Fischer: Shqiptarët, kontribut të rëndësishëm në koalicionin antifashist

747
Flet për DW historiani Bernd Fischer mbi Luftën e Dytë Botërore dhe rolin e Shqipërisë. Sipas tij, shpëtimi i hebrejve në Shqipëri është trashëgimi unike, shumë e çmuar për njerëzimin
Sigal

Z. Fischer, historia e Shqipërisë bën pjesë në interesat tuaja kryesore, si historian dhe profesor i historisë në SHBA, në Universitetin Indiana. Deri tani jeni autor i pesë librave kushtuar periudhave të ndryshme historike të Shqipërisë, ndër të cilët libri “Shqipëria në luftë -1939-1945″. Sapo kemi përkujtuar 70 vjetorine e “Victory in Europe Day, sic njihet kapitullimi i Gjermanisë Naziste, fundi i Luftës së Dytë Botërore, më 8 maj 1945. Pjesëmarrja e Shqipëisë në këtë luftë, si pjesë e koalicionit botëror antifashist, vlerësohet si një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e saj kombëtare. Si e shihni ju kontributin e Shqipërisë, a kishte ndonjë gjasë, tanimë hipotetike, që Shqipëria të mbetej jashtë këtij koalicioni?

Besoj se kontributi i shqiptarëve në Luftën II Botërore ishte i rëndësishëm në disa nivele. Ndonëse shqiptarët nuk i mundën as italianët, as gjermanët në Shqipëri, ata kontribuan në Europë për mposhtjen, humbjen e fuqive të Boshtit, si një i tërë. Musolini ra pjesërisht për shkak të dështimit të tij në Shqipëri, gjë që bëri që gjermanët të shtriheshin dhe të zinin ato rajone të Europës që kontrolloheshin nga trupat italiane, duke përfshirë edhe Shqipërinë. Rezistenca shqiptare i detyroi gjermanët të mbanin më shumë trupa sesa kishin dashur në Shqipëri, duke e dobësuar kështu Gjermaninë, në tërësi. Natyrisht, të gjithë e dimë, që ishin kryesisht rusët që mundën gjermanët ushtarakisht, por Shqipëria sigurisht kontriboi në këtë proces. Shqiptarët duhet të jenë krenarë për këtë kontribut.

Si u reflektua gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, konflikti i madh mes të Fuqive të Mëdha, të ndara në blloqe?

Politika e Luftës II Botërore luajti qartësisht një rol në Shqipëri, në mënyrë më të dukshme në konfliktin mes partizanëve dhe nacionalistëve dhe në misionet e agjentëve të Fuqive të Mëdha. Britanikët shpresuan të bashkonin të gjitha lëvizjet e rezistencës që pushtuesit t’i shkaktohej një dëm sa më i madh, por kur u bë e qartë që kjo nuk ishte e mundur, ata mbështetën më shumë partizanët. Jugosllavët dhe rusët dukeshin të përqendruar në një masë të njëjtë si në politikë, ashtu edhe në aspektet ushtarake të luftës në Shqipëri. Ata bënë shumë për të siguruar që partizanët të ishin e vetmja forcë me kredibilitet në Shqipëri për të ardhur në pushtet sapo trupat e Boshtit të ishin larguar.

A ishin shqiptarët gjatë Luftës së Dyte Botërore më të kërcënuar se kombet e tjera të Ballkanit?

Mendoj se është e qartë që Shqipëria gjatë Luftës ishte kërcënuar nga disa prej fqinjëve të saj, sidomos nga grekët që shpresonin të përdorin konfliktin për të arritur qëllimin e tyre për të aneksuar pjesë të Shqipërisë jugore.

Në vitet e Luftës II Botërore, Shqipëria u kthye në një strehë të sigurtë për hebrenjtë. Cilat ishin faktorët kryesorë që “prodhuan” këtë qëndrim të unifikuar kombëtar: kombinim rrethanash, stofa e shoqërisë shqiptare, e mirënjohura “Besa Shqiptare”?

Fakti që shqiptarët e të gjitha besimeve fetare u dhanë një strehë të sigurtë hebrenjve është ndofta trashëgimia më e rëndësishme e Luftës dhe diçka për të cilën shqiptarët do të nderohen përgjithmonë jo vetëm nga shteti i Izraelit, por edhe nga të gjithë njerëzit e mirë të planetit . Kjo është një arritje jashtëzakonisht e madhe dhe në thelbin e saj është unike. Ajo është gjithashtu komplekse dhe shumë faktorë kontribuan që të ndodhte. Natyrisht “Besa Shqiptare” është një prej më të rëndësishmëve por edhe politika gjermane, numri i hebrenjve në atë kohë në Shqipëri dhe faktorë të tjerë kanë luajtur rolin e tyre.

Z. Fischer, kanë kaluar 16 vjet që nga publikimi i librit tuaj “Shqipëria në luftë, 1939-1945”. Fakte dhe dokumente të reja arkivore, në Shqipëri apo vende të tjera të Europës dhe SHBA zbulohen vit pas viti. A ka ndonjë përqasje, ngjarje apo këndvështrim të historisë së Shqipërisë në vitet e Luftës së Dytë Botërore, që ju do të donit ta pasuronit në dritën e dokumenteve të reja?

Historia është diçka, shumë, shumë e gjallë – gjithmonë do të ketë materiale të reja në dispozicion. Kam parë në Arkivat Kombëtare në Londër, disa nga dokumentet e Operacioneve Ekzekutive Speciale- të lejuara së fundmi për t’ u parë- dhe e di që shumë dokumente të tjera në Shqipëri dhe vende të tjera janë vënë në dispozicion. Nuk mund të them se kam parë ndonjë gjë që do të më inkurajonte për të ndryshuar përfundimet e mia themelore, por materiali i ri me siguri do ta pasuronte të treguarit e historisë. Sigurisht, historianë të tjerë mund të mos jenë dakort me përfundimet në librin tim dhe i inkurajoj ata të paraqesin interpretimet e tyre. Kjo është mënyra sesi funksionon historia. Dikush bën një kontribut dhe të tjerë e zgjerojnë atë ose me materiale të reja ose me interpretime të reja ose me të dyja. Nuk ka një punë përfundimtare, të mbaruar një herë e mirë, lidhur me një temë. Gjithҫka që ne, historianët mund të shpresojnë është të japim një kontribut.

Z. Fischer, historia e pjesëmarrjes së Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore po rishkruhet. Thuhet që historinë e shkruajnë fitimtarët. Si mund të shmanget kjo në Shqipëri? Jeni optimist se brezave që nuk e jetuan luftën do t’u lihet trashëgim e vërteta historike?

Do të pajtohesha që historia shkruhet nga fitimtarët por vetëm menjëherë pas ngjarjes. Në fund të fundit, sapo pjesëmarrësit e një ngjarjeje nuk janë më të vetmit zëra, qëllimi bëhet objektiviteti dhe gjithë rrëfimet për ngjarjen merren në konsideratë. Besoj që historia e Luftës së Dytë Botërore po shkruhet tani nga historianë profesionistë, shumica e të cilëve nuk kanë marrë pjesë në atë Luftë dhe prandaj nuk kanë asgjë për të provuar apo për të përligjur. Kjo po ndodh edhe në Shqipëri dhe jam optimist se me përpjekjet e historianëve bashkëkohorë, lufta do të bëhet një faktor unifikues që do të mbizotërojë mbi atë përçarës.

Përkujtimi i 70 vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore i gjen të ndarë ish-aleatët e koalicionit anti-fashist që sollën kapitullimin e Hitlerit: sot udhëheqësit kryesorë evropianë do të bojkotojnë festimet e Ditës së Fitores në Moskë për shkak të ngjarjeve në Ukrainë, në anën tjetër Rusia nuk mori pjesë në festimet që u bënë më 8 maj në Berlin, Londër dhe Paris. Si historian çfarë do të thoni për këtë ndarje? A janë nxënë mësimet nga Lufta e Dytë Botërore?

Besoj që problemet aktuale mes Rusisë dhe Perëndimit janë të çastit. Të dyja rrezikojnë shumë në një botë që sa shkon e zvogëlon mundësinë për të lejuar që kriza në Ukrainë të fundosë bashkëpunim afatgjatë mes tyre. Besoj se për këtë situatë përgjegjësia qëndron tek të dyja palët. Ka të ngjarë që shtrirja e NATO-s më tej, në Lindje, nuk ishte e mençur, por për mua, përgjegjësinë kryesore për krizën aktuale e ka Putin-i. Ai kishte dy alternativa: ose ta kthente Rusinë në drejtim të Polonisë, duke zhvilluar demokracinë dhe ekonominë e tregut, ose të tërhiqej në një shtet sovjetik të stilit autoritar, të mbajtur me anë të forcës dhe nacionalizmit të ashpër. Ai zgjodhi këtë të fundit. Putin-i dhe populli rus po paguajnë çmimin. Le të shpresojmë që udhëheqësi i ardhshëm do ta shtyjë Rusinë drejt shekullit të XXI. Europa dhe bota do të jetë më mirë.