Ergys Alushi: Nga Kryengritja e nisur në Vlorë te Revolucioni i Qershorit. Si ndikuan atentati ndaj Zogut dhe vrasja e Avni Rustemit në dy ngjarjet historike të 1920-s dhe 1924-s

1133
Sigal

Lufta e Vlorës dhe Kryengritja e nisur nga Vlora. Si ndikuan atentati dhe vrasja e Avni Rustemit në dy ngjarjet historike

 

Qershorët e Vlorës në historinë e Shqipërisë – 1920 dhe 1924!

 

Nga Ergys Alushi

Në numrin e saj të ditës së martë. më 30 dhjetor 1924 “Gazeta e Korçës” kishte si titull të madh në faqen e parë “Ahmet Zogu në Tiranë”. Një nëntitull tjetër ishte “Qeveria e Fan Nolit shkoj në Itali”

Gazeta vazhdon me lajmin “Operacioni kundër Qeverisë së Fan Nolit mori fund me zaptimin e Tiranës. Me të hyrë Ahmet Zogu në Tiranë njëra pas tjatrës gjithë Prefekturat çfaqnë bindjen dhe u bashkuan me qendrën…Qeveria ikën për në Vlorë e s’andejmi në Itali. Të martë në mëngjes, më 23 të k.m Qeveria e Fan Nolit iku nga Tirana dhe vajti në Vlorë. Posa fuqitë e saj u shpërndanë dhe oficerët e Grupit të Përmetit u bashkuan me fuqi’e Ahmet Zogut, pardje të shtunë mbrëma Qeveria u shtrëngua të ikë e nga Vlora për në Itali, me një vapor Italian që vajti posaçërisht t’i marë. Së bashku me anëtarët e Qeverisë shkuan e disa nëpunës të lartë dhe përmbi 70 oficerë”

Situata në Shqipëri kishte ndryshuar përsëri pas 6 muajsh.

 

Komploti për vrasjen e Avni Rustemit.

 

Gazeta “Shqypëtari i Amerikës”-prill 1924

Ditën që u plagos Ahmet Zogu, kur hyri brenda në dhomën e Kuvendit, i plagosur e me kobure në dorë, u kthye dhe i pa me sy të egërt Avninë dhe Gurakuqin, kjo kish kuptimin që i kujtonte si shtytës të vrasjes.
Me këtë plagosje duhet shënuar që Ahmeti tregua aq fare pak burrë dhe aq me shpirt të vogël sa i ka çuditur ata q’e kujtonin trim me fletë dhe të patrembur.
Ahmeti i plagosur ia ngarkoi barrën e gjakmarrjes lalait të tij, Abdurahman Krosit, i cili hyri në marrëveshje me disa veta të njohur si Esadistë, që kështu vrasja e Avniut të merrte ngjyrën e ç’gjakësimit nga an’e Sadistëve.
Gjaku sipas zakonit të malësisë, duhej marrë para se Ahmeti të dilte jashtë pragut të portës.
Si dështoi marrëveshja, u pëshpërit prej veshi më vesh që Avniu ish targeti (nishani) i gjakmarrjes…
Kjo gjë u fol në ditët e para pas plagosjes dhe tingëllimi u përhap nëpër popullin.
Në i vajti lajmja të ndyerit Avni nuk dihet.
Po nga një vërejtje që ka bërë kur i thanë se Zogolli e quante si shtytës kuptohet që nuk kish gjisht e që nuk do të merrte masa për t’u ruajtur.
“Po të desha ta vrisja Zogollin do ta vrisnja burrërisht dhe me dorën time dhe jo me anën e një tjatri”.
Zogolli drejtësisht a padrejtësisht ia ngarkoi fajin të ndyerit.
Osman Gazepi nga ana tjatër e tiranizoi Beqir Valterin në mënyra të ndryshme që të tregonte shokët. Pasi e munduan fort një natë, i gatitën një listë me disa emra të kryetarëve t’opozitës Parlamentare, dhe në ora 2 pas mesnate ftuan ministrin Myfit Libohovën dhe prokurorin të dëgjonin dëshmimin dhe të nënshkruanin procesverbalin.
Valteri u tha këtyre :”ju thirra të shihni në ç’hall ndodhem e t’ju them që këto më kanë shtrënguar të them janë të tëra të rrema, i thashë që të shpëtoja jetën t’ime”.
Abdurahman Krosi pasi nuk gjeti nonjë Esadist të njohur, me gjithë zotimet për shpërblime të majme më në funt, u këthye dhe kapi qerozin kriminal, mullinarë e Zia Toptanit.
Para se të largohej Avniu prej Tirane, bashkë me kuvendistët e tjerë u panë dy veta që e ndiqnin nga pas dhe kërkonin rasjen. Tani kuptohet që e ndoqnë gjer në Durrës… kur u këthye përsë dyti, i ndyeri në Tiranë hijet e keqe e ndiqnin pas. Rastin ia gjetnë kur shkonte në rrugën në varret e Pashës. Në të dy anët e rugës, në kohën e vrasjes, ndodheshin dy policë, si duket ishnë vënë për të ruajtur katilin. Pasi u bë krimi, katili shkoj me ngadalë se e kish zënë gjaku dhe dyke salutuar me të djathtë e me të mëngjër. Policët kanë qenë pasanikë të Zogollit kështu kriminali u çduk dhe si thuhet, më pas u vra prej trimave të Zogollit përjashta qytetit.
E mbyllëm këtë faqe të gjakshme të tragjedisë së Tiranës, e cila e solli n’anormalitetin e sotmë atdhenë t’onë dhe vijmë tek qeveria…”

Fillimi i Revolucionit të Qershorit

Vrasja e Avni Rustemit shërbeu si një shkëndijë për fillimin e Revolucionit të Qershorit, në vitin 1924. Shoqëria “Bashkimi”, u tregua tepër aktive pas vrasjes së Avniut dhe mori nën kontroll disa qytete të vendit, duke e detyruar Mbretin Zog që të largohej nga Shqipëria bashkë me përkrahësit e tij. Në këto rrethana, fanolistët erdhën në pushtet deri në dhjetor të vitit 1924

Varrimi i Avniut

“Korteu i varrimit t’Avniut, martirit të kombi filloi më 2.30 tue marrë pjesë 10 mijë vetë dhe 300 përfaqësues të krahinave të ndryshme. Folnë dhe 17 oratorë me fjalë ma të nxehta mbi ideale të larta t’Avniut, mbi bashkimin e patriotëve dhe mbi triumfin e nacionalizmit.
Në emër të ushtrisë foli major Ibrahim Prishtina. Fjalët e mallëngjyshme bënë të qajnë tërë zonjat e zotërinjtë qi qarkonin trupin e herojt t’kombit.
Ora më 6.30 u varros dhe mbi vorrë ju vunë 200 kunora”

Varrimi i Avni Rustemit

Trupi i Avniut, i sjellë nga Tirana në Durrës, i përcjellë prej përfaqësuesve të viseve të ndryshme, dhe i stolisur me kurora e lule, zbriti në skelën e Vlorës, në datën 29.
Populli i Vlorës, i bëri një pritje madhështore dhe tërë qyteti ishte në zi Kombëtare

Gazeta “Politika”
Vlorë më 30.4.1924.

 

Gazeta “Shqypëtari i Amerikës”
E enjte 29 maj 1924
Korçë

Trupi i Avniut, i sjellë nga Tirana në Durrës, i përcjellë prej përfaqësuesve të viseve të ndryshme, dhe i stolisur me kurora e lule, zbriti në skelën e Vlorës, në datën 29-të .
Populli i Vlorës, i bëri një pritje madhështore, dhe tërë qyteti ishte në zi Kombëtare.
Salla e Këshillit të Bashkisë, u transformua në një dhomë funebër, ku i gjithë populli përshëndeti vajtueshëm trupin e dëshmorit për të fundit herë, dhe për të ngushëlluar prindërit e heroit, të cilët gjendeshin pranë arkivolit.
Në 30 prill, filloi ceremonia e varrimit, e cila mbaroi në ora 19-të.
I shoqëruar me më shumë se 150 kurora, i nderuar prej ushtrisë e xhandarmërisë, i përcjellë prej delegatëve të kombit, heroi ynë u përcoll me një solemnitet të jashtëzakonshëm.
Fjalimet u mbajtën nga 17-të oratorë, nga të cilët zonja Marigo, Atë Ali Tyrabi, Don Lazer Shantoja, Atë Fishta e im Zot Noli.
Gjatë udhës së përcjelljes, populli e shoqëroi trupin e idealistit të madh me këngë vajtuese, Avniun e Shqipërisë.

Ultimate qeverisë!
Të dalë jashtë Shqipërisë Zogolli dhe të formohet një qeveri, e cila të sigurojë jetën për të gjithë njësisht.
Lëvizja Kombëtare për rrënjosjen e Kanunit dhe urdhërit, dhe për c’kuljen e forcave personale bashibuzuke.
Vlora dhe Përmeti 4 mijë veta, midis të cilëve 150 djem idealist të Shoqërisë Bashkimi.
Shkodra dhe Kosova me ushtëri dhe popull kundër qendrës së fuqirave personale
Populli heroik i Vlorës në një mbledhje të përgjithshme të parisë së qytetit dhe të fshatrave vendosi t’i thotë qeverisë, ta mbaronte krizën me një mënyrë paqësore, përndryshe për t’arrirë këtë qëllim do të bënte çdo therrori.
Në këtë mbledhje u zgjodh Z.Z,Seid Qemal dhe Osman Haxhi t’ia komunikonin qeverisë vendimin.
Zotëri e tyre, për të mbaruara misionin thirrën në telefon, Iljas Vrionin.
U kupëtua që ministri ish nën vërejtje dy vetash të kallur për vëzhgim prej Zogolit, i cili si duket ka kapur tërë fuqinë e shtetit në dorë, kështu nuk u muarr dot vesh…
Pas informatash prej Shkodre, Rexhep Shala, kumandant i rexhimentit, i dha ultimatum qeverisë me të cilën kërkoj largimin e Zogollit prej Shqipërisë në 24 orë (gjer të mërkurën mbrëma), përndryshe ay niset bashkë me Fuqitë Kombëtare për Tiranë.
Këtë ultimatum, si mësuam, ia përsëriti qeverisë, dhe populli i Vlorës, i cili me një entuzismë karakteristike të Vlorës, u gatit për veprim.
Në Vlorë, forcat Kombëtare kapërcejnë 2 mijë veta.
Përmeti, qendër e ushtrisë së jugut, dhe qendër patriotike, ka një gjallëri të jashtëzakonshme.
Në qarkun e Përmetit, vetëm u mbloth një fuqi ushtarake prej 2 mijë vetash, të cilët janë gati për veprim.
Kryetari i lëvizjes Kombëtare, për të ckulur antikombëtarizmën dhe reaksionin, nënkolonel Kasëm Qafëzezi, u nis për në Vlorë.

Çpallje Popullit të Vlorës!

Dyke i lënë shëndet Vlorës, e quajmë për detyrë të falenderojmë popullin e këtij qarku, për pritjen e mirë që u bëri udhëheqsvet të lëvizjes shpëtimtare, dhe bashkëpunimin e përzemërt që u dha për të mbaruar veprën e tyre të shenjtë.
Suksesi i shkëlqyer i sotmë u detyrohet sakrificavet, trimërisë, patriotizmës shëmbëllore dhe nisjativës të popullit të kësaj prefekture, i cili dhe këtë radhë, kapi Flamurin dhe u sul në fushën e nderit dhe u dha shëmbëll dhe prefekturave të tjera.
Ju sigurojmë se do të përpiqemi me tërë fuqinë që sakrificat të popullit të Vlorës dhe të djemvet të saj të mos venë më kotë po të japin pemët e tyre për shpëtimin e Atdheut.
Komisioni administrative

Imzot Fan Noli
Sulejman Delvina
Kost Paftali
Mustafa Tragjasi

Vlorë 13 qershor 1924

Si filloi Revolucioni i Qershorit 1924?

Përse u vendos të hiqej zemra e Avni Rustemit?
Kush e hoqi dhe cila është historia e zhdukjes së zemrës?

Vrasja e tij shërbeu si një shkëndijë për fillimin e Revolucionit të Qershorit, në vitin 1924.
Shoqëria “Bashkimi”, u tregua tepër aktive pas vrasjes së Avniut dhe mori nën kontroll disa qytete të vendit, duke e detyruar Mbretin Zog që të largohej nga Shqipëria bashkë me përkrahësit e tij. Në këto rrethana, fanolistët erdhën në pushtet deri në dhjetor të vitit 1924.
Pas vrasjes së Avni Rustemit, me vendim të shoqërisë “Bashkimi”, nën kujdesin e doktor Zymës, trupit të vdekur të Avniut, iu hoq zemra, e cila u vendos në në vazo të madhe, të mbushur me formalinë.
Në revoltën e parë, në prill të vitit 1924, të zhvilluar në Tiranë, zemrën në vazo e Avniut, e mbante në dorë një burrë, i cili qëndronte në krye të turmës së revoltuar nga vrasja e Avniut.

Fati i vrasësve të Avni Rustemit ishte i tillë.
Në vitin 1927 Osman Bali vritet nga Myslym Peza, kurse Jusuf Reçi u vra në vitin 1947, u ekzekutua me vendim të qeverisë shqiptare. Këtë fund patën që të gjithë vrasësit e patriotëve shqiptarë. Sapo u mësua për vdekjen e Avniut, u mblodh një komision, ku merrnin pjesë politikanë të dëgjuar të kohës si Fan Noli, deputetë dhe miq të Avniut, përfaqësues nga Vlora por edhe familjarë, komision ky i përbërë prej 24 burrash. Midis tyre ishte edhe Ramadan Armeni, nga fshati Armen i Vlorës, mik i ngushtë i Avni Rustemit, pasi kishin përfunduar bashkë studimet, njëherësh edhe nënkryetar i shoqërisë “Bashkimi”. Njerëzit vërshonin nëpër rrugët e Tiranës, dhe njeriu në ballë të turmës dhe që mbante në dorë kavanozin me zemrën e Avniut, ishte miku i tij i ngushtë, Ramadan Armeni. Përsëri ky komision vendosi për protokollin e varrosjes së Avni Rustemit dhe kryetar i tij ishte Ramadan Armeni. Komisioni do të organizonte udhëtimin e kortezhit për në Vlorë, të trupit të pajetë të Avni Rustemit. Ramadan Armeni, mori me qira një anije postare të portit të Durrësit dhe urdhëroi që deri edhe litarët e anijes të lyheshin me bojë të zezë, në shenjë të thellë zie. Kësaj nisme iu bashkuan edhe shumë personalitete si sekretarë të shoqërisë “Bashkimi”, avokat Axha Libohova, Ymer Rradhima, Tare Libohova, doktor Sezai Çomo, Myqerem Hamzaraj, një mik i ngushtë ky i Avni Rustemit, pasi kur në vititn 1921, Avniu shoqëroi për në Vlorë, politikanin e njohur francez, Justin Godar, shkuan edhe tek çifligu i Myqerem Hamzaraj në Lubonjë të Vlorës, ku qëndruan për tre ditë.

Në çastet e fundit të jetës, ai la një amanet, që ta varrosnin në Vlorë, por natyrisht kjo ishte një dëshirë edhe e popullit të Vlorës. Atë e sollën në Vlorë me një anije të vogël nga Durrësi, e lyer e gjitha më ngjyrë të zezë, dhe në këtë varrim folën rreth 24 oratorë ku ndërmjet tyre ishte Fan Noli. Bashkë me ardhjen e trupit te Avniut ne Vlorë më 1924, erdhi edhe zemra e tij e cila iu nënshtrua edhe një balsamimi, iu dorëzua drejtorit të Spitalit të asaj kohe Dr.Sezai Çomo, mik shumë i ngushtë i tij, i cili e vendosi zemrën ne dhomën e tij të punës. Ajo u vendos në një vazo, më tretësirë formaline, dhe deri më 1957 ka qenë në spitalin e Vlorës. Për atë kujdeseshin farmacistët e vjetër të Vlorës si Hysen Baboçi, Zija Zëri, Kiço Daiu nga Narta si edhe Niko Thanasko po nga Narta. Më pas, në 1957, me rastin e 45-vjetorit të Pavarësisë, muzeu i Libohovës i kërkon qeverisë së asaj kohe, dhe personalisht Enver Hoxhës, që zemra e Avni Rustemit të kthehet në Libohovë.

Që atëherë, nuk ka më informacion se ku ndodhet zemra.

 

Ku u ndërtua varri i Avni rustemit/?

Si u zbulua varri rreth 60 vjet më vonë?

Kurse varroshi i Avni Rustemit, që nga viti 1924 i ka kaluar disa herë procesit të meremetimeve, ku siç dihet në vitin 1962, mbi varroshin e Avni Rustemit u vendos për herë të parë busti i tij, me rastin e 50 vjetorit të Pavarësisë, dhe më pas ne 1987 më rastin e 75-vjetorit të festës së Pavarësisë u vendos monumenti i Avni Rustemit, vepër kjo e skulptorit të popullit, Kristaq Ramës. Por dua të them se edhe në vitet e regjimit të mbretit Zog, për këtë varrosh është treguar respekt dhe nder nga autoritetet e kohës, si kryetarët e bashkive apo edhe nga patriotët e tjerë të Vlorës, që njëherësh ishin edhe shok dhe bashkëkohësit e Avniut.
Në vitin 1927, me rastin e 15-vjetorit të ngritjes së Flamurit, kryetari i bashkisë Nuredin bej Vlora, bëri një kontratë me shoqërinë elektrike italiane, që ishte me central që të furnizohej me energji në mbrëmje varri i Avniut.

Vijon

 

Nesër do të lexoni

Përse filloi nga Vlora i ashtuquajturi, Revolucion i Qershorit i vitit 1924?

Ishte revolucion apo ishte grusht shteti ajo që ndodhi në vitin 1924?

Përse Avni Rustemi u varros në Vlorë dhe jo në vendlindjen e tij në Libohovë?