Ëngjëll Fino*/Çeta patriotike e Çerçiz Topullit dhe lufta e Mashkullores në 105–vjetorin e saj

98

Kujtime nga patriotë që e kanë njohur nga afër heroin Çerçiz Topulli, intervistuar nga ish-telekronisti i TVSH-së për Gjirokastrën, Ëngjëll Fino

Në fillim të muajit mars të vitit 1973, në kuadrin e veprimtarive që zhvilloheshin në përkujtim të 65- vjetorit të Luftës që kapedan Çerçiz Topulli me çetën e tij zhvilloi kundër pushtuesve osmanë më 18 mars të vitit 1908 në brigjet e fshatit Mashkullorë të Gjirokastrës e që ka hyrë në histori me emrin Lufta e Mashkullores. M’u ngarkua nga redaksia e Televizionit Shqiptar, të përgatisja një telekronikë të zgjeruar nga vendet, ku strehohej dhe me njerëzit që e kanë njohur nga afër heroin Çerçiz Topulli. Zgjodha për këtë fshatin Prongji, të krahinës së Kardhiqit, vendlindjen e njërit prej luftëtarëve të kësaj çete, Barjam Prongjia (Ligu), që së bashku me Hito Habilin (Lekdushin) shtinë këtë kriminel në kalldrëmin e Lagjes “Meçite”. Ndezën ata kështu shkëndijën e betejës së Mashkullores 105 vjet më parë. Në afërsi të fshatit Prongji, si kurorë e bukur plot gjelbërim e pyje me drurë shekullorë, ku  ngrihet krenar e hijerëndë mali i Bajramus, e në afërsi të tij gjendet një shkëmb i madh e i thepisur që prongjotasit e quajnë shkëmbi i Mjaltit. Në biseda me ta mësova se, ky shkëmb e ka marrë këtë emër nga prania e një numri të madh bletësh që shtegtojnë nga vende të ndryshme duke krijuar një koshere natyrale ku prodhojnë sasi të konsiderueshme mjalti prej shekujsh. Në një prej të çarave të këtij shkëmbi tepër impresionues për konfiguracionin e tij, e që me zor e shkel edhe këmba e dhisë ndodhet një guvë e mbrojtur mirë nga erërat. Nga ajo kohë atë shpellë prongjotasit e kanë pagëzuar shpella e Çerçizit, emër që mban dhe sot për arsye se ishte strehë e sigurt për çetën e tij, ku fshihej me ditë dhe javë të tëra, për të mos u diktuar nga koshadhët turq. Dhe i mbrojtur nga populli patriot i Prongjisë. Ky fakt tepër interesant u bë dhe prologu i telekronikës që përmenda më lart, e që e mësova nga patrioti plaku i mençur e shumë dinamik i atyre viteve Majko Lluri, që kishte kaluar 82 vitet e jetës. Ai kishte ndjekur nga afër Çerçiz Topullin e Mihal Gramenon që e bëri të njohur me këta trima bashkëfshatari i tij Bajram Prongjia. Pasi u njohëm dhe biseduam se ç’ka kërkova Xha Majkua, nisi të na tregojë lirshëm ato që dinte e kish përjetuar për çetën trime të Çerçiz Topullit. Në këtë takim shoqërohesha me shokun tim arsimtar Sabri Skëndo nga ky fshat. Më mori një ditë Bajrami,- nis tregimin Xha Majko -dhe më tha që nesër do të vish me mua në një vend këtu pranë fshatit, mos të shikojë njeri dhe mos të shkasë goja t’i thuash njeriu, as njerëzve të shtëpisë se na përvëlon fshatin. Ne kemi të dy një detyrë që do ta mësosh nesër në mëngjes. Të nesërmen në mëngjes më shpjegoi detyrën e më tha se do të grumbullojmë bukë e ushqime në disa shtëpi të fshatarëve, të cilat i çuam për t’i ruajtur në shtëpinë e Bajramit. Në mbrëmje u nisëm të dy me dy trasta me ushqime dhe ujë dhe rrugës më tregoi, se ku do të shkonim. Kur më tha që do të dërgojmë këto ushqime kapedan Çerçizit, mua më përshkuan mornica trupit. Ecja e mendoja, unë isha vetëm 15 vjeç dhe do të takoja këtë trim të madh, prandaj kisha emocione. Mua më vinin lloj-lloj mendimesh, se si do të përshëndetesha me Çerçizin, dhe luftëtarët e tij? Bajramin Çerçizi e njihte mirë, sepse e kishte luftëtarin e  çetës dhe e kishte ngarkuar që ta furnizonte çdo ditë me bukë. Sa me pa Çerçizi ngriti dorën dhe u takuam, më mbështeti në gjoksin e tij  kokën time dhe më përgëzoi për detyrën. Që nga ajo ditë unë shkoja rregullisht së bashku me nënën për ti çuar ushqimin. Këtë më tregoi Mjako Lluri në Prongji.

Takimin e dytë e bëra me patriotin Shahe Harka nga fshati Mashkullorë, vëllai i njërit prej luftëtarëve të çetës Zeman Mashkullora. Xha Shahja, i cili e kishte djalë të tezes, më ka treguar për strehimin e çetës në shtëpinë e tij, fill pas atentatit të vrasjes së Bimbashit turk. Çerçizi,- më tha Xha Shahja, -ishte i vendosur që të sakrifikohej për mëmëdhenë.  Mbasi i zbuluan vendin, ku strehohej çeta rrethoi tërë fshatin me ushtri. Situata qe e vështirë, por vigjilenca e Lules nënës time dhe e Dilisë, një nëne tjetër, bëri që të lajmërohej në kohë Çerçizin me çetën e tij. Të cilët me gjakftohtësi të madhe përshkruan rrugën anës së përroit që ua tregoi nëna ime dhe zunë pozicion te hauri i Abaz Çanit. Turqit shumë të egërsuar ngaqë u mundën keq në atë luftë duke lënë 11 të vrarë, vijnë në fshat dhe me arrestojnë mua dhe më çojnë në burgun e Janinës, ku më bëjnë tortura nga më të rëndat që të tregoja bazën, ku strehohej Çerçizi. Unë,- tregon Xha Shahja, u shpjegoja se ata i gjen vetëm maleve. “Mësuesi i Merituar” Iliaz Hoxha, nga lagjja Palorto më ka treguar: “Në vitin 1906 sa isha kthyer nga Turqia, ku mbarova studimet për mësues dhe fshehtas u mësoja fëmijëve të lagjes alfabetin shqip në një dhomë të shtëpisë time. Një ditë më vijnë në shtëpi tre koshadhe turq dhe me kërcënojnë, duke më thënë, mos vazhdo t’u mësosh fëmijëve atë gjuhë të mallkuar nga Pejkamberi, se do të syrgjynosim me farë dhe me fis në shkretëtirat e Jemenit. Për këtë ndodhi informova Çerçizin në shpellën e Kërcudhës, mbi qytetin e Gjirokastrës, ku strehohej çeta e tij. Më dëgjoi me vëmendje në puthi në ballë për iniciativën që kisha marrë dhe më porosit që disa ditë të mos të punoja me fëmijët. Por të rrija kafeneve të pazarit. Pas një jave e rifillova përsëri punën dhe koshadhet turq nuk erdhën më. Siç duket Çerçizi kishte mbaruar punë me ta”, përfundon mësuesi.  Xha Iliazi ishte një ndër nismëtarët e çeljes së shkollës së parë shqipe “Liria” të Gjirokastrës. Ai tregon se si një ditë ajo faltore u bë shkëndija e përparimit, ku Çerçizi hodhi valle në atë dhomë të vogël. Çerçizin kanë pasur fatin që ta njohin dhe disa barinj të Lazaratit, ku kishin stanet e bagëtive të tyre. Në malin e Sopotit e Makërxhimës, mes tyre ishin disa barinj si: Ali Aliko, Rrapo Gjolleshi, Mehdi Krishti, Muslim Buci, Demo dhe Murat Kazma, Ali Mahmuti, Tati Meçi, Saliko Polle, Osman Aliko, Magrib Gaba, etj.. Të cilët më kanë treguar me nostalgji për figurën e Çerçiz Topullit dhe Mihal Gramenos e luftëtarëve të tjerë të cilët i kishin strehuar e ushqyer. Ata tregojnë se ai u mësonte kënge patriotike dhe sit ë qëllonin me pushkë dhe të tjera. Edhe barinjtë nga Mashkullora, Musim Harka, Mahmut Hamaj, Veit Myrtatj, Zero Dakaj, Refat Bistri, Vasil Puci dhe Refat Myrtaj , Levend Dodaj, Veli Haska dhe Dalan Resuli, më kanë folur për trimërinë dhe atdhedashurinë e Çerçzit me shokë që kanë luftuar për popullin. Çerçizi dhe çeta e tij kudo që shkonte mbrohej nga populli, malet ishin streha e tij, që nga mali i Stugarës, Drinos, Leftokares, në malin e Bidos të Sopotit. Ato e gjenin sigurinë e tyre edhe te minoritarët dropullit, ku Çerçizi kishte shumë miq e shokë.  Tani dua ta mbyll këtë shkrim me ato pak kujtime që kam mundur të mblidhja me një fakt shumë interesant dhe domethënës. Në fshatin Derviçan të krahinës minoritare greke të Dropullit të poshtëm Çerçizi me çetën e tij kishte një strehë të sigurt lart në manastirin e fshatit. Por Çerçizi shpeshherë zbriste edhe në fshat në familjen e mikut të tij Pano Paço, i rrethuar me respekt nga tërë familja. Një ditë në afërsi të shtëpisë së Panos në familjen Dhiamani bëhej dasmë, martohej një djalë i shtëpisë dhe Çerçizi pyet ç’bëhet atje? Dasmë i kthejnë përgjigje, martohet një djalë. Dëshiron të shkojmë edhe ne? Posi jo tha Çerçizi. Dhe ai shkoi me Panon në dasmë dhe e pritën përzemërsisht të tërë dasmorët, bëri urimet dhe qerasi nusen me një lirë turke dhe iku i siguruar nga djemtë e fshatit dhe iku për në manastirin ku e priste çeta.

 *Ish -telekronist i Televizionit Shqiptar

 Hito labi me Bajramë,

Në Gjirokastër bënë hatanë,

Mu tek furra në të dalë,

Me bimbashin ballë për ballë,

Se ç’i bënë temenanë,

Prite, o Bimbash, i thanë,

Se shumë na ke plasur xhanë

Nga Janina vjen Mazapi,

Në Mashkullorë te Rrapi,

Te Rrapi në mashkullorë,

Foli Çerçizi me gojë,

Mylazim largo taborë,

Lëri djemtë e mi të shkojnë,

Se u skuq u bëj me bojë,

Çerçiz Topulli më thonë…

Proto marsi me të hyrë,

Asqerë nga Janina vijnë,

Në Mashkullorë në brinjë,

Rrethojnë fshat dhe xhaminë,

Mu te rrapi me të dalë,

Hodhi baterinë e parë,

Çeçua doli në ballë