Flet ish-oficeri i kufirit jugor Mustafa Bakiasi: Në gjithë kufirin me Greqinë ka pasur rreth 80 piramida

1692
Sigal

– Tek Piramidat nga
ana jonë shkruhej germa A nga ana greke germa E

-Piramidat
mirëmbaheshin dhe ishin ndërtuar deri 500 metër nga Brezi Kufitar

– Zona kufitare nga
piramida ishte deri në 2 km.

– Brezi Kufitar nga
Piramida ishte 500 metër larg

– Në zonën ku u
arratis Bilal Xhaferri në Ninat, kishte piramidë

– Ne si Shtabi i
Komandës të batalionit duhet të shkonim 15 ditë në muaj në terren dhe flinim në
postat kufitare

-Çdo postë kishte
qenin e tij, me  emrin e tij, kartelën e
tij dhe njihte vetëm instruktorin, pasi kishte kod bisede me të.

-Çdo qen kishte
normë ushqimi dhe çdo qen dhe instruktori përgatiteshin në Shkollën e
Instruksionit të qenve në Tiranë

-Pala greke na
provokonte shpesh, por ne tregonim kujdes

 

Albert Z. ZHOLI

Mustafa Bakiasi ka
punuar rreth 23 vjet si oficer në kufirin shqiptaro-grek. Në këto vite ai ka
kaluar në të gjitha pikat kufitare nga Kepi Stillos në Sarandë deri në Korçë. Ishin
vite të vështira por dashuria mes ushtrisë dhe popullit ishte shumë e madhe. Një
dashuri e tillë ishte dhe me minoritetin grek.

 

Deputeti Berisha në parlament tha, se në Shqipëri nuk ka
pasur piramida, a është e vërtetë?

Si ish-ushtarak i
forcave të kufirit  për 23 vjet, dhe si
qytetar i RP Shqipërisë, më çuditin këto diskutime dhe deklarata të papërgjegjshme.  Unë jam dëshmitar okular që e kam shkelur me
dhjetëra herë kufirin e RPSH, që nga Kepi i Stillos, Piramida nr. 79, deri në
fshatin Vërmik në Devoll, ku them me përgjegjësi, se kanë ekzistuar piramida në
gjithë kufirin e jugut. Megjithëse i moshuar, jam i gatshëm t’ju tregoj në
terrenin konkret piramidat që kanë ekzistuar. Piramida në gjithë kufirin
shqiptaro-grek. Natyrisht ka nevojë për riparim të tyre se në shumë sektorë
malorë, erozioni edhe i ka dëmtuar. Por nuk i ka zhdukur. Edhe në periudhën e
para 1962-shit, sidomos mbas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Greqinë,
u bënë përpjekje për riparimin e piramidave, por pala greke nuk shprehu gatishmëri.

-Kur dhe ku ka filluar ndërtimi i piramidave?

Ndërtimi i
piramidave filloi pas vitit 1920 mbasi u formua një Komision Ndërkombëtar ku
ishin pjesëtarë pala shqiptare dhe greke Ato u ndanë në tre grupime, Grupimi i
parë nga Pogoni i Gjirokastrës dhe përfundon në territorin e Sarandës në
Stillo.  Grupimi i dytë fillon nga Qafa e
Kazanit Kolonjë deri në Nemërçkë të Përmetit. Grupimi i tretë në zonën e Korçës
Devollit.

Në këto tre grupime sa piramida ka pasur?

Në gjithë këto tre
grupime ka pasur afërsisht rreth 80 piramida.

Sa poste kufitare ka pasur më këto zona?

Ka pasur afërsisht
15 posta në zonën Kolonjë- Leskovik -Përmet. Në Sektorin Pogon-Gjirokastër deri
në Sarandë ka pasur 13 posta dhe në  zonën
e Sarandës  deri në Kepin e Stillos kemi
pasur 14 posta.

 

Postat kufitare sa larg piramidave vendoseshin?

Postat janë në Brezin
Kufitar. Kufiri ndahet në Brez kufitar 500 në thellësi të Piramidës. Zona kufitare
nga piramida deri 2 km në thellësi. E gjithë kjo zonë ishte nën mbikëqyrjen e postave
kufitare. Postat ishin vendosur midis Brezit të Kufirit dhe të piramidës në bazë
të terrenit.

Sa ushtarë kishte një postë kufiri?

Një postë kishte
nga 25-35 ushtarë.

 

Çdo postë a kishte qen kufiri?

Po, çdo postë kishte
qen kufiri (qen me erë si i thoshim ne).

Po me qentë e kufirit si veprohej?

Çdo postë kishte
qenin e tij, me  emrin e tij, kartelën e
tij dhe njihte vetëm instruktorin, pasi kishte kod bisede me të. Çdo qen kishte
normë ushqimi dhe çdo qen dhe instruktoripërgatiteshin në Shkollën e
Instruksionit të qenve në Tiranë.

 

Si kontrollohej zona kufitare?

Në brezin kufitar
ndërtoheshin mjete tekniko-xheniere dhe sinjalizimi, që shërbenin për zbulimin
e shkeljeve të kufirit.

Çfarë armatimi kishte një postë?

Posta kishte armë të
lehta deri në mitraloz të lehtë, automatik dhe mitraloz të rëndë. Në mbështetje
të forcave të kufirit ishin dhe forcat art-mitraljere të ushtrisë.

Si filloi mbrojtja e kufirit pas çlirimit të vendit?

Mbas Konferencës së
Paqes 1946, më 25 prill 1946 u krijuan forcat e kufirit të drejtuara nga
Divizioni i Mbrojtjes së Popullit. Forcat e Kufirit me Greqinë gjatë periudhës
1946-1990, janë karakterizuar nga trimëria, vigjilenca, vendosmëria për kalimin
e vështirësive dhe korrektësia me shtetin fqinj. Forcat e kufirit përballuan me
korrektësi e vigjilencë me qindra provokacione të ndërmarra nga qarqe nacionaliste
shoviniste greke. Sidomos nga viti 1946 deri në 1965, por qëndrimi ynë ka qenë
i kujdesshëm duke iu shmangur çdo konfrontimi ushtarak me shtetin fqinj.

 

A kishin përmasa të caktuara piramidat?

Piramidat ishin në
formë konike me bazament të gjerë me lartësi deri, 1,5 metër. Nga ana e kufirit
grek shkruhej germa E. Nga ana jonë germa A. 
.

A kishin mbështetje tek populli forcat e kufirit?

Forcat e kufirit gjatë
gjithë ekzistencës së tyre kanë pasur mbështetjen e gjithanshme të popullit të
zonës dhe të brezit kufitar. Në zonën kufitare ekzistonin edhe çeta vullnetare
në shërbim të kufirit.

Ku kishte më shumë ngjarje për arratisje?

Sektori me më shumë
ngjarje dhe provokacione nga ana e shtetit fqinj ka pasur në gjithë zonën e
jugut, por në veçanti sektori i Gjirokastrës, Konispolit, Leskovikut dhe
Bilishtit.

 

Po popullsia e zonës së e minoritetit a e  ndihmonte kufirin?

Vlen për t’u përmendur
zona e minoritetit  si në zonën e Sarandës
por edhe të Gjirokastrës. Ata festonin bashkë me kufitarët festat kombëtare dhe
çdo manifestim popullor.  Shteti shqiptar
e ka trajtuar popullin e minoritetit 
konform ligjeve ndërkombëtare me të drejta të barabarta me popullin
shqiptar si në fushën e arsimit, të shëndetësisë, të punësimit. Madje elektrifimi
i Dropullit dhe çuarja e ujit nëpër fshatra u bë para fshatrave të tjerë në
gjithë Shqipërinë. Kjo lidhje e ngushtë midis minoritetit dhe popullit në këto
krahina u skalit në veçanti në Luftën Nacional-Çlirimtare, ku u krijuan
formacione partizane si batalioni “Thanas Ziko” “Minoriteti” dhe kjo vazhdoi
dhe në rindërtimin e vendit pas çlirimit. Nga populli i minoritetit kanë dalë
heronj të popullit si; Thanas Ziko, Theodhori Mastora si dhe shumë Heronj të
Punës  Socialiste.

 

Po mendimi juaj si veteran i kufirit?

Unë si veteran, i vlerësoj
përpjekjet e qeverisë shqiptare dhe parlamentit shqiptar për forcimin e marrëdhënieve
midis dy popujve tanë Shqipëri-Greqi. E përshëndes në veçanti; qëndrimin e
kryeministrit Edi Rama lidhur me problemin e marrëdhënieve Shqipëri-Greqi ashtu
edhe vizitën e Kryeparlamentarit Meta në Greqi.

 

Po në Ninat që u arratis Bilal Xhaferi a kishte piramidë?

Po ka pasur piramidë.
Piramidat ndërtoheshin në kodrina  në
pika të dukshme, ku mundësisht piramida të shihte piramidën.  Por nuk kishte një distancë të përcaktuar
fikse, se varej nga terreni, nga lartësia e vendosjes. Pra çdo gjë ishte
relative.

 

Nga kush varej kufiri në atë kohë?

Strukturat e
organizimit të në RPSH kufirit kanë pësuar ndryshime disa herë por vareshin gjithmonë
nga Ministria e Brendshme.

 

Po në vijën bregdetare a kishte pika kufitare?

Pikat kufitare
vareshin nga batalionet e kufirit. Në bregdet pikat e kufirit ishin më të
rralla.

Po sot a janë këto piramida?

Ato janë lënë në mëshirën
e fatit, por ekzistojnë. Sot nuk ka posta kufitare dhe ndërtesat e postave
kufitare janë në mëshirë të fatit ose në pronësi të banorëve. Disa janë kthyer
në stalla bagëtish.

Kur shkonit për kontroll sa kohë rrije larg shtëpisë?

Ne si Shtab i
Komandës të batalionit duhet të shkonim 15 ditë në muaj në terren dhe flinim në
postat kufitare. Marrëdhëniet e kuadrit me ushtarët nuk kishin distancim në mënyrën
e jetesës dhe të ushqimit. Ishin marrëdhënie vëllazërore. Qendrat e batalionit
ishin në Konispol, Jergucat, Leskovik, Bilisht. 
Një kohë kam qenë në batalionin e Gjirokastrës, ndërsa një periudhë në
batalionin e Ersekë-Leskovik-Përmet.

Kush ishte zona më e rrezikshme?

Kufiri ka veçori të
tjera, ku terrenin më të vështirë  e ka
pasur Gjirokastra, Kolonja dhe Bilishti.

Kur ishit ju në këtë detyrë kush ishte Ministër i
Brendshëm?

Në periudhë kur kam
qenë oficer kufiri 1949-1972,  ministër
ishte Mehmet Shehu, më pas Kadri Hazbiu. Ishin të dy shumë kërkues dhe vinin në
qendrat e batalioneve. Kur kishim mbledhje dhe analiza vinim ne në ministri.

Po nga pala greke, kishte po aq posta kufitare sa kishim
ne?

Jo nuk kishte,
sepse e dinin që nga ne nuk u vinte asnjë sulm, pasi e kishim me Kushtetutë se
nuk sulmonim dhe nuk provokonim.

 

Ku bëhej përgatitja e ushtarëve për kufirin jugor?

Përgatitja bëhej në
qendrat e instruksionit si Tepelenë, Korçë, etj… Unë kam qenë komisar i
Qendrës së Instruksionit të ushtarëve të rinj për të shkuar në kufi në Tepelenë
(1955) dhe në Korçë (1857). Kjo stërvitje zgjaste tre muaj. Në përfundim të
përgatitjes bëhej betimi ushtarak. Ishte një program i veçantë për stërvitjen e
ushtarëve. Ne i instruktonim ushtarët tanë të ishin të kujdesshëm ndaj
provokimeve. Grekët na provokonin dhe ushtarët tanë tregoheshin të qetë. Për
çdo provokim ne bënim evidentim të veçantë dhe në fund një raportim që ia
nisnim Ministrisë së jashtme, e cila bënte Notë proteste ndaj qeverisë greke.
Nuk i përgjigjeshim provokimeve me kundërveprim. Ata hidhnin parulla, sharje ku
ne tregoheshim të kujdesshëm. Kur rrezikohej jeta e ushtarit, ne i
kundërpërgjigjeshim në distancë.

Sa vjet kini punuar në kufi?

Nga viti 1949 deri
në vitin 1972. Në Tiranë erdha në vitin 1972 me detyrë zëvendës Komisar i Shkollës
së Akademisë së Rendit (Shkolla e Lartë e MPB). Në vitin 1974 kam ardhur në
Drejtorinë e Dytë të Sigurimit të Udhëheqjes deri në vitin 1984.