Formacioni luftarak i shkallës operative-strategjike

710
Prof. Asoc. Dr. Bernard ZOTAJ

Formacioni historik në organizimet ushtarake
Divizioni I Sulmues (Div. I S) i Ushtrisë Nacionalçlirimtare u krijua më 28 maj 1944. Një ndër vendimet që mori Kongresi i Përmetit, ishte edhe zgjerimi i mëtejshëm i luftës kundër pushtuesve nazist, duke bërë të mundur krijimin e formacioneve të shkallës operativo-strategjike, për realizimin e operacione të përmasave të mëdha. Detyra historike ishte që, me kalimin e lumit Shkumbin, të hidhej në mësymjen e përgjithshme dhe të niste njëkohësisht dhe zbatimi i planit për krijimin e formacioneve të mëdha të UNÇSH-së. Kështu Ushtrisë Nacionalçlirimtare kishte hyrë në një etapë të re, atë të forcimit të mëtejshëm të saj. Formacione të këtij niveli dhe përmasave në historinë e organizimeve ushtarake në vendin ishte dukur në periudhën e Pashallëqeve shqiptare, të Janinës dhe Bushatllinjëve të Shkodrës, por edhe të Lidhjes shqiptare të Prizrenit. Këtë formacion e ndeshim dhe në fillimin e viteve njëzet-tridhjetë të shek. XX, ku divizioni nisi të përdorej dhe në Ushtrinë Kombëtare të Fuqive te Armatosura (Armate) të Shqipërisë. Si një njësi e madhe e shkallës operative, divizioni përbëhej deri në tri brigada, por edhe me katër brigada si Div. VI S, ndërsa sasia e forcave shkon nga 3000 deri në 4000 luftëtarë. Me formimin e Div. I S kishte nisur në praktikë procesi i shndërrimit të UNÇSH-së në ushtri të rregullt. Si njësi e shkallës së madhe divizioni, kishte një përbërje e cila mundësonte drejtimin dhe veprimtarinë e gjerë, të vazhdueshme dhe të suksesshme të brigadave sulmuese. Kjo gjetje në organizimin e formacioneve të mëdha të ushtrisë, ishte me vend, zgjidhja më e gjetur dhe më e drejtë për kohën dhe nivelin ku kishte hyrë lufta partizane. Mënyra e organizimit të divizionit i vinte përshtat kushteve politike të vendit, si dhe kërkesat që shtronin detyrat e reja luftarake në kuadrin e mësymjes së përgjithshme për çlirimin e vendit. Organizim mbështetej në parimet e autonomisë, të manovrueshmërisë së lartë dhe të drejtimit të shpejtë.
Në mësymje për çlirimin e vendit
Me dështimin e Mësymjes së Dytë të Përgjithshme naziste të Qershorit 1944, Div. I S, me urdhrin e Komandantit të Përgjithshëm të UNÇSH-së u hodh në mësymje të përgjithshme për çlirimin e Shqipërisë. Nga fundi i muajt qershor 1944 divizioni kaloi lumin Shkumbin dhe nisi operacionin, që përbënte fillimin e Mësymjes së Përgjithshme. Div. I S filloi bashkëpunimin me forcat partizane vullnetare të zonave dhe qarqeve ku e shtriu veprimtaria e tij. Zhvillimi i veprimeve luftarake dhe përfundimi i tyre vuri në pah disa tregues domethënës për mundësitë e mëdha luftarake që përmbante ky formacion. Kalimi i Shkumbinit dhe mësymja në Veri u bë nga brigadat, të cilat mësynin së bashku në një brez me gjerësi 90 km, thellësia e mësymjes arriti deri në 80 km. Në këtë mënyrë divizioni me brigadat e tij veproi në një sipërfaqe me përmasa 90-80 km të barabarta me 7.200 km². Kohëzgjatja e operacionit u shtri në një hark kohor prej afro dy muajsh. Div. I S ju desh të përballonte operacionin armik të Qershorit në një zonë të ngushtë ndërmjet krahinave të Tomorricës, Sulovës e Mokrës. Luftimet e divizionit në këtë zonë përbëjnë fazën e parë të veprimtarisë së tij kundër nazistëve e bashkëpunëtorëve të tyre, të cilët u përpoqën ta rrethonin dhe ta asgjësonin. Armiku, duke e ndjerë peshën e rëndë të këtyre forcave partizane, u mundua të mos u jepte kohë që të kalonin në veprime mësymëse. Forcat e divizionit ishin ngarkuar nga Komandanti i Përgjithshëm që të hidheshin dhe të vepronin në Shqipërinë e Mesme dhe të Veriut në urdhrin e datës 1 Qershor 1944. Prej forcave të divizionit ishte kërkuar që të goditnin armikun, rrugët e komunikacionit të tij, të likuidonin bashkëpunëtorët e tyre në zonat e Çermenikës, Zaranikës, rrethit të Tiranës, Matit e Dibrës dhe të organizonin pushtetin këshillave nacionalçlirimtar, të mobilizonin popullin për luftë dhe të ringrinin njësitet partizane që ishin dëmtuar në luftimet e mëparshme. Operacioni mësymës i plotësoi detyrat në disa faza. Divizioni pati mundësi të përqendronte forcat dhe të jepte goditje të favorshme kundër armiqve dhe tradhtarëve që mbroheshin me shumë forca e mjete në një territor të thyer e shumë të thyer malor, si dhe për t’u përgatitur për mbrojtje. Gjatë fazave divizioni pati mundësi që me forcat dhe mjetet e veta të vepronte në sipërfaqe relativisht të gjëra. Div. I S në fazën e parë të mësymjes së tij (20.6-3.7.1944) veproi në një zonë me sipërfaqe 90 km të thellë, në fazën e dytë (3-28.7.1944) divizioni i shtriu veprimet luftarake në një sipërfaqe prej afro 3000 km², duke përballuar goditjen e armikut me rreth 8.000 ushtarë gjerman dhe reaksionarë. Në fazën e tretë, forcat e divizionit përballuan mësymjen dhe kundërgoditjen e armikut me 8.000 ushtarë, ku luftimet u zhvilluan në një zonë prej 2000 km².
Lufta për çlirimin e Tiranës
Në operacionin për çlirimin e Tiranës, u bënë përmirësime në strukturën e brendshme organizative të brigadave e të batalioneve, në kompani lindi një hallkë e re dhe nevojshme organizative, toga. Kjo hallkë lehtësonte drejtimin e skuadrave dhe mundësonte veprimin sulmues të kompanisë në më shumë se një drejtim (rrugë, rrugica, etj) në qytetet, ku kjo ishte një dukuri e këtyre luftimeve në qytet. Në përbërje të batalioneve u dukën dhe skuadrat e zbulimit (informacionit) dhe të disiplinës. Detyrat e skuadrave të zbulimit në përgjithësi ishin të siguronin repartet dhe komandat e tyre nga agjentët armiq, të cilët duhej ti zbulonin, ti kapnin ose ti asgjësonin. Partizanët e skuadrave kryenin dhe detyrën e ndërlidhjes mes shtabeve të batalioneve sulmuese, si gjatë luftimeve dhe gjatë pushimeve. Këtyre skuadrave ju bashkuan dhe lajmëtarët e batalioneve. Skuadrat e zbulimit kishin për detyrë që, duke vepruar me patrulla të vogla përpara dhe në krahë të reparteve të tyre, të mbikëqyrnin, të hetonin dhe të zbulonin çdo lidhje të armikut, kurdoherë në bashkëpunim me popullin dhe në radhë të parë me njerëzit e Këshillave Nacionalçlirimtare në terren etj. Pas kësaj ata vinin në dijeni shtabet përkatëse për çdo zbulim apo informatë lidhur me krijimin e skuadrave të disiplinës të batalioneve, komanda e korparmatës urdhëronte që të organizohen urgjentisht skuadrat e disiplinës. Detyra kryesore e skuadrave ishte të ndihmonin komandat e shtabet e tyre për ruajtjen e rregullit, të qetësisë e të disiplinës në qytetin ku veprohej. Veprimet luftarake të Div. I S në këtë etapë, u arritën në saj të vendimit të Komandës së Përgjithshme për një manovër të gjerë, duke u futur thellë në dispozitivin e armikut dhe duke e goditur atë në bazat e tij më të forta, në rezervat kryesore, patën një rëndësi historike. Div. I S u rrethua tri herë nga forcat armike në qarkun e Dibrës, porse, duke përdorur manovrën dhe shpirtin sulmues si armë kryesore, mundi jo vetëm të dilte nga rrethimi, por në një kohë të shkurtër të shpartallonte të gjitha forcat e armikut dhe të çlironte të gjithë Shqipërinë e Mesme dhe një pjesë të Shqipërisë së Veriut. Pas këtyre veprimeve divizioni kreu detyra të reja, në kuadrin e Korparmatës së Parë, Br. V S veproi në Lumë. Ajo goditi autokolonat gjermane në rrugën Kukës-Prizren, çliroi Lumën, Hasin, etj. Br. I S çliroi Krujën, sulmoi armikun në Prezë dhe se fundi hyri në Tiranën e çliruar. Br. IV S veproi në zonën e Elbasanit dhe u shkaktoi autokolonave gjermane humbje dhe së fundi, sulmoi armikun në Tiranë. Div. I S e mbylli kapitullin e veprimtarisë së tij luftarake me çlirimin e Tiranës, më 17 nëntor 1944. Divizioni sulmues, ky formacion i ri bëri të mundur unifikimin e detyrave dhe veprimeve, përqendrimin e tyre dhe të forcave në më pak hallka kyçe drejtuese, si dhe ndërmjetësimin me Komandën e Përgjithshme, duke shkurtuar largësinë në kohë ndërmjet tyre. Ky formacion i ri, në nivelin ku kishte arritur lufta dhe UNÇSH, ishte plotësisht i mundshëm të realizonte detyrat e ngarkuara.
Sigal