Flet Abaz Hoxha, ish-partizani 14-vjeçar: Heroizmi i Brigadës V Sulmuese dhe atentatet kundër spiunëve

1559
Sigal

Flet, Abaz Hoxha, ish-partizani 14-vjeçar i Brigadës së Pestë Sulmuese:

Si u mobilizua fshati i Tragjasit për të pritur me luftë italianët

-Pushtimi fashist i vendit dhe lëvizja partizane në Vlorë

-Dinakëria italiane bëri që të merrte shumë fëmijë nga qyteti për pushime në Itali

Si filluan në Vlorë filluan atentatet e para kundër spiunëve dhe bashkëpunëtorëve të fashizmit

– Shkolla Tregtare ishte një nga çerdhet e para të lëvizjes antifashiste

– Si u krijua -Çeta Plakë- e Vlorës/4 dhjetor, 1942/ ku bënin pjesë kryesisht studentë

– Kjo çetë më 26 dhjetor, goditi baterinë e artilerisë bregdetare të Batalionit 313 në Ramec të Radhimës

Albert Z. ZHOLI

 Si i përcillni në kujtesën tuaj vitet  dhe ngjarjet 1939-1944?

Tragjas! 7 prill 1939. Në fshat u shpall alarmi. Shqipëria po pushtohej nga fashizmi italian. Midis ishullit të Sazanit dhe Karaburunit u duk një anije lufte. Gjithë fshati u grumbullua te lëmenjtë e shkollës. Njerëz të revoltuar me pushkët e ruajtura nga Lufta e Vlorës ose me sëpata prisnin urdhra për të shkuar në Vlorë. Ishte një turmë e paorganizuar por e gatshme për të sakrifikuar edhe jetën e tyre në mbrojtje të Atdheut. U nisën me ngut drejt Vlorës, por ishte tepër vonë. Mbreti që kish premtuar se në një rast të tillë do vishte opingat dhe do dilte malit për të mbrojtur atdheun, një ditë më parë me familjen, suitën dhe oborrin mbretëror, duke marrë me vete edhe një pjesë të thesarit të shtetit, nëpërmjet Elbasanit dhe Korçës, ia kish mbathur duke e lënë ushtrinë të çorganizuar dhe pa komandë. Vendi ishte tradhtuar. Edhe me pushtimin fashist të vendit Tahir Hoxha ishte një nga të parët që kundërshtoi pushtimin dhe filloi një veprimtari të gjithanshme kundër pushtuesit. Të nesërmen e pushtimit gjithë nxënësit e shkollës nën drejtimin e arsimtarëve T. Hoxha, Q. Thanasi, Elmaz Tahiri (Bitri), me shirita kuq e zi në qafë të organizuar u nisëm drejt fushës së Dukatit ku ishte qendra e Komunës. Atje filloi një protestë spontane, u hodhën parulla patriotike. Nxënësit filluan të këndonin këngën e njohur patriotike të Luftës së 1920-ës -Vlora, Vlora-. E kaluam gjithë ditën aty tek Hani i -Abaz Gegës-duke kënduar këngë patriotike dhe duke protestuar për pushtimin e Shqipërisë. Njerëzit të revoltuar për tradhtinë e mbretit. Burra e gra, të rinj e të reja nga e gjithë krahina e Dukatit u grumbulluan dhe bënin thirrje për t’u ngritur në luftë kundër pushtimit fashist.

Veprimtaria patriotike e Tahir Hoxhës

Xhemal Imeri, autor i disa librave për Tragjasin dhe ish nxënës në shkollën e Tragjasit, për veprimtarinë patriotike të Tahir Hoxhës, midis të tjerash kujton se me pushtimin e vendit nga trupat fashiste u organizuan nga mësuesit Tahir Hoxha, Elmaz Tahiri dhe Qazim Thanasi demonstratat në ditën e 28 nëntorit/1939/ në mes të fshatit dhe para postës italiane në qendër të fshatit me parullat -Duam liri- – Poshtë fashizmi- , -rroftë 28-Nëntori- që ishin shprehje e faktit që populli nuk e pranonte pushtimin dhe do të ngrihej në luftë për liri. Ndër të tjera ai shkruan: -…Një ditë para festës së 28 nëntorit 1939, mësuesit e shkollës (pjesa më e madhe e të cilëve do shpalleshin armiq e tradhtarë gjatë luftës e në vazhdim dhe pas çlirimit do dënoheshin e burgoseshin) na lajmëruan që të nesërmen të merrnim bukë me vete dhe herët të rreshtoheshim në oborrin e shkollës, që herët në mëngjes ishte mbushur sheshi i lëmenjve ndërsa brenda oborrit të shkollës nxënësit po rreshtoheshin. Si më i riu nga mësuesit, Qazim Thanasi po na komandonte,kurse Tahir Hoxha dhe Elmaz Tahiri po shëtisnin para dyerve, apo midis shkollës dhe nxënësve të rreshtuar. Nisja u bë në njësh kolonë, në krye ecte një nxënës i rritur me një flamur të ngritur lart ndërkohë që populli i fshatit kishte arritur tek Shtegu i Thanaset ku dallohej një tjetër flamur…Kur dolëm në Qafë të Varreve filluam të këndonim këngë atdhetare si -Për mëmëdhenë-, -Vlora,Vlora- etj…po shkonim në drejtim të postkomandës të komunës që ndodhesh në anën tjetër të lumit të Dukatit. Atje ishin grumbulluar një mori njerëzish nga Dukati e Radhima. U mbush sheshi, deri para godinave të Abaz Gegës ku ndodhej Komuna. Kur u bashkuam të gjithë, buçitën thirrjet Duam liri, Poshtë fashizmi, Rroftë 28 Nëntori etj.- E më poshtë: .Mësuesit tanë të nderuar që dinin e shihnin më larg, na sqaronin se popujt e midis tyre edhe ai shqiptar, do të dinte jo vetëm të rezistonte, por edhe do fitonte lirinë e grabitur prej pushtuesve…

– Kur u organizua në mënyrë propagandistike dërgimi i disa fëmijëve shqiptarë për gjoja pushime në Itali unë isha ulur pranë babait tim Seferit dhe Tahir Hoxhës. Kur vapori mbërriti në grykën e Sazanit e po na zhdukej nga pamja, hodha shikimin nga mësues Tahiri. Ishte nxirë në fytyrë dhe ma bëri me shenjë ti afrohesha. Ai më mori kokën nënë sqetull dhe me dorën tjetër më fërkoi flokët. Ndërkohë iu drejtua babait dhe me lot në sy i tha:

-Sefer, sa mirë bëre që nuk e nise djalin, se ata nuk kanë ardhur për të mirë tek ne dhe kam frikë, do na i mbajnë andej me gënjeshtra fëmijët.

Për herë të parë e pashë atë burrë me një gjendje aq të plagosur

Aq më tepër që edhe ai zemërshkëmb, të derdhte lot. Ato fjalë të arta të tij shumë vonë do ti analizoja se sa peshonin. Ishin fjalët e një burri atdhetar, me veprimtari të shquar për vendin, me karakter  e, mbi të gjitha të një njeriu me kulturë, që e kishte të qartë perspektivën e të ardhmes së vendit…Ai aktivitetin e tij e kishte filluar që më 1920 e më pas. Dinte se kush ishte fashizmi e pushtimi. Por kurrë nuk mund të përfytyronte që pas 5 vjetësh do të përfundonte në qelitë e burgjeve, të asaj diktature të cilën vumë në krye ne bijtë e nxënësit e tij, si shpërblim të gjithë asaj që i kishte dhënë fshatit dhe vendit në përgjithësi. Nuk i dhanë pak por plot 101 vjet burg, madje edhe për -mëshirë- nuk u realizua dënimi kapital që u dha…..Në revoltat e studentëve të shkollës Normale të Elbasanit/ ku ishin edhe disa studentë nga Tragjasi si Lufter e Niko Hoxha, etj/, që i kishin zënë rrugën mbretit duke thirrur -Duam armë- ishin mashtruar. Armët ishin sabotuar. Por organizatorët e protestës ishin regjistruar. Kolona e pestë fashiste kish punuar që më parë dhe nuk kaloi shumë kohë dhe filluan arrestimet e studentëve protestues. Midis tyre edhe im vëlla, Lufteri. Pas disa kohësh ai u dërgua në burgun e Tiranës. Arrestimi i tij mund të kishte pasoja të rënda. Babai u nis për Tiranë. Atje ai kishte shumë miq e shokë me influencë të cilët bënë punën e tyre dhe ndikuan që pas disa muajve ta lironin për mungesë provash. Ai erdhi në fshat menjëherë. Më parë kishte ardhur edhe Nikua e Kujtimi të cilët respektivisht ishin përjashtuar nga shkolla Normale e Elbasanit dhe Tregtare e Vlorës për veprimtari antifashiste. Në vjeshtën e vitit 1942 edhe unë u përjashtova nga shkolla tregtare ku vazhdoja studimet prej një vit e gjysmë. Shkak ishte bërë një protestë e jona për të sabotuar mësimin e italishtes në shkollë nga një mësues fashist italian. Kur mësuesi u fut në klasë ne filluam të dilnim dikush nga dera, dikush nga dritaret e ulëta të klasës sonë që ishte në katin e parë. Kjo u bë shkas që të përjashtoheshim nga shkolla 6 nxënës. Përjashtimi ynë në të nesërmen shkaktoi një revoltë të gjithë nxënësve të shkollës të cilët nuk hynë fare në mësim por filluan të thërrisnin -O të gjithë, o asnjë- që donte të thoshte ose i lejoni edhe shokët tanë ose asnjëri nuk do të futet në mësim. Filluan të hidhnin parulla antifashiste dhe kjo u bë shkas që të lajmërohesh karabinieria që mori masa represive duke arrestuar dhe nxënës të tjerë. Shkolla u mbyll përfundimisht. Shkolla tregtare /ku studionin edhe shumë tragjasas, u bë vatër e lëvizjes patriotike që tashmë kishte filluar të organizohesh.

Atentatet e para kundër spiunëve dhe bashkëpunëtorëve të fashizmit.

Në Vlorë filluan atentatet e para kundër spiunëve dhe bashkëpunëtorëve të fashizmit. Filluan arrestimet në masë të iniciatorëve. Veprimtarët antifashistë po binin në sy të agjentëve të SIMIT. Kjo bëri që shumë patriotë, kryesisht studentë dhe patriotë të njohur të hidheshin në ilegalitet, të dilnin nga qyteti dhe të shkonin në fshat. Lëvizja antifashiste po ziente në Vlorë. Në radhët e policisë dhe kuesturës vepronin oficerë shqiptarë patriotë që i shërbenin kësaj lëvizjeje duke njoftuar më parë për planet e fashistëve për arrestimet, internimet, bastisjet etj. Bëheshin demonstrata dhe protesta antifashiste. Kjo lëvizje gradualisht doli nga qyteti dhe iu drejtua fshatit ku filluan të organizoheshin formacionet e para ushtarake. Shkolla Tregtare ishte një nga çerdhet e para të lëvizjes antifashiste. Nga radhët e saj po dilnin vullnetarët e parë të njësiteve guerile dhe çetave partizane, po ërgatiteshin kuadrot që do udhëhiqnin luftën antifashiste në qarkun e Vlorës e më gjerë. Studentët e kësaj shkolle dhe të gjitha shkollave të tjera të Shqipërisë u bënë bërthama, pararoja dhe njësitet e sulmit të lëvizjes së rezistencës. Në Tragjas tashmë kish filluar të organizohesh rezistenca nën drejtimin e patriotëve dhe veteranëve të Luftës së 1920 ku kishin marrë pjesë 76 tragjasas ndër të cilët 4 dëshmorë, 9 të plagosur. Një nga drejtuesit e kësaj lëvizje nuk kish si të mos ishte edhe Tahir Hoxha-patriot, veteran pjesëmarrës e komandant çete ne Luftën e 1920-s. Shtëpia jonë u kthye në qendër ku mblidheshin patriotët, ku ziente debati. Për veprimtarinë e tij të gjithanshme në shërbim të Atdheut prej mbi 25 vjet ai u zgjodh edhe Kryetari i parë i Këshillit Antifashist NacionalÇlirimtar të fshatit që në vjeshtë 1942..

Xhemal Ymeri shkruan: -…Më kujtohet se edhe tek ne në fshat, u krijua Këshilli dhe kryetar i tij u zgjodh, atdhetari e luftëtari I luftës të 1920_ës, mësuesi i shquar, Tahir Hoxha… Në sheshin e shkollës u dukën çetat e armatosura. Ishte krijuar -Çeta Plakë- e Vlorës/4 dhjetor, 1942/ ku bënin pjesë kryesisht studentë të ardhur nga të gjitha shkollat e Shqipërisë. Në Tragjas u krijuan qysh në muajin tetor 1942 njësiti i parë i armatosur ku bënin pjesë  Sylejman Beqiri, Sali dhe Razi Ormëni, Shyqyri Alimerko, Sefer Ymeri, etj që bëri goditjen e parë kundër fashistëve te Ura e Izvorit dhe në Ujin e Ftohtë në bashkëpunim me -Çetën Plakë- në drejtimin e së cilës ishin disa tragjasiotë me në krye Qazim Çakërrin (me pseudonimin -Divi-) që ishte komisari i saj, të cilët e kishin pagëzuar rrugën e tyre luftarake me aksionin në -Qafën e Dushkut- ku zunë robër edhe dy oficerë Italianë dhe i prunë në Tragjas. Një ditë më vonë kjo çetë dhe me përkrahjen e vullnetarëve nga Tragjasi bëri aksionin tjetër në Ramec të Radhimës. Kjo çetë më 26 dhjetor, goditi baterinë e artilerisë bregdetare të Batalionit 313 në Ramec të Radhimës. Gjithmonë Tragjasasit ishin në radhët e para të luftëtarëve përkrah çetës. kishte kryer aksionin e suksesshëm te Ura e Gjormit kundër një autokolone armike e cila u shpartallua dhe përveç të vrarëve u zunë edhe 48 robër midis të cilëve 2 oficerë, goditi forcat fashiste e mercenare të kryesuara nga Halil Alia e Selim Kaloshi të drejtuara në operacionin e tyre kundër Radhimës e Tragjasit dhe i shpartalloi ato përfundimisht në Luftën e Gjormit së bashku me forca të tjera partizane, territorial dhe nacionaliste më 30.12.1942-1.1-1943 etj.

Ditë të bujshme të pranverës së vitit 1943

Vjeshta e vitit 1942 dhe pranvera e vitit 1943 ishin ditë të bujshme të mbushura me ngjarje të rëndësishme. Tek i gjithë populli i Tragjasit ishte krijuar një gjendje optimizmi, një atmosfere e nxehtë shpërthyese. I gjithë fshati ishte përfshirë në një angazhim të përgjithshëm për t’i dalë zot vendit të gatshëm për të bërë çdo sakrificë për mbrojtjen e interesave të kombit. Kjo frymë militante dhe patriotike bëri që të kishte një harmoni dhe bashkim të të gjithë popullit duke i harruar edhe ndonjë hasmëri e zënkat e vogla të dikurshme në emër të interesave të larta të kombit. Në fshat vinin pa ndërprerje luftëtarë të lirisë dhe -çeta plakë- e Vlorës që priteshin si heronj, organizoheshin biseda, takime dhe mbledhje me popullin për t’u bërë thirrje për t’u bashkuar me ta në luftën e armatosur kundër pushtuesve fashistë dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Partizanët ishin bërë figurat më të dashura dhe priteshin me përzemërsi në çdo familje, si miqtë më të mirë dhe më të nderuar në çdo familje. Në çetën -Plakë- të Vlorës ishin rreshtuar edhe shumë bij të nderuar të Tragjasit si Qazim Cakërri, Kastriot Muço, Xhemil Çakërri etj që ishin dhe nga kuadrot drejtuese të tyre.  Populli e përqafoi pa hezitim thirrjen e Partisë Komuniste për t’u ngritur në Luftë se kjo thirrje ishte në thelbin e idealeve të tyre patriotike të shfaqura brez pas brezi, se ajo forcë politike në atë kohë ishte e vetmja forcë që u ngrit e para dhe dha shembullin në mbrojtje të atdheut të pushtuar. Ai e besoi këtë udhëheqje sepse bijtë më të mirë dhe më të devotshëm të saj dhanë të parët shembullin e heroizmit dhe të sakrificës, u përballën dhëmb për dhëmb me pushtuesin, u arrestuan, torturuan, u pushkatuan nga armiku por u ngritën edhe në luftë të armatosur dhe luftuan me trimëri duke sakrifikuar edhe jetën e tyre të re në emër të idealit për mbrojtjen e atdheut. Ishte ky shembull i lartë i sakrificës që e lidhi popullin e Tragjasit me thirrjen e Partisë Komuniste prandaj e besuan, e ndoqën dhe u bashkuan me të në luftën e armatosur

Sekretari i Përgjithshëm i Ballit Kombëtar kolonel Faik Quku më vonë do të shkruante:

-…| Qysh më vitin e parë, me forcën e organizimit, të disiplinës e të veprimeve, si në radhët e saj, ashtu edhe në popull, Partia Komuniste fitoi një prestigj të madh, që erdhi vazhdimisht tue u rrit. Ajo paraqitet si një lëvizje djaloshare e luftarake kundër pushtuesit, si një shkollë dinamike e guximtare, e sakrificës dhe e disiplinës. Me parimin e saj-luftë për shpëtimin e Shqipërisë, me drejtimin e saj me zotësi, të qartë e të vendosur, me fitoret e saj të përditshme, krijoi një atmosferë entuziazmi brenda në parti, gjë që do të përbëje forcën e saj kryesore për me ba sakrifica e punë të mëdha, për me ece kështu në drejtimin të triumfit. /Qëndresa shqiptare gjate Luftës së Dytë Botërore F.27/ Dhe më poshtë: Taktika e P. Komuniste ishte sulmuese ndërsa jona mbrojtëse, në pritje të një kohe oportune për me ba sulmin e përgjithshëm e përfundimtar/prit gomar të mbijë bar/. Hasan Dosti ishte rreptësisht kundër formimit të çetave, si dhe kundër çdo organizimi dhe veprimi të organizatës, ai pretendonte që komiteti të mbetesh si një grup akademik, me shpresue në formimin e dy-tre divizioneve shqiptare, që M. Kruja përpiqej me realizue nëpërmjet italianëve…/ f. f.121-

Nën shembullin e Rusisë krijuan iluzione për shtresat e ulëta të popullsisë

Por më vonë edhe parullat për një Shqipëri nën shembullin e Rusisë krijuan iluzione për shtresat e ulëta të popullsisë, që përbënin shumicën, e përkrahën pa rezerva udhëheqjen e Partisë Komuniste. Ky nuk ishte një fenomen thjeshtësisht shqiptar, por një fenomen ndërkombëtar që zuri rrënjë edhe në shtetet më të zhvilluara të Evropës e deri në Kontinentin Amerikan ku, pas Revolucionit Socialist të Tetorit 1917, u krijuan njëra pas tjetrës shumë Parti Komuniste veçanërisht që patën një influencë të madhe në Evropë dhe kryesisht në Gjermani, Francë, Hungari, Itali etj. Në përkrahje të Revolucionit rus u vunë edhe një numër shumë i madh intelektualësh nga më të njohurit në Evropë dhe arriti deri aty sa nën shembullin e Revolucionit të Tetorit të shpërthenin Revolucione edhe në Gjermani /Revolucioni Bavarez 1918-1919/ në Hungari/ 1919/ etj., dhe të merrnin pushtetin ,qoftë edhe përkohësisht, Partitë Komuniste. Idetë e Tetorit u fuqizuan sidomos me fillimin e Luftës së Dytë Botërore, me hyrjen e Bashkimit Sovjetik në Luftë duke u quajtur si çlirimtari vërtetë i të gjithë popujve.