Fan Noli, kryeministër i qeverisë demokratike, 1924

3590
Sigal

Nga prof. Nasho Jorgaqi

Masat e para që mori Noli kryeministër, filluan nga thjeshtësimi i aparatit shtetëror (deri në 25%), nga ulja e rrogave të funksionarëve (deri në 40%, duke vënë veten në krye), nga tentativa për të larguar nëpunësit e diskredituar politikisht e moralisht. Por ai nuk mendoi sa duhet se reformat që do të ndërmerrte, s’mund të realizoheshin duke lënë jashtë shumë njerëz të devotshëm të “Bashkimit” e të “Vatrës”. S’mjaftonin disa funksionarë dikasteresh apo ndonjë prefekt që emëroi, as fakti që caktoi poetin S. Maleshova si Sekretar të Përgjithshëm të Kryeministrisë ose vatranin A. Frashëri si sekretar të kabinetit të tij. Ky sektarizëm vinte ndoshta nga që i druhej radikalizmit të tyre ose nga që s’pati besim, pse shumica ishin të rinj e të papërvojë. Kabineti i ri, ndonëse u prit me entuziazëm nga populli dhe u përshëndet formalisht nga qeveritë evropiane, nuk arriti të bëjë as betimin zyrtar. I vetmi regjent që kish mbetur, S. Peci, iu shmang këtij akti duke u larguar nga posti për arsye shëndetësore në fillim të korrikut. Noli, që i dinte arsyet e vërteta, pati megjithatë urtësinë t’i dërgojë një telegram urimi për shërim dhe kthim të shpejtë në detyrë. Dorëheqja, në fakt, jo vetëm nuk ishte ogur i mirë para opinionit, por qe dhe pengesë në hapat e parë të procesit të legalizimit të qeverisë së re. Noli, sipas nenit 51 të Statutit, mori atëherë dhe detyrën e Këshillit të Naltë. Ishin mbi dyzetë projekt-dekretligje që prisnin firmën e regjentit të munguar. Para kësaj situate, Noli nuk u zmbraps. Ndoshta, e kish parashikuar qëndrimin e njohur kundërshtues të mikut të vjetër. Në vesh i kishin ardhur dhe fjalët, që Peci mes të tjerash kish thënë për të “Do të na vërë zjarr, evgjiti i Edërnesë!” Por populli e donte dhe e adhuronte. Nga ajo kohë vijnë fjalët: “Dashuria jonë për Nolin s’ka kufi.” “Ai, me mjekrën që i varej në kraharor, dukej si një shqiponjë hijerëndë dhe e patrembshme.” “Me Nolin si udhëheqës, puna më e rëndë bëhej më e lehtë.” Zjarrin, në të vërtetë, nuk e kish ndezur Noli, po zemërimi i popullit të pakënaqur nga padrejtësitë e qeveritarëve të vjetër dhe mbrapshtitë e bejlerëve. Misioni historik i qeverisë që ai kryesonte, ishte ta vinte Shqipërinë në rrugë të mbarë. Prandaj, pas masave të para administrative, Noli i hyri punës për zbatimin e programit qeveritar. Atë e priste një mal me detyra, që kishin të bënin me probleme të shumta politike dhe sociale e mbi të gjitha me probleme të vështira ekonomike.

Gjithë vendi i kish kthyer sytë nga ai. Pasi ndau mendjen për të mos bërë zgjedhje, duke e ndjerë veten të lirë nga çdo pengesë kushtetuese, kryeministri u hodh në veprime konkrete. Nxori dekretet e para: nënshkroi vendimin për ngritjen e Gjyqit Politik për kundërshtarët politikë, atë të çarmatimit të popullsisë, të konfiskimit të pasurive të të arratisurve. Por detyra më e madhe e më e vështira para qeverisë së tij ishte çështja agrare, që kish të bënte me fatin e pjesës dërmuese të popullit. Fshatarësia e patokë, e varfër dhe e shtypur kish kthyer sytë nga ajo. Që në javët e para bujqit e Myzeqesë i kërkuan kryeministrit me anë të peticioneve, por dhe duke çuar një delegacion në Tiranë, që të zgjidhte sa më parë problemin jetik të tokës, që u kish premtuar. Në telegramin e përgjigjes që u kthente të 18 fshatarëve të Myzeqesë, Noli premtonte se “Kabineti i sotmë ka në program mirësimin e gjendjes së bujqëve dhe ka për të marrë masa të shpejta për këtë qëllim. E para do të jetë zhdukja e sistemit të iltizam dhe myltizimeve, të një sistemi që e kanë munduar popullin e mjerë qindra vjet me rradhë”. Shqetësimi dhe përkujdesja e Nolit për fshatin u dukën fillimisht në përpjekjen për sekuestrimin e tokave të bejlerëve të arratisur, e akoma më shumë në ligjin për lehtësimin e fshatarësisë nga taksat. Por problemi agrar ishte shumë më i gjerë e kompleks. Prandaj Noli, duke qenë i ndërgjegjshëm për këtë, urdhëroi ngritjen e një komisioni të posaçëm pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe porositi prefekturat që të studionin gjendjen e bujqve për çdo krahinë. Ai, ndërkaq, u njoh me ligjet dhe përvojën e reformave agrare të vendeve të tjera. Por presioni nga poshtë sa vinte e shtohej. Atë që s’arrinte ta bënte qeveria, fshatarët zunë ta bëjnë vetë. Në Fier, ata, bashkë me tregtarët, e transferuan pazarin nga tokat e bejlerëve në tokat e shtetit. Kjo ndezi menjëherë një konflikt të ashpër, aq sa Qemal bej Vrioni shtiu njerëz dhe vrau dy fshatarë. Qeveria, me këtë rast, në vend që të solidarizohej me fshatarët e të tregonte forcën e shtetit, mori anën e bejlerëve për shkak të ligjeve në fuqi. Ky incident dhe raste të tjera e bënin Nolin të mendonte për vështirësitë e mëdha që kish zgjidhja e problemit agrar në vendin e tij. Informacionet që i vinin nga Komisioni pranë Ministrisë së Bujqësisë ia vërtetonin këtë. Madje, pengesat dhe rezistenca dukeshin qartë dhe në instancat e larta të shtetit. Vetë regjenti S. Peci ishte kundër. Ai nuk do të firmoste as dekretligjin që urdhëronte të drejtën e përdorimit të ujit të bejlerëve nga fshatarët. Po kështu, as bëhej fjalë për dekretin e sekuestrimit të tokave të bejlerëve të arratisur. Kundër ishin dhe pjesa më e madhe e kabinetit të tij. “Pata shumicën, do të shkruante Noli më vonë, kur në program futëm reformën agrare. Mbetëm pakicë kur erdhi puna për ta zbatuar atë”. Mbështetësit e vërtetë qenë S. Vinjau dhe Q. Koculi, kurse L. Gurakuqi u tregua i pavendosur, duke kërkuar kujdes dhe maturi. Nolit i duhej ta përballonte këtë situatë. Por dhe ai vetë, me sa duket, nuk ish i përgatitur sa dhe siç duhet tani që kish ardhur koha për zbatimin praktik të kësaj reforme madhore. Nuk mjaftonte t’i ndjeje dhe t’i kuptoje nevojat e aspiratat e fshatarësisë, siç ndodhte me Nolin.

Duhej vendosmëri e guxim për t’iu kundërvënë stuhisë armiqësore të bejlerëve e opinionit konservator, por dhe gjendjes së përgjumur e të indiferencës të fshatarësisë shqiptare, e cila, me disa përjashtime, tregohej e pasigurt dhe skeptike për ndryshimet që do të sillte reforma agrare. Ishin këto rrethana që e bënë Nolin te zgjidhte një rrugë të mesme, zbatimin e një reforme agrare të kufizuar: t’u jepeshin toka fshatarëve pa tokë nga shpronësimi i tokave të shtetit, pa i prekur fare pronat e bejlerëve. Një hap ky i druajtur, që tregonte për dilemat dhe vështirësitë e kryeministrit, por që nuk i kënaqte elementët përparimtarë, të cilët prisnin nga Noli të godiste bejlerët. Modelet që jepte bota ishin të qarta, vetëm duhej guxim dhe vendosmëri. Gazeta “Bashkimi”, organ i shoqërisë me të njëjtin emër, që zuri të dalë nga fillimi i korrikut, u bë zëdhënëse e opinionit antifeudal. Duke mbajtur shpresa te Noli, ajo i kujton atij se në Parlament ai “kish përsëritur shpesh fjalën “yrysh”, po sot na duket se ka ardhur koha t’i themi zotërisë së tij: Yrysh!” Djalëria e Bashkimit, që nuk bënte pjesë në qeveri, por e përkrahte atë, tregohej e gatshme të godiste bejlerët dhe forcat e vjetra. Duke mos u mjaftuar vetëm me mitingje e demonstrata, ajo kaloi në veprime të dhunshme, ku rrihte e demaskonte publikisht bejlerët nëpër sheshe e rrugë, i detyronte të pinin vaj recini. Një bej nga Vlora, madje, e detyroi të ecte në këmbë deri në Fier. Noli, megjithëse e pëlqente vrullin e rinisë, nuk pajtohej me disa nga veprimet ekstreme të saj dhe s’kish gisht në to, siç e akuzonin kundërshtarët. Shtypi progresist do t’i bënte jehonë zhgënjimit që po shfaqej. “Luftë sentimentalizmit dhe shpirtbutësisë, shkruante “Bashkimi”. Vetëm duke vepruar në mënyrë radikale kënaqet populli”. Kurse gazeta “Politika” ngrinte zërin: “Neve nga ky revolucion presim punëra të mëdha e të mbara për popullin … se përdita nuk bëhen revolucione”. Noli pa dyshim që shpirtërisht ishte me djalërinë, me frymën e ndryshimeve, por jo të ndryshimeve të shpejta e aq më tepër radikale. Këto kërkesa vinin nga poshtë, kurse lart, ku gjendej ai, as që flitej për ndryshime të tilla. Ministrat e tij jo vetëm nuk rrezikonin të ndërmerrnin hapa të guximshëm, por as nuk diskutonin seriozisht për të bërë diçka ndryshe nga qeveritarët e mëparshëm. Për ta mjaftonte rrëzimi i Zogut dhe ardhja e tyre në pushtet.

Mungesa e iniciativës dhe e vendosmërisë së Nolit për të nisur nga ndryshimet, nuk vinte aq nga shkaku se nuk gjente përkrahjen e kabinetit, sesa nga fakti tjetër që akoma ai nuk ishte bindur se shoqëria e prapambetur shqiptare qe e përgatitur për të t’iu nënshtruar qilizmave serioze politike e sociale. Kësaj të fundit, i shtohej qëndrimi i rezervuar dhe sinjalet shqetësuese që arrinin nga jashtë. Fuqitë e Mëdha i ndiqnin me kujdes zhvillimet në Shqipëri dhe veprimet e qeverisë që kish ardhur në pushtet me dhunë. Sipas tyre, qeveria, përpara se të bënte reforma, duhet të zhvillonte zgjedhjet për t’u legjitimuar. Noli, ndonëse ishte i ndjeshëm ndaj qëndrimit të ndërkombëtarëve, prapë nuk ia vuri veshin kërkesave të tyre për legjitimimin e qeverisë. Por kjo nuk do të thoshte se ai i shpërfillte. Përkundrazi, duke qenë diplomat me përvojë e duke i njohur mekanizmat që vepronin në qarqet politike, të cilët drejtonin fatet e botës, Noli i kushtoi vëmendje të madhe. Madje, siç u duk dhe më pas, atë do ta shqetësonte aq shumë njohja ndërkombëtare e qeverisë sa problemet e jashtme do të zinin më shumë vend në veprimtarinë e tij sesa ato të brendshmet. Kish në këtë mes një kontradiktë, që euforia nuk e la Nolin ta kuptonte: edhe pse legjitimiteti ndërkombëtar i qeverisë së tij varej nga zhvillimi sa më i shpejtë i zgjedhjeve, ai këmbëngulte, përmes një veprimtarie të dendur diplomatike, për njohjen e saj. Shpresonte në njohjet dhe në emrin e nderuar që gëzonte në qarqet diplomatike. Po a mjaftonin vetëm këto tani që kish ardhur në pushtet? “Një personalitet mjaft piktoresk, do të shkruante më vonë diplomati italian P. Kuarone, inteligjent e i kulturuar dhe me ide politike socializante … por jo fort i qartë”. Dhe që s’ish fort i qartë, u duk në hapin e parë diplomatik që hodhi: më 4 korrik ai firmosi vendimin e posaçëm, me të cilin i propozonte qeverisë sovjetike vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Në fakt, ky proces kish nisur që disa muaj më parë, kur H. Prishtina dhe B. Curri kishin marrë kontakt e kishin biseduar me ambasadën sovjetike në Romë dhe më pas me atë në Vjenë. Por e zyrtarizuar dhe nga qeveria revolucionare e Nolit, tingëlloi ligsht dhe u mor si një sfidë ndaj diplomacisë borgjeze. “Fan Noli, do të qortonte ato ditë gazeta e Londrës “Daily Telegraph”, do të pendohet që u shpejtua të vendoste marrëdhënie të plota diplomatike me qeverinë sovjetike”. Reagimi i hidhur i qarqeve diplomatike qe i menjëhershëm: veprimi i Nolit jo vetëm nuk u mirëprit, por u konsiderua si një arsye tjetër e mjaftueshme për të mos e njohur dhe mbështetur qeverinë e re. Noli e kuptoi shpejt se ishte nxituar, por tanimë hapin e kish hedhur. Një hap i paprecedent për kohën, të cilin ai më shumë sesa një veprim të qëllimshëm politik, e konsideronte një akt pavarësie. Po a mund të kish pavarësi në xhunglën e politikës europiane? Ndërkaq, sovjetikët e përshëndetën, duke u treguar të gatshëm dhe këmbëngulës që kërkesa e palës shqiptare të realizohej sa më parë. Zemërimi i kancelarive të huaja nuk përmbahej. Noli u pendua më pas dhe desh të tërhiqej, por ishte vonë. Ishte vonë, pasi, krahas njohjes nga shteti sovjetik të qeverisë së tij, ai u gjend para solidaritetit të forcave të majta europiane. Federata Komuniste Ballkanike dhe Partia Komuniste e Italisë do ta përshëndesnin me anë të një thirrjeje fitoren e revolucionit në Shqipëri dhe qeverinë, e dalë prej saj.

Ato do ta cilësonin atë si një lëvizje “për zhdukjen e feudalizmit mesjetar në Shqipëri dhe për fitoren e lirive demokratike” dhe ftonin punëtorët dhe fshatarët shqiptarë të ishin vigjilentë, duke i siguruar mbështetjen e tyre. Një solidaritet i tillë s’kish si të mos përkëdhelte sedrën e Nolit, të cilit i pëlqenin shtigjet e pashkelura, por dhe ndjente një farë afërsie shpirtërore me të majtën. Megjithatë, kryeministri i ri i Shqipërisë do të tregohej aq i mençur dhe realist sa të kuptonte se fati i qeverisë së vet nuk varej nga ato forca, që po përpiqeshin të ndryshonin botën, por nga ato që aktualisht e drejtonin botën. Kështu, traktativat në politikën e tij të jashtme i nisi nga kontaktet me shtetet fqinje, por, me përjashtim të Greqisë që i njohu legjitimitetin, ndoshta edhe se kish për president të Republikës një arvanitas, me të tjerët hasi në vështirësi të pakapërcyeshme. Në qoftë se shtypi italian e përkrahu, qeveria u lëkund, madje u përpoq të përfitonte nga rasti, duke i vënë kushte për ta nënshtruar. Qëndrimi i Jugosllavisë ishte armiqësor si për shkak të përkrahjes së irredentizmit nga Noli, ashtu dhe të rolit që ajo mori si strehuese e Zogut dhe e detyrave që do t’i ngarkonte momenti politik, si avantpost i reaksionit ndërkombëtar. Nga Franca liberale Noli nuk e priste qëndrimin ekuivok që mbajti, duke i dhënë vetëm përkrahje morale. Iluzionet iluministe e shtynin të besonte se Europa e civilizuar do ta mbështeste qeverinë e tij, të paktën si një kabinet antifeudal, që do të shpëtonte popullin nga errësira mesjetare. Shpresa e tij më e madhe ishte Anglia dhe kjo jo aq se Mbretëria e Bashkuar, siç mendonte Noli, kish ndihmuar në pavarësinë e Shqipërisë më 1913-n, sesa për faktin se aktualisht ish në fuqi për herë të parë një qeveri socialiste. Prandaj dhe telegramin e parë, me kërkesën për njohje, do t’ia drejtonte kryeministrit MacDonal. Ai ndërkaq harronte se, pavarësisht nga ndërrimi i qeverive, politika konservatore angleze nuk ndryshonte. Ajo shikonte thjesht interesat e saj tradicionale dhe ndryshimet në Shqipëri duheshin parë në përputhje me këto interesa. Për Londrën ardhja e Nolit në fuqi kish qenë problematike që në fillim. Me kohë atje ishte përcjellë një opinion negativ nga Ministri i saj Eyers. Diplomati aristokrat, që kish manifestuar jo një herë përkrahje e simpati për Zogun dhe bejlerët, nuk e kish parë asnjëherë me sy të mirë Nolin liberal, aq më tepër kur ai u vu në krye të vendit. Por dhe Noli nuk e kish duruar konservatorizmin e Eyers-it dhe ia kish shprehur haptazi kundërshtimet dhe antipatinë e tij. Sipas të ngarkuarit amerikan, G. Smith, Eyers-i i kish thënë njëherë se Noli duhej varur, kurse Noli e kish porositur mikun e përbashkët që, “kur ta takosh, futi një grusht nga unë”. Natyrisht, më shumë sesa çështje antipatish personale, kjo ishte çështje konceptesh dhe pozicionesh të kundërta politike. S’mund të pajtohej konservatorizmi i njërit me liberalizmin e tjetrit. Dhe, ndonëse Eyers-i u largua përkohësisht, kur Noli erdhi në pushtet, qëndrimi zyrtar i Londrës ishte tanimë i përcaktuar. Pasardhësi i tij, R. Parr-i, ndonëse në dukje tregonte simpati për Nolin, në të vërtetë s’kish besim dhe ish skeptik për politikën e peshkopit liberal. Në kushtet e reja Noli kujtoi se politika angleze mund të korrigjohej. Në telegramin dërguar Ministrit shqiptar në Londër, M. Konicës, i vë në dukje se Eyers-i ka përkrahur qeveritë feudale për të shtypur revolucionarët dhe me qenë se ka humbur çdo simpati, ai nuk është më person i përshtatshëm për zhvillimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. Qëndrimi jorealist i Nolit ndaj politikës britanike shkon më tej, kur më pas i përcjell kryeministrit MacDonald një mesazh me anë të Legatës së tij. Në mesazh, i nxitur nga një solidaritet naiv socialist, merr guximin jo t’i lutet, por të ngulë këmbë për njohjen zyrtare të kabinetit të vet. Madje, me këtë rast, denoncon Eyers-in si njeri që, duke qenë i implikuar në ngjarjet e qershorit, nuk mund të jetë objektiv për të gjykuar qeverinë e re dhe se ky diplomat do t’i ndihmonte feudalët e arratisur të ktheheshin në pushtet. Një rast i tillë i paprecedent do të merrte përgjigje alla angleze. Ministri shqiptar jo vetëm nuk u prit nga MacDonald-i, duke ia refuzuar diplomatikisht takimin, por iu kthye mbrapsht dhe mesazhi i Nolit me arsyetimin e qartë se bënte “Vërejtje serioze në adresë të Ministrit të Madhërisë së Tij”. Mungesa e taktit dhe mirëbesimi naiv i kishin kushtuar shtrenjtë kryeministrit shqiptar. Pas dështimit të aksionit diplomatik në Londër, Noli nisi nga përpjekjet për të sqaruar dhe për t’u afruar me Të ngarkuarin e përkohshëm, R. Parr-in. Përpara se ta takonte atë në fillim të korrikut, kish dërguar Xh. Vilën, përfaqësues të Ministrisë së Jashtme, dhe ishte vënë në korrent për opinionet e pakënaqësitë e tij. Pas kësaj, ai desh patjetër të merrte kontakt drejtpërdrejt. Takimit i parapriu një mesazh , nëpërmjet të cilit kryeministri lavdëronte shërbimet që i kish sjellë Anglia pavarësisë së Shqipërisë dhe i shprehte dëshirën për t’u takuar, qoftë dhe në rezidencën britanike në Durrës. Parr-i e pranoi, por me kusht që takimi të ishte rigorozisht privat dhe të bëhej në një terren neutral. I shqetësuar, madje, se mos ky rast shfrytëzohej për qëllime politike, shprehte gatishmërinë që të shkonte ai në Tiranë. Takimi u organizua më 6 korrik, në një drekë pune, në të cilën kryeministri parashtroi kërkesat e tij që s’ishin të panjohura për diplomatin anglez.

Vijon nesër…