Et’hem HALILI: Enver Hoxha udhëheqësi i shquar i LANÇ, Komandant i lavdishëm i ushtrisë partizane

884
Sot, më 11 prill, mbushen 30 vjet nga ndarja nga jeta e Enver Hoxhës, figurës më të madhe dhe më të shquar që ka nxjerrë kombi shqiptar në tërë historinë e tij shumëshekullore. Ai ishte udhëheqësi i LANÇ dhe komandanti i Ushtrisë Partizane. Njerëz si Enver Hoxha vijnë rrallë. Ata i thërret në skenë koha dhe bëjnë epokë. Koha thirri në skenë Enver Hoxhën dhe Enver Hoxha iu përgjigj kohës. Ai frymëzoi, organizoi dhe udhëhoqi me zotësi të rrallë popullin shqiptar në luftën më të ashpër kundër pushtuesve nazifashistë dhe shërbëtorëve të tyre, kolaboracionistë ballisto-zogistë. Ishte meritë e Enver Hoxhës dhe aftësia e tij që në momentet e vështira që po kalonte vendi, të kuptonte kompleksitetin e situatave, të analizonte shkencërisht gjendjen dhe në morinë e kontradiktave të kohës të përcaktonte drejt kontradiktën themelore, e cila ishte ajo midis popullit shqiptar dhe pushtuesve fashistë italianë. Pas këtij përfundimi logjik Enver Hoxha përcaktoi dhe hartoi strategjinë, taktikat dhe rrugët që do të ndiqeshin. Si qëllim strategjik, që në mbledhjen themeluese të PKSH, u përcaktua: “Të luftohet për pavarësinë kombëtare të popullit shqiptar dhe për qeverinë popullore demokratike, në një Shqipëri të lirë prej fashizmit”. Për të realizuar këtë mision jo të lehtë, por të domosdoshëm, Enver Hoxha punoi me të gjitha forcat dhe aftësitë e tij prej udhëheqësi popullor për bashkimin e popullit kundër fashizmit.
Është kjo arsyeja që ai, që nga fillimi i luftës e deri në fund të saj, në çdo etapë ka vlerësuar në kohë situatat, ka mbajtur qëndrime dhe ka marrë vendimet e nevojshme. Kështu, në kohën e duhur, inicioi, përgatiti dhe organizoi Konferencën e Pezës, e cila, midis të tjerash, realizoi bashkimin e vërtetë të popullit me parrullën domethënëse: “Pa dallim feje, krahine dhe ideje”.
Në momentin e duhur kur koha e kërkonte, u themelua Shtabi i Përgjithshëm, më 10 korrik 1943, për përsosjen e organizimit të mëtejshëm të ushtrisë dhe drejtimin e saj nga një qendër e vetme duke emëruar komandant Spiro Moisiun dhe komisar Enver Hoxhën. Kështu u veprua edhe në etapën tjetër kur shtrohej nevoja për ngritjen e pushtetit të ri demokratik, apo forcimin e zgjerimin e luftës dhe zbatimin e planit për shndërrimin e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Partizane në ushtri të rregullt, u mbajt Kongresi historik i Përmetit, ku u zgjodh Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar si trupi më i lartë legjislativ, i cili, nga ana e tij, zgjodhi Komitetin Antifashist Nacionalçlirimtar me atributet e qeverisë së përkohshme demokratike, kryetar i së cilës u zgjodh Enver Hoxha, njesoi komandën e ushtrisë dhe emëroi Enver Hoxhën Komandant të Përgjithshëm. Vija e drejtë e PKSH e ideuar nga Enver Hoxha në të cilën mplekseshin çlirimi kombëtar me atë shoqëror, lufta e përpjekjet për realizimin e saj, bënë të mundur mobizlimin dhe hedhjen në luftë të popullit, i cili e përkrahu këtë vijë i bindur se ajo ishte rruga e vërtetë që do të çlironte vendin, që do të sillte lirinë e vërtetë për popullin. Por lufta nuk mund të bëhej pa ushtrinë, pa krijimin e saj, prandaj duke e vlerësuar si të dorës së parë këtë çështje, filloi puna e përpjekjet për krijimin e saj, duke kaluar happashapi nga një formë organizimi në një tjetër, duke nisur nga njësitet guerile u kalua në çeta e batalione dhe, pas krijimit të Shtabit të Përgjithshëm, u kalua në shkallë më të larta organizimi, të shkallës Operativo -Strategjike, u kalua në brigada e korparmata, ndërsa mbas Kongresit të Përmetit u bë kalimi nga ushtri partizane në ushtri të rregullt me komandë të unifikuar. Kështu happashapi ushtri u rrit në numër, u përsos në organizim, u përgatit në betejat e në luftë me armikun, u rritën aftësitë drejtuese, organizuese e ushtarake të kuadrove. Në fund të luftës ushtria numëroi mbi 70 000 partizanë nga të cilët 6000 ishin gra. 
Mbas krijimit të Shtabit të Përgjithshëm vendi e ushtria përballuan dy operacione armike: atë të Dimrit të 1943-1944 dhe atë të Qershorit të 1944 të ndërmarra nga ushtria gjermane me synimin, asgjesimin e ushtrisë partizane. Përballimi me sukses i këtyre operacioneve nga të cilët ushtria, në vend që të asgjesohej si u planifikua nga komanda gjermane, doli më e fortë e më e pjekur lidhur me aftësitë në kryerjen e veprimeve luftarake. Në 29 qershor 1944 Divizioni i parë kaloi Shkumbinin për të zbatuar urdhrin e Komandantit të Përgjithshëm Enver Hoxhës lëshuar që më 28 maj për të goditur garnizonet e forcave armike dhe qendrat e reaksionit vendas. Kalimi i Divizionit të Parë në Veri shënon fillimin e Mësymjes së Përgjithshme për çlirimin e vendit. Ajo, e drejtuar me kompetencë e zotësi nga Shtabi i Përgjithshëm dhe Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë gjeneral kolonel Enver Hoxha, vazhdoi pa u ndalur deri në fund. 
U zhvilluan beteja të ashpra për çlirimin e Shqipërisë së Mesme e të Veriut, divizionet tona kaluan jashtë kufijve shtetërorë; në Kosovë, në Mal të Zi dhe në Bosnjë e Hercegovinë deri në Vishegrad. Mësymja kulmoi me betejën e ashpër për çlirimin e Tiranës më 17 Nëntor dhe vazhdoi edhe me çlirimin e Shkodrës dhe të gjithë vendit, më 29 Nëntor të 1944. Sot, pas ndryshimeve politike të 1990-ës, LANÇ dhe Enver Hoxha, nga pozita antikombëtare, sulmohen egërsisht. Mbi ta është hedhur e vazhdon të hidhet baltë. Shpifjet e sajesat kundër Enver Hoxhës, falsifikimi i së vërtetës ndaj figurës së tij, nuk janë gjë tjetër veçse zhgaravina të ca politikanëve, historianëve e intelektualëve pa asnjë vlerë e pa moral. Për fat këta janë të pakët, janë në minorancë dhe shpifjet e tyre janë të përkohshme. Populli, shumica e duan dhe e respektojnë, ashtu siç edhe Enver Hoxha e ka dashur popullin, i ka dashur njerëzit dhe ka luftuar e ka punuar tërë jetën për ta. Pavarësisht se ç’ndodh sot, nesër do të vijë koha kur figura dhe emir i Enver Hoxhës, do të zerë vendin e nderit, atë vend që i takon në histori. Do të vijë koha që e vërteta do të fitojë mbi shpifjen dhe jeta e vepra e Enver Hoxhës do të frymëzojnë brezat.
Sigal