Enver CAKAJ/ A ju kujtohet gjaku i Vlushës?

1104
Sigal

Atje janë të 23. Atje është dhe gjaku i tyre. Atë gjak nuk e lan dot asnjë  lloj solucioni. Vlusha e mbuluar me dëborë u skuq e u nxi. Nënat sypathara hodhën shamitë e zeza. Ato shami nuk i hoqën kurrë, por i morën me vete në varr. Kaq e rëndë ishte dhimbja. Ishin 23 burra, që rrinin në hallin e tyre. Vrisnin mendjen si t’i nxirrnin bagëtitë nga ai dimër i rëndë. Po bukë ku do të gjenin për muajt, që u mungonte? Ky ishte hall mbi hallet. Këtë hall e patën nga ata që e quanin veten shqiptarë. Çfarë të keqe bënë,që i vranë? Vlusha e burrave të nderuar, Maliq Sanxhaku, Nuri Mançe, Qemal Mançe, Ismail Mukaj, Sulo Sanxhaku, Neshat Mançe, Muharrem Çollaku… masakrohej  si të kishte bërë krimet e botës. I vetmi krim që bëri ishte kundërshtimi i ballistëve dhe gjermanëve,që u kishin pushtuar vendin.

Ishte  janar i vitit 1944. Vlusha u rrethua befasisht. Kush e rrethoi dhe pse? Në Vlushë vete kreu i Ballit Kombëtar, Muharrem Kapllani e mbledh fshatin. Çfarë u tha e si e përcollën? Ballisti kërkoi ta mbështesnin si fshat. Në emër të fshatit u ngrit burri i mençur Dalip Borri: “Zoti Muharrem, ne si fshat jemi me nacionalçlirimtaren, se i kemi dhënë fjalën të birit Sinaninit, Kahreman Yllit. Nuk mund të bëhemi si mësalla me dy faqe.” Muharremi uli kokën dhe u ngrit e iku pa thënë asnjë fjalë. Të zezat për atë fshat i mbajti brenda shpirtit katran. Në darkë vajti bujti te Jonuz Çollaku, të cilit i kërkoi mish e bakllava. E ku gjendeshin ato në palcën e dimrit, kur bagëtitë ishin bërë tezgene? Jonuzi e priti “mikun” shqiptarisht dhe i tha: “Zoti Muharrem i paske harruar traditat e Skraparit. Ne e kemi zakon t’i hapim derën mikut,pa se çfarë ka për të ngrënë, nuk diskutohet. Zotrote ha këtë përsheshin me rehani, që na u ndodh dhe bjer e fli”. Kjo e sëmboi kapadaiun e ballit, se ishte mësuar me gjëra të rënda dhe iu drejtua Jonuzit: “Hë pa do të më shikoni!” Iku birbua për të sjellë zinë e madhe në Vlushë. Shkoi dhe ngriti një detashment gjerman për të rrethuar e vrarë Vlushën. Çuditërisht, Hetem Mollasi, një tjetër ballist, që e dinte ç’do të ndodhte në Vlushë, takon Gjenç Mançen nga Vlusha dhe i jep një letër, që të shkonte me nxitim e të largonte të gjithë banorët nga Vlusha. Nga ana tjetër Kahreman Ylli kishte njoftuar vlushallinjtë të largoheshin, por lajmi i tij nuk arriti në kohën e duhur. Një letër tjetër e dërgonte Muharrem Kapllani për të vetmin ballist të fshatit, Shuaip Çollaku, ku i shkruante, që kur të vinte gjermani t’i nxirrte letrën. Por as ai s’pati fat, se letra ra në dorën e Abaz Çollakut, i cili nuk ja dha, po e mbajti për të shpëtuar veten. Kur kaluan nga Osoja gjermanët morën dy dervishët dhe Zenel Muçon,i ngarkuan me plaçka dhe, ndërsa dervishët i pushkatuan, Zeneli shpëtoi tok me Adem Polenën, të cilët kishin një pamje. Kur panë Ademin,e kujtuan Zenelin dhe e lanë të lirë. E njëjta gjë ndodhi dhe me Zenelin e vërtetë.

       Komanda gjermane urdhëroi bastisjen e të gjitha shtëpive dhe i mblodhi të gjithë burrat e i futi në shtëpinë e Tefik Ajdinit. Të ngjeshur në atë dhomë të vogël, burri  i mençur Muharrem Çollaku u tha më të rinjve, që të shponin muret dhe të shpëtonin sa të mundnin, por i zoti i shtëpisë kishte frikë se, i digjnin shtëpinë dhe nuk u bë asnjë përçapje. Të 24 burrat prisnin vdekjen. Dhe ditën e 9 janarit, pa zbardhur mirë dita, burrat e lidhur me litar, i nxorën tek Kisha dhe i shkuan në plumb. Kaq punë kishte gjermani në Vlushë dhe dha sinjalin e largimit. Gratë ngritën kujën dhe shkuan të gjenin djemtë e burrat e tyre,të mbuluar me baltë e dëborë. Disa prej tyre nxorën rënkimet e fundit,kurse njëri prej tyre, që nuk njihej mirë, sepse ishte lerosur në gjak e baltë, u gjend i gjallë. Ishte Sadedin Borri, i plagosur në një krah. I tmerruar nga ç’i panë sytë, sa i zgjidhën litarin, ua mbathi këmbëve dhe  shkoi u fut tek Shpella e Seferit dhe që andej e shpunë në Radesh te motra e tij. Gjysma e burrave të fshatit mbeti pa varrosur! Ata që e kishin diktuar këtë të keqe ishin hedhur përtej në pyll. Kush t’i hapte varret dhe kur do të varroseshin. Burrat e ndershëm  të Vlushës mbetën dy-tri ditë të shtrirë mbi dëborë. Familja e Hamitit e mori Sani Shatrin dhe e varrosi pranë shtëpisë. Po të tjerët? Mançellarët i varrosën në destinë, të tjerët tek Xhamia. Po stranica ku do të gjenin dhe kush do t’i priste? Gratë mezi morën njerëzit e tyre. Kishte ardhur Huda Gradeci që shkoi e preu arrën për ta bërë stranica. Kjo ishte vepër e Ballit Kombëtar, që mburrej me vrasjen e vëllezërve të tyre. Ata që u dolën krah, por dhe i udhëhoqën gjermanët për të bërë krime, llomotitnin, se gjermanët nuk kishin ardhur si pushtues, por si kalimtarë. Atëherë përse e bënë këtë masakër në Vlushë, Krushovë, Kapinovë, Borovë?…Se si ishin ballistët e ka qëndisur gazeta “Dielli” në Boston me numër 5767, datë 26 mars 1947 me titull: “Dy fjalë për ballistët” : “Ballistët tanë kanë vdekur moralisht dhe nuk mund të ngjallen më…por mënt vranë edhe Shqipërinë, të cilën e nxinë përpara botës si pro italianë e pro gjermanë. Ballistët tanë ranë si shahitë të luftës fashiste… mos u varni torbën, po u tregoni vendin. Dhe vendi i tyre është në varret e fashizmës.”. Vlushallinjtë e vrarë janë atje, atje e kanë edhe gjakun. Eshtrat e tyre nuk i lanë të ndara, sepse ata kishin një ideal. I morën eshtrat e tyre dhe i vendosën bashkë në selinë e trimërisë , sepse strukturat shtetërore i shpallën dëshmorë të Atdheut. Ata nuk ndihen,por flasin së brendshmi. Nga ato qivure ata zbrazin ende armë. Dhe plumbat e tyre shkojnë larg e lart.

Aty nga viti 1945, në Berat u bë gjyqi i tradhtarëve dhe masakruesve dhe disa prej grave të Vlushës, që u ishin vrarë burrat e djemtë e tyre, u dërguan lajmërim që të dëshmonin për atë masakër që u bë në fshatin e tyre. Por ato janë mbledhur tek varret e tyre, i kanë riqarë dhe kanë vendosur,që,në shenjë proteste të mos vinin e të shikonin më ato fytyra kriminale. Atëherë janë krijuar dhe këto vargje për ato nëna shamizeza e zemërbardha;

                                         Gra që mbajtën nderin,

                                         Dhe shtëpitë si burrë,

                                         E shamitë e zeza,

                                         Nuk i hoqën kurrë!

       Ato ishin dhe mbetën nëna sypathara derisa u vajtën pranë. Edhe lotët i morën me vete. Ku t’i gjesh më ato nëna si Begzane Shatri, që e mbajti këmishën e përgjakur të Saniut në sepeten e nusërisë dhe kur po falej si qiriri, la amanet t’ja vinin në arkivolin e saj në varr?! Ku përsëriten më Gjyrxhi Mukaj, Titi Çollaku, Vezire Borri, Gjyrxhi Mukaj, Rubije Muka, Bejaze Sanxhaku, Gjyslyme Sanxhaku, Alije Borri, Hajrie e Nevreze Mançe?

Vlushës nuk i janë ndarë historitë me qefinë. Vite përpara në lagjen e Borrakëve jetonin burrë e grua,që nuk patën fat të bënin fëmijë. Të varfër deri tek ata. Kishin vetëm një arë sa një shami xhepi, që e mbillnin grurë e misër dhe e korrnin bar. Një ditë i zoti i shtëpisë vdiq. Kjo nuk ishte ndonjë ngjarje e jashtëzakonshme,se një ditë do të ndodhte, por e keqja erdhi pas vdekjes. Ku të gjenin një qefin,që ta varrosnin? Kërkuan nëpër fshatrat rreth Vlushës, por nuk gjetën. Kur e pa një vlushalli, që ai mbeti pa varrosur, nxori nga sepetja e gruas një copë, që e kishte ruajtur për vete dhe ja dha me kusht, që do t’i kthente lekët brenda afatit që caktuan, në të kundërtën do të linte garant të vetmen tokë që kishin. Afati erdhi,por e shkreta plakë nuk i rregulloi dot lekët. Kjo e detyroi plakën që t’i jepte atë copë tokë. Kjo ishte më e dhimbshme se dhimbja. Plaka mbeti si hurupe. Ajo tokë edhe tani mban emrin  “Ara e qefinit” . Si hakmarrje e asaj masakre, në fushën e bukur të Destinës në Vlushë  u krijua Brigada e 7-të sulmuese me 420 djem si fillim, ku u radhitën edhe djemtë e Vlushës, Nexhip Borri, Kajmak Ajdini, Muço Mançe, kurse 17 të tjerët u rreshtuan nëpër formacione të tjera partizane. Por gjermanët e ballistët nuk iu ndanë Vlushës. Bajram Çollaku, që vinte së largu, kur vete pranë shtëpisë, kapet nga gjermanët. E lidhin dhe e shpien poshtë shtëpisë. Me vete kishin marrë dhe një kazmë që ja dhanë të hapte varrin e tij. Punonte ngadalë i shkreti Bajram mos ndodhte ndonjë mrekulli. Ato çaste e shikon skenën një vajzë e Agushit dhe shkon tek gjermanët t’u lutet që të mos ia vrisnin të birin. Nuk u mor vesh se çfarë ndikoi, por me këtë ndërhyrje Bajrami shpëtoi, por edhe pse tani nuk jeton më, ka lënë toponimin, “Te varri i Bajramit”.Vlusha u zbraz përsëri. Tok me fshatrat rrotull, për të shpëtuar ata që kishin mbetur, shkuan u futën në shkëmbin e Osojës. Aty u sërosën sipas fshatrave. Çfarë hanin e ku flinin? Vetëm lakrat e ziera me një prari me miell i mbajtën gjallë. Edhe ajo shpellë ka lënë toponimin e saj “Shpella e gjermanit”. Edhe kësaj ngjarje i kanë kushtuar vargjet:

                                         Po një fshat i tërë,

                                         Me se rrojnë vallë?

                                         Strukur pranë e pranë,

                                         Si flenë e çfarë hanë?

       Destina e bukur e Vlushës mbushej çdo përvjetor në kujtim të formimit të Brigadës së 7-të Sulmuese. Kërcisnin këngët partizane si ato ditë të shkuara. Por erdhën ca kohë,që këmbë njeriu nuk ngjitet lart. Përse nuk vijnë?Ata partizanë thuajse nuk jetojnë më, po të pjellët e tyre ç’patën që vdiqën? Atje shkon një përfaqësi e veteranëve nga Çorovoda, ku nuk gjejnë asnjë njeri nga zona. Madje, nuk venë as ata që u janë vrarë njerëzit e tyre. Po destina nuk është më siç ishte. Ka mbetur vetëm lapidari. Ai shesh i bukur është kthyer në tokë buke! Kështu janë kthyer edhe livadhet e bukura, ku bëheshin ekskursione e piknikë, që s’mund të harrohen kurrë. Me thonj e me dhëmbë të kishin hapur toka në vendet djerr dhe ato bukuri që i kishte falur natyra të mbeteshin ashtu.