Çfarë ndodhi më 13 tetor 1981 në gjirin e Vlorës

Agush Gjoni

Enigma e nëndetëses, ku u bë 12 orë luftë. Pas incidentit u fol për një nëndetëse amerikane me bombë atomike, për të hedhur Vlorën në erë. Rrëfen për herë të parë pubilikisht, ekskluzivisht për “Telegraf” komandanti i dragominës Kolonel Agush Gjoni. 

Agush Gjoni, sot Kolonel në rezervë, ka përjetuar ngjarjen e 13 tetorit të vitit 1981 me detyrën e komandantit të Dragaminës së madhe në Sazan, anija kryesore në këtë operacion, që bëri 8 orë luftë, për ta asgjësuar. Nëndetësen enigmë edhe pas 29 vjetësh. Ka shërbyer 30 vjet në forcat e Flotës luftarake detare deri në vitin 1999 kur doli në rezervë. Gjatë gjithë kohës dhe në vazhdim ka punuar në anije transporti në linjën Vlorë-Brindizi dhe anasjelltas, duke nisur me Niobe, Skënderbeu, Red Star. Ka kaluar 1.2 milionë udhëtarë, 50 mijë makina dhe 300 mijë kamionë. Në jetën e tij ka shumë ngjarje, rreziqe e rrisqe, por, ajo e 13 tetorit 29 vjet më parë, mbetet enigmë edhe sot dhe ndër vite do të mbetet si legjendë. 

Çfarë ju kujton ajo ditë? 
13 tetori i vitit 1981, është një ditë, që e kujton e gjithë Vlora, të gjitha strukturat e ushtrisë dhe flotës detare. Është dita që kujtohet nga të gjithë dhe që ka lënë pas enigmën e madhe. Më 13 tetor të vitit 1981, në gjirin e Vlorës ka hyrë një nëndetëse e huaj, që ne e kapëm nëpërmjet aparaturës. Unë atëherë isha komandant i Dragaminës së madhe dhe mu ngarkua detyra për ta kapur dhe identifikuar, por nuk mundëm..E diktuam që në pikën e saj të zbulimit, bëmë 12 orë luftë, deri sa u largua në Kakome, e goditëm disa herë, por asgjë nuk pësoi. 

Kur e diktuat se në Gjirin e Vlorës ishte një nëndetëse e huaj? 
Në orën 12 të natës, duke u gdhirë 13 tetori. U dha një alarm lufte në të gjithë Shqipërinë. Unë isha në ishullin e Sazanit, komandant i Dragominës. Oficerët dhe marinarët e Pashalimanit, që ruanin bazën, panë një nëndetëse, raportuan në Ministri, që ka ardhur një nëndetëse e huaj. Në moment është dhënë urdhër nga Enver Hixha: Të zbulohet nëndetësja e huaj dhe të më raportoni”Ky urdhër, ngriti Sazanin në alarm, u krijua një gjendje paniku tek forcat e ushtrisë. Mua m’u dha detyra, që të zija Mexo kanalin mes Karaburunit e dhe Sazanit me Dragominën, ndërkohë një gjuajtës, u vu në kërkim në Gjirin e Vlorës. Të gjitha bateritë u vunë në gatishmëri të plotë për të vepruar në çdo rast. Gjithë natën në det, në gatishmëri në tension. Të nesërmen rreth orës 7 e 15 minuta mu dha detyra (sigurisht ky ishte një urdhër i Ministrit të Mbrojtjes, Prokop Murra) të qëndronim në gatishmëri të plotë, gati për luftë. Kishim graduar 80 metra në thellësi. Prisnim urdhrin:”Të hapet zjarr!”, që e jepte vetëm Komandanti i Përgjithshëm i forcave të armatosura, Enver Hoxha. 

U dha urdhri për luftë? 
Ishte ora 8.25, kur mbërrita në vendin e caktuar. Aparaturat tregonin që poshtë nesh ishte një objekt, bombat hedhëse në të dy krahët i kishim në gatishmëri, pritej vetë urdhri. E ndiqnim në çdo minutë nëndetësen e huaj, kontrollonim lëvizjet e saj. Pas disa minutash konstatuam se objekti lëvizi në drejtim të Raguzës së parë me shpejtësinë 4-6 milje. Pasi udhëtoi dy milje, vumë re që u kthye në drejtim të Ujit të Ftohtë, në një thellësi 50 metra. Kur u afrua tek një vapor i mbytur, ndryshoi kursin, u nis drejt veriut të ishullit të Sazanit, duke rritur shpejtësinë në 14-15 milje. Urdhëroj Prend Ndoj, shefin e agregateve të anijes, një specialist i shkëlqyer të regjistrojë motorin në shpejtësinë maksimale që kishim 15-17 milje. Kur u afruam në në drejtim të Sodës, objekti ndërroi kursin dhe u nis të dalë nga gjiri i Vlorës me shpejtësi 20 milje. 

Ora 10.25”Zjarr. 
Kjo na shqetësoi shumë, pasi ne nuk kishim shpejtësi për ta arritur atë. Atëherë dhashë urdhër: Regjistro shpejtësinë 17-19, të digjet, vetëm të zbatohet urdhri, të bëjmë detyrën. Për çudi arriti 18-19 milje, por kjo nuk mund të vazhdonte më shumë se 1 orë dhe motori do të digjej, Në afërsi të Sazanit në orën 10.25, më vjen një radiogram me dy shifra: Zjarr MMT. Ishte urdhri i Ministrit të Mbrojtjes Popullore. Bëmë manovrën, hartuam skemën dhe vendosa të qëllonim me bombahedhësin e djathtë. Zjarr! - urdhërova. Nuk më kish ndodhur ndonjëherë kjo situatë, u tronditëm të gjithë. Për fat u shkrep shumë mirë, vajti në thellësinë 770-80 metra, pra në objekt. 

Ishte një shpërthim i llahtarshëm nënujor, një tërmet me një zhurmë të papërshkrueshme. Për çudinë e të gjithëve, objekti nuk ish dëmtuar. Rikapëm sinjalin në objekt, gjuajtësi do të qëllonte me reaktiv, ishte Kujtim Braçe., që e drejtonte atë. Vazhdonim ndjekjen, vazhdonte lufta. Kaluam tek Kepi i Gjuhëzës në drejtim të jugut. E kapëm në afërsi të Gjiut të Arushës dhe aty dhashë urdhrin: “Zjarr!” me bombën e majtë me të njëjtën skemë. Një tmerr tjetër, që tronditi çdo qelizë të trupit e mendjes. E veçanta ishte kur pamë një peshk gjigant rreth 100 kg, i cili fill pas shpërthimit fluturoi në ajër dhe ra përsëri në det. Peshq të vegjël dolën në sipërfaqe me tonelata. 

Tani e kishim situatën në dorë. Në afërsi të Himarës në Jalë, kapëm përsëri objektin dhe u afruam më shumë. Me bindjen se do të goditej më në fund nëndetësja “spiune”, dhashë urdhër që të hidhen të dy bombat e thellësisë. Ishte një super tmerr. Vazhdonim të qëndronim në gatishmëri, ndërsa objekti ecte me shpejtësinë 17-18 milje në një thellësi 80 milje. Vazhduam ta ndiqnim, erdhëm deri afër Kakomesë. Zjarr përsëri duke goditur përsëri me të dy bombat. 

Pas kësaj anija jonë nuk lëvizi më, ndërsa nëndetësja e huaj, po largohej drejt Korfuzit. 
Anija jonë u shua, nuk punonte asgjë, motori, sistemi elektrik..u fik. Kaq ishte fuqia e saj, vetëm komandohej me timonin mekanik, që është rezervë. Na pushtoi paniku. 

Çfarë mendonit në ato çaste? 
Drejt nesh erdhën dy helikopterë që u ndalën në Sarandë, të cilët sollën zyrtarët e lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, prokurorë, gjykatës, policë. Na zuri frika, pse mendova që do të vihesha unë në pranga, pasi detyra quhej e pakryer. Me një katër silurues erdhën në bordin e anijes zv. Ministra, komandanti i flotës. Kontrolluan dokumentet dhe panë që gjithçka ishte në rregull, që unë dhe ekuipazhi e kishim bërë detyrën. Kuptuan që anija kishte ngelur pse e atij standardi ishte: U nisa drejt Pashalimanit dhe anija u fut në remont, Kur u larguan zyrtarët e lartë, atëherë u qetësuam. E vërteta ishte se ne e kishim bërë luftën, por ajo mbeti në mes, për shkak të Dragaminës, që aq e kish fuqinë. 

Pas kësaj situate çfarë ndodhi? 
Tensioni vazhdonte, dyshohej se mund të vinin nëndetëse të tjera. Ishte një situatë e vështirë në Shqipëri, pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut. Pas kësaj kam qëndruar plot 135 ditë në Mezokanal. Aty bëheshin mbledhjet e gjithçka. Vrojtonim se mos vinin nëndetëse të tjera. Natë e ditë vrojtonim dhe tërë këtë periudhë kemi qenë në gatishmëri lufte. 

U sqarua cila ishte kjo nëndetëse? 
U fol që ishte amerikane, se ishte me mbushje bërthamore dhe se do të hidhte në erë Vlorën. Këto ishin fjalë poshtë e lart, por në syrin e ushtarakut, duket se misioni i saj ishte për të tërhequr vëmendjen pas ngjarjes së madhe që kish ndodhur, vetëvrasjes së Mehmet Shehut. Nuk besojmë të ishte me reaktor bërthamor, sikurse shpreheshin zërat nga populli. Duhet të saktësoj që anije me mbushje bërthamore nuk vijnë kurrë në gjirin e Vlorës, përjashtohet. Ajo mund të ketë qenë një anije zbuluese. 

Si është e mundur që nuk u saktësua? 
Janë sekrete të mëdha, që nuk mund ti dijë kushdo. Në gjirin e Vlorës ishte e lehtë të hyje, se akustika herë punonte dhe herë jo. Gjithsesi, ne provuam luftën, vramë frikën. Besoj kjo nëndetëse duhet të ketë qenë Malutka, nëndetëse zbuluese, më tepër për të tërhequr vëmendjen nga situata që po përjetohej pas akuzave ndaj Mehmet Shehut. Duhet të nënvizoj faktin, se këtë “Luftë” nuk e bëra vetëm unë por me stafin tim. Ka qenë Vladimir Beja. që më pas u bë Komandanti i Flotës, me Yllin që u bë komandant Budi, me Festim Tefën, të ndjerin Thoma Kote, të ndjerin Kujtim Braçe dhe oficerë të tjerë. Ajo është një ditë e paharruar, që nuk u përsërit më kurrë dhe as nuk do të përsëritet më. Për këtë shkak ajo zë vend të rëndësishëm në historikun e Flotës detare, të Forcave të Ushtrisë popullore. 

Ku ndodhet Dragamina sot?
E përfundoi misionin e saj dhe është vendosur në Durrës. Kam mall ta shoh, ndaj herë pas here shoh foto që kam bërë në të. Kjo foto që shihni është në ditën e luftës. Më vjen keq, që Flota detare edhe sot nuk ka asnjë Dragaminë me standarde. Nëse një shtet është ose jo i fuqishëm, varet nga mjetet detare që ka. Në këtë pikë ne jemi shtet i varfër.

( Dhënë për “Telegraf” , gazetares Zenepe Luka më 2009 )