Ergys Alushi/ Çlirimi më 29 nëntor të vitit 1944, përvjetor lavdie për Vlorën atdhetare

1989
Sigal

Rezistenca nisi më 7 prill. Më pas, urrejtja kundër pushtuesve, solli reagimin popullor e shtimin e radhëve partizane deri në ditën e lirisë

Kur largoheshin nga Vlora, ato ditë të nxehta të gushtit 1920, shumë pak nga ushtarët italianë, mund ta kenë menduar rikthimin e ushtrisë, në qytetin e huaj, vetëm disa dhjetëra kilometra larg brigjeve të shtetit të tyre. Ushtarët e parë, kishin ardhur në Vlorë, natën e 25 dhjetorit 1914, duke shënuar zyrtarisht edhe pushtimin e parë të Vlorës e Shqipërisë nga Italia.

Kishin ardhur natën nga ishulli i Sazanit, e po iknin ditën, kishin ardhur si fitimtarë e po largoheshin të mundur, nga një popull, të cilit bashkë me disa ndërtime, i kishin sjellë dhe pushtimin.

Por historia përsëritet.

Në 7 prill të vitit 1939, pasi kishin bombarduar nga deti bregdetin e Vlorës, ushtarët italianë do të zbrisnin për herë të dytë si pushtues në kalatën e portit të Vlorës. Ato pak krisma pushkësh të vjetra, nuk ua ndalën vrullin e zbarkimit dhe euforinë e më të fortit. Në Vlorë kishin ardhur përsëri italianët. Në Evropë kishte filluar një tjetër luftë botërore, në një sfidë të hapur midis Hitlerit e fashizmit nga njëra anë dhe luftës së popujve për të fituar pavarësinë e humbur nga pushtimi.

Ne qytet, nuk ka qetësi….

Por edhe pse e pushtuan Vlorën, italianët, nuk gjetën asnjëherë qetësi në qytet. Njësitet guerile të qytetit, vepronin në pjesën më të madhe të lagjeve, duke pasur një organizim në kryerjen e veprimeve që synonin dëmtimin e armikut. Shumë shtëpi, u kthyen në baza të luftës, duke ndihmuar në strehimin e njerëzve që kërkoheshin nga armiqtë, zhvillimin e mbledhjeve, përgatitjen e trakteve dhe grumbullimin e ushqimeve e veshmbathjeve për partizanët në mal. Kështu mund të përmenden si baza lufte të viteve të luftës, shtëpitë e Tariko Hoxha, më lagjen “Partizani”, nëna e dy djemve të vdekur në kampet naziste, shtëpia e Mulla Sulos, babait të akademikut Shaban Demiraj, Hyri Gorishova, shtëpia e Halim Xhelo Tërbaçit, shtëpia e Rexhep Arapit, familja e Bule Imamit, bazë e luftës, ku në ditët e terrorit u vranë në qytet, Jonuz Rexhepi, nga Peja dhe Elham Doçi dhe Bulja me shoqe organizuan varrimin e tyre me pjesëmarrjen e gjerë të grave. Baza të luftës ishin dhe familjet e Tol Arapit, Lef e Mitaq Sallatës, apo dhe baza të tjera në lagjen Vrenez, ku përmenden familjet e Shefqet Veshit, Manush Myftiut, Ibrahim Abdullahut, Dalip Ademit, Aleksandra Premtit, Miti, Mihal e Leka Shurtit, Llaqi Papajt, familjen Musta e shumë e shumë të tjera. Festa e pavarësisë, u kthye në Vlorë, në ditën e protestave të mëdha qytetare, për liri dhe pavarësi nga pushtuesi i huaj. Demonstrata e 28 nëntorit 1941, në qytetin e Vlorës, u kthye nga festë në protestë, demonstratë të cilën nuk mund ta qetësonte dot as kryeministri Mustafa Kruja, i cili kishte ardhur në Vlorë, për të qetësuar zemëratën popullore kundër pushtuesit italian, në ditën e flamurit. Demonstrata e bankës e 9 marsit 1942, ku në sajë të presionit popullor, prefekti i qarkut u detyrua të hapte depot e drithit që njerëzia të furnizohej me miell, në kushtet e varfërisë së madhe që kishte pllakosur Vlorën dhe fshatrat. 28 Nëntor 1942, një tjetër ditë demonstrate masive e popullit të Vlorës, e cila u kurorëzua me lirimin e 43 të burgosurve nga burgu fashist. Demonstrata e 28 Nëntorit 1942, në Vlorë, pati jehonë të madhe në të gjithë vendin. Ajo tronditi rëndë pushtetin e pushtuesve fashistë dhe kuislingëve. Ministri i Brëndshëm i qeverisë njoftonte në ditët e dhjetorit se “… nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, Vlora mban rekordin e turbullirave”. Por çdo luftë për lirinë e vendit, ka edhe të rënët e vet. Në 7 gusht të vitit 1942, Teli Ndini, do të ishte heroi i parë i luftës, në qytetin e Vlorës, teksa do të vritej në një përpjekje me një patrullë fashiste italiane, ndërsa shpërndante trakte në lagjen “Muradie”. Në 18 tetor 1942, do të vriteshin në një shtëpi përdhese në lagjen Topana, 4 të rinj, të cilët më pas do të njiheshin si 4 heronjtë e Topanasë, Hajredin Bylyshi, Mumin Selami, Hajram Tushi dhe Hiqmet Buzi. Për vrasjen e 4 të rinjve, njësiti gueril i qytetit, do të hakmerret me vrasjen e marshallit italian, Lombardo. Në 8 shkurt 1943, do të vritej Lef sallata e Mitat Dauti, teksa ishin nisur për t’iu bashkuar “Çetës plakë”, por ranë në përpjekje me ushtarët italianë, në zonën e Cepratit. Në 18 janar, të po këtij viti, fashistët italianë do të pushkatonin vëllain e Lef Sallatës, Mitaq Sallatën, së bashku me tre shokë të tjerë të tij, që mbaheshin të burgosur, në burgun e Vlorës. Ali demi, do të vritej në 19 dhjetor 1943, gjatë një shkëmbimi zjarri me pushtuesit, në zonën e Kaninës. Qeriba Derri, do të ekzekutohej, bashkë me të tjerë, në 4 prill 1944, në qendër të qytetit. Në 23 tetor deri në 6 nëntor të vitit 1943, gjermanët do të arrestojnë më shumë se 600 veta në qytetin e Vlorës, për ti nisur në kampet e përqendrimit në Austri, duke shkaktuar kështu një ndër ngjarjet më të rënda në historinë e luftës së dytë botërore. Ndërkohë internime të banorëve të Vlorës dhe fshatrave përreth, kishte pasur dhe më parë apo dhe mbas këtyre datave, duke regjistruar më shumë se 1 mijë të internuar për në kampet e përqendrimit.

“Çeta Plakë” dhe Lufta e Gjormit…

Me kalimin e ditëve, në popull nisi të rritej urrejtja dhe veprimet kundërshtuese ndaj veprimeve prej pushtuesi të ushtarëve italianë.

Ushtria italiane kishte depërtuar gati në thellësi të luginës, ku kalonte lumi i Shushicës, duke kryer nëpër fshatra veprime, të cilat binin ndesh me jetën e përditshme të banorëve të fshatrave. Ashtu si edhe në qytet, edhe në disa fshatra kishin filluar reagimet e para të popullatës, për të kundërshtuar, në disa raste dhe me përdorimin e armëve, sjelljen prej pushtuesi të ushtrisë italiane. Ndërkohë në fshatin Gjorm ishte rritur më shumë se në çdo fshat tjetër, urrejtja kundër armikut, ishte formuar celula e partisë komuniste për krahinën e Mesaplikut, ishte ngritur këshilli Nacionalçlirimtar, duke e kthyer Gjormin në vatrën e parë të qëndresës antifashiste. Një tjetër veçori që e dallonte fshatin Gjorm ishte dhe pozita gjeografike, e cila e vendoste fshatin si një portë hyrje për në dy krahinat, të Mesaplikut e të Kurveleshit, duke qenë se rruga kalonte mes përmes fshatit. Për të gjitha këto, edhe krijimi i asaj që mori emrin “Çeta plakë”,në 4 dhjetor 1942, nuk ishte rastësi që ngrihej në fshatin Gjorm dhe që do të ishte çeta e parë , jo vetëm në rrethin e Vlorës, por në të gjithë jugun e vendit. Në 20 dhjetor të vitit 1942, do të niste ajo që njihet ne histori si lufta e Gjormit, ku në një përplasje të pa barabartë njerëzish e armësh luftarake, luftëtarët vendas, rreth 1500, do ta vendosnin në vështirësi armikun, rreth 3 mije, i cili për disa ditë mbeti i rrethuar në fshatin Gjorm, ndërkohë që do të pësonte humbje në Kallbaq, vend pranë fshatit Gjorm, ku mbeti i vrarë edhe komandanti i operacionit, kolonel Kelmendi. Lufta e Gjormit e rriti shumë popullaritetin e çetës dhe shtoi besimin në popull se vetëm lufta do ta çlironte atdheun nga pushtuesit e huaj.

Epopeja e Drashovicës…

Në ditët e para të shtatorit të vitit 1943, Italia fashiste do të kapitullonte, duke mos i rezistuar dot frontit të madh antifashist të krijuar në gjithë Evropën. Vendin e ushtrisë italiane, do ta zinte shumë shpejt edhe në Shqipëri, ashtu si në shumë vende të Evropës, ushtria gjermane. Në 9 shtator 1943, forca të motorizuara gjermane, duke sulmuar nga Kakavija për në Gjirokastër, Tepelenë, për në drejtim të Vlorës, në datat 9 dhe 10 shtator, fal epërsisë së teknikës së motorizuar mundën të dalin në Drashovicë e prej këtej, në Vlorë. Me ardhjen e ushtrisë gjermane, pjesa më e madhe e ushtarëve italianë, u dorëzuan tek gjermanët, duke iu treguar njëkohësisht këtyre të fundit, me qëllim shpëtimin e jetës, pikat strategjike, jo vetëm të qytetit të Vlorës, por edhe fshatrave përreth qytetit. Një ndër pikat strategjike ishte dhe Drashovica, për vet pozicionin gjeografik, si vendi në mes të Lumit të Vlorës dhe zonave të tjera dhe si pika më e afërt me qytetin e Vlorës. Ura e fshatit Drashovicë ishte një urë – kufi. Është kufiri i Labërisë, i asaj Labërie që çuditërisht shtrihet brenda tre urave, urës së Drashovicës, urës së Kalasë dhe urës së Vjosës. Ndaj jo më kot, për shkak të pozicionit gjeografik, në Drashovicë, ndodhej një numër i madh deposh me municione, rreth 50 të tilla, dhe armë të tjera luftarake, që ushtria italiane i kishte si një pikë referimi për ekspeditat e shumta ushtarake që kryheshin në fshatrat e Lumit të Vlorës, të cilat ishin sapo kaloje lumin Shushicë e sapo kaloje fshatin Drashovicë. Në situatën e re të krijuar me ardhjen e ushtrisë gjermane, u vendos që të sulmoheshin forcat gjermane në zonën e Mavroves e Drashovicës. Që në momentet e para, këto depo ranë në duart e formacioneve partizane që komandoheshin nga Hysni Kapo, municione të cilat ishin të mjaftueshme për të përballur një luftë me gjermanët, të cilët kishin zënë tashmë urën e Drashovicës, me qëllim kontrollin e lëvizjeve për në drejtim të Vlorës dhe Lumit të Vlorës. Në orët e para të datës 15 shtator, do të fillonte beteja, e cila do të shënonte një nga kulmet e luftës së popullit shqiptar, kundër pushtuesit të huaj, jehona e së cilës do të përhapej anembanë vendit e do tu jepte kurajë shqiptarëve për tu bashkuar edhe më shumë, në luftën për çlirimin e vendit. Historia flet për një betejë të ashpër, me humbje të konsiderueshme nga të dyja krahët, ku asnjëra nuk lëshonte terren e llogoret, me përforcime që vinin çdo ditë, ku luftohej pa pushim gjatë gjithë ditës. Beteja e Drashovicës e shtatorit 1943, është një ndër ngjarjet e rëndësishme në historinë shqiptare të Luftës së Dytë Botërore, duke i dhënë së bashku me luftëra të tjera, vendin e merituar Vlorës e krahinave të saj, ashtu si në luftën e 1920. Kjo luftë u drejtua dhe u organizua nga komanda e shtabit të zonës së parë operative Vlorë-Gjirokastër, e cila ishte krijuar rreth një muaj në fshatin Kuç të Vlorës. Brigada e V-të Sulmuese. Në 28 nëntor të vitit 1943, do të krijohej në Gumenicë të Vlorës, brigada e 5 sulmuese, e cila do të përbëhej nga të rinj e të reja nga Vlora dhe fshatrat e saj, ndërkohë që në 3 qershor 1943, në fshatin Gumenicë, ishte krijuar çeta e rinisë së qarkut Vlorë, në përbërje të së cilës do të ishin në ditën e inaugurimit, fillimisht 40 të rinj dhe komandat i çetës do të ishte Luftar Bolena e komisar Kastriot Muço. Vlora, do të ishte rrethi i vetëm në Shqipëri që do të krijonte një brigadë të vetën, me luftëtarë nga qyteti dhe fshatrat e saj, duke qenë ky tregues i sakrificave të mëdha dhe i faktit sesa shumë i ka dhënë luftës çlirimtare, rrethi i Vlorës. Baza e formimit të brigadës do të ishin dy batalionet “Halim Xhelo”dhe “Ismail Qemali”, me një efektiv prej më shumë se 500 vetës, me komandat Abas Shehun e komisar Hysni Kapon. Në fshatin Gumenicë është lapidari që përkujton ditën e krijimit të brigadës së 5 sulmuese. Qysh ditën e formimit të saj në fshatin Gumenicë dhe deri në ditën e inaugurimit në Bramyshnje të Tërbacit, më 20 janar 1944, Brigada e Pestë Sulmuese partizane, jo vetëm e theu me sukses operacionin gjerman të dimrit 1943,por zhvilloi edhe një veprimtari të gjerë në popull, duke nxjerrë luftëtarë të tjerë të shumtë për plotësimin e pesë batalioneve të saj. Pas vrasjes së komandantit Abaz Shehu, në datën 7 dhjetor në një betejë kundër gjermanëve në fshatin Gjorm, brigada do të riorganizohej në 20 janar të vitit 1944, në Bramyshje të fshatit Tërbac, me komandat Shefqet Pecin e komisar, Hysni Kapon. Në ditën e inaugurimit, ende pa u prishur rreshtimi i saj, komandantët e batalioneve morën detyrat luftarake për të përballuar ofensivën e madhe që ndërmorën gjermanët në dimrin e 1943-1944 kundër Ushtrisë Nacionalçlirimtare për asgjësimin e saj. Urdhri i luftimeve që lëshoi Shtabi i Brigadës i vendoste forcat në këtë mënyrë: Batalionet e dyta e të katërta mbeteshin për mbrojtjen e krahinave të Vlorës, batalioni i tretë në mbrojtje të Bregdetit, kurse batalionet e para e të pesta në mbrojtje të Kurveleshit të Sipërm nga Kaparieli deri në Salari, ku vepronte bashkë me ta edhe batalioni “Perlat Rexhepi”. Brigada zhvilloi njëzet beteja të rëndësishme dhe qindra luftime e aksione të tjera, duke i shkaktuar armikut dëme të shumta në teknikën luftarake dhe mbi pesë mijë të vrarë e të zënë robër. Përballimi i operacionit armik të Dimrit 1943-1944 në kushtet e motit të keq, lodhjes, urisë dhe mungesës së municioneve, qe një provë e madhe e aftësisë së saj luftarake. Brigada e 5 ka përshkruar në luftë 2900 kilometra, ka 368 dëshmorë të atdheut e 13 heronj populli. Brigada ka zhvilluar luftime në vajzë, Palasë, Vuno, Pilur, Salari, në roje të Kongresit të Përmetit, qafë të gjarprit, Tufinë, Qafë Bardhë, kaloi Shkumbinin, Labinot, Elbasan, Tiranë, çliroi Matin, Peshkopinë, Dibrën e Madhe, Kukësin, Gjakovën, Junikun, Deçanin, Prizrenin, Sinicën, Sanxhakun. Në 1945 u kthye në atdhe, u dekorua “hero i popullit”, duke pasur si drejtues, komandat Shefqet Peçi e komisar, Hysni Kapo.

Çlirimi i Vlorës…

Dështimi i operacionit gjerman i qershorit i vitit 1944 dhe humbjet e njëpasnjëshme e gjermanëve në frontin Rus të luftës, i dha zemër ushtrisë Nacional çlirimtare që të hidheshin në një sulm frontal e përfundimtarë, me qëllim, çlirimin e plotë të vendit. Në fundin e muajit shtator në ditët e para të tetorit 1994, janë zhvilluar luftime të ashpra në rrethinat e Vlorës, ku gjermanët kërkonin me çdo kusht të fitonin territore, të cilat tashmë mbroheshin me të gjitha forcat nga partizanët dhe popullsia vendase. Ndërsa luftohej jashtë qytetit, brenda në qytet, dita ditës rritej besimi i popullatës se do të ishte e afërt dita e largimit të gjermanëve nga Vlora, ku përditë nëpërmjet komunikatave qarkori i Vlorës i bënte thirrjes popullatës që të ruante qetësinë e ti bashkohej e të ndihmonte me çfarë të mundte forcat partizane që luftonin përreth qytetit. Njësitë guerrile të qytetit të Vlorës, kishin zënë vend në pikat kyçe që mund të dëmtonte armikun, si në kaptazhin e ujit të ftohtë, në depon e ujit të qytetit, në centralin elektrik, në distilerinë “Skënderbej”, në parkun e automjeteve, etj. Nga ana tjetër nazistët gjermanë dhe mercenarët e Halil Alisë, ishin të vetëm në qytet dhe bënin përpjekjet e fundit për të shpëtuar nga rrethimi. Nga frika e madhe, gjermanët shtuan rojet në çdo kënd të qytetit. Në qytet kishte rënë një hije e rëndë dhe e zymtë. Në datën 13 dhe 14 tetor 1944, nazistët gjermanë patrullonin me forca të shumta dhe prisnin ardhjen e trupave të tjera gjermane nga jugu i Shqipërisë, që do të kalonin nga Vlora, si e vetmja rrugë për tërheqjen e tyre, drejt veriut. Nata e 14 tetorit, do të mbetet e paharruar në kujtesën dhe në zemrat e popullit të Vlorës. Atë natë dukej sikur i gjithë qyteti flinte, por në të vërtetë vlonte dhe vigjilonte. Çasti vendimtarë erdhi, në orën 03.30, të datës 15 tetor, u dha sinjali i sulmit me shpërthimin e një bombe dore dhe tre të shtëna me pushkë. Britma e çlirimit “para partizanë”, gjëmimi i mitralozëve nga qafa e Koçiut, kalaja e Kaninës, kodrat e ujit të ftohtë dhe sulmi i befasishëm i partizanëve, buçisnin nga të katër anët e qytetit. Natën e 15 tetorit, kur forcat partizane të brigadës së 12 sulmuese, do të hynin në qytet, nuk do të gjenin asnjë gjerman, pasi këta ishin larguar në fshehtësi të plotë, për në drejtim të fierit. Batalionet e brigadës së 12 kishin marrë urdhër që forcat gjermane të sulmoheshin nga të gjitha drejtimet, hyrjet për në qytet, por gjermanët ishin larguar pa zhurmë e në disfatë të plotë, duke lënë nga mbrapa një qytet të terrorizuar, ndryshe nga si kishin ardhur, kur e kishin pushtuar atë, plot zhurmë e eufori. Hyrja e partizanëve të parë në qytet, u shoqërua në popullatën e Vlorës me lajmin për ikjen e gjermanëve nga qyteti dhe çlirimin e Vlorës prej tyre. Në orën 7 të 15 tetorit, në qytet hynë të parët, partizanët e batalionit të dytë e të tretë, pak më vonë hyri batalioni i parë dhe ai i rinisë. Në qytet kishte nisur festa. Ata që e kanë jetuar atë natë tregojnë për njerëz të të gjitha moshave që dilnin nëpër rrugët e qytetit dhe gëzonin duke kënduar këngë patriotike e duke përqafuar njëri-tjetrin. Por ndërsa qyteti i Vlorës ishte i lirë prej gjermanëve, në ishullin e Sazanit kishin mbetur ende ushtarë gjermanë, ndaj dhe u vendos çlirimi edhe i ishullit të vetëm shqiptar. Në orën 14 të datës 22 tetor 1944, ishulli u çlirua pas 30 vitesh pushtimi nazifashist, që kur e pushtuan për herë të parë italianët në vitin 1914. Në 70 vjetorin e çlirimit të Atdheut, Vlora dhe krahinat e saj, janë krenare për kontributin e dhënë për luftën antifashiste dhe fitoren e kësaj lufte, duke qenë në ballë të sakrificave e të rënëve për liri. Ashtu si në të gjitha ngjarjet e rëndësishme të historisë së Shqipërisë, Vlora do të mbante peshën më të madhe të luftës, ku do të spikaste me betejat e zhvilluara në territorin e saj kundër pushtuesve italianë e më mbas atyre nazistë apo dhe në krijimin e një brigade partizane, e tëra me bij e bija të krahinës së Vlorës. Vlora, ashtu si dhe në 1920, do të ishte e sakrifikuara e madhe për lirinë e pavarësinë e Atdheut, duke dëshmuar edhe njëherë në historinë e Shqipërisë se është vigjilente dhe e gatshme për të mbrojtur atdheun, flamurin, sa herë që janë në rrezik fatet e vendit.