Enveri: T’u marrim dollarët të arratisurve

18
11 shtator 1978 / Mbledhja e Presidiumit të Kuvendit Popullor që lejonte dërgimin e sendeve dhe valutave të huaja në Shqipëri
Çeku që zëvendësonte valutën e huaj
Çeku i mëposhtëm i lëshuar nga BSHSH midis viteve 1978-1990 zëvendësonte valutën e huaj që qarkullonte në vend. Valuta e huaj nuk këmbehej dot në Bankë por vetëm kthehej në këtë formë çeku, i cili mund të përdorej vetëm në Dyqanet e Valutës (në Tiranë, Vlorë, Gjirokastër, Shkodër, Korçë e Durrës). Çeku është “i bardhë” pra pa emër dhe pa firmën e autorizuar. Çeku ka vlerën e $50.00. Si masë sigurie ka mbishkrimin BSHSH në sfond. 
Mbledhja
Në mbledhjen e Presidiumit të Kuvendit Popullor të 11 shtatorit 1978 morën pjesë: Haxhi Lleshi (kryetar), Spiro Koleka dhe Shefqet Peçi (nënkryetarë), Telo Mezini (sekretar), Enver Hoxha, Jovan Bardhi, Naunka Bozo, Nuredin Hoxha, Pilo Peristeri, Rrapo Dervishi, Spiro Moisiu, Muharrem Sefa, Zina Franja dhe Maliq Sadushi (anëtarë).
Me vendim unanim u miratua ndryshimi i dekretit nr. 4278, datë 20.06.1967 “Mbi ndalimin e hyrjes e të daljes në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë të sendeve dhe të vlerave monetare që dërgojnë të arratisurit ose u dërgohen atyre”.
Shteti socialist shqiptar kishte nevojë gjithnjë e më shumë për valutë të huaj, dhe për të thithur dollarët, liretat apo markat gjermane në bankën e vendit ishte i gatshëm t’i përdorte të gjitha mënyrat që i sanksiononte me ligj.
Enver Hoxha i kishte cilësuar “armiq” e “tradhtarë” të arratisurit e pas Luftës së Dytë Botërore, por dollarët e dërguar prej tyre në adresë të të afërmve nuk i pengonte! Madje kishte filluar t’i stimulonte. Dokumenti që botohet, sipas origjinalit në Arkivin Shtetëror, zbulon anën e tjetër të ish-kreut të PPSH-së për çështjet financiare. Nëpërmjet një dekreti të miratuar, 31 vjet më parë, Hoxha i hapi rrugën thithjes së valutës që mund të vinte nga jashtë prej “armiqve”. Politika doganore e orientuar prej tij synonte rritjen e taksës për produktet e “luksit”, siç quheshin televizorët, duke lejuar depozitat në valutë që dërgonin të arratisurit për të afërmit e tyre në Shqipëri. Më poshtë botohet diskutimi i plotë në Presidiumin e Kuvendit Popullor për dekretin e posaçëm. 
Enver Hoxha: Mua më duket se duhet ta studiojmë një çikë këtë çështje. Ne pengojmë hyrjen ose daljen nga shtetit ynë të çdo pasurie ose vlere monetare që dërgojnë personat e arratisur jashtë shtetit. Tani propozohet që dërgimi i valutës të mos pengohet si më parë, por të pengohet vetëm dërgimi i sendeve (pasurive), si për shembull televizorët, frigoriferët etj. 

Telo Mezini: Atë ndalojmë.
Enver Hoxha: Po përse ta ndalojmë kur i interesuari paguan tagrin doganor?
Telo Mezini: Për të arratisurit e ndalojmë kategorikisht dërgimin e sendeve, ndërsa për të tjerët e lejojmë kundrejt pagesës së tagrit doganor që thoni ju, shoku Enver.
Enver Hoxha: Derisa lejojmë të dërgohen vlera monetare, atëherë përse të pengojmë dërgimin e televizorëve apo të sendeve të tjera? Kur u vëmë sendeve një tagër të lartë doganor, i interesuari patjetër që nuk do të dërgojë më sende, por dollarë. Edhe shtetasit tanë do t’u shkruajnë dërguesve që të mos u dërgojnë të atilla sende, që kanë shumë shpenzime doganore. Për sa kohë që dërgimin e plaçkave ne mund ta frenojmë me këtë mënyrë, atëherë s’ka asnjë arsye që të krijojmë pengesa me ligj. Kush të dojë, le të dërgojë lecka, çorape etj. Një palë çorape, fjala vjen, kushtojnë te ne 20 lekë, por po të dërgohen këto prej dikujt nga jashtë, asnjeri nuk ka interes t’i vijë një send i tillë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke paguar një tagër doganor më të lartë nga çmimi që ai mund ta blejë në vend. Vetëm të kemi kujdes që të mos zëmë në gojë se tani ne po lejojmë edhe të arratisur që të dërgojnë në Shqipëri mallra dhe vlera monetare. 

Kryetari, Haxhi Lleshi: Se mund te mendohet mos ka ndonjë politikë të re të shtetit tonë ndaj armiqve të popullit.
Enver Hoxha: Nuk duhet të japim shkak për të lindur një dyshim i tillë, se mos Partia dhe shteti ynë po ndjekin tani ndonjë politikë tjetër ndaj armiqve të popullit. Po të flasim për këtë çështje, njerëzit do të pyesin: mos vallë janë në vështirësi këta sa që kanë arritur në shkallën që të presin t’u dërgojnë para edhe njerëz si Dervish Rexhepi? 

Ne vetëm mund të shfuqizojmë dekretin që bën fjalë për ndalimin e hyrjes e të daljes nga shteti ynë të sendeve dhe të vlerave monetare që dërgojnë të arratisurit, ose që këtej u dërgohen atyre. Dhe vetëm kaq.

Telo Mezini: Kaq do të themi shoku Enver.
Enver Hoxha: Unë mendoj që ne të aprovojmë një dekret tjetër, që të ndalojë daljen nga Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë të monedhës shqiptare dhe të huaj, si dhe të sendeve me vlerë artistike të veçantë dhe me vlera arkeologjike. Ne nuk do t’i lejojmë shtetasit tanë të nxjerrin jashtë shtetit dollarë, florinj etj. Mund të lindë pyetja: e ku mund t’i gjejnë tani këto shtetasit tanë? Një pyetje si kjo nuk duhet të na sjellë bindjen se tek ne s’ka njerëz që disponojnë florinj e dollarë. Njeriu i lig i mban të fshehura vlerat monetare, prandaj kur gjen rast, edhe i dërgon. 

Por ne nuk mund të ndalojmë asnjë shtetas të republikës që të vejë të blejë objekte artistike, siç është për shembull një jelek i qëndisur, që mund t’ia dërgojë një miku të tij jashtë. Në qoftë se dikush do të dërgojë jashtë shtetit çorape nga të Shqipërisë, le të dërgojë, se ne duam të shesim. Vetëm të holla shqiptare të huaja, sende artistike me vlerë të veçantë, ose disa nga prodhimet e ndërmarrjes artistike “Migjeni” që janë të veçanta, si dhe objekte me vlerë arkeologjike, këto po, duhet të ndalohen. Kështu, pa thënë shprehimisht se edhe të arratisurit mund të dërgojnë në Shqipëri vlera materiale e monetare, duke aprovuar dekretin e ri, të interesuarit do të marrin vesh se tani, edhe ata që ndaloheshin më parë, mund të dërgojnë.

Telo Mezini: Domethënë të shfuqizohet ky dekret që është në fuqi dhe të aprovohet një dekret me përmbajtje tjetër. 
Enver Hoxha: Po, të aprovojmë një dekret të ri, duke përcaktuar se çfarë ndalohet, pa u futur në hollësira se kush mund të dërgojë. Kur të dërgohen të hollat, ato të administrohen sipas rregullave të bankës sonë. Dikush mund t’i dërgojë ndonjërit edhe një milion dollarë, por ne t’i japim të adresuarit një shumë të caktuar lekësh rregullisht për çdo muaj dhe jo të tërë shumën e dërguar.

Telo Mezini: Mënyra e pagesës mund të rregullohet edhe me vendim të brendshëm.
Enver Hoxha: Po, edhe ashtu mund të veprohet. Puna është që atij shtetasi shqiptar, në adresë të të cilit do të vijnë të holla nga jashtë, t’i paguhen aq para sa të rrojë, siç rron një punëtor i thjeshtë. Këto të holla në valutë të huaj të mbeten të depozituara në bankë dhe shteti t’i qarkullojë. Prandaj propozoj që të bëhet një gjë e tillë.