Flet Mustafa Koçerri: Lavdi të përjetshme partizanëve dhe dëshmorëve të brigadës VI-Sulmuese. Kontributi dhe pjesëmarrja e patriotëve të Vermikut. Ja luftëtarët dhe dëshmorët

958
Sigal

Me rastin e 75 Vjetorit të krijimit të saj

Në deklaratën e Këshillit të Qarkut të Gjirokastrës në kulmin e operacionit të dimrit të vitit l944 midis të tjerave theksohet se Ushtria NÇL e popullit shqiptar po zgjerohet nga dita në ditë, duke marrë një formë të re, atë të një ushtrie të rregullt. Krijimi i brigadave partizane tashmë është në rend të ditës, janë ato të cilat sigurojnë shkatërrimin e pushtuesve dhe vendosjen e qeverisë së popullit. Edhe në qarkun e Gjirokastrës tonë kreshnike të Çeçove të vjetër dhe të rinj, vazhdon deklarata do të formohet Brigada e 6-të Sulmuese. Deklarata e qarkut i bënte thirrje popullit dhe këshillave NÇL të popullarizojnë sa më shumë këtë brigadë, e cila do të formohet së shpejti. Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë NÇL tashmë e kishte të qartë strategjinë e shtrirjes dhe rritjen e ushtrisë tonë çlirimtare, ndaj ai kishte vendosur që më 26 janar 1944 në qytetin e Përmetit të krijohej Br. e 6-të Sulmuese, duke marrë edhe masa të mira organizative, pasi krijimi i saj bëhej në kulmin e operacionit të dimrit të vitit 1944. Kështu, më 26 janar 1944 u bë realitet krijimi i Brigadës së 6-të Sulmuese, ku në përbërje të saj bënin pjesë Batalioni “Asim Zeneli”, “Abaz Shehu” ,”Naim Frashëri” etj., batalione të cilat kishin fituar një përvojë të mirë në luftimet e zhvilluara me forcat armike. Në përbërje të kësaj brigade do të gjeje partizanë nga shumë zona si Kurveleshi, Përmeti, Gjirokastra, Himara, Kardhiqi, Çamëria, por edhe nga zona të tjera që iu bashkuan asaj kudo nga ajo kaloi, duke çliruar krahina të shumta. Menjëherë pas krijimit të saj më datat 29 dhe 30 janar ajo përballon me sukses sulmin e forcave gjermane, të cilat ndodheshin në luginën e Përmetit dhe donin ta shpartallonin atë që në krijimin e saj. Por e kundërta ndodhi, në këto data brigada hidhet në kundërsulm të përgjithshëm dhe çliron zonat e Përmetit, Këlcyrës dhe Dangëllisë. Po cili ishte më tej marshimi i kësaj Brigade? Më 7-8 shkurt ajo çliron krahinën e Lunxhërisë, më 12 shkurt asgjëson forcat gjermane në Tepelenë, Bënçë dhe Veliqot.

Në bashkëpunim me Brigadën e 5-të Sulmuese po kaq e lavdishme edhe kjo, si dhe me forcat territoriale, çliron krahinën e Kurveleshit të Poshtëm dhe Mesaplikun. Por një nga betejat më të lavdishme të kësaj brigade është ajo e datës 29 mars 1944 për çlirimin e Patosit, betejë e cila ka hyrë në historinë e Luftës NÇL si Beteja e Margëllicit. Kjo betejë është një nga betejat më heroike e më të lavdishme të Ushtrisë NÇL. Në këtë betejë kësaj brigade iu vranë 17 kuadro, ku midis tyre ra heroikisht edhe komisari i saj, Mustafa Matohiti. Ai duke udhëhequr me shembullin e tij personal u dha zemër e kurajë partizanëve duke mos kursyer as jetën e tij për shpartallimin e këtij garnizoni gjerman në kalanë e Margëlliçit. Në Margëlliç pushoi së rrahuri zemra e Bilbilit të Kurveleshit, këtij biri ta dashur të tij, por emri i tij u lartësua edhe më shumë nga partizanët e kësaj brigade. Emri i tij do të kujtohet dhe nuk do të harrohet pë rjetë. Bashkë me komisarin e brigadës dhanë jetën në këtë betejë edhe Meleq Gostinishti, Lefter Talo, Dino Kalenja etj. Por edhe nga radhët e gjermanëve dhe bashkëpunëtorëve të tij u vranë 60 ushtarë. Veprimtaria luftarake e kësaj brigade është sa e gjatë dhe e lavdishme. Trimëria dhe gjaku i partizanëve të kësaj brigade ka lënë gjurmë edhe në çlirimin e Delvinës e Sarandës, si dhe në sulmin mbi garnizonin armik në Mavrovë. Nga datat 3-13 prill 1944 ajo thyen operacionin gjerman “Magjia e pranverës” dhe nga data 15 maj deri më 25 qershor ajo përballon dhe thyen operacionin e qershorit. Në luftimet e kësaj brigade në luginën e Shushicës, në Mesaplik, Vajzë, Ploçë, Vuno, Dhërmi, Brataj, Ramicë, Vermik, Himarë, Vranisht, Kuç dhe Dhëmblan, është shpalosur jo vetëm heroizmi i partizanëve por edhe përkrahja dhe mbështetja e popullit të këtyre zonave për çlirimin e tyre. Më 17 qershor brigada gjendet e rrethuar në zonën e Kuçit, por ajo edhe në këto kushte në saj të heroizmit të partizanëve ashtu edhe të aftësive drejtuese të kuadrove të saj, bëri të mundur të çante rrethimin  më 22 qershor 1944. Në datat 9-14 gusht 1944 brigada përqendrohet e gjithë në Qafën e Kulmakut. Më tej brigada zhvillon luftime në qytetin e Elbasanit, Qafë Krrabë etj. Më 3 nëntor 1944 ajo çliron Iballën në Pukë dhe pasi kalon në Nikaj-Mërtur-Dukagjin del në qytetin e Shkodrës dhe zhvillon luftime për çlirimin e saj. Pas luftimeve për çlirimin e Koplikut, më 29 nëntor 1944 forcat e kësaj brigade kalojnë kufirin shtetëror Shqipëri-Jugosllavi në ndjekje të armikut në Mal të Zi. Më 1 janar 1945 brigada çliron qytetin e Kaloshinit në Mal të Zi dhe më tej vazhdon mësymjen deri në Vishegrad. Pas një marshimi të gjatë nga data 6-12 mars 1945 përmes maleve ta Sanxhakut mësymja e saj arrin në Kosovë dhe, më 9 qershor 1945 largohet nga Kosova drejt Maqedonisë dhe përqendrohet në Ohër. Më pas brigada kthehet në Tiranë dhe parakalon, më 10 korrik 1945. Më 12 korrik rikthehet përsëri në Ohër. Më dhjetor 1945 ajo marshon nga Ohri në Shën Naun-Pogradec duke u kthyer në Atdhe dhe vendoset në Korçë. Marshimi i Brigadës së 6-të Sulmuese arrin në 3700 kilometër i gjatë. Në këtë marshim të gjatë në radhët e saj ka mbizotëruar optimizmi në fitore, vendosmëria, trimëria, guximi, ndjenja e vëllazërimit ndaj njëri tjetrit, mos kursimi i jetës për të arritur qëllimin final çlirimin e Shqipërisë. Aktiviteti dhe veprimet luftarake të kësaj brigade shtrihet në 720 ditë. Në këtë marshim të gjatë numri i partizanëve pjesëmarrës arrin në 1500 vetë, në tërë ato luftime të përgjakshme ajo i dha Atdheut 205 dëshmorë, yje të pa shuar, djem dhe vajza të reja në lulen e rinisë, ku prej tyre 10 janë shpallur Heronj të Popullit. Si në operacionin e dimrit dhe atë të qershorit Brigada e 6-të Sulmuese ka bashkërenduar veprimtarinë e saj me Brigadën e 5-të Sulmuese, brigadë e krijuar në zemër të Labërisë. Ato e kanë detyruar armikun të tërhiqet, të struket në vende të fortifikuara, duke bërë kështu të mundur çlirimin e shumë krahinave, fshatrave dhe qytete të Shqipërisë.

Disa momente dhe ngjarje të veçanta në jetën e kësaj brigade

Partizani Avni Micko ishte më i vogëli i gjithë efektivit, por atij i kishte lezet mbajtja në dorë e flamurit dhe ecja në ballë të Batalionit “Asim Zeneli”, për këtë atij i mbeti emri Flamur. Në sulmin e Brigadës së 6-të Sulmuese në Shën Pal, partizanin Naum Themollari, i cili kryente edhe detyrën e borizanit,e godet një plumb në borie duke i mbushur edhe atij gojën me gjak. Sa dhimbje i jepte Jaho Gjolikut rënia dëshmor e dy djemve të tij, Mithati dhe Ali Gjoliku, për të cilët ai shprehej “Djemtë e babait, të mirët e babait”. Por rënia e dy djemve e bëri atë edhe më të fortë, të vendosur e të papërmbajtur për t’u hakmarrë për çlirimin e Shqipërisë nga bisha naziste. Ky rast është ndër më të rrallët ku në një familje japin jetën për Atdheun 2 djem. Fatimja, një partizane e kësaj brigade i kishte lënë amanet vajzës së saj, Vjollcës, sa herë të bëhet festa e Brigadës të shkosh patjetër në Përmet, amanet të cilin ajo e bënte realitet. Pjesëmarrja e saj në një festë të brigadës, bënë që ish-partizani Dervish Lloi nga Vermiku t’i vendosë asaj shallin e kuq të Brigadës së 6-të Sulmuese. Hazbi Shehut në luftimet në afërsi të Vishegradit në Bosnjë i bie një bombë në prehër,por ai me shkathtësi dhe guxim e merr dhe ia hedh ushtarit gjerman, duke shpëtuar kështu veten e tij. Banori i fshatit Xhuxhë në krahinën e Fanit, Nikoll Xhuxha afro 90 vjeç, pasi kishte strehuar një grup partizanësh të kësaj brigade, në momentin e largimit të tyre ai u jep me vete një ka për ta përdorur si ushqim, veprim ky që tregon për mbështetjen e popullit ndaj ushtrisë NÇL. Në një ceremoni të kësaj brigade pas çlirimit, një nga partizanët e saj është shprehur, kam marrë në shpinë djaloshin Myzafer Katroci nga Gjirokastra, e hoqëm nga vija e luftës bashkë me partizanen Hazbien, na vdiq në shpinë dhe gjaku i tij na u tha në rrobat tona. Për aktivitetin e saj atdhetar e patriotik, për sakrificat e kontributin e dhënë në çlirimin e Shqipërisë, Brigadës së 6-të Sulmuese i është dhënë titulli “Heroinë e Popullit”. Po kështu aktiviteti dhe fryma luftarake e saj janë përjetësuar në shumë e shumë këngë, vjersha e libra.

Kontributi dhe pjesëmarrja e vermikasve në Brigadën e 6-të Sulmuese

Vermiku si fshat me ndjenja të larta atdhetare e patriotike ka dhënë një kontribut të veçantë në luftën për çlirimin e Atdheut. Ata ishin të inkuadruar në shumë formacione të ushtrisë NÇL. Më poshtë po përmendim emrat e atyre që kanë qenë të inkuadruar në këtë brigadë. Ata ishin Xhule Çiraku, Seit Çiraku, Besho Mëzuri, Numan Koçerri, Shorto Alimuçi, Shezai Mëzuri, Dervish Lloi, Xhevaire Braka, Myftar Braka, Shefki Alimuçi, Idai Alimuçi, Xhemo Tushi, Bardho Sela. Midis dëshmorëve të Brigadës së 6-të Sulmuese është edhe vajza vërmikase Xhevaire Braka, e cila më 13 shtator 1943 doli partizane në Batalionin “Asim Zeneli” në një moshë fare të re, 16 vjeçe. Para se të dilte partizane ajo ishte bërë një propagandiste e mirë e lëvizjes NÇL. Ja disa nga fjalët e saj me të rinjtë e fshatit Vermik…”ne duhet të luftojmë që të jetojmë të lirë,..të luftojmë që të kemi edhe ne shkollë në të ardhmen…” Më 16 qershor 1944 Xhevairja u vra duke luftuar heroikisht në malin e Këbuzit, në krahinën e Kurveleshit. Po kështu edhe partizani tjetër Seit Çiraku në përpjekje me ushtarët gjermanë plagoset rëndë, duke mbetur invalid deri sa jetoi. Por pjesëmarrja e vërmikasve, nuk është vetëm ajo e atyre që ishin rreshtuar në radhët e brigadës. Tashmë i gjithë fshati ishte i lidhur me Luftën, me burra e gra të rinj e të reja jepnin kontributin e tyre me çka mundnin për Luftën duke e parë atë si të vetmen mundësi për t’u çliruar nga ushtria gjermane. Më poshtë po përmendim vetëm një rast të bashkëpunimit të vermikasve me forcat e Brigadës së 6-të Sulmuese. Komanda gjermane, në operacionin e qershorit, për të pasur nën kontroll rrugën që të çonte në Kurvelesh nëpër Vermik, kishte rrethuar fshatin nga të gjitha anët. Por pararoja gjermane porsa hyri në territorin e fshatit, hasi në rezistencën e çetës së Vermikut, e cila kishte zënë pozicione dhe mbështeste forcat e Brigadës së 6-të Sulmuese që vepronin në këtë fshat, duke bërë kështu të mundur asgjësimin e ushtarëve gjerman. Më pas gjermanët në shenjë hakmarrje u futën në fshat me forca të shumta duke djegur e shkatërruar gjithçka në fshat, por nuk mundën ta shfarosnin atë, falë organizimit dhe masave të marra ata mundën të mbijetonin.

Le të ikin vitet, emri dhe gjaku i dëshmorëve të Luftës NÇL dhe i gjithë partizanëve të tjerë, jo vetëm nuk do të harrohet, por do të kujtohen e nderohen me respekt nga të gjithë shqiptarët patriotë e atdhetarë. Kjo luftë është shkruar me gjakun e derdhur, është shkruar me germa të arta në historinë e popullit shqiptar, ndaj ajo ndrit dhe do të ndrisë përjetë.