioni Mikst i shikojnë shqiptarët si plaçkë pa vlerë, i dëbojnë nga shtëpitë e tyre, u grabisin pasurinë, dhe tani i trajtojnë si robër dhe duan t’i mbajnë me pahir në Anadoll që të vdesin.” Dhe tetë muaj më vonë, Mit’hat Frashëri, ky diplomat i shquar i drejtohej z. Eric Colban, drejtor i Seksionit për Pakicat i LeK me këto fjalë: “Ata (shqiptarët e Maqedonisë) në numër 35.000 u flakën në rrugë dhe u dërguan në Anadoll me forcën e shkopinjve të xhandarëve grekë e nën vështrimin tolerues të funksionarëve të Komisionit Mikst. Këto 35000 shqiptarë duan të kthehen në Shqipëri”
Pikëpamjet greke mbi ortodoksët shqiptarë
Më 7 nëntor 1925 nga Athinë, Mit’hat Frashëri relaton për Tiranën zyrtare rreth bisedimeve me autoritete të larta të shtetit grek, pikëpamjet e tyre të gabuara për ortodoksët shqiptarë, numrin dhe karakterin etnik, çështjen e shtimit të shkollave greke për minoritetin, kundërshtitë për autoqefalinë e kishës shqiptare. “Më 3 Ct, vajçë në Drejtori Gjeneral të kuvendoj. Z.Kolokotroni çeli çështjen e shkollave greke. I thashë se po bisedoj jo zyrtarisht, me qenë se nuk kam ndonjë autorizim, as që Qeveria ime më ka bërë ndonjë komunikim gjer më sot. 

Kuptova se:
1. Greqia beson që në Shqipëri ka dyqind e tridhjetë mijë ortodoksë-grekë, prej të cilëve vetëm 300 janë shqiptarë, që duanë Shqipen; të tjerët janë grekër dhe duanë greqishten;
2. Se kisha Shqiptare duhet të jetë autonome dhe jo autoqefale;
3. Se ortodoksët shqiptarë duhen mbrojtur prej Greqisë;
4. Se Z. Ahmet Zogu ka bërë zotime për këtë punë kur ishte në Beograd;
5. Se tani duhet që edhe Shqipëria të bëjë një marrëveshje, një marrëveshje për këto çështje me Greqinë.
Pretendimet greke
Në sqarimin e tij Mit’hat Frashëri mendon se Greqia kërkon të luajë kundrejt Shqipërisë atë rol që ka luajtur Rusia e carëve përkundrejt Turqisë së sulltanëve. “Refuzova pretendimet e Ministrisë Greke, po, me qenë se ishte bërë vonë, mbrëmë vajta dhe pashë Kolokotronin, në zyrë të tij. Biseduam afro një orë e 15 minuta. I dhashë të kuptojë se çështja e Minoriteteve, me qenë se kemi 20.000 grekofonë, në Shqipëri nuk duhet të përdoret si vegël politike, se kështu ka qenë edhe teori e Greqisë (me anë të delegatit të saj Politis) në Shoqëri të Kombeve, më 1924; 

Se, me ingjerencën që po bën Greqija në Shqipëri, po çel udhën për ingjerencën sllave në Maqedoni; 

Se, as në Poloni s’ka më shkolla ruse, as në Maqedoni shkolla bullgare, as në Rumeli Orientale shkolla greke, as në Rumani shkolla greke, as në Çekosllovaki shkolla gjermane për sllavët; 

Se, Shqipëria po mban me të hollat e saj shkolla greqishte për grekofonët, jo për hatrin e Greqisë, po për hatrin e Shoqërisë së Kombeve, me qenë se çështja e Minoriteteve ka të bëjë me S.d.N dhe jo me Greqinë;
Se, Greqia duke u përzierë me punët e brendshme të Shqipërisë, do të bëhet shkak që të ftohen të dy Shtetet dhe mbase Shqipëria të kërkojë një mik tjetër;
Se, Shqipëria nuk do të lejojë që një Shtet i huaj të përzihet në punët e saj të brendshme;
Se, Z. Ahmed Zogu, edhe në ka bërë ndonjë premtim si njeri privat në Beligrad, ky premtim s’ka të bëjë me qeverinë Shqiptare”.
2 TELEGRAME
Sulm grekëve të shpëtojmë shqiptarët
Më 5 janar 1924, MPJ Tiranë i drejtohej Legatës shqiptare në Athinë:
“Mbasi nuk mundemi të lemë çamët tonë t’ikur nga Greqia të marrin rrugën e arratisë në Turqi ose gjetkë, do të jemi, doemos të shtrënguar t’i vendosim në vend të grekofonëve, po në atë porcion, si nga numri edhe nga pasja gjer ku të mundet.”
Dhe më 12 mars 1924, MPJ Tiranë i drejtohej Mehmet Konicës në Londër:
“Sikur që bëmë të ditur telegrafisht, Qeveria Shqiptare për të shpëtuar nga shkëmbimi 60.000 shqiptarë që rrojnë në Greqi, ka vendosur të marrë masa raprezaljesh kundër grekofonëve që rrojnë në Shqipëri.”
FRENIMI I SHPOPULLIMIT
Kërcënimi i Qeverisë Shqiptare për Qeverinë greke dhe Komisionin Mikst
Duket se kërcënimet e Qeverisë shqiptare bënë një lloj efekti në Qeverinë greke dhe Komisionin Mikst. Me 14 mars 1924, “Komisioni vendosi që nënshtetasit grekë të besimit mysliman me origjinë shqiptare, të vendosur në Epir, janë të përjashtuar nga shkëmbimi i detyrueshëm i popullsisë, i paraparë nga Konventa (turko-greke)”. Përfaqësuesit e Komisionit Mikst pranuan misionin e ngarkuar, dhe vërtetuan se ka pasur shkëmbime të detyrueshme shqiptarësh myslimanë gjatë dy viteve, 1923-1924, kur qeveria greke vepronte pa asnjë kontroll. Por kur qeveria shqiptare kërkoi që e gjithë pakica kombëtare shqiptare në Greqi të mbrohej gjithashtu, Sekretari i Përgjithshëm e L.K., u përgjigj se Komisioni Mikst do të kufizohej vetëm me mosdëbimin e detyruar të popullsisë shqiptare myslimane të Çamërisë. Një qëndrim i këtillë linte përsëri në mëshirën greke një popullsi që nuk gëzonte asnjë të drejtë .Kështu që çamët vazhduan të keqtrajtohen, të dëbohen dhe të përjashtohen nga çdo pjesëmarrje ose përfaqësim në organet e shtetit grek. Mospërfillja nga Lidhja e Kombeve dhe rreziku i dëbimit të plotë të çamëve detyroi qeverinë shqiptare që më 25 korrik 1924, të njoftojë publikisht agjencitë e huaja të lajmeve, se në kondita të këtilla, qeveria shqiptare do të detyrohej të dëbonte pakicën grekofone nga Shqipëria, për të vendosur atje çamët e dëbuar nga Greqia. Gjendja e çamëve në Greqi po vështirësohej çdo ditë e më shumë. Më 7 tetor 1924, Kryeministri i Shqipërisë, Imzot F. S. Noli, firmosi një deklaratë mbi të drejtat e pakicave kombëtare në Shqipëri, dhe kërkoi që pakicës çame në Greqi t’i njihen të gjitha të drejtat ashtu si pakicës greke në Shqipëri. Përfaqësuesi grek, zoti Dendramis, tha se Greqia nuk është akoma e obliguar të respektojë traktatin e Sevrës (greko -turk ) të vitit 1923, sepse nuk është ratifikuar akoma, prandaj nuk pranon kërkesën shqiptare. Me rekomandimin e ambasadorit italian, Imperiali, delegati britanik Fisher, kërkoi nga përfaqësuesi grek, nëse ai mund t’i shkruante qeverisë së tij që të zbatojë për çamët klauzolat e Traktatit të Sevrës. Delegati grek tha se, nuk ka kompetenca për këtë veprim. 
(Vijon)
ÇAMËRIA/ Ja çfarë thotë Fjalori Enciklopedik Shqiptar
Çamëria është një krahinë që përbën pjesën më jugore të trevave të banuara prej shqiptarëve; shtrihet gjatë bregdetit Jon dhe zgjerohet në lindje deri në vargun e maleve që e ndajnë prej pellgut të Janinës. Nga veriu ka kufi lumin Pavël, kurse në jug gjirin e Prevezës. Rripi i saj verior me qendër Konispolin, bën pjesë në Republikën e Shqipërisë, pjesa tjetër, me vendim të Konferencës së Ambasadorëve të vitit 1913, i përket shtetit grek. Qendrat e banuara kryesore të Çamërisë janë: Filati, Gumenica, Paramithia, Margëlliçi, dhe Parga, që gjenden jashtë kufijve shtetërorë; shtatë fshatra gjenden brenda kufijve të Republikës së Shqipërisë, me qendër qytetin e Konispolit. Emri çam lidhet me emrin antik të lumit Thyamis (Kalamas) që e përshkon. Në kohën antike Çamëria ishte banuar prej fisit ilir të Thesprotëve; historia e saj bën pjesë në historinë e Epirit antik; më tej kaloi nën sundimin e Romës dhe të Perandorisë Bizantine. Në fillim të shekullit XIII ishte pjesë e Despotatit të Epirit, kurse në gjysmën e dytë të shekullit XIV bënte pjesë në Despotatin shqiptar të Artës. Në shekullin XV u bë shesh i luftës kundër vërshimit osman, nën udhëheqjen e feudalëve të familjes Zenevisi; njëri prej këtyre, Simon Zenevisi ishte bashkëluftëtar i Skënderbeut. Nën sundimin osman, Çamëria bënte pjesë në Sanxhakun e Delvinës si dhe të Janinës dhe u bë shesh i kryengritjeve anti-osmane në shekullin XVI e fillim të shekullit XVII. Në shekullin XVIII filloi islamizimi i një pjese të mirë të popullsisë. Një pjesë e popullsisë së Sulit dhe të Pargës, për t’i shpëtuar islamizimit, emigroi duke u vendosur në ishujt e Greqisë. Edhe në Çamëri u përforcua në shekullin XVIII pushteti ekonomik i feudalëve çifligarë vendas, të cilët u bënë faktorë politikë me rëndësi në luftën për pushtetin lokal, deri sa Çamëria ra nën sundimin e Ali Pashë Tepelenës, sundimtarit të Pashallëkut të Janinës. Në vitet 1820 – 1850 Çamëria u përfshi në kryengritjet e mëdha anti-osmane. Më 1854 dhe 1877 inkursionet e bandave të andartëve grekë u pritën me armë në dorë nga popullsia. Gjatë viteve l878-1881, degët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Çamëri morën pjesë në luftën e përgjithshme të popullit shqiptar për mbrojtjen e paprekshmërisë dhe tërësisë së trojeve amtare. Gjatë kryengritjeve shqiptare të dhjetëvjeçarëve të parë të shekullit XX , Çamëria ka qenë fushë veprimi e çetave patriotike dhe e një vargu komitetesh kombëtare. Gjatë Luftës Ballkanike 1912-1913, në Çamëri vërshuan trupat greke. Në ndihmë të popullsisë vendase që kishte rrokur armët, nga qeveria e Vlorës u dërguan forca ushtarake, por vendimi i Konferencës së Ambasadorëve ia kaloi Çamërinë shtetit grek. Pas Luftës së Parë Botërore (l9l4-19l8), qeveritë e ndryshme greke shpërngulën me forcë me mijëra banorë të popullsisë shqiptare myslimane për në Turqi, me pretekstin se, për shkak të fesë së tyre, ishin “turq”. Në fund të Luftës së Dytë Botërore (l939-45), masat e terrorit dhe të shtypjes që u morën kundër popullsisë vendase, shtrënguan rreth 25.000 çamë myslimanë të largoheshin nga vendlindja për të kërkuar strehim në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Sigal