Fejzi Rrokaj/ Operacioni gjermano-ballist i prillit 1944 në krahinën e Mesaplikut

829
Sigal

Ditë e prillit dymbëdhjetë/Shkove batalionit tretë/ Më duhen dhe njëzet vetë/ Dervish o lule !

 Dështimi edhe i operacionit të marsit 1944, i detyroi gjermanët të përgatisnin një operacion të ri, atë të prillit 1944. Këto operacione të njëpasnjëshme dalloheshin tashti, për dobësinë e tyre. Ato nuk kishin më karakter ofensiv, por karakter sulmi të shpejtë dhe tërheqje. Komanda gjermane për t’iu shmangur një sulmi të organizuar mbi qytet nga ana e forcave partizane dhe për t’iu hequr atyre iniciativën pas disfatave të njëpasnjëshme, të betejave te ditëve të fundit, grumbullon forca të shumta në qytet dhe në kombinim me forcat e Divizionit 297, tre regjimente këmbësorie që gjendeshin në rajonin e Gjirokastër-Tepelenë , duke vënë si zakonisht në veprim forcat mercenare dhe xhandaro-balliste të Vlorës e Kurveleshit, filluan një operacion të gjerë për të rrethuar e dëmtuar forcat partizane në Luginën e Mesaplikut dhe në Kurveleshin e Poshtëm. Në këtë kohë në zonat e çliruara Vezhdanisht-Treblovë -Vajzë e Gumenicë edhe në fshatra të tjerë të Mesaplikut, ishin vendosur dy batalione të grupit të II , dy batalione të Brigadës së VI dhe forcat e batalionit të 5-të të Brigadës së V, kurse në zonën e Mesaplikut e të Kurveleshit të Poshtëm, ishin vendosur forcat e batalionit të parë të brigadës së V. Më datën 4 prill komanda gjermane nisi në drejtim të Mavrovës, Gryka e Vllahinës dhe në drejtim të Gjormit e Vajzës mbi 400 forca të shoqëruara nga 6 makina vetëlëvizëse me artileri të rëndë dhe 2 autoblinda, një kolonë këmbësorësh gjermano-balliste e nisi në drejtimin Lapardha-Gumenicë dhe në të njëjtën kohë filloi rrahja me artileri nga qendra. Forcat gjermane u pritën nga forcat e Brigadës V/S., dhe të Brigadës VI/S., para se ato të arrinin në Vajzë-Beun e Krater të Velçës. Ata ishin vendosur në pozicione të përgatitura e të maskuara mirë dhe i detyruan nazistët të tërhiqen të shpartalluar, duke lënë 40 të vrarë e të plagosur. Forcat e krahut të majtë u pritën me luftë në Urën e Gjormit dhe Gumenicë nga forcat e batalionit “Perlat Rexhepi” dhe “Kastriot Muço”. Me gjithë epërsinë në numër të forcave dhe përdorimin e të gjitha llojeve të armëve të rënda, armiku u gozhdua në vend në të gjithë sektorin dhe atë ditë nuk qe e mundur të përparonte . Më datën 6 prill forcat armike rrahën me artileri të rëndë, mbi 3 orë sektorin Gumenicë, Gjorm, Vajzë, Beun, Krater dhe Amonicë-Ploçë dhe sulmuan disa herë me forca të shumta, por sulmet u thyen dhe forcat tona nuk luajtën nga pozicionet. Gjatë këtyre sulmeve armiku pati 9 të vrarë dhe mjaft të plagosur, në sektorin e majtë dhe mbi 50 të vrarë në sektorin e djathtë të lumit Shushica. Nga ana e partizanëve mbeti i vrarë Fegë Halimi i batalionit “Perlat Rexhepi”. Armiku me gjithë dëmet që pësoi në këtë sulm, vazhdoi edhe më 7 prill rrahjen me artileri të rëndë të vendosur në Qafën e Dushkut dhe në Qafën e Luadhit dhe përsëriti duke vënë në veprim forca të reja në drejtim Qafa e Dushkut-Ura e Gjormit, Lapardha-Gumenicë dhe Vajzë-Beun-Ramicë. Pas 10-12 orësh luftimesh të ashpra, forcat e Grupit të II, u detyruan të tërhiqen dhe të zënë pozicione në kodrat e Vranishtit. Në luftimet e datës 7 prill, mbeti i vrarë komandanti i kompanisë parë të batalionit “Perlat Rexhepi”, Daut Mystehaku. Me datën 8 prill forcat armike u pritën me luftë në kodrat e Vranishtit nga forcat e grupit të II, dhe lufta vazhdoi gjer në mbrëmje me sulme e kundra sulme. Forcat gjermane, mbasi panë se nuk qe e mundur të përshkonin në drejtimin e Kuçit, po atë mbrëmje, për t’i shpëtuar goditjeve të natës, u tërhoqën dhe u përforcuan në fshatin Gjorm. Më datën 9 prill, armiku vu në veprim të gjitha forcat dhe të ndihmuar dhe të udhëhequr në shtigje e gryka të fshehta nga forcat xhandaro-balliste, sulmojnë në dy drejtime, në drejtim Qeparo-Kudhës -Kuç dhe Gjorm-Vranisht-Kuç, por edhe këtë radhë pa sukses. Më datën 11 prill forcat gjermano-balliste të udhë hequra nga komandanti i forcave të Ballit Idriz Jazua, sulmojnë me forca të shumta nga ana e Borshit në drejtim të Kuçit. Forcat e Brigadës VI, S. i presin në Qafën e Dërrasës, kurse një kompani e batalionit të tretë , të Brigadës V, S, i sulmojnë ato nga Kudhësi. Forcat gjermano-balliste të gjendura në pozicione të vështira dhe të goditura në dy drejtime, ato shpartallohen dhe të tërhiqen në panik për në Kalanë e Borshit. Natën, duke u gdhirë 12 prilli, forcat gjermane përfituan nga errësira dhe mjegulla e dendur dhe të udhëhequra nga agjentë që e njihnin shumë mirë vendin, përparojnë dhe zënë fshatin Kuç. Në mëngjes forcat e batalionit të dytë e të tretë të Brigadës V/ S. sulmojnë me automatikë e bombadore, forcat gjermane që ishin future në muret e shtëpive dhe lufta vazhdon në rrugët e fshatit. Forcat gjermane u goditën në befasi. Pasi rojet e tyre të sigurimit, ishin asgjësuar; nuk patën mundësi të rezistonin dhe tërhiqen nga shtëpitë e Kuçit dhe krejt të çrregullta; duke u ndjekur këmba, këmbës nga forcat partizane. Në sulmin mbi forcat gjermane, më 12 prill 1944, në luftë shtëpi më shtëpi, duke luftuar në krye të forcave partizane, vritet zv/komandanti i Brigadës V/S. trimi Dervish Hekali. Dervishi u emërua zv/komandant i Brigadës, qysh me inaugurimin e saj në Bramyshnjë të Tërbaçit, me 20°,janar 1944. Gjatë Operacionit të Dimrit, ai u shqua, jo vetëm për trimëri qëndresë e guxim, por edhe për gjakftohtë si dhe drejtim taktik të forcave partizane. “ I vendosur si nga hera- thuhet në traktin e K.Q. të Vlorës, i butë, i dashur dhe i qeshur me të gjithë. Në luftën e pa prerë kundër okupatorit gjerman dhe Ballit Kombëtar, Dervishi shquhej edhe për taktikë luftarake; shquhej për vendosjen dhe manovrimin e trupave të tij ….”. Shokët e tij dhe populli që e njihnin Dervishin edhe si komandant dhe si komunist, nuk e qanë , po e kënduan : “Dit’ e prillit dymbëdhjetë,/ Shkrove batalionit tretë , / Më duhen dhe njëzet vetë ,/ Njëzet vetë ti dërguan,/ Kuçin për të rrethuar,/ Gjermanët për të sulmuar,/ Vjen një plumb i mallëkuar,/Të godet në kraharuar,/ Po haka dy fish t’u muar,/ Dervish o luleeee. Vrasja e Dervish Hekalit i dëshpëroi pa masë shokët, por nuk i demoralizoi partizanët e Brigadës V, S. por i mobilizoi edhe më tepër në luftë kundër okupatoreve dhe tradhtareve. “Ne komunikatën e Brigadës V/ S. të muajit prill 1944, midis të tjerave thuhet: “Në gërmadhat e Kuçit mbetën 30 gjermanë të vrarë, në mes të të cilëve një major, një toger, disa nënoficerë dhe katër robër. Nga ana e jonë ra heroikisht në fushën e nderit, zv/komandanti i Brigadës V/ S. shoku Dervish Hekali dhe korrieri i batalionit, trimi nga Terbaçi, Asllan Gjika. Nga të Brigadës VI/ S, mbetën dy të plagosur. U kap një pushkë, 6 mitralozë , 1000 fishekë , 6 revolverë, 4 automatikë dhe një radio transmetuese. Të nesërmen më 13 prill, forcat armike në numër të madh, të ardhura nga Mesapliku, u mor me varrosjen e gjermanëve të vrarë ”.(Arivi K.Q. fondi i Brig, V ) Pas goditjes së fundit në Kuç, Qafë -Shkallë , Borsh, forcat gjermano- balliste u detyruan të tërhiqen për në qytetin e Vlorës dhe në qendrat e tyre të fortifikuara, për t’iu shmangur goditjeve të befasishme të forcave partizane. Në këtë operacion që zgjati nga 4 deri më 13 prill 1944, forcat gjermano-balliste i arritën objektivat e caktuara, ata shkelën Luginën e Mesaplikut dhe të Kurveleshit të Poshtëm, por nuk ia arritën qëllimit të tyre, për shpartallimin e forcave partizane. Në këtë operacion të përgatitur nga nazistët dhe tradhtarët; si forcat gjermane ashtu edhe forcat balliste të komanduara nga Idriz Jazua dhe Lahe Nurua etj., pësuan disfatë. Përveç të plagosurve e materialeve; gjermanët lanë mbi 100 të vrarë dhe 10 robër, ballistët rreth 20 të vrarë dhe 5 robër. Humbjet e forcave partizane qenë 5 të vrarë dhe 7 të plagosur. Me mbarimin e operacionit të prillit, forcat e Brigadës V, S, tërhiqen përfundimisht nga Qarku i Vlorës dhe kalojnë në Qarkun e Gjirokastrës në drejtim të Përmetit. Lufta e fundit në Qarkun e Vlorës, për forcat e Brigadës V, S, me forcat gjermano-balliste, ishte shpartallimi i gjermanëve në fshatin Kuç, më 12 prill 1944. Më 15 prill 1944, forcat e Brigadës V/S, ishin larguar përfundimisht nga Qarku i Vlorës, për të plotësuar me nder detyrat e reja luftarake me rëndësi, që do t’i ngarkonte Partia. Bijtë e Vlorës heroike e mbajtën lart kudo që shkuan flamurin e Brigadës, që nga Tërbaçi deri në Vishegrad. Nga beteja në betejë Brigada e V luftoi me trimëri e dhemb për dhemb me armikun. Ajo la në fushën e betejës 357 dëshmorë dhe Heronjtë e popullit Abaz Shehu, Dervish Hekali, Kastriot Muço, Laze Nuro, Zaho Koka,Zonja Curre. Nimete Progonati, Llambro Andoni dhe Hysen Cino. Kjo brigatë u udhëhoq dhe u drejtua me largpamësi nga Heronjtë e popullit Hysni Kapo, Shefqet Peçi, Hito Cako, Rrahman Parllaku etj..

pasardhës veterani