FLET ILIRIAN BALLAJ: ZBULIMI SHQIPTAR NGA MË TË AFTIT NË EVROPË

1626
Albert Z. Zholi

Vështirësitë në ushtri gjithmonë i kanë afruar ushtarakët
INTERVISTA/ Flet ish-oficeri i zbulimit, Ilirian Ballaj: “Zbulimi ushtarak shqiptar ka qenë ndër më të aftit në Evropë” 
-Nuk harrohen, Viktor Dhroso, Muhamet Hoxha, Ilmi Qazimi, Xhemil Çeli
Detashmenti i zbulimit ishte një repart elitar
Në ish-Detashmentin e Zbulimit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë shqiptare kanë qenë që prej vitit 1966 e në vazhdim tre blloqe të mëdhenj brenda të cilëve shënoheshin për çdo vit përmbledhtazi jeta dhe aktiviteti i atij reparti. Në ta ishte një historik a një histori e atij reparti. Ata blloqe ishin të shoqëruar me dëshmi shkrimore dhe fotografike. E kishte nisur atë punë të mirë komisari i atij reparti Viktor Dhroso, e kishte vazhduar komisar Muhamet Hoxha dhe më vonë edhe Ilmi Qazimi. Por ai që përkujdesej direkt për ta, ishte z. Ilirian Ballaj. 

-Sa vjet jeni kujdesur për blloqet e historisë së ish-Detashmentin e Zbulimit?
U kujdesa për ta për pesëmbëdhjetë vite, i plotësova, i shtova e i shumova, i pasurova çdo vit me ngjarje të reja, i ruajta me kujdes dhe i lashë atje, kur u largova për në Dibër, në vitin 1983. I lashë aty si një dëshmi e s’mora më vesh se çfarë u bë me ta. Kur mendova se mund t’i përdorja, (sot) i kërkova e u mundova shumë, por nuk i gjeta dot. Me siguri diku janë të pluhurosur apo të tretur nga pakujdesia, apo edhe janë hedhur, sepse kanë lexuar në ta komisar x y. Më erdhi keq! Megjithatë, secili prej nesh, që shërbeu atje dhe që shërbeu gjatë, ka kujtesën dhe mbresat e tij. 
-Pse e kujtoni me nostalgji këtë historik? 
Tani që po shtyhemi në moshë, jetojmë më shumë me të shkuarën, sepse punët që patëm për të bërë i bëmë, e nga që s’kemi ç’bëjmë më, meditojmë, rikthejmë kujtimet. E shkuara jeton tek e tashmja dhe e tashmja projekton të ardhmen. Kam shërbyer 20 vite në ushtri oficer e 23 vite në terren mësues i letërsisë. Në ushtri jam lodhur shumë, kam ndjerë, jo vetëm lodhjen, por edhe psenë, mbase të ekzagjeruar për punët që bënim, psenë që ishte e pranishme edhe kur punët i bënim mirë, sepse kishte edhe drejtues që merreshin me formën e jo me përmbajtjen e punëve. Ishte koha kur disa punonin e të tjerë vrojtonin e shënonin. Sidoqoftë, ajo ishte metoda mbi të cilën kishin ngritur kështjellën e tyre të punës. Kemi ndjerë edhe urinë, edhe rrezikun, edhe pagjumësinë. E ajo jetë më duket pjesa më e bukur e së shkuarës sime. Edhe njëherë të m’i kthenin ato vite, që kam mbi shpinë e të më kërkonin se ku duhej të punoja, në ushtri do të thosha, sepse vështirësitë gjithmonë i kanë afruar njerëzit, i kanë miqësuar ata, por edhe i kanë kënaqur ata. Kam lexuar se “s’paska më mirë se të ndjesh kënaqësinë e lodhjes pas saj”. E ndonjëri, kënaqësinë e lodhjes, e paska krahasuar me ujin pas një etjeje të fortë. 

Kur nuk më zë gjumi e më dhembin kockat, kujtoj sikur marshoj mes borës në ngjitje të Shëngjergjit të Tiranës 40 vite më parë, sikur fle në kasolle e në guvat e borës në Bizë të Martaneshit,… dhe e ndiej veten shumë rehat.

-Cilat ishin vitet që keni shërbyer në ish-Detashmentin e Zbulimit? Kush ishin shokët tuaj të bashkëpunimit?
Jam një ndër ata që kam shërbyer në Detashmentin e Zbulimit, Regjimentin e Zbulimit e Shkollën e Përgatitjes së Kuadrove rezervistë, aty në Zallherr nga viti 1968 e deri në vitin 1983, kur më transferuan në Dibër, në Divizionin e sapoformuar atje. 15 vite janë pak, mbase, në raport me të tjerët shokë të mi si Meçan Ismailin, Azem Hykën, Hysen Sharrën, Osman Bilbilin, Dilaver Buzalin etj, që shërbyen atje mbi dyzetë vite. Një rast unik ky, filluan punë e dolën në pension aty. E po t’i shikosh ato vite si punë me net e me ditë, por edhe për nga intensiteti i veprimeve që mbartnin, mbase bëhen edhe një qind. E secili prej nesh ka për të thënë shumë për atë punë kolosale që është bërë atje duke u përgatitur për mbrojtjen e Atdheut. E kam kujtimet e mia, kam edhe ngacmimet e mia, që po i shprush. 

Punova atje gjatë me të paharruarit që s’janë më, Hysen Sharrën buldozerin që edhe Dajtin t’ia hidhje në shpinë e shpinte në Bizë, Kapllan Subashin mjeshtrin e luftimit ndeshës, Kapllan Vanin që mblidhte ushtarët e lodhur e i hidhte në krahë, Tigër Godon që ngjante shumë me tigrin e Bengalit si nga pamja dhe nga forca, Rustem Toron taknicienin improvizues taktik, Nesti Qiricin që ngjante me artistët më të pashëm të Hollivudit, Spiro Nakuçin mjeshtrin e laboratorit sinoptik, që i kujtojmë me nderim dhe mall; por edhe me Gani Elezin modelin e vullnetit në punë, Ymer Hykën i urti si një lepur, por që iu përvesh Andon Shetit, drejtorit me vështrim hipnotizues, e që e pësoi me një transferim të shpejtë, Guximtar Godon njeriun e programimeve dhe punëve korrekte që bënte, Ademin njeriun e kulturës, Kristaq Dhoskën shokun e humorit që komandanti i bërtiti, se pse nuk kapte ushtarë pa leje si patrullë në Tiranë kur të tjerët e bënin këtë me sukses, iu përgjigj “është me të hecme shoku komandant”, Thimi Buçkën i rrepti, Azem Hykën, ketri, Tarzani i xhunglës strërvitore, nuhatësi i shtigjeve të dëborës, alpinisti i mrekullueshëm, etj. Pa harruar komandantët e komisarët: Refik Kuca i palodhuri, Qani Abazi i hekurti, Viktor Dhroso njeriu që i qeshnin edhe sytë e që çantën e shpinës e mbante vetë mbi supe në marshime, Muhamet Hoxha më prindërori. Për njërin nga shokët e ndarë nga jeta i ri, shok me të cilin jetoja në një pallat banimi te Rruga e Elbasanit, do të shkruaja: 

Dhe dhimbshëm na shikon me sytë e kaltër
Me vështrimin gremisur, fytyrës së ngrirë
E sikur përshëndet me dorën zgjatur
Në shtegun e zi, në humbëtirë.

-Si do ta përkufizonit atë grup ushtarakësh?
Atë bërthamë të fortë e të hekurt ushtarakësh do ta krahasoja me “Përroin e hekurt” të Furmanovit që ishte një batalion, emrin e të cilit e kishte mësuar e gjithë Rusia, që ishte kompaktësuar si një masë çeliku e kur vepronte, dukej si ai përroi në vërshim që del nga shtrati e shkul e rrëmben gjithçka gjen përpara. Detashmenti ishte një forcë e përqendruar, një bërthamë me një numër të kufizuar ushtarakësh, tek 150 vetë, por me detyra të vështira e me një peshë specifike të madhe në stërvitjen e ushtrisë. Kushdo që ka shërbyer atje, mendoj se ka lënë një pjesë vitale të shpirtit të tij. Por ne e kishim edhe një farë egoje, ta pranojmë e ta themi, që fajin më shumë e kishin eprorët tanë, që edhe na i ushqenin atë ego. Si dje një detashment edhe sot një repart i Forcave Komando, Zallherri ishte dhe është një qytet i tërë në këmbë, ishte dhe është një industri ushtarake e përparuar, që ka shërbyer për stërvitjen e trupave elitë e që shërben ende. E kur e shikojmë këtë edhe sot, kjo na gëzon, na ngazëllen. Atdheu ka qenë ai që i faleshim, Atdheu ishte ai për të cilin betoheshim, të Atdheut do të ishim dëshmorë edhe në se binim, sikurse ra mirditori Nue Doda atje në Shënavlash të Durrësit në maj 1969-s, që nuk iu hap parashuta e që ne shokët e tij nuk e njohëm dot pasi ra, sepse edhe fytyra i ishte prishur. E për shokun e humbur duke rënë nga qielli pa jetë, shkrova që atëherë: 

Ah, një ditë me diell, shokun e përcollëm
E dot nuk ia pamë fytyrën që kishte
Si yjet në qiell rreth tij u mblodhëm
Dhe me lot e qamë, mbase dhe me ligje!

Profesori i pa certifikuar me ndonjë titull shkencor (kur e kanë marrë këtë edhe mediokër në fushën e dijes, por që mbase kanë qenë më pranë politikës), kolosi i mendimit ushtarak, mbaruar studimet shkëlqyer në akademitë prestigjioze të B.S., pedagog në Akademinë Ushtarake një jetë, autor tekstesh e studimesh, e deri edhe zëvendës drejtori drejtorisë së zbulimit të ushtrisë, të cilin e kemi pranë si një shenjtor, e që e duam shumë dhe i falemi erudicionit të tij, që na nderon në takimet megjithëse i shtyrë në moshe por rreptësisht i fortë, Xhemil Xh. Çeli, në librin e vet “ Jetuam paqen e kërcënuar”, Tiranë 2015 shkruan: “Na thoshin Partia e ne kuptonim Atdheu”, fq. 71. 
-Cili ishte objektivi i këtij reparti ushtarak? 
Detashmenti i Zbulimit ishte ngritur si një repart ushtarak, si një nevojë për të kryer zbulim ushtarak me trupa. Ai ishte vendosur në vitin 1950 në Pallatin e Brigadave në Sauk e në vitin 1966 e kishin dislokuar në Zallherr të Tiranës. Kishte qenë mendimi që ta çonin në Mezhgoran të Tepelenës, por ishte vendosur në Zallherr. Ishte vendosur në një vend që ishte pranë qendrës së ushtrisë, e duke qenë më pranë, do të udhëzohej e do të kontrollohej më direkt, më shpesh e më shpejt. Do të ishte edhe në mesin e vendit e i baraslarguar nga korpuset. Aty do të mundeshin të vinin të tjerët, reparte nga e gjithë ushtria e sidomos zbuluesit, të merrnin përvojën e tij stërvitore më të përparuar. Por ishte vendosur atje sepse kishte shumë hapësirë, terreni ishte i lirë, kishte fusha e kodra për rreth, kishte male e pyje, kishte shkëmbinj e kanione lumenjsh nga të dyja anët, ishte si një xhungël në kuptimin e mirë të fjalës ku mund edhe të jetoje me vështirësi edhe të stërviteshe me vështirësi. Mbase ishte dislokuar atje edhe në vazhdim të traditës së begatë ku kishte luftuar e fituar Skënderbeu, e të evokonin e të jetonin me të shkuarën e tij të lavdishme. Mua, kështu më është dukur, që herët, apo kështu dëshiroja të ishte. Përvoja e stërvitjes së atij reparti bazohej në traditat luftarake shekullore të popullit, në përvojën e Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare, por edhe në atë botërore. E aty do të ishte më mirë. Apo do të ishte edhe një forcë mbrojtëse për qeverinë e kohës, punë të cilën nuk di ta ketë bërë ndonjëherë, as dje as sot. Madje di se edhe në vitin e mbrapsht 1997 sivëllai i tij, Forcat Komando, e ruajtën repartin dhe resurset ushtarake duke e minuar repartin e nuk u prekën nga vala shkatërruese vandale. Ishte i vetmi që qëndroi në këmbë dhe nuk ra në duart e tyre duke ruajtur gjithçka kishte. Detashmenti kishte detyrë të zbulonte forcat e armikut në fushën e luftimit, të futej në thellësi të frontit të tij e të vepronte me grupe zbulueso-diversioniste për të shkatërruar objekte, për të rrëmbyer robër lufte e t’i përdornin për të vjelë të dhëna. Objekte të shkatërrimit në prapavijë të armikut ishin portet, aerodromet, shtabet, depot e armatimit, rrugët e qarkullimit, pengesat xheniere të kundërshtarit. Ai kishte detyrë të hynte e të dilte nga armiku në fshehtësi, me luftim e pa humbje. E të gjitha këto kërkonin një përgatitje të lartë fizike. Duhej të duronin lodhjen, shiun, borën, vapën, etjen, urinë, gjumin e munguar, etj. Dhe këtë ata e bënin në mënyrën më shembullore.
-Nga varej reparti juaj?
Vartësinë e kishte nga Drejtoria e Zbulimit e Ministrisë së Mbrojtjes, drejtorë të së cilës kishin qenë korifej të Luftës dhe të stërvitjes më vonë, akademikë të përgatitur në shkollat më prestigjioze ruse si Teme Sejko, Vehbi Hoxha dhe Andon Sheti. Ajo drejtori ishte pak si e veçuar e jashtë Ministrisë së Mbrojtjes, që të kishte më shumë liri e lehtësi për të qenë e qetë në punët e veta, por për të pasur edhe një ruajtje të veçantë, në Pallatin e Brigadave. Më parë, në vartësi të kësaj drejtorie të fortë, kishte vepruar edhe zbulimi-operativ. Ushtarët dhe kuadrot që shërbenin aty, ishin nga më të zgjedhurit e i pari kriter ishte ai politik, pastaj ai inteligjent, ushtarak, fizik e deri edhe prania fizike, e bëshme e tyre. E këta zgjidheshin me kujdes ndër diplomantët e Shkollës së Bashkuar të Oficerëve, ne Akademinë Ushtarake, përfshi edhe nga Universiteti i Tiranës për specialitete. Ndërsa ushtarët merreshin nga degët ushtarake të rretheve pas një shoshitjeje të mirë e direkt të tyre. Shërbimi ushtarak për ushtarët ishte tre vjet, ndërsa kuadrot e rinj që merreshin rishtas i nënshtroheshin një kursi të shkurtër zbulimi me trupa, që e kryenin në Zallherr. Ai ishte një bërthamë njerëzish të zgjedhur. 
-Pse?
Nuk e di nga ishte marrë ky emërtim, mbase edhe nga rusi, sepse detashmente ka shumë, edhe detashmenti i kuq i grave në Kinë, por tek ne kishte detashment zbulimi, edhe xhenioje. Detashment ushtarak, sipas fjalorëve shqiptarë, do të thotë një trupë me detyra të veçanta, një grup i fuqishëm, solid dhe i fortë, i përqendruar në një dorë, që kryen detyra të vështira. Ai ishte një forcë goditëse, shkatërruese e me detyra të posaçme. Dhe këto Detashmenti i zbulimit i kishte, ai ishte një repart që nuk quhej armë por më shumë shërbim, një forcë goditëse e shpejtë dhe rezultative. Që ishte një armë kjo kuptohej, sepse në qendër të repartit ishte shkruar me shkronja të mëdha: “Zbulues plus lëndë eksplozive, baras armë me larghedhje të madhe”. Ai kishte vartësi direkt nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë dhe i paharruari Petrit Dume që e ndiqte atë nga afër, veçanërisht në netët e dimrit, që kënaqej ta ngrinte në alarm e ta niste në mal kur binte borë e bënte suferinë e që rrinte zgjuar edhe vetë gjersa të zbatohej detyra luftarake. Në vitin 1969 u ndodhën aty për përgatitje ushtarake disa palestinezë, e sa herë ne ngriheshim në alarm natën, ata dilnin në ballkon e na shikonin, madje një ditë Jasini, prijësi i tyre, një mustaqelli e shumë i rreptë për të vetët, i transmetoi Hysen Sharrës me gjeste se bora vinte poshtë e ne ngjiteshim lart e Ceni iu përgjigj, duke lëvizur gishtin e këmbëzës së pushkës. Dhe ai e kuptoi se përgatiteshim për luftë (mbrojtje) e tundi kokën fort dhe i dha me gishtin e madh të dorës lart: O.K.! Në vitin 1966 ai repart u dislokua në Zallherr në fushë të hapur, në çadra ushtrie, pa kurrfarë ndërtimi e strehe imediate. Punuan për dy vite dhe ndërtuan një komandë dy-katëshe me 12 dhoma pune, një kapanon për 200 ushtarë, një fjetinë të vogël oficerësh, një magazinë ushqimesh e materialesh, një mensë dhe kuzhinë të përbashkët dhe një lavanderi. Uji vinte me autobot nga Tirana. E sillte një ushtar me fytyrë të kuqe e që ne i thoshin Nesti qimja. Kuadrot e parë aty ishin Shahin Leka, Kutel Çino, Refik Kuca, Viktor Dhroso, Qani Abazi, Muhamet Hoxha, intendent Meçan Ismaili. E ushtarë ishin rambot e luftimit ndeshës si Luan Zylfo, Muhamet Hada, Nue Ruçi, Myzafer Kambo, Ilmi Shahinasi, Pjetër Përçuni, Aqif Demirlika, e të tjerë, që dhanë mësim tregues edhe para komandantit të përgjithshëm, për kohën. Ata punuan si heronj, me plitharë, (tulla balte të thara) dhe ngritën repartin e zbulimit në Zallherr. 
Si ishte stërvitja, si e përballonit stërvitjen e lodhshme?
Stërvitja ndahej në dy pjesë, verore dhe dimërore, verorja në Mezhgoran, Karpen, Tale dhe dimërorja në Bizë të Martaneshit dhe në gjithë Shqipërinë. Stërvitja dimërore ishte më e lodhshmja, por më e bukura, stërviteshim në Bizë të Martaneshit për një e deri edhe dy muaj, në palcën e dimrit, bënim stërvitje shumë stërmunduese, nuk mbaj mend që ndonjëherë ta anulonim stërvitjen nëse kushtet e motit ishin të vështira, bënim ski, qitje natën, marshime rraskapitëse rreth Malit me Gropa, Kaptinës së Martaneshit, shtatëdhjetë e dy kthesave të Grykë Valit, flinim jashtë në kasolle, në çadra, në guva prej dëbore, laheshim me borë çdo mëngjes e për çudi na zhdukej edhe gripi që na kishte kapur në Tiranë, në se kishte rënë. Natyrisht veshjen dhe ushqimin e kishim të mirë. Atje bënim një jetë të rregullt e me të gjitha kërkesat, laheshim, ndërronim teshat, qetheshim, argëtoheshim, punë e lodhshme ishte të mbanim në gatishmëri fushën ku duhej të ulej helikopteri për ndonjë urgjencë. Pa fshehur e grupe-grupe, me radio me bateri, dëgjonim edhe festivalin e Sanremos. Natën bëhej shërbim për ruajtjen e njerëzve. Ngriheshim shpesh në alarme natën e shkonim në marshime dhe të nesërmen nuk e zëvendësonim gjumin. Dhe për çudi asnjëri nuk u dëmtua, nuk humbi jetën, sepse ne kishim njohuri të mira për malin dhe për dimrin, për ortekët që i hasnim shpesh edhe rrugës ku kalonim, për lumenjtë që vërshonin, për rrufetë që binin, për gurët që mund të lëviznin. Kur ktheheshim në mars ishim krejt të nxirë, si të kishim qenë 

në plazh. Rruga për të shkuar në Bizë ishte tek 60 kilometra me të gjitha zigzaget e saj, e bënim atë direkt me ndonjë pushim të vogël, me një temp marshimi në borë tre km dhe në tokë tek pesë km në orë, prej Bize bridhnim gjithë pjesën veriperëndimore të Shqipërisë, edhe njëzetë e katër orë pa pushuar e dyzetë e tetë orë pa ngrënë. E vështirë ishte edhe mbijetesa kur na lëshonin në pyll disa ditë dhe na thoshin të hanim stika pishe e të zinim zogj qielli. Ndërsa vera ishte e këndshme, por e lodhshme me notin, me mushkonjat sa që shoku ynë i paharruar, Ceni, e kalonte natën në ujë për t’u mbrojtur prej tyre. 

-A kishit aktivitete të ndryshme në repart?
Në repart bëhej një jetë dhe aktivitet kazerme, jo fort klasike, jo fort ushtri rreshti, një lloj sjelljeje e tipit Rambo e shpesh edhe me tuta stërvitjeje. Por jeta ishte kontrolluar rreptë në zbatimin e kushteve higjenosanitare, ushqimore e stërvitore. Gati pesëdhjetë për qind e stërvitjeve ishin natën. Ngjanin pak nga fiziku dhe sakrificat që bënin edhe me spartanët e lianeve (kulprave). Por spartanët zbrisnin me liane e ne me litarë bashkëkohorë, neilon, silon e perlon. E ne bënim vargje: 

Dhe zbresin zbuluesit poshtë monopatit,
Në pjalm bore e njësh me bardhësinë,
Litarët e ngrirë si lianet e Spartakut,
Azemi i hekurt një nga një i shtrinë.

Kuadrot ishin të gjithë të artë, jo vetëm për diplomat e arta të shkollës e trupat e bukur që kishin, por edhe për atë përzgjedhje që bënte Andon Sheti. Ishte e vështirë të hyje në trupat e zbulimit, por po aq e vështirë ishte edhe të dilje prej andej, sepse specializoheshin tejet mase dhe shpesh edhe ndrydhej kuadri. Më kujtohen në një të bërtiturat e Andon Shetit ndaj drejtorit të kuadrit të ministrisë, megjithëse të dy ishin drejtorë, Luto Haxhiut, sepse pa dijeninë e tij kishin bërë komisar korpusi një ish-detashmentas, një djalë të ri e me shumë kulturë, Nevruz Sakon. Dhe bënte të gjitha përpjekjet që ta kthenin, por që emërtesën e tij e kishte udhëheqja e shtetit tashmë. Pra, ishte xheloz për kuadrin e vet, se e donte, por ishte edhe konservues e, meqenëse i bëhej puna, nuk i lejonte të përparonin, megjithëse shumë prej tyre kishin shkuar në përfaqësitë diplomatike shqiptare, por që ai prapë i merrte në shërbimet e veta, kur ktheheshin prej andej. 
Sigal