Backa ju flet me zërin e saj

Kush të falë dhe duhet t’i falësh? Backallinjtë nuk janë hakmarrës, por historinë e duan të pastër ashtu siç e kanë bërë vetë. Për Backën nuk ka zot t’ia shlyejë ato krime që i kanë bërë. Ajo s’kërkon hak, por dhuron gjak. Se backallinjtë për trimëri s’duan shufër, por fre. Asaj i shkojnë vargjet e këngës:

“Backë sa të kish lezet,

U rrite me pushkë në brez.”

Përse e kanë inkriminuar Backën? Thjesht se donte t’i mbronte me gjak ata gurë, ku kishte mbështetur kokën. Backa ka dhënë po kurrë nuk ka kërkuar meritat që i takonin, se nuk luftoi për vete. Këtij fshati do t’i shkonin për shtat vargjet poetike të Ali Asllanit nga Labëria: “Lab mor tungjatjeta, ky nuk ka nevojë,/ Se lufton për nam e nuk lufton për gojë.” Edhe unë i jam borxh këtij fshati, se ato të dhëna që kemi mbledhur nuk kemi pasur mundësi t’i publikonim për arsye financiare. Backa është dhe mbetet një libër i hapur për të gjithë brezat. Backa,e vendosur poshtë Çukës së Frëngut dhe Qafës së Martës,ka zgjedhur si vendbanim një shpat që është si pozicion lufte dhe i ka bërë e bën roje gjithë krahinës së hekurt të Potomit. Nuk e dimë saktësisht, malet i bëjnë roje Backës apo Backa u bën roje maleve. Me ç’na mëson historia e fshatit,të dy palët i kanë dhënë njëri-tjetrit. Kur njihesh me përpjekjet e tyre në shekuj, të krijohet bindja,se patriotizmi,atdhetarizmi dhe njerzillëku, e kanë themelin në këtë fshat. Backallintë i kanë dhënë gjak atdheut aq sa u ka dhënë Atdheu atyre. Këta backallinj, që kanë fjetur me një sy, edhe gjumin e kanë bërë me pushkë në krah, kurrë nuk u ngopën me gjumë e bukë, po kurrë nuk lanë një shteg hapur, ku të depërtonte pushtuesi. Fillimisht s’kishin pushkë,po kishin zemra,s’kishin fishekë, po kishin ideale,që të vrisnin edhe pa plumba. Backa është një muze i tërë i ngritur me gjakun e pastër të djemve të saj. U ranë maleve anë e mban dhe të gjithë heroizmin e tyre e mblodhën në Backë. Ky muze ka një veçanti,nuk ka as stenda, as arkiv me copa letre,por çdo backalli është një arkiv pa fund. Po t’i shtrydhësh këta njerëz të lëshojnë krisma armësh. Nuk ka asnjë dokument që e shpall hero këtë fshat,po hero nuk të bëjnë shkresurinat. Ngjituni në Qafën e Martës dhe Kroi Mbret të shikoni elementët e heroizmit të tyre. Atje janë istikamet dhe varret e të parëve të tyre. Atje janë ende gëzhojat dhe plumbat gjithfarëshe. Në këmbim të lirisë lanë nëpër male rininë dhe jetën e tyre. Backa ishte si një repart në rrethim, por kurrë nuk u rrethua. Ajo e ka zgjedhur këtë vendbanim në male, që të dominojnë mbi çdo kundërshtar. Në të vërtetë, po ta matësh atë me malet, Backa është mali më i lartë. Lartësinë nuk ta japin majat, por historia e bërë mal. Backa këtë e ka bërë me notën maksimale. Në ato lartësi edhe zogjtë e Backës këndojnë si pushkët e Lace Backës. Banorët e Backës janë mësuar dhe s’mund të jetojnë pa dëborën e rëndë dhe freskinë e maleve. Nëse do t’u shikosh supet e tyre, i kanë ende shenjat e rripit të pushkëve, që i kanë bërë plagë së mbajturi natë e ditë mbi supe. Gjithmonë krenarë si vetë malet që e rrethojnë, backallinjtë kurrë nuk kanë qasur në sofrën e tyre ata që i hanin bukën e i përmbysnin kupën. Backa dhe backallinjtë ishin një kala që e kishin ndërtuar vetë me mure zemre. Të jetosh mes malesh do të thotë të jesh mal mbi male. Ata nuk i thirri njeri,që të shkonin drejt vdekjes, por i thirri ndërgjegjja kombëtare. Përse janë ngjitur backallinjtë deri në këto lartësi? Nuk ka të dhëna zyrtare,po ka deklarime bindëse. Në shumë fshatra të Skraparit kanë ardhur nga rrethe të tjera për shkaqe hasmërie. Më e sakta e të dhënave, një pjesë e backallinjve kanë ardhur nga Molla e Kuqe, që ndodhet në Veri të Kosovës, në kufi me Serbinë. Atje kanë pasur konflikte fiset dhe kanë ikur sa më thellë për të mos u diktuar. E themi këtë se dhe në Tropojë ekziston një fshati i tillë, por dhe në Ankara. Madje në Turqi ndodhet një fshat me mbiemrin Koromanë, fis që ndodhet edhe në Backë e Faqekuq. Një pjesë e fiseve në Backë kanë ardhur nga Tepelena, nga Osmënzeza e Beratit, nga Grabocka dhe Starova. Studiuesja Entela Muço, që ka mbrojtur diplomën me studimin për Koromanët e Ankarasë, do të na sjellë ndonjë të dhënë më të saktë. Sipas Feim Tushes, 40 familje nga Backa janë vendosur në Devoll dhe mbajnë emrin e fshatit Backë. Luftërat i kanë shpënë e ku nuk i kanë shpënë backallinjtë. Ata e kërkonin lirinë tej e këtej kufijve. Nuk kishin shkollë, po kishin një universitet brenda shpirtit të tyre, që quhej ideal. Për atë ideal luftonin qoshe më qoshe. Luftuan me turkun,me grekun, me italianin e gjermanin dhe nuk i kursyen djemtë e tyre. Vranë dhe i vranë, po djemtë e Backës nuk u mbaruan. Backallinjtë kanë bërë vetëm një marrëveshje me turqit. Fshati të paguante një taksë në vit kurse autoritetet turke të pranonin grupe luftëtarësh të cilët duhet të paguheshin. Që nga ajo kohë në Backë janë krijuar çeta e Myrto Hajdërit, Kaso Gjonit, Hysen Gjizës, Zylal Gjonit e Koçi Gjonit, të cilat kanë luftuar përkrah ushtrisë turke në Kosovë, Malin e Zi, Çermenikë dhe Bosnje. Nga këto luftëra ata edhe plaçkat e përdorura morën emërtimet e tyre, që u mbetën si kujtim backallinjve. Edhe sot në Backë përmendin: “Kusia e Bosnjës”, “Velenxa e Kosovës”, “Ibriku i Bosnjës”. Në ato luftime kanë mbetur në Çermenikë 40 prej tyre, mes të cilëve 15 backallinj. Dhe atyre trimave u kanë kënduar e këndojnë në jetë të jetëve:

Ç’u solli juve nga Juga,

Shtatë ditë u bëri rruga?

Çermenika në një gropë,

Se ç’na mori 40 shokë.

Kush e zë taborë e shkëmbit,

Myrtua, i biri Hajdërit.

Kur u diktua se shqiptarët po luftonin vetëm dhe turqit po fshiheshin guvave, Myrto Hajdëri vrapoi dhe e grisi flamurin turk në sytë e tyre dhe tok me backallinjtë e tjerë dolën kaçakë nëpër male. Nga Vlora vinin urdhra luftarakë me firmën e Ismail Qemalit: “Jeni të lutur të porositni patriotët e Skraparit dhe të Tomorricës, që të zënë shtigjet dhe të mos lënë armikun që të hedhë asnjë hap përpara, që të hidhet në mësymje.” Grekët kishin arritur deri në Panarit, po backallinjtë zunë Qafën e Martës. Ishte 25 korrik 1913, greku kishte hedhur forca të shumta në Jug të vendit. Ishin backallinjtë që barrikada vunë gjokset e tyre. Lace Backa, Zote Tashani, Shasho Tashani, Sulo Feriti, Samit Feimi, Qamil Abazi, Tase Dashja u ngjitën në Kurorë, ku Riza Kodheli dha sinjalin me tri të shtëna pushke, që ngjiti të gjithë backallinjtë në qafë. Nga ana tjetër gratë nisën punën e tyre, të ngarkuara me ushqime e fishekë ngjiteshin çdo ditë në Qafën e Martës. Lace Backa u përgjak rëndë, po s’luajti nga pozicioni. E mjekuan me ilaçe popullore, po nuk mundi të jetonte. Iku po mbeti në këngët e popullit:

Qafë e Martës,moj Qafë,

 Mbushur me plumba e gjak.

 Qafa e Martës gjëmonte,

 Lace Backa po luftonte.

 U vra Lacja pastë ndjesë

 Me Greqinë e pabesë.

Trimat e Backës mbetën në Qafën e Martës, që edhe pse kanë ikur kaq vite, i bëjnë rojë të gjithë krahinës. Kur vajtën në Backë dy partizanë, pas ca vitesh, takuan të motrën e Lace Backës, Selvinë, dhe e pyetën, se ku i kishin burrat, ajo iu përgjigj:” Burrat e Backës janë atje lart, në Qafën e Martës.” Të tillë ishin ata dhe të tillë do të mbeten në jetë të jetëve. Por atë që nuk e bënë dot forcat turke dhe greke në Backë, e bënë pinjollët e Esat Toptanit. Backallinjtë e braktisën Backën dhe u vendosën në Ullinjtë e Vlorës. Të shtrënguar nga mungesa e bukës ata i kërkuan Xhemil bej Vlorës 20-qase misër, por Mane Kamberit, që i shpuri kërkesën ai iu përgjigj shtazërisht: “Jo 20- qase, po as 20-kokrra misri nuk u jap!” Të kërcënuar nga uria backallinjtë bënë një veprim që nuk ishte në natyrën e tyre, vajtën ia vodhën misrin beut të Vlorës dhe shpëtuan nga vdekja. Atëherë gazeta “Posta e Shqypnisë”, datë 23 janar 1918 shkruante: “…Oh në atë kohë, që lugati i Italisë, argati i Serbisë, dërgati i Greqisë, gjarndarmi i vjetër i Turkies së vjetër, vegla të politikës së njerëzisë, Ententare, Esat Pash Alizoti (Toptani), ishte tue vue flakën Skraparit të shkretë, ishte tue lënë familje të vobekta, kalamajt e vorfër pa shtëpi, pa ushqim e katandi.” Backallinjtë tërë jetën kanë qenë në luftë. Edhe francezët e austro-hungarezët nuk munguan të vinin deri në Qafën e Martës. Aty ua kishin vënë kufirin backallinjtë të gjithë pushtuesve. Pushtimi fashist i solli popullit disa ligësi, që u mërziti jetën. Nisën vrasjet, vjedhjet, hasmëritë, po backallinjtë nuk i prishën zakonet e tyre. Ligjet e fshatit i bënte kryepleqësia pa noterizime e andralla. Mjaftonte gishti i lyer me bojë i kryeplakut. Sa herë zbrisnin nëpër Myzeqe të bashkuar, pushkët nuk i hiqnin nga krahu. Situatën e atyre viteve e tregojnë këto katër vargje:

Të mbetën vetëm ca male

Dhe burimet e kulluar.

Bukuria natyrale,

Mbeti për t’u ngushëlluar.

Kishte bukurinë, po jastëku i fjalës ishte buka. Kryeplaku i fshatit Rrahman Ibrahimi mbeti duke lëshuar dëshmi të tilla: “Të nënshkruarit kryepleqësi e katundit Backë e poshtme, dëshmojmë dhe vërtetojmë nën përgjegjësinë tonë se bashkëkaundari ynë Sali Sefer, është krejt i vobektë, sa nuk përballon dot as shpenzimet e familjes, e cila përbëhet prej 6 frymësh. Backë 21.7.1942.”(AQSH.dosja 22,fondi 404) Pushtuesit vinin dhe iknin, backallinjtë nuk lejonin që ata të kalonin Qafën e Martës. Sulo Liles i vete një letër pa emër, që dihej kush ishte dhe i shkruan: “Morëm një lajm tash nga Panariti, se fuqitë gjermane e balliste po marshojnë për në Panarit e Backë, prandaj lutemi sa më parë bëjini thirrje popullit, burrë për derë, të marrin armët dhe të vijnë në Panarit. Unë po nisem sot në Panarit. Benko Staravecka e të tjerë u nisën.” 86 djem të Backës i lanë kopetë e dhenve dhe mbushën formacionet e rregullta partizane. Po Backallinjtë ishin të gjithë partizanë, sepse brenda fshatit, veç çetës, krijuan frontin e prapavijës. Gra dhe burra ishin në front. Dhe atë front nuk mundi ta thyejë asnjë pushtues. Por ballistët deshën të tregoheshin më trima dhe shkuan të nënshtronin Backën. Por Backa kishte burra për të gjitha frontet. Sa hynë në Backë ndeshën në kundërshtitë e banorëve: “Juve s’u ka ftuar njeri këtu, prandaj tok me kriminelët që u shoqërojnë largohuni, se Bregun e Qafës nuk e kalon asnjë i gjallë.” Dhe kryeballisti Abaz Ermënji i mori lëngaraqët dhe u largua nga fshati. Por për t’u hakmarrë ndaj tyre hartoi këtë letër, që ia dërgonte ballistit Abaz Postena: “Mblidh të gjithë fuqinë t’ënde, po këtë radhë do të mbledhësh të gjithë burrat vetëm të vetmit do lëç në shtëpi. Kush nuk del këtë radhë pushkatoje. Ermënj, 28.7.1943.” Ai dërgoi 12 letra në fshatrat e Potomit që të mblidheshin në Turbëhovë, por ato ranë në dorë të Nesim Cakës dhe mbledhja dështoi. Lufta nisi në front të gjerë, Backa hapi dyert kanat më kanat. Backallinjtë nuk kishin vetëm një armik, i kërcënonin pushtuesit, dimri, varfëria, por backallinjve u mjaftonte një gunë dhe një pushkë për t’i mposhtur të tre. Pushtuesit nuk e dinin që backallinjtë ishin rritur nëpër lufta e dëborë dhe tentonin të hynin në fshat me forca të shumta. Backa kishte çetën,që quhej e fshatit, po rrezen e veprimit e kishte të gjerë. Në Potom vepronte Këshilli Krahinor me kryetar Jake Backën, që ishte rregullator i të gjitha strukturave të fshatit. Nuk kishte telefona, po kishte djem, që i shpinin informacionet në shpejt se telefoni. Ja,me këto copa letre të thjeshta lidheshin fshatrat me Këshillin Krahinor: “Zonë e lirë, 6.9.1944. Këshillit Nacionalçlirimtar Staraveckë. Këshilla Nacionalçlirimtare e komunës Potom ju kërkon si ndihmë për frontin NÇ. 100 kg. grurë dhe këtë grurë do ta mblidhni këto dy ditë nga banorët e atij katundi dhe e sillni. Kryetari Këshillit Krahinor, Jake Backa”, “Nure! Po u dërgojmë 1.50 kuintal bereqet,40 kg. qepë dhe 7 kg gjalpë.” “Myrsel! Epu nga një pushkë dhe nga pesë ballë fishekë paticke dhe merru numrin dhe germën e armëve.” Veprimet ishin të thjeshta, po lufta ishte e rëndë. Po ku mbaheshin Riza Kodheli, Feim Tusha, Riza Mazja, Tefik Zeneli, Xhafer Bilbili, Qamil Abazi, Selfo Tusha, Kamber Backa, Gani Zote, Hazbi Xhixho, Dake Gurra, Neshat Tërpollari, Xhevahir Topi… Brenda fshatit Backë ishte krijuar një qendër tjetër luftarake. Baba Fetahu e kishte kthyer teqenë në një bazë të fuqishme në mbështetje të luftës. Atje bëhej edhe mësim, ku vinte nga Kolonja Petro Nini Luarasi e mësonte fëmijët e krahinës së Potomit. Kur mbaroi Kongresi i BRASH-it në Helmës, Enver Hoxha duke zbritur poshtë i bëri përshtypje arkitektura e teqesë dhe pyeti. Kur i treguan se babai ishte nga Kolonja e Gjirokastrës, shkoi e vizitoi dhe hodhi dy napoleon flori. Babai u çudit dhe i tha: “Si shumë hodhe, shoku Enver.” Dhe ai ia ktheu: “Edhe këtu shumë njerëz vijnë dhe ti i pret si miq.” Në Backë janë shpallur dhjetë shtëpi si baza të Luftës, por kjo do korrigjuar, se të gjitha shtëpitë e Backës ishin Baza Lufte. Gjashtë backallinj janë shpallur heronj të punës dhe nderi i krahinës dhe rrethit, por dhe këtu duhet një korrigjim. Backallinjtë, që u bashkuan të gjithë në luftë, nuk mund t’i ndash në vlerësime. Ai fshat nxori dy gjeneralë, Mendu Backa dhe Astrit Backa, po ata të gjithë ishin gjeneralë. Më vjen mirë t’i mbyll këto shënime me këto vargje, që janë shkruar dhe i shkojnë Backës:

Backa është histori,

Me lirinë ka miqësi.

I ka dhënë gjak safi,

Për lirinë jep gjak të ri.