Fejzi Rrokaj/ Si ndodhi 70 vjet më parë rënia heroike e Zaho Kokës dhe Persefoni Kokëdhimës

925
Sigal

Operacioni armik gjermano-ballist i Qershorit 1944 dhe luftimet e forcave partizane dhe të popullit në Qarkun e Vlorës!

Lufta në mes të korrikut,

Moj krahin’ e Mesaplikut.

Të griu gryk’ e belçikut.

Top’ e murtaj’ e armikut.”

Pas kthimit të delegatëve nga Kongresi i Përmetit, përveç konferencave e mitingjeve që u bënë në fshatrat e krahinës, K.Q.P. orientoi Këshillin Nacionalçlirimtar të Qarkut për thirrjen e një mbledhje të të gjithë popullit në Ramicë. Kjo mbledhje u kthye në një festë të madhe popullore, ku u fol për situatën politike, mbi rëndësinë e vendimeve të Kongresit Përmetit dhe nevojën e ngritjes të gjithë popullit në luftë kundër okupatorit dhe tradhtarëve për çlirimin e të gjitha krahinave dhe të qytetit të Vlorës. Për sigurimin e kësaj feste të madhe popullore, KQ kishte porositur komandën e Brigadës VI, të merrte masa sigurimi. Komanda e brigadës qysh më datën 4 qershor dislokoi forca në mbrojtje, prej kodrave të Lapardhasë gjer në Qafën e Ploçës, për të ndaluar ç’do tentativë që mund të merrte armiku në drejtim të Luginës së Mesaplikut. Më 5 qershor, mbas dite, festa u mbyll me thirrje e brohoritje entuziaste dhe me besim të shumëfishuar në fitoren. Nga të dhënat e ndryshme që dispononte KQ i Partisë dhe Komanda e Brigadës VI, që në fillim të qershorit ishin në dijeni të përgatitjeve të forcave gjermane dhe të qëllimit të tyre, për fillimin e një operacioni në stil të gjerë, në Qarkun e Vlorës, por nuk mund ta shtynin mbledhjen, sepse një gjë e tillë do të krijonte panik në popull. Prandaj u morën të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e pjesëmarrjes. Me pjesëmarrësit në konferencë u shtrua forcimi i vigjilencës, për të qenë gjithmonë të gatshëm se armiku mund të ndërmerrte ndonjë operacion të befasishëm. Shenjat e para të këtij operacioni, ishin dukur qysh më 28 maj në malet e Shpatit, Vërçës e Sulovës, ku forca të shumta naziste, ishin goditur rëndë nga forcat e Divizionit të IS, të ushtrisë NÇL. Po në këtë ditë forcat e garnizonit gjerman të Sarandës, sulmuan forcat e batalionin e II të Brigadës VI, në Shën-Vasi, ndërsa forcat gjermane të Vlorës, të dislokuara në Mavrovë -Kropisht- Drashovicë -Kaninë -Uji Ftohtë-Qafa e Koçiut-Llakatund dhe Dukat-Llogora-Himarë, ishin vënë në lëvizje në të gjitha drejtimet. Në rajonin Vlorë -Himarë -Tepelenë, ishin vendosur forcat e Divizionit 297 të fanterisë dhe forca të tjera speciale, lëvizëse gjermane. Gjithashtu ishin vënë në lëvizje dhe forcat e grupit të III të Ballit Kombëtar, ku bënin pjesë 7 batalione me një efektiv prej 1350 vetë, nën komandën e Enver Risilisë. Në një relacion që i dërgonte prefekti i Vlorës MPB me Nr.317/43 mbi forcat e Ballit, thuhej: -“Gjendja numerike e forcave të Ballit Kombëtar është si vijon: -batalioni “Prizreni”, në Drashovicë me 200 vetë. Batalioni “Skënderbeu”, po në Drashovicë me 100 vetë. Batalioni “Kudhësi”, në Kropisht, me 200 vetë. Batalioni “Treblova”, në Penkovë, me 160 vetë. Batalioni “Topalltia”, në Llakatund, me 120 vetë . Batalioni “Mesapliku”, 200 vetë. Batalioni “Hasan Lepenica”, “Indipendet” e Dukatit, 120 vetë. Çeta “Lahe Nuro” Bolenë me 150 vetë. Çeta e “Gjormit” indipendente me 40 vetë, (Arkivi Qendror i shtetit). Forcat e Ballit Kombëtar së bashku edhe me forcat e regjimentit “Kosova” dhe batalioni “Vermoshi” si dhe forcat balliste të Kurveleshit, bënin gjithsej rreth 3000 mercenarë. Më vonë në 11-12 qershor forcat gjermane që operonin në rrethin e Vlorës dhe Tepelenës e Kurveleshit, u shtuan edhe forcat e divizionit 104 “JEGER” që në këtë datë operonin në zonën e Sulovë – Shpat e Përmet, marshuan Skrapar- Qaf’ e Kiçokut- Tepelenë -Kurvelesh. Nga ana tjetër në operacionin Kurvelesh-Mesaplik-Bregu i Detit, morën pjesë edhe forcat gjermane të Gjirokastrës e Sarandës. Forcat partizane që vepronin në rrethin e Vlorës, ishin forcat e Brigadës VI S, efektivi i Grupit II, forcat e dy batalioneve territoriale të “Shullërit” dhe “Rrëzës”, forcat territoriale te batalionit “Ismail Hakiu” dhe forcat e Komandave të vendit, si dhe gjithë popullsia e këtyre krahinave e fshatrave të lidhur më Lëvizjen NÇL, të cilat si në numër dhe në armatime, ishin inferiore ndaj armikut. Forcat e brigadës VI dhe forcat e tjera partizane, në ditët e para të qershorit të vitit 1944, ishin vendosur në këtë mënyrë: 1. Batalioni i III, Vajzë -Amonicë -Hysoverdh-Mallkeq-Gërnec, me detyrë te ndalonte sulmin e armikut ne drejtimin Ploçe-Kudhes dhe Vajze-Vermik. 2. Bataloni i IV, batalioni i V, dhe dy batalionet territoriale të Mesaplikut, u vendosën: -Krateri i Velçës-Gumenicë -Lapardha- Qafa e Shën Gjergjit, me detyrë të thyenin sulmet armike Qafa e Dushkut-Brataj-Kuç dhe Qafa e Shën-Gjergjit-Tërbaç-Vranisht. 3. Batalioni i I, dhe i II, në bashkëveprim me Komandën e vendit, e rojet partizane të krahinës Himarës, u vendosën në mbrojtje të lartësive, nga Shën-Vasili deri në Vuno, me detyrë të mos lejonin forcat armike të kalonin në drejtimin Pilur-Kuç-Borsh-Fterrë dhe Shën-Vasi-Qafa e Frashërit. Më datë 5 qershor, komanda gjermane, filloi veprimet për të zbuluar forcat tona dhe nisi një autoblindë në drejtim të Qafë Dushkut gjer te Ura e Gjormit. Rruga në Qafë -Dushku ishte minuar nga forcat tona, në drejtimin e një majori anglez. Por kur kaloi autoblinda, minat nuk plasën dhe kur u kontrolluan, u pa se oficeri anglez, i kish vendosur minat pa kapsolla. Ai kish sabotuar. Një autoblindë tjetër e nisur nga Peshkëpia, arriti gjer te Gryka e Vllahinë dhe një e tretë, arriti gjer te Ura e Izvorit. Në të tre këto drejtime, forcat tona ishin porositur që të mos hapnin zjarr. Ashtu si edhe herët e tjera, forcat gjermane, goditjen kryesore e drejtuan kundër Luginës së Mesaplikut; Qafa e Dushkut-Brataj-Kuç, ku ishin vendosur forcat kryesore, por edhe me goditje anësore nga e djathta Lapardha-Gumenicë -Brataj. Më datën 6 qershor, armiku filloi rrahjen me artileri të rëndë, të vendosur në kodrat e Mavrovës. Mbas një ore rrahje me artileri mbi pozicionet e batalionit të IV, forcat e këmbësorisë gjermane, marshojnë Vodicë -Lapardha dhe Fusha e Mavrovës-Lapardha. Forcat e këtij batalioni dhe forcat e batalionit territorial të “Rrëzës”, nuk luajtën nga pozicionet e zëna Armiku duke menduar se e kishte rrugën të hapur, vazhdoi marshimin. Kur armiku ishte afruar, forcat tona hapën zjarr të përqendruar nga kodrat e Gumenicës gjer në Vodicë. Armiku, duke u gjendur në një situatë të befasishme, pësoi dëme të rënda. Lufta vazhdoi e rreptë gjatë gjithë ditës. Mbas dite forcat e batalionit të IV dhe atij territorial, hidhen në kundërsulm në gjithë frontin dhe i ndjekin forcat armike gjer në Fushë të Mavrovës. Në këto luftime, armiku pati mjaft të vrarë dhe të plagosur. Më 7 qershor forcat gjermane qëndruan në pozicione. Në Fushë të Mavrovës bënë punime xheniere dhe vendosën aty artilerinë e rëndë, kurse në Dukat ishin grumbulluar forca të shumta balliste e xhandarë nënë komandën e kapitenit të parë Mehmet Alemit. Të mbështetura nga forcat gjermane, ata sulmuan Qafën e Shën-Gjergjit, për të kaluar në Tërbaç, por pa sukses. Forca të shumta gjermane të karrocuara në makina, kaluan Qafën e Llogorasë me drejtim Himarën dhe sulmuan forcat e batalionit II, të brigadës VI, në fshatin Vuno. Më datën 8 qershor, kjo kolonë që ishte e maskuar dhe për të mashtruar partizanët e popullin, në krye të autokolonës, kishte vënë një makinë autoambulancë, iu afrua Vunoit, por partizanët e kompanisë tretë, të batalionit II, e pritën me luftë. Gjermanët zbritën nga makinat dhe u përhapën në kodrat e Shën-Mërisë, zunë pozicione dhe filluan të luftojnë për të kapur fshatin Vuno. Në ndihmë të kompanisë që ishte në rrezik të rrethohej, erdhi në ndihmë njësiti i armatosur i Vunoit, që komandohej nga trimi Zaho Koka. Gati i gjithë populli i Vunoit, me burra e me gra shkoi në fron për të luftuar. Gratë dhe pionierët furnizonin partizanët me municion dhe ujë në pozicione të luftimit. Lufta vazhdoi për gjithë ditën. Armiku, nuk mundi atë ditë të futej në fshat dhe pati 23 të vrarë dhe 17 të plagosur. U zunë 2 mitrolozë të rëndë, 16 pushkë, 7 automatikë, 3 revolverë, 2 dylbi, e shumë materiale të tjera dhe mediamente mjekësore. Më 8 qershor, duke sulmuar në hyrje të fshatit, në vendi e quajtur Kisha e Shën-Pjetrit, bie heroikisht trimi i Bregdetit, Heroi i Popullit, Zaho Koka. Të gjithë e njihnin dhe kishin dëgjuar për trimëritë e Zaho Kokës, sidomos pas vrasjes së Tenente Moretit në Qafën e Vishës, për aksionet në çetën “Plakë ” e kudo ku bëhej luftë, Zahua sulmonte i pari me mitraloz në dorë. Vrasja e Zahos në ballë të fshatit të tij, ngriti peshë gjithë popullin e krahinës, të gjithë rinise përparimtare të krahinës së Himarës dhe ata në shenjë nderi, shkuan me dhjetëra vullnetarë, krijuan batalionin e V të brigadës VI dhe i vunë emrin “Batalioni Zaho Koka” që në atë kohë populli i këndoi: “Bjerë o Mjegullosh pse s’bie,/ Që përposh e gjer në krye,/ Për ata trimat me yje,/ Zaho Koka ngriu dhe eja,/ Se të kërkon epopeja,/ Të përleshesh në beteja,/ Me gjak shqiptari në deja.” Kuvendi Popullor, për meritat e larta dhe shumë të mëdha, për guximin, trimërinë në luftë dhe aftësitë drejtuese në formacionet partizane, e nderoi me titullin e lartë “Hero i Popullit”. Forcat gjermane, që pësuan dëme të shumta dhe mbetën gati të rrethuara, nuk mundën të futen në Vuno. Të nesërmen, më datë 9 qershor, forcave gjermane të rrethuara, u erdhi në ndihmë një forcë naziste nga Vlora. Forca të shumta gjermane u hodhën në sulm, pushtuan fshatin Vuno dhe si të tërbuar filluan vrasjet, djegiet e plaçkitjet, por populli i Vunoit ishte larguar dhe ata nuk gjetën gjë, përveç plakës 80 vjeçare Theodhorë Konomes, që e kapën dhe hodhën në zjarr të gjallë. Nazistët dogjën fshatin dhe marshuan për në Himarë. Deri më datë 11 qershor, armiku pësoi humbje të mëdha në njerëz dhe material, kudo që sulmoi, si në sektorin e Kotës ashtu edhe në sektorin e Bregdetit. Më 11 qershor si nga Vlora, nga Bregdeti e Saranda u diktuan lëvizje të shumta makinash, tanke, autoblinda dhe artileri e rëndë. Po në këtë kohë në zonën Tepelenë -Gjirokastër kishin arritur edhe forcat e shumta që kishin operuar në zonat: Korçë, Elbasan, Berat, Përmet. Por komanda gjermane akoma nuk i kish futur në luftë të gjitha forcat që kish në Zonën e I Operative. Në planin e operacionit ata mendonin se me një goditje të rrufeshme, të dëmtonin forcat e Ushtrisë NÇL, në Korçë, Skrapar e Berat, t’i shpartallonin ato dhe më në fund, duke grumbulluar të gjitha forcat në drejtimin Kurvelesh- Mesaplik-Bregdet, t’i asgjësonte totalisht forcat partizane në këtë zonë. Për të realizuar këtë qëllim, më 12 qershor, komanda gjermane sulmoi zonën e Mesaplikut, Kurveleshit dhe Bregdetit në këto drejtime: Delvinë -Qafa e Skërfices-Tatzat-Kurvelesh, Sarandë – Nivicë -Bubar-Qafa e Frashërit-Kuç, Pilur-Kuç; nga ana e Vlorës, Mavrovë -Brataj-Kuç dhe Mavrovë -Kudhës-Salari-Nivicë. Komanda e brigadës VI, në bashkëveprim me Zonën e I Operative dhe K.Q për Vlorën, kishin vendosur që të mbroheshin me ç’do kusht drejtimet kryesore të luginave që çonin në thellë sinë e Kurveleshit. Goditjen më të fortë dhe të koncentruar, më 12 qershor, komanda gjermane e dha në drejtim të luginës Mesaplik- (Gjorm-Velçë ), ku mbroheshin forcat e batalionit IV dhe forcat e dy batalioneve territorial të Mesaplikut. Pas 2 orë luftimesh me forcat armike që përpiqeshin të çanin përpara, forcat e kompanisë dytë në kodrat e Velçës nga e djathta e lumit dhe kompania e tretë dhe katërt që ishin vendosur nga ura e Gjormit-Gumenicë nga e majta e lumit, kundërsulmuan forcat armike dhe i vunë ato në pozita rrethimi, por atyre u erdhi në ndihmë artileria dhe tanket dhe mundën të tërhiqen të çrregullta në fushë të hapët, zjarri i armëve tona dhe sidomos zjarri anësor dhe i kryqëzuar i mitrolozëve të rëndë, bëri kërdinë në forcat naziste, të cilat e mbajtën vrapin në Qafën e Dushkut. Sipas informatave, dhe të numëruar nga partizanët në këto luftime, nga ana e armikut mbetën 120 të vrarë dhe shumë të plagosur. Të nesërmen armiku nuk sulmoi më në drejtim të Mesaplikut, por nisi një autokolonë në drejtimin Qafa e Dushkut-Kudhës-Salari, me qëllim që të transportonte forca të shumta fanterie dhe me shpejtësi të kalonte në shpinë nga ana e Kurveleshit të sipërm. Kur pa se nuk qe e mundur të kalonte nga Qafa e Dushkut, armiku manovroi forcat dhe ndryshoi drejtimin. Më datë 14 qershor goditi me forca të shumta në drejtimin Gryka e Vllahinës-Gërnec-Malkeq dhe mundi të përparonte gjer në afërsitë e Ploçës, por prapë u prit nga forcat e batalionit të III dhe ngeci në vend. Forcat armike u detyruan të tërhiqen përsëri me humbje. Nga ana e partizanëve të brigadës VI, u vra partizani Muzafer Katroçi. Të nesërmen armiku i përforcuar edhe nga forcat që erdhën nga Vlora dhe me anën e detit nga Korfuzi vazhdojnë me ngulm sulmin dhe mundën të kapin gjithë fshatrat e Himarës dhe të lironin rrugën Himarë -Kudhës-Kuç. Forcat gjermane që kishin mundur të përparonin nga Saranda drejt Kurveleshit, nga Himara e nga Tepelena, po e ngushtonin zonën e rrethimit në Mesaplik e në Kurveleshin e Poshtëm. Por forcat e goditjes kryesore në drejtim të Luginës së Mesaplikut kishin ngecur në vend gati për 12 ditë rresht dhe kishin pësuar dëme të rënda. Më datën 18 qershor, komanda gjermane i përsëriti edhe një herë sulmin pa llogaritur humbjet, por partizanët e batalionit të III dhe të IV qëndruan heroikisht. Me ndihmën e xhandarëve e ballistëve, reaksioni në krahinën e Himars, filloi të gjallërohej dhe të fillonte rishtas propagandën e shthurur kundër lëvizjes Antifashiste NÇL e partisë Komuniste e forcave partizane. Ata hodhën prapë parullën e neutralitetit dhe të autonomisë së Himarës. Ballistët u bashkuan me ta dhe nën mbrojtjen e gjermanëve filluan masakrat në atë pjesë të popullsisë që ishte lidhur me Lëvizjen NÇL. Kur forcat balliste të Kurveleshit, arritën në Qeparo, arrestojnë 74 burra pleq e të rinj, i torturojnë dhe i nisin për në Vlorë, por në mes të rrugës, lirojnë më të vjetrit dhe 34 prej tyre i internojnë në Gjermani. Ballistët gjetën gjuhë të përbashkët me reaksionarët e Himarës, dogjën mjaft shtëpi në Qeparo dhe më datën 20 qershor 1944, kapën tradhtisht partizanen PERSEFONI KOKËDHIMA, në një shtëpi ku dergjej e sëmurë. Në një shkresë që i dërgon këshilli i krahinës Himarës me qendër në Kudhës, Këshillit të Qarkut n’atë kohë, midis të tjerave i thoshte: -“U arrestua në shtëpinë e Dukë Todhrit, erdhën 3 ballistë, Taqo Aleksi e solli nga shtëpia e Taso Stamatit, Persefoni Kokëdhimën dhe ua dorëzoi tre ballisteve. Data e arrestimit është 20 qershor 1944. Nga ballistët ishte edhe një mik i Dukë Todhrit nga Golëmi, i quajtur Shefqet Aliu- (fondi 221 dt, 12.A.Q.P.) Persefoni ishte vajzë e thjeshtë fshatare. Me fillimin e Lëvizjes Antifashiste në Qeparo, ajo u bë aktiviste e dalluar në fshat. Për këtë reaksionarët e ballistët e kishin halë në sy e nuk e duronin dot. Ajo ishte partizane dhe në kohën e vështirë të operacionit të qershorit e lanë të sëmurë rëndë në një familje. Tradhtarët e ballistët edhe ashtu të sëmurë, e kapën tradhtisht, e mbyllën në burgun e Gjirokastrës gjersa më në fund mbas torturash çnjerëzore e varë n në mes të qytetit. Persefoni qëndroi heroikisht e pa përkulur deri në minutën e fundit. Edhe përpara litarit ajo u tregoi ballistëve qëndrimin e tyre prej tradhtari. Kuvendi Popullor e nderoi atë me titullin më të lartë të Republikës, “Heroinë e Popullit”. Kudo forcat e reaksionit filluan të rigjallërohen. Ata shpresonin në një zbarkim të shpejtë të anglo-amerikanëve në Shqipëri dhe bashkë me nazistët u hodhën në sulm për të dëmtuar sa më shumë Lëvizjen NÇL. Ballistët e xhandarët që ishin grumbulluar në Dukat, kur panë se forcat partizane ishin tërhequr e luftonin në male, filluan operacionin e tyre kundër popullit. Ata marshuan mbi Tragjas, Radhimë e me forca të kombinuara bënë operacion në malin e Tragjasit, Mazharit, Gumenicës dhe një pjesë kaluan Qafën e Shën-Gjergjit për në Tërbaç, Vranisht e Mesaplik. Në shkresën Nr.38/5 të armikut thuhet: -“Një kompani xhandarësh me 30 vullnetarë civilë, u nisën për operacion në drejtim të Vajzës dhe Qafës së Shën-Gjergjit në komandën e kapitenit të I, Mehmet Alemit. (A.Q. i shtetit) Populli i të gjitha fshatrave së bashku me partizanët kishin braktisur shtëpitë e tyre dhe me fëmijë e bagëti ishin ngjitur lart maleve. Ata burra e gra kishin zënë pozicione për t’u mbrojtur nga tradhtarët, por komandantët e forcave të ballit kur e shihnin keq nuk u futeshin rreziqeve pa pasur ndihmën e mikut të tyre, bajonetave gjermane. Më datën 22, operacioni i qershorit, në krahinën e Mesaplikut dhe në zonën e Kurveleshit kish arritur kulmin. Të gjitha forcat partizane dhe populli ishin detyruar të dilnin maleve. Batalioni i III dhe i IV, të brigadës VI, dhe forcat e armatosura territorial ishin tërhequr në Zhurin e Kuçit. Forcat gjermane kishin zënë luginën e Mesaplikut dhe Kurveleshin e Sipërm dhe nga të gjitha drejtimet, marshonin drejt Kurveleshit të Poshtëm. Forcat e batalioneve të I dhe të II të brigadës VI, ishin vënë në darën e rrethimit në rajonin Kudhës-Borsh-Lukovë dhe ata përpiqeshin për të çarë rrethimin me luftë. Përveç forcave partizane dhe territoriale, në Zhurin e Kuçit kishin ardhur dhe spitalet partizane të Ushtrisë NÇL. Të zonës së Jugut. Aty ishin grumbulluar 150 partizanë të plagosur e të sëmurë, të cilët duheshin shpëtuar me çdo kusht. Për ta mashtruar armikun, më datën 20 qershor u trillua një lojë. Një grup fshatarësh u veshën me rroba të bardha dhe me barela, u nisën nga një rrugë e dukshme nga Kuçi për në Papadhi, kurse të plagosurit e të sëmurët u vendosën natën në fshehtësinë më të madhe në pyllin midis Kuçit dhe Kudhësit. Me gjithë informatat që kishin forcat nazi-balliste për vendin ku ishte instaluar spitali partizan, ata u gënjyen dhe kaluan në drejtim të Papadhisë. Në këtë territor ata nuk lanë pyll e mal pa kërkuar, por spitali partizan shpëtoi dhe ata nuk e gjetën dot. Armiku sulmonte në të gjitha drejtimet dhe të gjitha shigjetat ishin drejtuar në një pikë të vetme: -Ne Kurveleshin e Poshtëm.- Forcat e dy batalioneve të brigadës VI dhe populli që i ndiqte nga mbrapa, u ngjitën në malin e Çipinit. Forcat gjermo-balliste që kishin si objekt Kurveleshin, kaluan Golëmin dhe zunë Qafën e Gomares, ato të Bregdetit, Borshit e Mesaplikut, arritën në Kuç, ato që vinin nga Tepelena në drejtim të Gusmarit, zunë Papadhinë. Të tjerat zunë Vërmikun dhe marshonin si të tërbuara të kapnin dhe të asgjësonin forcat e brigadës VI dhe spitalet, që ata mendonin se i kishin rrethuar. Populli i Mesaplikut, Kurveleshit dhe forcat partizane po kalonin çaste të vështira. Por edhe në këto ditë të vështira, ashtu si edhe në të kaluarën, malet, pyjet dhe gërxhet u bënë mburoja e popullit dhe partizanëve. Në mëngjesin e 23 qershorit, forca të shumta gjermane, pasi arritën pikat strategjike që kishin parashikuar dhe me qëllim që të ngjallnin panik tek partizanët dhe në popull, filluan të godasin me artileri ku të mundnin, pa patur më një objektiv të caktuar. Në këtë kohë forcat kryesore partizane, ashtu si edhe spitali, kishin mbetur në prapavija të armikut, i cili zotëronte pozita dominuese të të gjithë krahinës. Për të dalë nga kjo gjendje, komanda e brigadës vendosi që rrethimi të çahej me çdo kusht. U vendosën lidhjet me komandat e batalioneve, u bënë mbledhjet e komunistëve dhe natën duke u gdhirë 24 qershori, forcat partizane e çanë rrethimin, duke dalë në shpinë të armikut. Forcat naziste kur panë se kishin dështuar edhe në qëllimin e fundit të operacionit, filluan të tërhiqen të dëshpëruara e të lodhura në qendrat e fortifikuara të qytetit, nga ku kishin mundësi t’u shpëtonin sulmeve të mëvonshme të ushtrisë partizane. Por forcat partizane dhe populli i armatosur në ato momente vendimtare filluan të grumbulloheshin dhe u hodhën në kundërofensivë për çlirimin e zonave të okupuara dhe për të vendosur rregullin dhe qetësinë në kë to zona. Më 25 qershor 1944, forcat partizane dhe populli u hodh në kundërofensivë dhe Lugina e Mesaplikut, Bregu i Detit dhe Kurveleshi i Poshtëm, oshtiu prapë nga krismat e armëve, por këtë radhë ishin partizanë ata që sulmonin e sokëllinin. Komanda gjermane në Vlorë, qysh gjatë operacionit kish forcuar garnizonet në Kalanë e Borshit, në Spile të Himarës, në Qafën e Llogorasë, për të ruajtur rrugën Sarandë -Borsh-Himarë -Vlorë. Më 25 qershor forcat e batalionit të I e të IV, të brigadës VI, sulmuan forcat naziste që ishin akoma në Fterrë e Çorraj dhe i detyruan ato të grumbulloheshin në Kalanë e Borshit. Më vonë në ditët e para të korrikut, forcat e këtyre dy batalioneve, sulmuan forcat naziste që ishin grumbulluar ne Kalanë e Borshit, i shkulën ato prej andej dhe i prenë armikut rrugën Sarandë -Himarë -Vlorë. Po në këtë ditë batalioni i II, pasi grumbulloi forcat në Majën e Papadhisë, çliroi Pilurin dhe sulmoi garnizonin gjerman në Porto-Palermo dhe në Spile të Himarës. Një kompani e batalionit të II, të brigadë VI, së bashku me një kompani të brigadës XII, sulmojnë forcat gjermane dhe batalionin “Vermoshi” në Vajzë dhe në Qafë -Ploçë, kurse kompania e tretë e batalionit II, të brigadës VI, sulmoi forcat balliste që kishin qëndruar dhe po grabisnin popullin e Gumenicës, Mazharit e Lapardhasë dhe i shpartalluan ato. Forcat partizane në bashkëveprim me popullin i çliruan plotësisht zonat e okupuara. Operacioni i qershorit 1944, ishte përpjekja e fundit që bëri komanda gjermane në Shqipëri, në lidhje me gjithë reaksionin e brendshëm, të ndihmuar direkt nga reaksioni i jashtëm dhe sidomos nga reaksioni anglez. Misionarët anglezë nuk lanë gjë pa bërë për të dëmtuar e demoralizuar forcat partizane në këtë operacion, në favor të forcave armike. Komanda gjermane grumbulloi forca të shumta, artileri, tanke, aviacion dhe me një goditje të shpejtë e të rrufeshme i vuri si qëllim këtij operacioni të asgjësonte forcat partizane në të dy etapat. Etapa e parë 18 maj deri 10 qershor, të rrethonte dhe të asgjësonte forcat e Ushtrisë Partizane NÇl. Në Sulovë -Vërçë -Mokërr-Shpat dhe në etapën e dytë ato pjesë që nuk asgjësoheshin, t’i shtynte përpara dhe t’i rrethonte e asgjësonte bashkë me forcat e Zonës I Operative Vlorë -Gjirokastër dhe t’u jepte goditjen e fundit në zonën Tepelenë -Sarandë-Vlorë. Operacioni gjerman dështoi qysh në fillim, grushtin e parë e hëngri qysh në etapën e parë nga forcat e Divizionit I. Ushtria Partizane NÇL. Sipas urdhrit të Komandës Përgjithshme, më datë 17 qershor 1944, u hodhën në kundra ofensivë. Grushtin e dytë dhe dështimin përfundimtar, forcat gjermane e pësuan në rajonin e Kurveleshit, Mesaplikut e Bregdetit. Më 25 qershor ato u detyruan të linin qendrat e pushtuara gjatë operacionit dhe të kthehen me turp në pikat e fortifikuara në qytet prej nga ishin nisur. Forcat e Ushtrisë partizane NÇL në Qarkun e Vlorë në drejtimin kryesor të Zonës I Operative dolën fitimtarë si në operacionin e dimrit ashtu edhe në operacionin e qershorit, ( Dy ofensiva të gjëra e të shpejta, të përgatitura me kujdes nga Komanda e Forcave Gjermane në Shqipëri), sepse vija politike ishte e drejtë si dhe qëndrueshmëria moralo-politike dhe mbështetja nga ana e popullit ishte shumë e lartë. Disfata e nazistëve në operacionin e qershorit i ç’organizoi edhe më tepër forcat e reaksionit. Xhandarët filluan të largohen dhe nuk u bindeshin më si më parë udhëheqësve të tyre. Mjaft prej tyre u hodhën në radhët partizane. Gjendja në Ballin Kombëtar u bë shumë e vështirë. Ç’thurja, jo disiplinimi, çrregullimi ishin problemi kryesor i drejtuesve të kësaj organizate tradhtarë.