Fajtorët e 14 shatorit me tank dhe antitank dhe largimi i Nanos në Maqedoni

661
Sigal

Safet Ramolli



“I PAFAJ” 14 SHTATORI
1998 ?!!!

Safet Ramolli

 

Për
nga indicia dhe motivet që e shkaktuan, për nga mënyra si u përgatit dhe u
zhvillua, për pasojat që rrodhën paskëtej, për nga mënyra si u interpretua nga
drejtësia shqiptare, dhe mjaft të tjera “për nga” të tilla, meritueshëm u mvesh
me mjaft epitete të artikuluara në formë frazeologjizmash si më poshtë: “Grusht
shteti”, “Tentativë për kryengritje të armatosur”!!!, “Marrje në mbrojtje e
institucioneve shtetërore të boshatisura”!!!, “Njollë e errët në histori”!!!,
“Imazh i keq për Shqipërinë!!!, e disa të tjera, të cilat iu bashkangjitën
thuajse organikisht ngjarjeve të 13-14 shtatorit të vitit 1998. Por gjithsesi
13-14 shtatori 1998, ditë kur u sulmuan me armë institucionet e shtetit
shqiptar, edhe pse shkaktoi gjakderdhje, stresime psikologjike si dhe dëme
materiale, mbetet i pafaj, ashtu si shumë krime të tjera të kryera në
kryeqytetin e Shqipërisë, në mes të ditës dhe në prezencë të pastër të medies.
Në fakt është një nga monstruozitetet më se absurdë të shumtë, që kanë rrjedhur
në këtë më shumë se një çerek shekulli në të ashtuquajturin “Tranzicion
shqiptar”, ose më mirë të quhet “Tranzicion allashqiptar”.

 

Parathënia e 13-14
shtatorit 1998.

 
 Edhe Kombet e tjera, fqinjë apo më tutje prej nesh, kanë përjetuar
zhvillime ngjarjesh, deri edhe të pazakonta, të cilat si një rastësi unikale i
përkasin muajit shtator. Por shtatori i vitit 1998 në Shqipëri mbetet krejt
specifik, jo vetëm për nga mënyra se si rrodhën ngjarjet, por sidomos nga
motivimet apo grupimet e forcat që përballeshin. Më 6 shtator 2002, në mbrëmje,
pas 6 vitesh, ish-presidenti i Republikës z. Rexhep Meidani edhe në atë shtator
të mbrapshtë, në një bisedë me gazetaren Rudina Xhunga në emisionin “Shqip”,
midis të tjerash edhe për ato ngjarje, afërsisht u shpreh: ishin
ngjarje të hidhura; krijuan imazh të keq për Shqipërinë; u larguan investitorët
dhe për rrjedhojë u frenua edhe zhvillimi ekonomik; u frenuan zhvillimet
progresive demokratizuese, por edhe u shkaktua humbje jetësh njerëzore…

Edhe
pse nuk bëhen analizat e shkaqeve, apo nuk evidentohen shkaktarët dhe as
që  nxirren përgjegjësitë, ndoshta ky rast mund të përbëjë prononcimin më
të plotë prej një personaliteti të lartë shtetar dhe publik deri tashmë.

 
 Në ato ditë më shumë, por edhe më vonë më pak, pati mendime se “është
një 12 shtator pastaj një 13-14 shtator”
, e lidhur kjo krejt natyrshëm me
vrasjen pas një atentati pranë selisë së Partisë Demokratike të deputetit të
PD, të ndjerit Azem Hajdari. (U kërkoj ndjesë pjesëtarëve të familjes Hajdari,
që po i referohem një ngjarjeje kaq të hidhur). Personalisht mendoj e gjykoj
se, shkaku i vërtetë duhet kërkuar diku dhe për diçka krejt tjetër, sepse asnjë
nuk do ta pranonte, sidomos tani kur gjakrat janë “ftohur”, që të veprohej me
një hakmarrje kaqë primitive duke drejtuar armët vrastare kundër policëve, e
sidomos kundër ushtarëve 19-20 vjeçar të Gardës së Republikës. Pra shkaku i vërtetë
duhet kërkuar te papajtueshmëria e tejskajshme e forcave politike kryesore, te
etja e pangopur për pushtet, te mëria e hidhur e akumuluar nga vitet e kaluara
në procesin e tranzicionit kaqë të vështirë shqiptar, te papërmbajtshmëria e
skajshme e disa liderëve partiakë, dhe mjaft të tjera si këto. Ndërprerja
makabre e jetës së të ndjerit A. Hajdari shërbeu më shumë si një pretekst se sa
si një shkak i vërtetë dhe i qenësishëm. (Fatkeqësisht askush dhe asnjë
institucion nuk ka bërë një analizë konkrete për çka ndodhi në ato ditë).

14 shtatori si i
parapërgatitur!!! Hamendësi e tejskajshme!!!

 
 Pas mynxyrës së pashembullt që ngjau në qendrën e kryeqytetit shqiptar në
mbrëmjen me shi të 12 shtatorit 1998, duke atentatuar ndaj një njeriu në
befasi, sidomos ndaj një personi publik të mjaftnjohur edhe jashtë truallit
shqiptar por edhe më gjerë, egërsia duket sikur u shpërfytyrua dhe fuqizua
skajshëm. Ndonjë media audiovizive, në vend që të rekomandonte ruajtjen e
qetësisë dhe kryerjen sa më të plotë dhe sa më mirë të detyrimeve juridike e
morale ndaj viktimës, anatemonte si dhe bënte thirrje ndjellakeqe, deri edhe
thirrje për hakmarrje masive me mjete të dhunshme. Pakkush u tregua “i duruar”,
që pas kapërcimit të momentit të parë, krejt natyrshëm të mbingarkuar
emocionalisht, të shikohej e të analizohej gjendja për të gjetur shkaktarët, si
dhe për të vënë para përgjegjësisë realisht ata. Në të kundërtën, u formuluan
sharje si dhe u lëshuan thirrje gati histerike, ashtu sikurse u bënë ultimatume
ndaj institucioneve qeverisëse dhe drejtuesve të tyre për dorëheqje pa kushte
por edhe me afat të përcaktuar, sikur kjo të ishte zgjidhja e problemit. Në
anën tjetër, edhe administrata shtetërore nuk u vu në lëvizje seriozisht për të
vënë para përgjegjësisë shkaktarët, në të kundërt ata u larguan nga kryeqyteti
thuajse qetësisht. Dy polet e politikës shqiptare nuk u treguan aspak të
gatshëm, por edhe plotësisht të ndërgjegjshëm politikisht për ta kapërcyer me
mençuri dhe maturi, por edhe me përgjegjshmëri maksimale këtë moment. Kështu,
në vend që t’i bëheshin nderimet viktimës, sepse juridikisht e moralisht i
meritonte këto, si dhe të grumbulloheshin prova materiale për krimin, u qëmtua
dhe sistemua urrejtja e akumuluar, u përhap ajo nëpërmjet medies, u përcaktuan
“fajtorët” deri edhe me emra konkretë, dhe…

  
Mandej, u vërsulën turmat e irrituara të shfrenin dufin e akumuluar me çdo
mjet, kundër mbrojtësve të institucioneve shtetërore, pa menduar aspak për
pasojat, por sidomos pa logjikuar se këta bij të popullit 19-20 vjeçar
përmbushnin një detyrim ligjor, dhe aspak detyrim si qytetarë të politizuar në
njërin apo tjetrin krah të politikës banale shqiptare.

 
 Më mirë se kushdo tjetër të vërtetën e zhvillimeve të mbrapshta, dhe
natyrshëm edhe të hidhura, të 13-14 shtatorit 1998, e dinë drejtuesit e forcave
kryesore politike, e sidomos liderët e tyre. Rreth ngjarjeve mund të gjykojnë e
konkludojnë gati të gjithë ata, që kanë parë, qoftë edhe vetëm përmes pamjeve
të transmetuara nga televizioni shtetëror më pak, dhe ato private më shumë. Por
gjithësesi më pranë së vërtetës mund të jenë edhe këto pak rreshta që vijojnë.
Ja konkretisht pa i komentuar ato.

 
 Në orarin e përcaktuar për të kryer ritet e rastit për të përcjellë
viktimën në banesën e përjetëshme, pjesa më e madhe e përcjellësve të kortezhit
të përmortshëm, duke harruar edhe qëllimin fisnik për të cilin ishin
bashkëngjitur me kortezhin, të mbingarkuar me mllef inatçor, u drejtuan drejt
institucioneve më të larta shtetërore, me synimin e paracaktuar për t’i dhunuar
ato.

 
 Në krye të turmës prinin drejtuesë partiakë të rinj e të moshuar, nga
veriu e nga jugu, me flokë e pa flokë, por gjithësesi të vrejtur, dhe që i
bashkoheshin thirrjes kobzezë “Hakmarrje! Hakmarrje!”… E habitëshme dhe e
pakuptueshme se për ku i prinin turmës?!! Ku i çonin njerëzit e irrituar?!!
Kundër kujt do të hakmerreshin?!! (Ndoshta tashmë skuqen për marrëzinë e
çastit!!! Po të qe kështu, do të ishte gjysma e së keqes).

Zhvillimi
i ngjarjeve (le të shikohen pamjet filmike) flet fare qartë se, në brendësi të
turmës mjaft militantë ishin të armatosur, deri edhe me granatahedhës
kundërtankë.

  
Pas kësaj qytetarët e Tiranës u tronditën nga breshëritë e armëve dhe
kërcëllimat e thata të granatave luftarake, ndërsa shtetasit e tjerë shqiptarë
ndiqnin me ankth përmes ekraneve televizive zhvillimin kobsjellës të ngjarjeve
nga më dramatiket dhe më të pakuptimta të ndodhura në këtë shekull, jo vetëm në
truallin shqiptar por edhe në gjithë “Kontinentin Plak”.

Dëmet
materiale më vonë u përllogaritën, kuptohet vetëm për efekt statistikor dhe
politik,  sepse askush nuk mori përsipër përgjegjësinë për përgjakjen e 12
gardistëve; askush nuk pyeti për fatin e tyre (për dy sy të humbur
përjetësisht, për një të gjymtuar në moshë krejt të re, për një tjetër që ende
nuk ka mundësi financiare të nxjerrë plumbin vrastar nga trupi, për
nëpërkëmbjen morale dhe për shpërfilljen e dinjitetit të ushtarakut e të
personalitetit të tyre). E habitshme! Ndoshta e pabesueshme! Por gjithsesi
krejt e vërtetë!!!

(Disa
nga personalitetet e politikës dhe të inteligjencies sonë, të prononcuar
ndoshta nxitimthi dhe me papërgjegjshmëri qytetare e morale në gazetën “Koha e
Jonë” më 14 shtator 2000 për ato që ngjanë pikërisht katër vjet të shkuara, le
të kenë kurajën qytetare e morale ta shikojnë të vërtetën në sy dhe të pranojnë
përgjegjësinë. Kjo do të ishte në nderin e tyre).

 
 Dhe pas këtyre që evidentuam dhe mjaft të tjerave që tashmë janë bërë të
njohura fare mirë, a nuk mund të mendojmë se plani kobzi ishte gatuar deri me
hollësi dhe duhej zbatuar sipas një urdhri të dhënë fare qartë. Kujtojmë se
ndonjë drejtues partie, i cili ishte në krye të turmës, më vonë (në tetor
1999), ndoshta edhe i penduar, është shprehur në një debat televiziv se, u
kishte dalë situata nga kontrolli.

14 shtatori: çorbë e
pështirë politikanësh!!!

 
 Meqënëse procesi i 14 shtatorit zgjati aqë shumë edhe pse ishte aqë
konkret, (ngjarjet ndodhën në mesditë dhe në qendër të kryeqytetit), dhe për më
tepër, kur disa që e mbajnë vehten për politikanë të kompletuar kanë shprehur
një qëndrim aqë antishqiptar për këtë zhvillim politik të Shqipërisë, lypset që
forcat politike, dhe veçanërisht disa politikanë, të gjejnë më mirë
përgjegjësinë si dhe ta pranojnë më me kurajë të vërtetën.

 
 Në mjaft organe shtypi partiak apo edhe “të pavarur”, si dhe përmes
konferencave të shtypit në media, në disa raste, me dashje apo padashje, i
është “fryrë” zjarrit të 14 shtatorit 1998. Natyrisht, është e drejta e
gjithkujt, individualisht apo edhe në emër të forcës politike të cilës i
përket, që të shprehet për këtë ngjarje. Por, po kaq krejt natyrshëm të gjithë
duhet të pranojnë si emërues të përbashkët të kësaj ngjarjeje se, banorët e
Tiranës përjetuan orë të tëra pasigurie; u shkatërruan vlera të konsiderueshme
materiale; u dhunuan të drejtat e njerëzve; u shpërfill morali i shoqërisë, por
u derdh edhe gjak…

Ngjarje
të tilla edhe pse mund të mbeten “jetime”, mbartin mbi shpinë turpin e atyre që
i shkaktojnë. Ato rëndojnë mbi ndërgjegjen e kombit, ashtu sikurse zenë vend
rëndom edhe në qarqet diplomatike dhe rrethet politike të botës. Katërmbëdhjetë
shtatori për të gjitha forcat politike më shumë, por edhe për çdo shqiptar më
pak, përfaqëson një moment të hidhur të historisë. Fatura e tij rëndon mbi të
gjithë, prandaj do të ishte mirë që të konsiderohet si një ëndërr e keqe… Me
14 shtatorin mund të krenohen vetëm ata që u gjakosën për shkak dhe në emër të
detyrës juridike, ndërsa gjithë të tjerët duhet të analizojnë dhe të meditojnë
për përgjegjësinë që kanë, duke i shkaktuar trauma të tilla psikologjike dhe
fizike popullit të tyre.

Nuk
është në nderin e asnjë force politike apo të asnjë politikani, që të pohojnë
krejt papërgjegjshmërisht edhe sa vijon: “… Nuk mund të bëhet fjalë
për grusht shteti kur nuk kishte shtet…
”, apo “… ndihem krenar
për atë që bëra më 14 shtator…”
 etj. Partitë politike, (disa prej
tyre) le të bëjnë lojra fjalësh, por ato së paku nuk kanë asnjë të drejtë të
fyejnë njerëzit e thjeshtë, të cilët e provuan në kurriz se ç’do të thotë të
mbijetojnë edhe parti apo individë, të cilët nën thirrjet “Hakmarrje!
Hakmarrje!” si në mesjetën e largët, vollën plumba e granata jetëmarrëse mbi
ushtarakët e popullit të tyre. Normalisht atyre, ushtarakët e Gardës së
Republikës, të cilët u gjakosën në atë katërmbëdhjetë shtator të zi, kanë të
drejtën juridike e morale t’u rikujtojnë se, ata ishin duke përmbushur një
detyrim plotësisht ligjor dhe shtetëror në kohën që u sulmuan egërsisht me
breshëri armësh dhe granata vrastare. Këta ushtarakë nuk u gjakosën as në
Afrikë e as në Azi, por në institucionin qendror të ekzekutivit shqiptar. Pra,
sikurse mund të gjykohet, institucionet nuk ishin bosh, prandaj askush nuk ka
të drejtën të ndihet krenar për gjakderdhjen e shkaktuar.

 
 Do të ishte në nderin e atyre që shkaktuan gjymtimin përjetësisht të të
rinjve ushtarakë  (dy veta humbën nga një sy, të një tjetri që lëngoi për
shumë kohë nën dhembjen e plagëve, të gjakut të nëntë ushtarakëve të tjerë),
nëse nuk kanë kurajën të kërkojnë falje, të paktën të mos trimërohen dhe as të
mos krenohen për krimin makabër të kryer.

Gjaku
nuk bije erë partish! Gjaku nuk ka ngjyrë politike apo ideologjish! Gjaku është
lëngu i jetës, dhe si i tillë ai është i barazvlerëshëm si për ushtarin, për
nënoficerin, për oficerin, për deputetin, për kryetarin e partisë, për çdo
shqiptar… Prandaj, politikanë të tillë, edhe nëse janë të pafytyrë si politikanë,
së paku le të ruajnë ndonjë tipar të fytyrës si njerëz, si shqiptarë.

Le
të kërkojnë falje kolektive për gjëmën që shkaktuan dhe për gjakun e
ushtarakëve gardistë që derdhën. Të kërkosh falje është gjest human. Të
krenohesh për krimin dhe për ngjarje kriminale nuk tregon mençuri…

Posë 14 shtatorit 1998!!!

 
 Në vend që shkaktarët dhe përgjegjësit e ngjarjes tragjike të 14
shtatorit, të kësaj njolle të zezë në historinë e konsolidimit të demokracisë
shqiptare, të përcaktonin përgjegjësitë, të formulonin mundësitë për t’u
kapërcyer dhe harruar kjo mynxyrë, filluan dhe vijuan për një kohë mjaft të
gjatë lojën tallëse me popullin e stresuar dhe me gjakun e dymbëdhjetë
gardistëve. Njera palë akuzonte për “grusht shteti”, por nga ana tjetër
nuk merrte përgjegjësinë për zhvillimet para 14 shtatorit, ndërsa pala tjetër
tirrte formulime të tipit: “nuk ishte grusht shteti pasi nuk kishte shtet”, apo
për më tej, “muarrëm në mbrojtje institucionet e boshatisura dhe nuk i
dhunuam ato
”, e mjaft të tjera si  këto. Fatkeqësisht në këtë kor
bajat politik janë bashkuar edhe intelektualë të mirëfilltë të fushës së
historisë apo edhe të publicistikës. Midis atyre dhjetwrave po sjell në
vëmendjen e lexuesit vetëm një fakt. Në emisionin “Njerëz dhe fate” të “TV
2000”, datë 5 nëntor 2001, si për ironi, dikush u shpreh edhe se, ka qenë i
pranishëm në ato zhvillime në RTV Shqiptar, “… për të ruajtur vlerat
e pallogaritshme të tij
”. Ai katërmbëdhjetë shtatorin e kualifikon si vijim
të dymbëdhjetë shtatorit pas vrasjes së deputetit të PD, të ndjerit Azem
Hajdari; veprimet e dhunshme që u manifestuan i konsideron si shfryrje e dufit
të ashpër të pakënaqësisë popullore etj. etj. Por gjithsesi nuk artikulon asnjë
fjalë për ata mbrojtës të institucioneve të shtetit, të cilët u dhunuan deri
edhe me dëmtimin dhe gjymtimin e tyre fizik.

Mandej
u formuluan edhe akuza si dhe u kryen hetimet “në dy pista”, sikurse shprehen
specialistët e fushës së drejtësisë. Por, ndërsa njera palë e akuzuar vinte në
sallën e gjyqit nga dhomat e paraburgimit, por gjithsesi pa asnjë farë pendese,
pala tjetër, edhe pse vinte nga hetimi i lirë, mendonte se sa gjak më shumë
duhej të kishte derdhur, që të mos akuzohej “… për braktisje të
institucioneve?!!”.

Dhe
pikërisht pasi kaloi një vit, pala e parë u lirua në sallën e gjyqit për të
vijuar hetimi në gjendje të lirë, pala tjetër u kualifikua jo fajtore, bile u
përgëzua se, “… kishte shmangur një konflikt të mundshëm me përmasa
të paparashikuara…”.
Mandej një pjesë e politikanëve filluan “të
rrëfeheshin” nëpër ekranet e televizioneve se, ku ishin dhe çfarë kishin bërë
më 14 shtator, duke shfletuar “ditarët e kujtimeve”. Një pjesë tjetër, si për
ironi të ushtarakëve dhe të fatit të tyre jo të mirë, në fushatat elektorale që
pasuan premtojnë paga të majme për ata në të ardhmen, bile duke “derdhur” edhe
lot për policët, të cilët kanë humbur jetën dhe kanë lënë fëmijët jetimë!!!

Jo
shumë vonë, por vetëm pas tre ditësh, nga 14 shtatori 1998, një personalitet i
lartë i politikës shqiptare, midis të tjerash u shpreh edhe sa vijon: ”…
oficerët dhe gardistët po largohen… Si ish-komandant i tyre u bëj thirrje të
kthehen në detyrë! Të qëndrojnë në detyrë!…”
. Por çuditërisht nuk merrte
asnjë përgjegjësi, jo më për streset që u shkaktoi atyre, por as edhe për
plagët që u solli… (Le të mbajmë në vëmendje se tanket e Gardës së Republikës
u rrëmbyen nga protestuesit dhe, dy prej atyre u mbajtën si peng, por edhe si
mjet kërcënimi real, në mjediset e një partie politike për disa ditë.)

 
 Por, gjithsesi edhe për një zhvillim kaq të qartë dhe konkret, faji
mbetet pa autor, apo jetim, sikurse shprehet populli për këto raste, sikur të
mos kishte ngjarë asgjë. Askush ende nuk ka marrë përsipër autorësinë,
përgjegjësinë apo fajësinë, për dymbëdhjetë efektivët e Gardës së Republikës të
plagosur, për dhjetëra të tjerë që u rrezikuan realisht nga mijëra plumba
jetëmarrës (muret e ndërtesës së Kryeministrisë janë dëshmitarë, që në heshtje
folën për mjaft kohë ashtu sikurse flasin akoma për sasinë e krismave); për
mijëra qytetarë që u stresuan; për miliona të holla që u shpërdoruan; për
imazhin e zi që transmetuam tek fqinjët dhe më tej, e shumë të tjera si këto.

 
 Katërmbëdhjetë shtatori i vitit 1998 është krejt i qartë. Ai kërkon pak
më shumë ndjenjë qytetarie dhe shumë më shumë ndjenjë ndershmërie morale. Unë
pajtohem me një qëndrim të një politikani në një intervistë dhënë në mes të
tetorit, vetëm pas një viti, kur edhe gjeti kurajën të shprehej
afërsisht: “… më 13 shtator, kur pashë ushtarët e Gardës që po
sillnin thasë me rërë, mendova me shokët se ku po shkojmë dhe çfarë po
bëjmë?!!!”.

Por
për popullin shqiptar, fatkeqësisht akoma duhet menduar për shumë gjëra të
natyrës “ku po shkojmë e çfarë po bëjmë?!!”.Natyrisht që mbetet detyrë e
politikanëve kjo, që të gjejnë rrugët dhe të përcaktojnë mjete për t’u dhënë
përgjigje shpresëmirë këtyre pyetjeve. Le të kemi besim dhe të shpresojmë (çka
duket se dhe ka marë disi për mbarë), që pyetje të tilla të bëjmë sa më pak,
apo të mos bëjmë fare në të ardhmen!

E fundit.

  
Pak ditësh nga 14 shtatori 1998, kur edhe situata u qetësua, u bë një propozim
për të shkuar tek familja e mirë, që strehoi në ato ditë të zeza ata gardistët
e mbetur në tehun e rrezikut. Por kjo u refuzua me mendësinë se, është herët
dhe mos rrezikojmë familjen dashamirëse. Por ky propozim u bë edhe një vit më
vonë, edhe dy vjet më vonë, edhe… Një vizitë që, me keqardhje duhet pohuar
se, nuk u realizua. Personalisht ndihem i detyruar, qoftë edhe moralisht për
këtë. Por ja që nuk e patën këtë dëshirë disa që e kishin plotësisht të
mundshme këtë. Ndoshta harruan, që në atë ditë kur ushtarakëve u drejtoheshin
vetëm armët dhe krismat vrastare, kjo familje ofroi strehim, ujë për të shuar
etjen përvëluese, duke marë mbi vete rrezikun që sjell një veprim i tillë në
situata të tilla. Ndoshta, dikush, që na gjykon të gjithëve, le t’ua dijë
mirënjohjen!!! Le t’ua shpërblejë atë me fat të mirë dhe mbarësi!!!