Festë për skënderbegasit brenda e jashtë Shqipërisë

1062
Kujtim Boriçi dhe Maksim Fejzulla sjellin volumin e tretë me kujtimet e mësuesve, ngjarjeve, tragjedive të ovicerëve dhe rrëfimet e gjeneral Parllakut
Vijon nga numri i kaluar
Interesi për volumet e librit “Skënderbegasit ndër vite, ishte dhe vazhdon të jetë tejet parashikimeve nga masa e gjerë e ish-skënderbegasve, mësuesve, pedagogëve, ushtarakëve shqiptarë kudo ku ata jetojnë e punojnë, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Kështu ndodhi dhe me volumin e dytë të kësaj kolane, që fillimisht, u promovua në Tiranë më 28 mars të vitit 2017, për të vazhduar më pas dhe në disa rrethe të vendit e deri në Athinë. Për shkak të interesit të jashtëzakonshëm, pjesëmarrjes si dhe interesit, për shkak se salla e madhe e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, ku u bë promovimi i volumit të parë, nuk përballonte kërkesat, promovimi i volumit të dytë, u bë në sallën qendrore të “Hotel Tirana-Internacional” në Tiranë. Por dhe ky mjedis, i llogaritur me 500 vende, nuk mjaftoi të akomodohen pjesëmarrësit e shumtë. Pothuajse po kaq, ishin në këmbë, sallon apo në mjediset ngjitur me sallën. Interesimi për “Skënderbegasit ndër vite…”, falë interesit të lexuesve të gjerë, u parapri me një promocion njëmujor në medie e televizione, si dhe me periudha më të gjata kohore pas aktivitetit. Kështu, një muaj e më shumë para ditës së promovimit, gazeta “Telegraf”, çdo ditë botonte dy faqe nga ky libër me pjesë të historikut, jetëshkrimin e personaliteteve që ka nxjerrë në dekada kjo shkollë si dhe ngjarje apo evenimente të ndryshme që lidhen me këtë objekt. Po ashtu, në disa numra kanë botuar vlerësime e pjesë dhe gazeta të tjera kombëtare si gazeta “Dita”, “Gazeta Shqiptare” etj…, përfshi këtu dhe informacione e intervista në televizionet kryesore të vendit apo dhe rrjetet sociale. Media pasqyroi gjerësisht dhe aktivitetet promovuese të këtij libri dhe në disa qytete të vendit dhe në Greqi.
Urime zemre për Myzejen Pemën, mësuesen time në shkollën “Skënderbej”!

Alfred R. Hajdari
Sot nuk ka ditëlindjen ndonjë anëtar i familjes sime, por e ka dikush që më bën të ndihem i vogël përpara saj në çfarëdo moshe. Nuk do të doja ta përfytyroja veten të ulur në gjunjë përpara një mbreti duke puthur duart e tij, por përpara ish-mësueses sime të shkollës së mesme, Myzejen Pema, do ta bëja një gjë të tillë me kënaqësi, t’i puthja ato duar me pluhur shkumësi, të bëra nga dërrasa e zezë që nuk reshtnin se shkruari derisa ne, nxënësit e tu të merrnim njohuritë e duhura. Mësuese e dashur! Nuk e merrni dot me mend se sa i vockël, si liliput përpara jush me duket vetja t’ju drejtohem ju me këtë rast. Ju falënderoj për kohën e çmuar që na ke dhënë në vlerësimin e njohurive të marra nga ne nxënësit e tu, për përgatitjen dhe edukimin tonë me formimin tuaj të lartë metodik-didaktik, social-psikologjik që do t’jua kishin zili dhe mësueset e tjera të lëndëve shoqërore, pasi ju na keni dhënë matematikë, për tolerancën dhe etikën tuaj në komunikim.

E dashur mësuese! Sinqerisht dhe përzemërsisht po ju drejtohem me mirënjohje e vlerësim të lartë për ju zyshe me shpirt human duke ndjerë emocion të pamasë. Ju që me fjalën e ndjeshmërinë tuaj njerëzore, plot peshë e vlerë, ushqyet mendjet tona e shumë e shumë ish-skënderbegsave tek Shkolla Mesme Ushtarake “Skënderbej” e që latë gjurmë të pashlyeshme në jetët tona. Ndaj në emrin tim e jo vetëm, ju uroj shëndet të plotë e suksese pa fund në çdo gjë tuajën familjarisht! Gëzuar ditëlindjen zyshë e dashur! 
4 dhjetor 2018, ora 13:05
Rrahman Parllaku (Gjeneral, Hero i Popullit)
Në radhë të parë unë dua të falënderoj autorët e librit, të cilët me punën profesionale e voluminoze që kaun bërë, u kanë ngritur një monument skënderbegasve. Ata duhen falënderuar pasi me sjelljen e dokumenteve zyrtare, jetëshkrimeve e kujtimeve të personaliteteve që ka nxjerrë kjo shkollë, të skënderbegasve të thjeshtë, të mësuesve e komanduesve, kanë lënë një pasuri të çmuar historike. Për mua është një privilegj të jemë sot mes këtyre skënderbegasve në këtë pjesëmarrje që rrallë mund të jetë parë, me skënderbegasit e parë që jetojnë, të cilët unë i kam komanduar në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, të brezave të mëvonshëm që i kam pasur vartës në strukturat e Forcave të Armatosura. Unë, në Divizionin e pestë që luftuam dhe për çlirimin e tokave jashtë kufijve të sotëm shtetërorë, kisha 47 vajza e dhjetëra djem 14-17-vjeçarë, brez që direkt nga lufta, erdhi për t’u shkolluar në këtë shkollë të lavdishme që u çel më 28 mars të vitit 1945. Pra, e kam për detyrë të shfaq respektin e veçantë së pari për ata skënderbegas të luftës 15-17-vjeçarë që kaluan një Luftë të ashpër, sollën lirinë, erdhën e u ulën në shkollën “Skënderbej” pa hequr nga duart pushkën e Luftës, e më pas, u bënë komandantë e drejtues të ushtrisë shqiptare. … Edhe një herë faleminderit autorëve për punën e mirë që kanë bërë dhe suksese për pjesën tjetër të librit “Skënderbegasit ndër vite…!”
Si u dashurova me Dirkën, bashkëshorten time oficere


Me vajzën në foto jam magjepsur – më duket se kjo është fjala e saktë, jam magjepsur në oborrin e Shkollës së Lartë të Oficerëve “Enver Hoxha”, një ditë të vitit 1976. Në një moment shkëmbyem vështrimet dhe… moment të dytë nuk pati. U ndodhëm, siç thuhet, në vendin e duhur, në momentin e duhur. Dirka, siç e njohin të gjithë Nadire Malajn, Dirka ime, shoqja, bashkëshortja, kolegia, nëna e dy djemve të mi, Dritanit dhe Elisit, pjesa e pandarë, madje pjesa më e mirë e imja, nga ajo ditë e largët tashmë e viteve studentore, më ka bërë të ndihem i kompletuar. Gjithçka mund të them, gjithçka mund të shkruaj, e megjithatë nuk mund të përshkruaj të gjithë atë çka ndjej e mendoj për të. Në gusht të vitit 1998, kur morëm rrugën e emigracionit për në Nju Jork, SHBA, mendoje ç’ishin gjërat e domosdoshme, jo thjesht për jetesë, por ato që do të më mbanin të lidhur me jetën time, me punën time, me të kaluarën, me Atdheun. Nuk ishin shumë. Por sytë dhe dora më mbetën në mes të një albumi fotosh, tamam tek kjo foto. E hoqa me kujdes, e mbështolla me kujdes dhe i gjeta një vend, diku pranë zemrës. Dhe tani, kur shumë gjëra kanë ndryshuar, e unë e Dirka ime sapo kemi fituar një status të ri, atë të gjyshërve nga ardhja në jetë e nipit tonë të parë, Jase,( Xhesi), gjithnjë mendoj se sa i bekuar kam qenë në jetë me zgjedhjen që bëra. E s’kam si të mos i them: “Faleminderit Shkolla ime ushtarake!”
Rixhvud, Nju Jork, korrik- gusht 2017
Si i humbëm katër kolegët tanë oficerë në tragjedinë e Picarit

Pëllumb Shalari*
Kanë kaluar 21 vjet nga tragjedia në Picar të Gjirokastrës, ku 4 oficerë ndërruan jetë dhe u plagosën shumë të tjerë. Është një tragjedi e rëndë, pasojë e shkatërrimit absurd të shtetit, ku shqiptarët u bënë protagonistë i një lufte pa kundërshtar përballë. Trazirat e këtij viti, patën një kosto të madhe me viktima në njerëz, shkatërrim të pasurisë ushtarake e ekonomisë së vendit. Në maj të vitit 1997 u dërguan 15 oficerë nga divizioni “Labëria” në një operacioni për grumbullimin e municioneve luftarake në grup-depot e Picarit, ku humbën jetën 4 oficerë të shtabit të njësisë Gjirokastër. Vladimir Çumaku, Bardhyl Këlliçi, Albert Lela dhe Ferdinand Dosti janë kolegët tanë që dhanë jetën në krye të detyrës dhe më pas u shpallën “Dëshmorë të Atdheut”. Unë jam një nga të mbijetuarit e asaj ngjarjeje të rëndë. Ishim 15 oficerë të shtabit të divizionit “Labëria” Gjirokastër në përmbushjen e kësaj detyre. Më 15 maj 1997 në ndërmorëm një mision të vështirë, atë të grumbullimit të municioneve dhe eksplozivëve të shpërndarë nga trazirat e ’97-s. Këta përbënin një rrezik vdekjeprurës për banorët e zonës dhe vetëm ne mund ta përballonim këtë rrezik, dhe e bëmë. Në krye të operacionit ishte shefi i armatimit të njësisë, Vladimir Çumaku, i cili drejtoi zbatimin e masave në grumbullimin dhe sistemimin e arsenaleve ushtarake. Atë ditë ai sa kishte dorëzuar shërbimin e oficerit të rojës kur mori një telefonatë nga e shoqja, e cila po e priste në shtëpi, por Vladimiri i tha se nuk kishte mundësi dhe u nis për në misionin që i ishte caktuar. Filluam me shumë kujdes, grumbulluam predhat e para dhe i sistemuam në karroceri të makinës. Vazhduam disa çaste kështu nën tension dhe ankth. Me duart te predhat u përballëm me barutin përvëlues. Por operacioni u ndesh me të papritura që në fillim dhe tragjedia ndodhi që në orët e para. Grup depot e municioneve luftarake shpërthyen në flakë, zjarri erdhi sa hap e mbyll sytë. Askush nuk e kuptoi nga erdhi shkëndija që ndezi një seri predhash. Për orë të tëra zona e Picarit përjetoi tmerr dhe tension. Predhat filluan të shpërthenin në seri dhe në 15 oficerët në mision u prekëm nga rrezja e këtyre shpërthimeve. Pra, tragjedia e rëndë kishte ndodhur. Katër shokët tanë, humbën jetën në krye të detyrë, në përmbushje të misionit fisnik, për të shpëtuar jetët e njerëzve të pafajshëm.
Respekt për jetën dhe veprën e shokëve tanë….
*Pëllumb Shalari është një nga oficerët e mbijetuar në tragjedinë e Picarit ku humbën jetën 4 ushtarakë të Forcave të Armatosura.



Për Asimaq Prokon, mësuesin tonë të matematikës


Ka qenë fund dhjetori i vitit 1972 kur ne njohëm mësuesin tonë të dashur të matematikës. Zakonisht mësuesit e matematikës nuk janë fort të dashur për nxënësit, janë “tmerri” i tyre, që ua “nxijnë” jetën. Por Asimaq Proko arriti të bënte një dallim, të vendoste një raport krejtësisht të ri me nxënësit e tij, duke u marrë me thelbin e problemit, të nxënit të matematikës e, jo me autoritetin disi fals që jo rrallë ndeshej ndër mësuesit e matematikës. Pra duhet të ketë qenë data 25 dhjetor. Në fytyrat tona endej një gëzim i dukshëm që shquhej së largu. Ishte një gëzim i ligjshëm, se edhe pak ditë e ne do të fillonim pushimet e dimrit e do të shkonim pranë familjeve tona për të festuar Vitin e Ri. Një ngjarje kjo, që ne e prisnim me gëzim të madh për pesë muaj me radhë. Edhe mësuesit tanë nuk mund të mos e vinin re entuziazmin tonë të atyre ditëve. Madje, nuk mungonin edhe romuzet e tyre për mënyrën se si do i kalonim ato pushime. Atë ditë ishim në klasë dhe po prisnim të fillonte ora e tretë e mësimit. Ishte ora e matematikës. Po prisnim të hynte si zakonisht me regjistër në dorë, me gjallërinë dhe humorin që e karakterizonte, mësuesin e lëndës Lluka Nikollari. Nuk vonon, hapet dera e klasës dhe hyn profesor Lluka me regjistër në dorë. Së bashku me të ishte edhe komisari i kompanisë, Idriz Çelmeta dhe një oficer i ri shtatshkurtër e mjaft simpatik, me ato flokët gjysmë biond, të krehura mënjanë. Në mes të komisar Idrizit dhe të profesor Llukës, ai dukej vërtetë i shkurtër. Ai kishte ca sy, ngjyrën e të cilëve vështirë ta përcaktoje, në mes grisë, jeshiles e bojë qiellit. Ca sy tejet të gjallë e të lëvizshëm. Në pak çaste, ai e kishte ‘shëtitur’ dhe përpirë të gjithë klasën me një vëzhgim tejet të vëmendshëm, por gjithsesi dashamirës. Kështu e perceptuam ne, në atë takim të parë. Instinktivisht ne filluam të shihnim njëri tjetrin në sy e të pyesnim… Donim të hetonim se çfarë po ndodhte. Por kush mund ta dinte nga ne? Askush. Por një pyetje u end sakaq në shikimet tona të kryqëzuara: “ Mos na kanë ndërruar komandant Petjan?”. Kështu e thërrisnim ne komandantin e kompanisë, Petrit Bokën? Ngitje supesh. “Shoku Asimaq Proko, -e theu menjëherë heshtjen profesor Lluka, duke i hedhur dorën në sup oficerit të ri simpatik, – do të jetë mësuesi juaj i ri i lëndës së matematikës këtej e tutje. Unë uroj që të punoni akoma me mirë me profesor Asimaqin, të rrisni akoma me shumë rezultatet, të nderoni veten tuaj por edhe mua që u kam mësuar deri me tani. Megjithëse nuk ua kam merakun ju si klasë!” Një ‘ooooo’ e tejzgjatur që shprehte habi, oshtiu në klasë. Nuk dimë të themi se çfarë kemi shprehur në atë moment, keqardhje apo kënaqësi, por dimë të themi se ajo doli prej shpirtit. Me pas foli Komisar Idrizi. “Unë vetëm një porosi kam. Në marrëdhënien me mësuesin tuaj të ri, të demonstroni disiplinë dhe edukatë të shkallës me të lartë, për të ndihmuar veten dhe mësuesin tuaj”- pohoi ai. Ndërsa profesor Asimaqi tha vetëm këtë fjali që ne na është ngulitur në mendje si një thënie e madhe që të bën të mendohesh e të thellohesh ne tërë përmbajtjen e saj: “Unë do të jem këtu me ju dhe për ju”. Komisari dhe profesor Lluka dolën duke na uruar suksese në vijim të orës së mësimit. Kështu nisi marrëdhënia jonë me mësuesin e ri Asimaq Proko, që me pas do të shndërrohej në një raport shumë funksional e të qenësishëm në funksion të rezultateve. Vërtetë, që nga ajo ditë, profesor Asimaqi do të ishte pranë nesh paradite e pasdite, në kohën e lirë tek luanim futboll e basketboll apo në orën e studimit tek na ndihmonte për të përvetësuar mësimin e radhës e për të zgjidhur ato problemat e vështira. Ai tashmë e kish futur veten në udhën për të qenë një shok me ne e për të komunikuar sa më hapur. Ai kurrë nuk e përdori, -siç ndodh rëndom, -shprehjen “nxënës i dobët”, por përdori gjithnjë shprehjen ‘nuk e ka nxënë mirë, nuk ka qenë fort i vëmendshëm në shpjegimin e mësimit teorik’. Kurrë nuk e fyeu një nxënës me rezultate të ulëta. Profesor Asimaqi ishte gjithnjë i hapur ndaj pyetjeve e paqartësive tona, jo vetëm për lëndën, por edhe për probleme të tjera, si një shok me i rritur e më me përvojë. Dhe ne nuk ngurronin ta pyesnim, sepse ai qe një ‘dritare e hapur’, siç e cilësonim ne në bisedat me njeri-tjetrin. Ai nuk kishte klishe e paragjykime për askënd. Nuk i bënte përshtypje, nëse ishe nga Malësitë e Shkodrës apo të Tepelenës. Kjo bëri që ai të na hyjë më fort në zemër. Dalëngadalë ai nisi të shquhej edhe mes kolegëve te tij, jo vetëm për marrëdhëniet e çiltra me ne, por edhe për rezultatet që ne arrinim. Dhe ky ishte një stimul i madh, jo vetëm për ne, por edhe për profesor Asimaqin. E paharruar do të mbetet në kujtesën tonë periudha e provimeve të maturës. Ai kishte punuar me kohë për të ardhur tek puna e diferencuar që ai do të bënte me ne në ato ditët e përgatitjes për provimin e matematikës. Ai, në një nga ato fletoret 60 lekëshe që ne e quajtëm “libri i programit”, kishte hedhur të gjithë metodikën e punës që do të bënte me ne, si në shpjegime teorike, ashtu dhe në tipologjinë e ushtrimeve e problemave që do të zgjidhnim bashkërisht, duke e ndarë ne kategori: Puna me nxënësit e shkëlqyer; Puna me nxënësit mesatarë; Puna me nxënësit e prapambetur. Kjo ne na dukej një mrekulli. Çfarë pedagogjie! Të tillë e mbajmë mend ne një pjesë e “Maturës 75”, profesorin, edukatorin dhe shokun tonë Asimaq Proko, që edhe sot e nderojmë dhe e respektojmë.
Një grup skënderbegasish të maturës së vitit 1975
Nuri Balla, Robert Gjoni, Sali Frangu, Raqi Qarri, Idai Qorraj, Bujar Hysenllari, Ibrahim Gerdani, Xhevdet Zeneli, Rexhep Mehmeti, Eqerem Baço, Xhezmi Iliazi.
Vijon nesër
Sigal