Fan S. Noli, personaliteti i madh që, as nuk mund të lihet në hije, as të mjegullohet

1258
Sigal

(06.01.1882 – 13.03.1965)

Safet . N. RAMOLLI

Më 6 janar 1882 është datëlindja, ndërsa më 13 mars 1965 është datëvdekja e njërit prej më të mëdhenjve, që ka sjellë trualli shqiptar. Ai është Noli. I artikuluar si Theofan Stilian Noli, Fan Stilian Noli, Fan Noli, Noli, apo sidoqoftë tjetër, mjafton që të ngjasojë me Të, menjëherë kuptohet nga shqiptarët, (por jo nga pseudo-nacionalistët). Kjo, sepse në memorien e shqiptarëve Ai është “ulur galiç”, ka zënë vend meritueshëm në majën e piramidës shqiptare, të atyre që e meritojnë këtë nder, këtë përkujdesje komunitare të “Opingës”, (sikurse shprehej publicisti dhe shkrimtari i Rilindjes Kombëtare Shqiptare e, sidomos, bashkautori i Shpalljes së Pavarësisë, i ndrituri Mihal Grameno).

Noli jetoi relativisht gjatë, (pak më shumë se 83 vjet, S. R), çka i mundësoi të përjetojë shijet, mbresat dhe emocionet, që burojnë nga ngjarjet e rëndësishme të shqiptarëve. Ato i vlerësoi me këndin e tij të gjykimit, shijen, ndjenjën e patriotit dhe të artistit e, gjithsesi edhe me mendësinë e shqiptarit të ndershëm. Një jetë të tërë luftoi, falë intelektit si rrallëkush, në krye të rretheve patriotike dhe të mbarë komunitetit për të mbrojtur interesat e larta të kombit. Shpalosi për botën intelektuale, shtetare dhe diplomatike të përparuar e të demokratizuar, intelektin e popullit shqiptar, por edhe vendosmërinë për të mbrojtur trojet etnike të të parëve të vet për të jetuar në prosperitet. Noli ngërthen mjaftueshëm cilësi të rralla, që e bëjnë gati të papërsëritshëm. Më poshtë do të bëjmë kujdes të evidentojmë disa prej tyre, por gjithsesi përciptazi.

Noli mbetet demokrat konsekuent

Kjo është cilësia bazale e karakterit të tij, që e ka bashkëshoqëruar përgjatë gjithë jetës. Në themel të tij zë vend të çimentuar çështja e qeverisjes së popullit në liri, në barazi dhe progresivitet. Gjithherë e pati të konsoliduar mendimin për një qeverisje sipas përvojës demokratike të Perëndimit, duke mbajtur në konsideratë formimin psikologjik të popullit të vet, por gjithherë në demokraci e prosperitet.

Si Burrë Shteti, si intelektual, si diplomat e orator, e ka pohuar qartë dhe prerazi se, është për një qeverisje në formën e republikës demokratike, të cilën edhe e pranon si më të mirën, më efikasen dhe më të pranueshme nga shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha. Krejt qartë pohon se koha e monarkisë në të cilën sundon me gjithë pushtet një njeri, që thirret e quhet mbret, ka perënduar. Ata që e kishin e “çporrën” me dhunë a me konsensus mbarëkombëtar, atje ku ruhet, përbën një ritual formal. Bota e qytetëruar, e përparuar dhe e demokratizuar e ka dhënë shembullin e qeverisjes në demokraci. Willsoni në SHBA, Ataturku në Turqi, disa të tjerë gjetiu, duke qenë prerazi kundër monarkisë, e rrëzuan dhe i dhanë jetë republikës, si formë qeverimi me frymëmarrje të gjerë dhe me mundësi më të shumta për të shprehur dhe realizuar interesat themelore të shtetasve. Por personalisht, nuk më duket ide e realizuar mirë vendosja e përmendores së Willsonit, (në kuadrin e 100-Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, më 28 nëntor 2012 S.R) me shikim nga lindja. Ne “… nga ana e jonë kemi zgjedhur prej kohe anën e popullit. Nga ajo anë kemi për të qëndruar deri në fund…”, artikulon prerazi Noli. Vetë e dha shembullin se si mund të organizohet një qeverisje në demokraci. Në kabinetin qeveritar, thirri intelektualë e patriotë në zë, me dëshirë për të punuar sipas interesave të popullit. Njerëzit që përbënin atë ishin patriotë të kulturuar, hipën në pushtet me dëshirën e popullit, nuk u dhanë shteteve të huaja asnjë copë toke shqiptare për të qëndruar në pushtet, qenë të ndershëm. Ishin të civilizuar, nuk bënë asnjë vrasje politike, jetuan me ndershmëri dhe dinjitet. Vetëm nga sa cikëm përciptazi më lart, mund të pohojmë se Noli në thelb mbetet demokrat. Të ardhmen e Shqipërisë e gjykonte në demokraci dhe prosperitet.

Noli ishte optimist dhe jo shpresëhumbur?!!

Noli, përgjatë udhëkryqeve në të cilat u ndodh vendi e populli shqiptar, pati edhe çaste dëshpërimi, ndonjëherë deri në gjendje shpresëhumbjeje a deziluzionuese. Në dhjetor 1925, në përvjetorin e parë të rrëzimit dhunshëm të kabinetit që drejtoi, duke analizuar ndarjen midis grupimit të intelektualëve, jashtë natyrës së tij, i dëshpëruar pohon: “Posa Shqipëria nuk shpëtuaka veç dyke u copëtuar e dyke vdekurë, atëhere intelektualët le ta deklarojnë të harruar dëshirën e tyre “të bërjes” së Shqipërisë, të formimit të saj, dhe, sejcili të shikojë punën e tij”. Me sa duket është një akuzë e ashpër, por në analizë komplekse të periudhës historike 1912-1925, Noli konkludon qartë se, historia e Shqipërisë në këtë hark kohor nuk është gjë tjetër veçse luftë midis nacionalistëve dhe antinacionalistëve, ashtu si Shqipëria dy herë u fitua dhe po kaq u rrëmbye nga bejlerët, të cilët ua shitën të huajve. Dhe pas këtij përfundimi deziluzionues, shprehet: “Prapë syrgjyn dhe prapë të pakët…, kallaballëku u shpërnda pas furtunës ashtu siç ishte mbledhur pas berihajt… U nda gruri nga kashta…”.

Në vitin 1926, i indinjuar nga keqqeverisja, stigmatizon përkrahësit e regjimit, duke u shprehur afërsisht se, është më e lehtë të prishësh se sa të ndreqësh, të vjedhësh se sa të krijosh pasuri, të copëtosh se sa të rritësh një atdhe të vogël e të pafuqishëm, është “… më lehtë të robërosh një popull të mjerë e të skllavëruar, sesa ta ngresh, ta çlirosh…”.

Në vitet ’30, meqë A. Zogu ishte i sëmurë dhe ende pa trashëgimtar, në qarqet politike brenda vendit e jashtë, u konsolidua mendimi për domosdoshmërinë e rikthimit të Princ Vidit. Por ky analist i mprehtë, indinjohet nga kjo mendësi, në momente shpresëhumbjeje përsiatet se, vendin e një katili dhe autokrati shqiptar do ta zërë një njeri i butë evropian, por që gjithsesi përfundimi do të jetë fatal: Do të vijojë rrokullisja e popullit dhe vendit në theqafje.

Si studiues e analist, ndër të rrallët, prej kohësh, pati arritur në përfundimin se, “… varfëria dhe padija janë sëmundjet e zakonshme të popujve malësorë anembanë botës. Varfëria i bën mercenarë dhe padija reaksionarë”. Por njëherësh evidenton edhe amoralitetin e sistemit feudal, të cilit i intereson padija, injoranca, varfëria, fanatizmi, spiunllëku, etj. etj., të cilat i zgjatin jetën atij. Kështu, i indinjuar nga gjendja mjerane e popullit, thërret intelektualët, që ta shohin realitetin sikurse është, nga ana tjetër, si patriotë, të bëjnë gjithçka për të gjetur “ilaçin” që gjendja të shërohet.

Gjithsesi, shpresëhumbja, pesimizmi e deziluzioni i Nolit, në çdo kohë a rrethanë, ngërthen optimizmin, bazën e të cilit e përbën karakteri i popullit shqiptar, qëndrueshmëria, vitaliteti, punëdashësia, besa, fqinjësia e mirë, e të tjera, si këto.

Noli mbetet figurë komplekse, por asesi nuk është “Peshkop i Kuq”

Në mbrëmje, më 18 janar 2013 po ndiqja një emision televiziv. I mirënjohuri Nasho Jorgaqi pyetjes, nëse Noli ishte politikan apo fetar,- iu përgjigj me një artikulim të sekretarit të Nolit, i cili pohon qartazi, se Noli, përtej asaj që nuk e njihte, besonte. Edhe studiues e biografë të veprës së tij, thuajse kanë rënë në emërues të përbashkët: Noli përbën një figurë komplekse, që duhet analizuar, vlerësuar e çmuar në kohë, duke vendosur gjithnjë paralele edhe në marrëdhëniet e tij me bashkëpunëtorët dhe me vlerat e rrethanave historike ku u ndodh e militoi. Disa personalitete të kohës, vendas e të huaj, e epitetuan “Peshkop i Kuq”, togfjalësh që e përdor edhe Xh. Kastellani, autori kontemporan i veprës madhore “Histori e Ballkanit”. Por studimi objektiv e shkencor i kësaj vepre, të çon tek mendimi se, Noli ishte, jo vetëm intelektual poliglot, por dhe patriot demokrat. Ishte veprimtaria diplomatike këmbëngulëse, brilante dhe e argumentuar e tij, që ndikoi, që presidenti amerikan atëmot, Willsoni, të mos jepte pëlqimin për copëzimin territorial të Shqipërisë, tezë e fabrikuar në kulisat politike e diplomatike të Fuqive të Mëdha të Evropës dhe të vendeve ballkanike përmes disa traktateve të fshehta. Këto i pohon me gojëplot Xh. Kastellani, por togfjalëshin e mësipërm, gjykoj se e artikulon, ndoshta i ndikuar e duke iu referuar disa analistëve, të shprehur jo pak herë në këtë çështje. Edhe në tetor 2004, media shqiptare, jo pa shqetësim shprehet për një botim në SHBA, që hedh tis mjegulle mbi figurën e Nolit, duke e konsideruar këtë veprim si një synim për të përbaltur kulturën shqiptare në tërësi.

Pas shpalljes së pavarësisë (28 Nëntor 1912, S.R) e në vijim, një kusht i domosdoshëm për njohjen e shtetit shqiptar ishte garantimi i tërësisë territoriale, (i kufijve të caktuar më 1913 S.R). Në këtë kuadër, pos veprimtarive diplomatike u kryen edhe disa veprime me karakter luftarak. Në janar 1920 në Lushnjë u mblodh një Kongres i ngjashëm me atë të Vlorës, i cili krijoi një kabinet qeveritar me në krye Sulejman Delvinës, një mik i vjetër i I. Qemalit por edhe statist me vlera, i çmuar prej disa personaliteteve të kohës. Kjo qeveri në shkurt u zhvendos në Tiranë. Këtë vit francezët largohen nga Korça, territoret ua dorëzuan autoriteteve shqiptare, dhe, pas një lufte, që ka zënë vend dukshëm në histori, në qershor 1920, italianët dorëzuan me pahir Vlorën. Ndërkohë Noli shkon në Gjenevë për të mbrojtur me diplomaci fleksibël çështjen shqiptare, prandaj Lidhja e Kombeve e pranoi Shqipërinë anëtare, në dhjetor 1920, vetëm me votën “kundra” të Francës. Konkluzioni mbetet i qartë, këto mendësi dhe qëndrime praktike, por edhe të tjera, nuk mund të vlerësohen dhe as të çmohen veprime tërësisht të një “Peshkopi të Kuq”.

Në dhjetor 1924, qeveria e Nolit u rrëzua përdhunshëm. Xh. Kastellan pohon edhe sa vijon: “… Zogu, i strehuar në Beograd përgatiti ndërhyrjen ushtarake me ndihmën e ushtrisë jugosllave dhe të veteranëve ushtarakë rusë të Vrangelit…”, duke hyrë në Tiranë. I mposhtur prej kundërshtarëve të tij, i dënuar bashkë me disa bashkëpunëtorë dhe, sidomos kur filluan “të lahen” hesapet me Avni Rustemin, Luigj Gurakuqin, Bajram Currin, Zija Dibrën, e të tjerë më pak të njohur se këta, Noli ekspozoi tipare të mirëfillta të një “Peshkopi të Kuq”, bile edhe mjaft rebelues. Në publicistikën e tij gjithnjë më dendur e më ashpër, bëhet thirrje për rrëzimin e pushtetit me dhunë, metodë kjo tamam komuniste, bile populli të përdorë grushtin “… mbi kokën e kusarëve, që të vjedhin kur ke, e të tallin kur zgjat dorën”, artikulohet Noli.

Në të pastajmen, me konsolidimin e regjimit shtypës dhe rritjen e dhunës shtetërore mbi popullin, lind e shtohet edhe zhgënjimi i Nolit, i cili arrin deri në deziluzion të plotë, çka u shoqërua me tërheqjen plotësisht nga politika. Ai, me dhembje dhe sinqeritet të plotë pohon se, në politikë është “… zvarritur me pahir, me gjysmë zemre, i shtrënguar nga “Vatra”, prej shokëve dhe nga ndjenja e detyrës…”, pasi më së shumti ka pasur dhe ka ambicie për të shërbyer në fushën e letrave, e cila, sikurse pohon vetë, “… është dhe do të jetë kryefusha e ime, e lirë nga konkurrenca bashibozuke, plot me gëzime intelektuale, mjaft e gjerë sa të kënaqë edhe ambicien më të madhe, pa pusira…”.

Pas kësaj periudhe hasim në disa qëndrime të Nolit, (ndoshta të kushtëzuara dhe të imponuara S.R), të cilat qartazi “çojnë ujë” në monopatin “Noli–Peshkop i Kuq”. Kështu, në kuadrin e veprimtarisë diplomatike për njohjen e qeverisë që drejtoi, si dhe për zgjerimin e marrëdhënieve me vende e popuj të tjerë, ai midis të tjerash realizoi edhe një vizitë zyrtare në Rusinë Sovjetike pas Revolucionit të Tetorit, veprim kompromentues për personalitetin e tij të spikatur. Po ashtu në vitet 1945-1950, i entuziazmuar nga përfundimi i Luftës II Botërore, e sidomos nga propaganda komuniste që iu bë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Shqipërisë, ai mbajti qëndrim pro regjimit që u vendos në Shqipëri, veprim që nuk gjeti pëlqimin e Perëndimit.

A ishte Noli – antikomunist?!!

Duke qenë në thelb demokrat konsekuent, natyrshëm ishte dhe mbetet antikomunist. Është e qartë që Noli në Shqipëri punoi përkrah patriotëve të shquar dhe demokratëve të ndershëm A. Rustemi. H. Prishtina, Z. Dibra, Hoxhë Kadri Prishtina, L. Gurakuqi, B. Curri e mjaft të tjerëve, të cilët i pati bashkëpunëtorë dhe bashkëluftëtarë besnikë, të ndershëm e të vendosur. Edhe në emigracion pranoi për shokë, bashkëpunëtorë dhe bashkëluftëtarë patriotë të tjerë si F. Konica me shokë. Noli pranonte me dëshirë mbi krye personalitete të huaja të kohës që spikatnin në luftën për demokraci e prosperitet, por edhe të tjerë që kishin hyrë në histori meritueshëm si Willsoni dhe Abraham Linkolni në SH.B.A, Mustafa Qemali në Turqi, e të tjerë, të cilëve edhe u referohet me respekt gjatë veprimtarisë së tij. Ai perifrazon Linkolnin, i cili pati mençurinë të evidentojë forcën realizuese të popullit kur shprehet edhe sa vijon: “Mund të gënjesh një pjesë të popullit për ca kohë. Mund të gënjesh edhe tërë popullin për ca kohë. Po kurrë nuk mund ta gënjesh popullin e tërë për tërë kohën”.

Vlerësimin e Nolit si antikomunist e bën njëri prej bashkëpunëtorëve të tij më të afërt në mërgim. Ky është Faik Konica, i cili pranon se Noli ka qenë njeriu, i cili ka luajtur rol të madh në lëvizjen shqiptare, dhe se do të mbetet në histori të Shqipërisë si Burri që i pari futi zyrtarisht gjuhën shqipe në meshë. Pohimi që bën F. Konica për Fan Nolin se, për “… nga kultura, nga mendësia dhe nga karakteri i tij… u ngjan kishtarëve të Përlindjes Italiane”, na çon në përfundimin se Noli mbetet një nga figurat me përmasa të mëdha në fushën e qeverisjes dhe të administrimit të komunitetit shqiptar në demokraci dhe jo në autokraci.

Në të pastajmen, mendimi demokratik dhe antikomunist i Nolit evoluon, për të ardhur në vitin 1956, kur në mënyrë kategorike refuzoi ftesën për të vizituar vendin e tij, të cilin e donte shumë, por që nuk mundi ta shohë më nga pranë.

Kështu, mund të artikulojmë me plot gojën se, Noli mbetet një personalitet që i bën nder të veçantë kombit tonë. Ai kurrsesi nuk mund të mënjanohet, për më tepër të harrohet. Ishte i Madh, i Lartë dhe i Gjerë në shpirt, në intelekt, në atdhedashuri, e në gjithçka të vyer për një njeri. Ishte dhe mbetet vigan, krahas viganëve të tjerë, të cilët i pranonte si bashkëshokë e bashkëluftëtarë. Prandaj mund të mbetet apo të shërbejë si një pikë referimi për politikën shqiptare e cila duhet të jetë e një mendjeje dhe e një qëndrimi e veprimi kur bëhet fjalë për interesat dhe aspiratat e popullit shqiptar për t’iu bashkuar Perëndimit të Demokratizuar.