Flet Agim Dede/ Përse qëndron në hije Lame Kodra?!

998
Sigal

Sipas shënimeve të Enverit, orientimi i Sejfullait ishte krijimi i marrëdhënieve të mira me perëndimin

Përse qëndron në hije Lame Kodra?!

Kujtimet e Nafiz Bezhanit dhe reagimi i Agim Dades për Sejfulla Malëshovën

Në këto ditë të shënuara, kur vendin e ka përfshirë afshi i nxehtë i demokracisë, mendja dhe zemra shkon tek demokratët e mëdhenj të kombit, tek ata që me penë dhe pushkë përballuan me krenari furtuna të egra, tek ata që mbollën në shpirtrat e brezave farën e ideve përparimtare, të lirisë e pavarësisë, të demokracisë! Një ndër ata është edhe Sejfulla Maleshova, apo siç njihet ndryshe, me pseudonimin e tij Lame Kodra.

 

Kanë kaluar 44 vjet, që kur një dekret “i zi” e hoqi emrin e tij nga skena politike dhe nga faqet e shtypit. 44 vjet u fut në qeli një emër pas të cilit jetonte një histori fisnike, një histori e vërtetë dhe e denjë për historinë e kombit tonë, për historinë dhe lumturinë e tij. Por gjurmët e veprave patriotike nuk i mbulon dot pluhuri i kohës, nuk i prish dot erozioni dhe nuk i fsheh dot asnjë hije. Dhe pikërisht në këto ditë na shfaqet portreti i tij patriotik me ngjyra të qarta, portreti i një Fanolisti, portreti i një demokrati që nuk u pajtua me monarkinë dhe mori rrugën e mërgimit politik, portreti i luftëtarit të paepur që në mendje e në shpirt kishte vetëm Atdheun dhe në ditët e pushtimit të vendit e la katedrën, la çdo gjë të mirë e të dashur që kishte dhe u kthye në Atdhe, sepse Shqipëria ishte më e shtrenjtë se çdo gjë tjetër.

Sejfulla Malëshova, dijetar dhe poet, kishte një personalitet të pakrahasueshëm dhe dashuri e respekt në shtresat e gjera të popullit. Prandaj masat e Enver Hoxhës për eliminimin e tij, në përpjekjet për konsolidimin e pushtetit të gjithanshëm diktatorial, ishin drakoniane. Për të shmangur rreziqet që mund të krijonin diskutimet e lira për këtë çështje, ai krijoi një frikë dhe terror të paparë. Kështu në letrën e 10 majit 1947 dërguar organizatave bazë të partisë, ndër të tjera urdhëron: “Në qoftë se ndonjë anëtar partie i lëkundshëm apo i sëmurë do të përpiqet të mbjellë mjegull, duhet të merrni masa të shpejta, të likuidohet çdo orvatje që synon “qoftë dhe një grimë” dobësimin e unitetit dhe të forcës së partisë tonë”. Kjo do të thotë që anëtarët të kafshonin gjuhën me të 32 dhëmbët. Sipas Enver Hoxhës, zanafilla e urrejtjes dhe armiqësisë së tij kundër Sejfulla Malëshovës, ka qenë në pleniumin e Beratit, ku u përgatit e ashtuquajtura “prapaskenë” për shkarkimin e tij nga posti i sekretarit të përgjithshëm të partisë. Por edhe pse materialet e këtij plenumi nuk u botuan, natyrisht jo pa qëllim, kuptimi dhe interpretimi i drejtë i atij informacioni të kufizuar që është dhënë nga dora e vetë Enverit, të krijohet bindja se Sejfulla Malëshova nuk ka bërë dhe as nuk ka pasur nevojë të bënte ndonjë prapaskenë. Problemi i shkarkimit nga detyra të Enver Hoxhës është shtruar në plenum dhe kjo është bërë për dy motive të qarta: e para, sepse ai ishte provizorisht në atë detyrë dhe e dyta, se dhe plenumi pati kritika shumë të rënda për të, sidomos për akte terroriste, të kryera gjatë Luftës Nacional Çlirimtare dhe për gabime të tjera të rënda, për të cilat mbante përgjegjësi direkt Enver Hoxha. Këto gabime Sejfullai i denoncoi me një notë vërtet të ashpër duke shprehur mendimin e tij se “Partia po degjeneron në një parti banditësh dhe terroristësh”. Ai e bëri këtë sepse vepra të tilla nuk mund t’i pranojë një demokrat, një intelektual dhe patriot i vërtetë, sepse vepra të tilla nuk kanë asgjë të përbashkët me shtetin demokratik që ëndërronte ai, por çuditërisht përpara kësaj akuze Enver Hoxha uli kokën dhe nuk dha asnjë përgjigje. Ai u mundua të kapërcente lumin pa u lagur me një autokritikë gjysmake, duke u munduar t’ia hidhte fajet luftës, shokëve dhe shoqeve, sidomos Liri Gegës.

Kontradiksione të shumta gjen në veprat e Enver Hoxhës për këtë problem. Të bën përshtypje veçanërisht kur gjen fjalë origjinale të Sejfullait, të vendosura në thonjëza, se jashtë plenumit ai i ka thënë anëtarëve të Komitetit Qendror se “…nuk është momenti i përshtatshëm, pra Enver Hoxha nuk meriton të jetë sekretar i përgjithshëm”. Kjo do të thotë se dikush tjetër ka qenë për heqjen e Enverit dhe këtë mendim të tij Sejfullai e ka kundërshtuar për shkak të situatës së parehatshme. Por cila duhet të jetë e vërteta? “Prapaskena” që organizoi ai për ta hequr, apo për ta mbrojtur?

Sejfulla Malëshovën kam pasur fatin të njoh edhe personalisht. I paharruar ka mbetur për mua një takim që pata në maj të 1947, pikërisht disa ditë pas pushimit të tij nga detyra e ministrit të Kulturës. Në duar kishte një tufë me gazeta dhe revista dhe i qetë, sikur asgjë të mos i kishte ndodhur, më thotë:- Sa mirë që të takova, kam një surprizë për ty. Për ku je nisur? – Në “Dajt”, duhet të ha drekën dhe të kthehem shpejt në zyrë. – Po vij dhe unë. U futëm në sallën e madhe. Dy të rinj u ulën menjëherë pranë tavolinës sonë. Njëri nga ata tha me përbuzje dhe me zë paksa të lartë: “Kulishi i imperializmit”. Sejfullai e dëgjoi, por nuk tregoi asnjë shqetësim. Kur u çuam për të dalë, ai ndaloi hapat te djaloshi dhe e pyeti:- Shkoni në shkollë ju? Do bënit shumë mirë të vazhdoni shkollën, të krijoni logjikën tuaj, se për atë keni nevojë ju, por më tepër ka nevojë Atdheu.

Në çast m’u ngulitën në mendje fjalët që i tha djaloshit: “Atdheu ka nevojë për logjikë të pavarur”. Pra për oponencë, për demokraci, pikërisht ajo që mungonte në atë kohë.

Me sa e njoha unë Sejfullain dhe nga kuptimi dhe interpretimi i drejtë a atyre pak materialeve që janë botuar, del se Enver Hoxha i është kundërvënë atij jo për “prapaskenën” e Beratit, por për rrezikun e madh që sillte për postin e tij, niveli i lartë kulturor dhe shkencor, si dhe pikëpamjet me të vërtetë demokratike që ai kishte për krijimin e shtetit tonë të ri. Në politikën e marrëdhënieve tona ndërkombëtare, Sejfullai, edhe pse kishte studiuar dhe jetuar për një kohë të gjatë në Bashkimin Sovjetik, nuk ishte ndikuar fare nga dogmat staliniste, përkundrazi, ishte kundra tutelës jugosllave dhe sovjetike që përkrahte Enver Hoxha. Ai ishte për një shtet shqiptar me të vërtetë të lirë, një shtet demokratik, që të ecte me dinjitet drejt përparimit. Duke dashur të demaskojë pikëpamjet e tij, Enver Hoxha shkruan: “Politikë e gjerë liberale, kryesisht oportuniste në marrëdhëniet që duhet të kishte shteti ynë me shtetet demokratike, aleate dhe miq besnikë të popullit tonë: Bashkimin Sovjetik dhe Jugosllavinë”.

Sipas shënimeve të Enverit, orientimi i Sejfullait ishte krijimi i marrëdhënieve të mira me perëndimin me çdo kusht, bile ai ishte që Shteteve të Bashkuara t’u njiheshin edhe marrëveshjet e para luftës, me qëllim që të lidheshin marrëdhënie diplomatike. Rëndësi të veçantë u jepte ai marrëdhënieve më Italinë, ku shikonte mundësi të mëdha bashkëpunimi me interes reciprok. Diametralisht të kundërta me mendimet e Enver Hoxhës, ai shikonte edhe zhvillimin e politikës së brendshme. Sejfullai ishte shprehur qartë për qëndrim të butë me kundërshtarët ideorë dhe veçanërisht me klerin. Ishte pikërisht këmbëngulja e tij që u krijuan ato pak shanse demokratike që lejuan futjen e nacionalistëve në Parlament. Natyrisht fati i këtyre deputetëve dihet dhe kjo tregon edhe më mirë sa larg kanë qenë pikëpamjet e tij me ato të Enverit.

Rëndësi të madhe kishin orientimet e Sejfullait në fushën ekonomike. Disa ditë pas çlirimit të vendit, pikërisht më 25.12.1944, ai botoi një artikull në gazetën “Bashkimi”, ku ndër të tjera thotë: “Është një detyrë e madhe aktuale që sektorët e ekonomisë tonë që kanë ekzistuar deri më sot, të hyjnë në aktivitet, të ngjallen dhe të lulëzojnë, në bazë të iniciativës së plotë private”. Por Enver Hoxha mendonte krejt ndryshe dhe përgatitej të shtetëzonte çdo gjë. Konsekuent me pikëpamjet e tij, më 22.1.1945, me rastin e përurimit të Bankës së Shtetit, Sejfullai tha: “Ajo të bëhet faktor për të ngjallur iniciativën private në tregti dhe industri”. Ndërsa më 5 gusht 1945, në një gjendje të dëshpëruar, duke përshëndetur Kongresin e Frontit Demokratik, tha: “U përpoqëm të ngjallim dhe të aktivizojmë sektorët e ekonomisë mbi bazën e iniciativës private, por është bërë shumë pak, ca nga pazotësia jonë e ca nga vullneti i keq i një pjese të mirë të tregtarëve dhe industrialistëve”.

Pikëpamjet e tij për zhvillimin me përparësi të sektorit privat, Sejfullai i shtroi edhe në Plenumin IV të Partisë, në nëntor 1945, duke vënë theksin veçanërisht në përkrahjen e gjithanshme që u duhej industrialistëve, nga ana e shtetit, por Enver Hoxha krijoi “kushtet e papërshtatshme” për të larë hesapet me tregtarët, industrialistët dhe përkrahësit e tyre, duke shlyer kështu edhe një borxh që kishte e ashtuquajtura “prapaskenë e Beratit”. Atë që nuk pranoi të bënte Sejfullai për Enverin, e bëri Enveri për Sejfullain.

Kujtime të dhimbshme, por në këto ditë historike të zhvillimit demokratik të vendit, e ndjejmë se po na shkarkohen. Në rast se i kujtuam, kjo ndodhi vetëm për një pyetje enigmë: në qoftë se do të triumfonte platforma politike dhe ekonomike e Sejfulla Malëshovës, si do të ishte vallë Shqipëria sot? Do t’i ishte marrë fshatarit toka dhe lopa? Do të kishte luftë klasash e kaq shumë tradhtarë, agjentë e poliagjentë, të burgosur e të vrarë? Për të gjitha këto një gjykim është i pakontestueshëm: Lame Kodra u la në hije nga diktatura. Demokracia do ta vendosë atë në piedestalin e merituar.

Heshtja vazhdon ende …..

Agim Dade

Sot kur kanë kaluar shume vite nga shkrimi i të ndjerit avokat Z. Nafiz Bezhani, ku shprehte besimin se me vendosjen e demokracisë Sejfulla Maleshovën, do ta vendosnin në piedestalin e merituar ende nuk është vënë në jetë. Për fat të keq asnjë nga forumet zyrtare të shtetit Shqiptar, nuk kanë bërë një mbledhje përkujtimore, të ditëlindjes apo të datës së ndarjes nga jeta ku të vihet në dukje kontributi dhe vepra e tij, për Atdheun, sepse Shqipëria për të ishte më e shtrenjtë se çdo gjë tjetër. Është bërë një takim përkujtimor, me rastin e 105 vjetorit të lindjes, organizuar nga shoqata “Atdhetare Patriotike Malëshova” dhe 5 vjet më vonë Këshilli Bashkiak i Fierit me pjesëmarrjen e shoqatave “Patriotike-Atdhetare-Kulturore Malëshova dhe Përmeti, mbajtën një sesion shkencor jubilar, me rastin e 110 vjetorit te lindjes, së tij. Malëshova ishte një personalitet I madh ku veçohet si anëtar në Kryesinë e Frontit Demokratik anëtar I Shtabit të Përgjithshëm të LANÇ. Në këtë jubile u bë dhe inaugurimi i bustit të këtij patrioti të madh, vepër e skulptorit Haxhi Kalluci në bashkëpunim me arkitektin M. Bucka, nën kujdesin e kryetarit të bashkisë z. Baftjar Zeqo. Në përurimin e bustit të Lame Kodrës, morën pjesë personalitete të nderuar të rrethit patriot të Fierit, si Kryetari i Bashkisë z. Baftjar Zeqo, n/kryetari dhe skulptori i bustit zoti Haxhi Kalluci, Kryetari i Komitetit të Veteranëve të LANÇl. të rrethit dhe drejtuesit e tjerë të këtij rrethi, të afërm të Lame Kodrës. Pas zbulimit të bustit Dr. Moikom Zeqo përshëndeti të pranishmit, duke vlerësuar figurën e Sejfulla Maleshovës si personalitet i shquar i LANÇ dhe i kulturës Kombëtare. Pas inaugurimit të bustit u mbajtën kumtesat, nga Dr. Kleanthi Zoto, Niko Tyto, Prof. Dr. Nasho Jorgaqi, nga Tatjana, e bija e Dr. Ymer Deshnicës, shok ideali me Sejfullanë dhe të dy viktima të diktaturës, në mbrojtje të demokracisë. Folën Nuredin Boriçi dhe Hajdar Cafka. Të gjithë te pranishmit, përgëzuan këshillin         bashkiak dhe kryetarin e bashkisë për vlerësimin që i bënë figurës të të madhit patriot Sejfulla Malëshova. Sejfullai, lindi në Malëshove të Përmetit, por eshtrat ika atje në Fier ku dhe prehet i qetë. Ai i përket të gjithë truallit të kombit shqiptar. Shqipëri, Kosovë dhe Çamëri, Dashurinë e pa kufi, për Atdheun, për shqiptarët dhe Shqipërinë, e ka shprehur në vjershat e tij, të thëna jo me gojë, por me Zemër. Ne të afërmit e Sejfullait edhe sot, falënderojmë popullin e Fierit, institucionet dhe gjithë ata që kanë vlerësuar këtë figurë pasi me njohjen e vlerave ja lehtësojë sadopak brengën në përjetësi. Aktualisht shpresojmë se institucionet shtetërore, ministria e kulturës, e arsimit, Akademia e Shkencave dhe elita e intelektualeve, do të ndjejnë obligim për figurën madhore të Sejfulla Maleshovës dhe ta vënë në piedestalin qe meriton. Shpresojmë që këshilli bashkiak i qytetit te Tiranes,te vere një pllake përkujtimore, ku ka banuar te shtëpia e Rukëve te rruga “Kajo Karafili”, si dhe t’i vihet emri i një shkolle, si ministër i Kulturës dhe i arsimit që ka qenë, menjëherë pas çlirimit. Nuk është aspak e tepërt, por plotësisht e merituar ti bëhet dhe një përmendore në një nga lulishtet e Tiranës. Diktatura e persekutoi, sepse, Sejfulla Malëshova donte demokracinë e vërtetë. Donte shtet Shqiptar me të vërtetë, pa tutelën e të huajve. Prandaj patriotë të tillë nuk duhet të lihen në hije apo në harresë.