Familja Vlora,  afro 350 vjet  ka qeverisur Vlorën

4620
Sigal

Eqerem bej Vlora, e ka quajtur Ismail Qemalin“yll i fisit të Vlorajve”.

Familja Vlora, me origjinë nga Kanina e Vlorës, për shekuj me radhë, ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë dhe veçanërisht të Labërisë dhe të Vlorës.

Kjo familje ka mbajtur ofiqin më të lartë të Sanxhakbeut të Vlorës, mëkëmbësit të Sulltanit, për afro 350 vjet, që nga viti 1481 deri në vitin 1828, jo vetëm “de jure”, por edhe “de facto”.

Edhe pas vitit 1828, kjo familje vazhdoi të ushtrojë ndikim të madh në historinë e Shqipërisë, veçanërisht në krahinën e Labërisë.

Më 28 nëntor 1912, është po kjo familje që i dha historisë Ismail Qemal Vlorën, Atin e Kombit tonë, njeriun që krijoi Shtetin e Pavarur Shqiptar, pas 500 vjet robërie.

Si themelues i kësaj familje, njihet Sinan Pashë Vlora, (1455 – 1505). Më 1481, ai ishte admiral i Madh dhe Kapedan i deteve, ish-Vezir i Madh i Perandorisë Osmane.

Sipas Ismail Qemalit “Familja jonë, falë prejardhjes së lashtë dhe karakterit të veçantë gjeografik të vendit ku kishte influencë e pushtet, ka ushtruar në të gjitha kohërat një ndikim shumë të madh në punët dhe fatin e Shqipërisë. Për mëse katër shekuj familja jonë ka gëzuar respekt të lartë nga Perandoria Osmane, ndonëse herë pas here edhe ka vuajtur së tepërmi nga mbrapshtitë, tirania dhe tekat e sundimtarëve absolut osmanë”.

Rrallë ndodh në histori që kur shkruhet për ndonjë  figurë historike të përmendet pak ose aspak familja e tij. Përkundrazi, historianët «gërmojnë» edhe në skutat më të thella për të hedhur dritë mbi paraardhësit dhe pasardhësit e një figure historike. Me Ismail Qemalin historiografia jonë veproi ndryshe. Për familjen e tij as që u fol ndonjëherë! Indianët kanë  përmbledhur, në 100 vëllime, me rreth 50.000 faqe, veprën e Njeriut të madh, të tyre Gandit, po ne ?           Veçojmë këtu Prof. Dr. Bardhosh Gaçen, në krye të shoqatës “Ismail Qemali” dhe Dr. Bujar Leskaj, në krye të Institutit të Studimeve Politike “Ismail Qemali”, të cilët nuk u lodhën asnjëherë për të publikuar dhe lartësuar veprën e Ismail Qemalit dhe pasardhësve të tijPema gjenealogjike e Ismail Qemalit, mbetet ende një portret emblematik, për të cilin ka pak njohuri, prandaj është e nevojshme ta trajtojmë këtë temë, sado shkurt, sepse ajo lidhet me emrin e familjes Vlora, që për shekuj ka luajtur një rol të madh në historinë e Shqipërisë dhe veçanërisht të Labërisë.

 BREZAT E FUNDIT TË FAMILJES VLORA

 MUSTAFA PASHË VLORA (1824-1885), vali i Bullgarisë Veriore dhe i Kretës.

Një figurë e shquar e familjes Vlora, gjyshi Eqerem bej Vlorës, një nga eksponentët kryesorë të Lidhjes Shqiptaretë Prizrenit, anëtar i Komitetit të Fshehtë të Janinës dhe i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, i njohur me emrin “Komiteti i Stambolli”. Ka qenë po ashtu anëtar i delegacionit që do të paraqiste dhe mbronte përpara Portës së Lartë rezolutën e nënshkruar nga Kuvendi i Dibrës, 1 nëntor 1878, e cila përmbante po ato kërkesa që shtroheshin në programin e Komitetit të Stambollit. Mustafa Pashë Vlora ka vepruar për Lidhjen e Prizrenit edhe si kryetar i degës saj në Vlorë. Pas shtypjes se Lidhjes u arrestua dhe u internua ne Çarmakala, ku u mbajt në një kështjellë për tre vjet i mbyllur.

Mustafa Pashë Vlora pati tre djem:

1. Ferit Pashë Vlora ( 1852 – 1914), vali i famshëm i Konjës. Ministër i brendshëm i Perandorisë Osmane. Nga viti 1903 deri 1908, ish kryeministër pranë Sulltan Abdyl Hamitit, 16 vjet anëtar i Zyrës Diktimit. Më 23 korrik 1908 u pushua nga posti i kryeministrit, po Sulltani e mbrojti duke e emëruar kryetar të Senatit.

Ferit Pashë Vlora pati dy djem:

–          Nuredin bej Vlora, njeri nga personazhet e këtij libri.

      –    Riaz bej Vlora. Vlorajt, pa përjashtim mbajtën një qëndrim të prerë kundër regjimit totalitar. Përveç burgjeve që ata provuan, siç tregojmë më poshtë, midis vlorajve kemi edhe një martir, dhe ky është Riaz bej Vlora, i cili vdiq nga torturat, gjatë hetuesisë, në gusht të vitit 1948. Pra familja Vlora, megjithëse zë një vend shumë të rëndësishëm për prezencën e saj në historinë e Shqipërisë, për shekuj me radhë në shërbim të interesave të atdheut, ajo u persekutua egërsisht prej regjimit komunist.

 

  1. Neshet Pashë Vlora, ishte kryembikqyrës i pasurive të kurorës dhe në Stamboll ishte këshilltar shtetëror. Kryesonte pleqësitë e fshatrave të Mesaplikut për mosmarrëveshjet e ndryshme që kishin. Në vitin 1930, ai rindërtoi një xhami në lagjen Muradie të Vlorës, që është edhe sot, atje varrosi gruan dhe djalin e tij të vetëm Servetin që vdiq në moshën 19 vjeçare dhe në fund u varros edhe vetë në këtë xhami. Nesheti ishte martuar me Zehranë, motrën e Esat pashë Toptanit. Motrën tjetër të Esatit e kishte marrë për grua Syrja bej Vlora vëllai i Neshtetit, pra dy vëllezërit kishin marrë për gra dy motra.

i Sulltanit më pas u vendos në Radhimë…

 

  1. Syrja bej Vlora (1860 – 1940), drejtor i doganave osmane, deputet i parlamentit turk, pas vitit 1908, ambasador i Shqipërisë në Vjenë në vitin 1914, kundërshtar i kushëririt të tij Ismail Qemalit. Bashkëshortja e tij ishte motra e Esat Pashë Toptanit, me të cilin nuk pati asnjëherë marrëdhënie normale. Eqeremi thotë për të atin: “Ishte një gjeni i vërtetë në fushën ekonomike dhe administrimit të pronave të familjes”.

Syrjaji pati dy djem dhe tre vajza: 

Eqerem bej Vlora (1885 – 1964). Me vendim të qeverisë shqiptare më 31 mars 2014, eshtrat e Eqerem bej Vlorës u sollën nga Vjena në Shqipëri dhe sipas amanetit të tij u varrosën në Kaninë. Pati reagime në shtyp duke thënë se nuk mund të rehabilitohen kolaboracionistët.

Safa bej Vlora (1900 –  ? )

Vajzat: Nexhati, Fezileti dhe Suadi. Kjo e fundit ishte martuar me gjeneralin turk Fuad Suad pashën. 

 ISMAIL BEJ VLORA

Ismail bej Vlora, është  gjyshi i Ismail Qemalit. Ai pati tre djem:Mahmut bej Vlora, babai i Ismail Qemalit, Selim Pashë Vlorën dhe Beqir bej Vlorën.

Ismail bej Vlora, ka qenë patriot dhe kryetar i Kuvendit të Madh Ndërkrahinor të Beratit. “Në një letër të datës 29 nëntor 1828, drejtuar pjesëtarëve të elitës shqiptare të kohës, Ismail bej Vlora i drejtohet Sulejman bej Konicës, Tahir aga Abazit (një prej bashkëpunëtorëve të ngushtë të Ali Pashës), Veli bej Grebenesë dhe krerëve të tjerë shqiptarë të viseve të jugut të Shqipërisë dhe u propozon që ata të mos merren me shtypjen e kryengritjes greke, siç ishin urdhëruar nga Porta e Lartë, por u kërkon që të takohen në qytetin e Beratit “për të diskutuar për të ardhmen e Shqipërisë me kushtin që atje të bisedojmë si bij të denjë të këtij vendi”.

Kur populli grek po luftonte për liri e pavarësi,1822-1824, në përbërjen e ushtrisë turke në Misolong ishin edhe trupat e sanxhakbeut të Vlorës, nën komandën e Sulejman pashë Vlorës, dhe kushëririt të tij, Ismail bej Vlorës. Ismail beu nuk pranoi të luftonte, u tërhoq nga lufta dhe u kthye në Vlorë. Ai u deklarua kundër sanxhakbeut dhe pushtetit qendror. Sulltani e shpalli tradhtar. Sulejmani vdiq me porosi vitin 1827, në Përmet.

Më 17 prill 1829, Sadrazemi, Mehmet Reshit pasha, i shkroi Ismail beut se kishte dalë fermani që e falte për tradhtinë në Misolong dhe e emëronte vali të tre sanxhakëve: Janinës, Delvinës dhe Vlorës, ndaj ishte i lutur që të shkonte në Janinë për të marrë dekretin në mënyrë ceremoniale. Miqtë, ndërmjet të cilëve Çelo Picari një trim besnik nga Kurveleshi, e paralajmëruan të mos shkonte në Janinë se Reshid pasha kërkonte kokën e tij. Ai nuk i dëgjoi miqtë dhe më 5 maj të vitit 1829, i shoqëruar nga 600 trima arriti në Janinë.

Pasdite i shoqëruar nga 26 trima, sapo hyri në portën e kalasë dera u mbyll dhe ata u gjenden nën breshërinë e armëve dhe brenda pak minutave të gjithë u vranë pabesisht. Trimat e mbetur u kthyen në Vlorë. Vejusha e re e Ismail beut, Nasip Hanume, e bija e Sulejman bej Vlorës, thirri përvajshëm: “Beun e latë në Janinë, turpin e morët me vete!”.Pas vrasjes së Ismail bej Vlorës, gratë dhe fëmijët e familjes Vloraj, u arrestuan, pasuria e tyre u sekuestrua dhe ata vetë u dërguan në kalanë e Gjirokastrës prej nga u liruan vetëm në vitin 1833. Pas kësaj iu kthyen pronat vetjake, por jo ato të bashkëshortit.

Vëllai i vogël i Ismail beut, Beqir beu, i cili kishte udhëhequr kryengritjet e vitit 1829, i frikësuar nga vdekja tragjike e të vëllait, mblodhi sendet me vlerë, i shndërroi në ar në Korfuz dhe shkoi në Egjipt dhe prej andej u nis për haxhillëk në Mekë. Vdiq në Xheda, nga kolera.

 Hakën e Ismail bej Vlorës

Hakën e Ismail bej Vlorës, e mori Zenel Gjoleka i Kuçit, më 1831, siç kemi përmendur më lartë. Zenel Gjoleka e kreu aktin e tij vetëm për motive nderi. Familja Vlora nuk e harroi këtë shërbim, i lidhi atij një rrogë nderi, që është paguar deri në vitin 1906, ndërsa pasardhësve të Gjolekës iu jepnin çdo vit 70 qase misër, deri në vitin 1890.

Mahmut bej Vlora.

Mahmut bej Vlora, ishte babai i Ismail Qemalit. Më 3 nëntor të vitit 1839, u shpallën zyrtarisht reformat e Tanzimatit. Më 2 mars të vitit 1847, zyrtarët turk arritën në Delvinë, për të lexuar dekretin e reformave për Labërinë. Ata nuk dinin shqip, por edhe shqiptarët nuk dinin turqisht, prandaj përkthimin e bëri Mahmut bej Vlora, që nuk e kishte harruar vrasjen e pabesë të të atit.

Ai ia përktheu popullit, dekretin sipas mënyrës së vet: “Ata kërkojnë djemtë tanë. Puna e parë do t`ua presin perçen, do t`ua marrin pushkën dhe fustanellën dhe pastaj do u veshin çitjane që të duken si gra. Në u pëlqeftë t`ua marrin të gjitha shenjat e burrërisë me të cilat keni fituar në mijëra beteja, bukur, binduni rregullave të reja, në mos atëherë vendosni vetë se çfarë duhet të bëni”. Në fakt, me këtë gjuhë, Mahmut bej Vlora i  kishte bërë thirrje Labërisë të merrte armët. Si rezultat i shtypjes dhe mohimit të të drejtave të shqiptarëve, më 1847 vala e kryengritjeve popullore kundër reformave të Tanzimatit u përhap gati në të gjithë Shqipërinë.

Kryengritjet e viteve 1847 – 1848, dështuan, edhe pse e kishin tronditur Perandorinë Osmane. Ndërmjet krerëve të arrestuar ishte edhe Mahmut bej Vlora me të vëllain Selim Pashë Vlorën, i cili u mbajt në burg më gjatë se të tjerët së bashku dy kushërinj të tij.

Pas këtij arrestimi, familja e Mahmut bej Vlorës, e udhëhequr nga nusja e re e tij me një fëmijë 4 vjeçar, Ismailin, ai që do të ngrinte flamurin në Vlorë më 1912, e shpronësuar, e mbetur në mes të katër udhëve, shkoi në Selanik. Në këtë gjendje varfërie qeveria franceze, mbështetur në miqësinë me Ismailin dhe Mahmut beun, i lidhi nuses së re dhe të birit një pension.

Mahmut bej Vlora mbeti një njeri i ndershëm dhe patriot, cilësi që i trashëgoi edhe i biri tij. Në vitin 1854, kur grekët donin të merrnin Janinën,  Mahumut beu me trupat e tij nga Labëria i prapsi ata në Mecovë. Mirëpo qeveria nuk i shpërbleu ushtarët. Krerët protestuan dhe i thanë se ata e kishin ndjekur atë duke i besuar fjalës së tij. Mahmut beu shiti të gjashtë çifligjet e tij për të paguar ushtarët  “se nuk donte ta hante fjalën  dhe të nxinte fytyrën” dhe ra në varfëri. Këtë  varfëri trashëgoi edhe i biri Ismail Qemali, siç e përshkruan edhe Syrja bej Vlora.

 III. XHAFER BEJ VLORA (1856 – 1901), ishte martuar me motrën e gjeneral Esat pashë Toptanit dhe ishte kushëri i parë me vëllezërit Ferit, Neshet dhe Syrja Vlora.

Xhafer bej Vlora ishte njeri ndër udhëheqësit e “Lidhjes shqiptarë për Toskërinë”, themeluar në Labëri për mbrojtjen e trojeve shqiptare që kërkoheshin të gllabëroheshin prej Greqisë pasi ajo kishte fituar pavarësinë, 1822, dhe akoma nuk kishte përcaktuar kufijtë me Perandorinë Osmane.

Xhafer bej Vlora  kishte dy djem:

1. Xhemil bej Vlora (1878 – 1936). Nuk pati poste zyrtare vetëm tituj dhe urdhra, nderi. Në shtëpinë e tij kishte lindur Ismail Qemali, dhe po në këtë shtëpi u mblodh Kuvendi Kombëtar që shpalli Pavarësinë e Shqipërisë më 28 nëntor 1912.

2. Siri bej Vlora (1883 – 1922). Martuar me Sadije H. Vërlaci dhe kishte tre vajza. U vra në rrethana të pasqaruara.

 YLLI  I  FISIT  TË  VLORAJVE

Eqerem bej Vlora, e ka quajtur Ismail Qemalin“yll i fisit të Vlorajve”.

Ismail Qemali, lindi në Vlorë, më 16 janar 1844. Ishte djali i Mahmut bej Vlorës dhe Hedie hanëm Libohovës. Më 1867, siç shkruan edhe vetë në «Kujtime», ndërsa ndodhej me punë në Rusçuk (Bullgari), atëherë pjesë e Perandorisë Osmane, u martua me Kleoniqi Surmeli, fisnike greke, ortodokse nga Edreneja me të cilën, siç do shprehej edhe vetë, pati lumturinë të kishte 10 fëmijë, gjashtë djem dhe katër vajza, por një vajzë vdiq herët.

 Në përjetësi

Ismail Qemali vdiq me 24 janar 1919 në Hotel “Brufani” të Peruxhias, ku ndodhej i ftuar nga Qeveria italiane, për të arritur “një marrëveshje me gjithë shqiptarët e Shqipërisë dhe delegatët e Amerikës”, për të marrë pjesë në Konferencën e Paqes, që do zhvillohej në Paris.
Më 8 shkurt 1919, sipas amanetit të lënë, trupi pa jetë i Ismail Qemalit, i shoqëruar nga katër djemtë e tij: Tahiri, Et’hemi, Qazimi dhe Qamili dhe nga përfaqësues të Ministrisë së Jashtme italiane, u dërgua me tren në Brindisi, nga ku, në bordin e torpedinieres “Alpino”, u shoqërua në Vlorë. Më 12 shkurt, në një ceremoni madhështore, u zhvillua varrimi. E gjithë popullsia e Vlorës ishte mbledhur në Skelë. Në orën 10 paradite trupi pa jetë i Ismail Qemalit, nga ndërtesa e Komandës së “Base Navale” u vendos mbi shtratin e topit. Që aty korteu i madh u nis drejt qytetit. Vlora ndodhej nën pushtimin italian dhe Komanda ushtarake italiane kishte marrë të gjitha masat që ceremonia e varrimit të mos kthehej në manifestim popullor kundër pushtuesit. Për këtë qëllim ata nuk donin të lejonin në asnjë mënyrë përdorimin e flamurit shqiptar. Si pasojë e zemërimit të popullit të Vlorës, dhe për të shmangur pasojat që do sillte një qëndrim i tillë, komanda italiane lejoi që arkivoli, ku prehej trupi i Ismail Qemalit, të mbulohej me flamurin shqiptar. Përpara tregut të madh u ndalua popullsia dhe trupi i të ndjerit, ku u mbajtën dy fjalë të përmortshme e të mallëngjyeshme, njëra prej Jani Mingës e tjetra prej Qazim Kokoshit, e ku iu bë nderimi i fundit prej ushtrisë italiane me marshin mbretëror e me ushtarë që mbajtën armët për nder. Mbas kësaj ceremonie trupin tij e shpunë në Kaninë të përcjellë prej popullit dhe ushtarëve italianë. Pikërisht këtë ditë, Ali Asllani, shkruajti poezinë “Ismail Qemali”, të cilën ua dhuroi në dorëshkrim djemve të tij. Gjithashtu, përveç kësaj poezie, Ali Asllani shkroi edhe “Varrimi i Ismail Qemalit”, në të cilën poeti shpreh gjendjen tepër të tensionuar që ishte krijuar në Vlorë, për shkak të pushtimit italian.
Gjeneral Settimio Piacentini, Komandant i ushtrisë italiane në Shqipëri i raportonte Ministrisë së Jashtme Italiane: “Sot më datën 12 shkurt 1919, në orën 10 u bë funerali i Ismail Qemalit. Sipas mënyrës së parashikuar, mori pjesë batalioni i këmbësorisë  me muzikë e flamuj. I nënshkruari udhëhoqi funeralin i shoqëruar nga shumë oficerë. Asnjë flamur shqiptar, përveç atij që mbulonte arkivolin. U mbajtën dy fjalime nga paria shqiptare që më ishin bërë të njohura më parë. Pjesëmarrje e madhe. Rregull maksimal, asnjë incident”.

*      *      *

 Ismail Qemali la  9 fëmijë

Ismail Qemali la  9 fëmijë, ndër të cilët i vetmi që nuk pranoi të largohej nga Shqipëria, me mbërritjen e komunistëve në pushtet, ishte Qamil Vlora, i fundit nga djemtë. Të gjithë fëmijët e tjerë mërguan vit pas viti, jashtë atdheut, për të mbetur atje përfundimisht.

Kohë pas kohe, në media janë shfaqur trashëgimtarë të Ismail Qemalit, ku më e njohura është Nermin Vlora, pasardhëse nga pjesa femërore e familjes së madhe që pati plaku i Vlorës. Po kështu, kohët e fundit është shfaqur edhe figura e pedagogut të Universitetit të Barit, Nedin Vlora. Ismail Qemali, me një pozitë të lartë, me kulturë të gjerë, reformator dhe liberal, do të tregonte një kujdes të veçantë për edukimin dhe shkollimin e fëmijëve të tij. Të nëntë fëmijët e Ismail Qemalit ishin të pajisur me një kulturë të gjerë, njohës të shumë gjuhëve të huaja, të shkolluar e, mbi të gjitha, atdhetarë. Gjatë përpjekjeve të tij në dobi të çështjes shqiptare, Ismail Qemali gjeti një mbështetje të madhe tek familja e tij, veçanërisht tek djemtë, dy prej të cilëve nuk iu ndanë, që nga viti 1900, kur ai u arratis nga Turqia dhe deri ditën që vdiq, më 24 janar 1919. Jo pak, por 19 vjet, ata e shoqëruan kudo dhe për pasojë ata i janë bashkangjitur emrit të madh të Atit të tyre dhe duhen vlerësuar dhe nderuar.

 Ata që shërbyen në derën e madhe të Vlorajve

Shumë vlonjatë që shërbyen në derën e madhe të Vlorajve si Shero Emin Agaj, nga Smokthina,  Refat Ali Kasaj nga Armeni etj., u bënë të njohur, u pasuruan dhe lanë emër të mirë në historinë e Labërisë apo të Shqipërisë. Xhelal Shaska nga Koculi, diplomat i më vonshëm, në moshën 14 vjeçare, mori të drejtën e studimit nga Ismail Qemali. Para se të nisej në Itali, për disa ditë ka qëndruar në familjen Vlora, të cilët u kujdesën për veshjen e tij, sipas modës perëndimore e shoqëruan dhe e sistemuan në një kolegj në Itali. Në këtë mënyrë vepronte kjo familje për shumë djem vlonjatë që dërgoheshin për studime jashtë vendit. Këta janë vetëm një pjesë fare e vogël e ndihmesës që kjo familje i ka dhënë qytetit të Vlorës për zhvillim e përparim.

 Enver Memishaj-Lepenica