Engjëll FINO/ Barinjtë e Gjirokastrës, ata që s’u ngopën kurrë me gjumë

1351
Sigal

Njerëz fisnikë, bujarë e atdhetarë, përçues të denjë të traditës nga brezi në brez

Në jetën e gjithsecilit prej nesh, ka një ngjarje që edhe dekada të kalojnë mbeten të pashlyera. Me një të tillë do ta nis këtë shkrim kushtuar atyre barinjve fisnikë, atyre njerëzve që kanë pritur me duar vetëtimat, atyre njerëzve që u lagej dhe gjuha nga vërshimet e shirave të rrëmbyeshëm, atyre njerëzve të thjeshtë që u skuqej fytyra nga erërat e forta të dimrit e u rridhte djersa çurk nga zhegu i ditëve të verës, atyre të palodhurve që s’u ngopën kurrë me gjumë.

MBI 3 DEKADA MË PARË

Ishte vera e vitit 1981. Kopetë e dhenve në rrethin e Gjirokastrës ishin vendosur në kullotat verore të maleve të Çajupit, Nemërçkës, Buretos, Sopotit, Drianos, Picarit, Lejtokaresë, Çarakalit etj.. Brigadier i sektorit të blegtorisë së imët të ndërmarrjes bujqësore “Myzafer Abazi”, Çerçiz Çunaj, një bari me eksperiencë nga Progonati i Kurveleshit me banim në fshatin “Asim Zeneli” më fton për të përgatitur një telereportazh nga verimi i kopeve të kësaj ekonomie në malin e Buretos. E pranova me kënaqësi këtë propozim dhe një ditë korriku u nisëm nga qendra e ndërmarrjes me dy mushka. Pasi përshkuam fushën e Lazaratit e të Libohovës, kaluam mes për mes qytetit dhe në një rrugë malore tepër të thepisur e të ngushtë arritëm në vendin e caktuar. Lamë mushkat dhe u ulëm të çlodheshim në një tendë të bërë rishtas. Aty takohem me barinjtë Eqerem Pula, Mato Koli, Safet Keri, Gurat Çuni Sheip Gervisheri, të cilët më falenderuan që shkova atje. Siç e kanë zakon barinjtë e Labërisë nisin nga shakatë e romuzet me një humor të hollë prej labi, gajaseshim nga të qeshurat. Për të shfrytëzuar kohën që apo të gdhiheshe dita të bëja filmimin e telereportazhit, nisa të përgatisja aparatin e xhirimit. Mora bobinën me film dhe nisa a vendosja në folenë e aparatit. Dhëmbëzat e filmit nuk më korrespondonin, u shqetësova shumë. Çerçizi më pa që u prisha në fytyrë e më pyeti: Ç’ke , mos ke ndonjë shqetësim nga rruga që bëmë? -Jo i them, por nga nxitimi kam marrë bobinë me film të xhiruar, ne vend të filmit të pa xhiruar! E për këtë u mërzite?Punë e madhe e bëjmë një herë tjetër. Rri sonte me ne dhe shfrytëzoje për ndonjë shkrim për në gazetën “Pararoja” (Gazetë lokale e rrethit). Në bisedë hyri dhe bariu fisnik i qytetit të Gjirokastrës Safet Kërri! -Ku e ke shtëpinë në Gjirokastër?-me thotë. -Në Lagjen “18 Shtatori”!. -Aty i mban aletet(për aparatin e filmit).-Po, i them, po te bufeja e kuzhinës kam ngatërruar filmin . -Ke njeri në shtëpi?

-Jo, bashkëshorten me djalin dhe vajzën i kam me leje të zakonshme, pse si është puna? -Po qe se do t’i kishe atje, shkoj unë e ta marr filmin!. -Punë që s’bëhet i them! -Bëhet që ç’ke me të, e ke çelësin e shtëpisë me vete? Po e ke ma jep mua të shkoj të sjell filmin në mëngjes! Ama po ke besim –përfundon fisniku Safet! -Ishte ora 1930, u habita nga guximi i tij! -Jo vetëm që kam besim, por përse duhet bërë kjo sakrificë !-i them dhe pa kaluar asnjë minutë , nxora çelësin nga xhepi dhe ia dhashë atij bariu plot edukatë e iniciativë!

Dhe ashtu u bë! Safeti , mori mushkën e në orën 2000 u nis nga maja e Buretos për në Gjirokastër. Arriti atje vonë, trokiti te dera e fqinjit tim, mësuesit të merituar Vangjel Kostaqi e sëbashku me të, çeli derën, hyri në shtëpi, mori filmin e në orën 6 të mëngjesit u gjend në Bureto. Një veprim ky sa fisnik aq edhe i vështirë.  Kur Safeti më tha se mori dhe fqinjin, thë them të drejtën më erdhi keq e i thashë: Po Vangjelin ç’e doje, çelësin ta dhashë ty me bindje e besim të plotë për ndershmërinë e misionin që more. Me këtë veprim më ke ofenduar… Bariu i mirë, i ndjeri Safet , buzëqeshi e nuk më foli.  Kjo sjellje e tij linte të kuptonte, se ai ishte një njeri shumë i pastër e qytetar me virtyte. Ajo që dua të theksoj është se familja e Safetit ishte e deklasuar e kohës, por ai ishte një ndër barinjtë e dalluar në shkallë rreth, tepër korrekt dhe me shumë edukatë të lart, i përkushtuar në detyrë. Të tillë njerëz esnafë e prodhues të të mirave materiale shoqëria duhet të nderojë e respektojë me mirënjohje. Të portreti i Safet Kerrit, ishin skalitur virtytet më të mira të një qytetari model.

NJERËZ ME PERSONALITET

Të tillë barinj të palodhur, kokulur e të pasionuar pas zanatit të blegtorit, kanë rritur personalitetin e tyre nëpërmjet punës së ndershme e rezultateve të larta në prodhim , çobanët kurveleshas të Kooperativës Bujqësore “Asim Zeneli”, të cilët zbritën nga Progonati, Lekolushti, Rexhini, Nivica e Golëmi me kopetë e dhenve duke sjellë në kodrat e Pesjakut gjallëri, janë krenaria e shoqërisë. Bariu i talentuar Nustret Jupaj nga Progonati i traditave patriotike e blegtorale është shquar për ndershmërinë, sakrificat e merakun për punën. Trashëgimtar i denjë i të atit të tij bari, Rushit Jupaj, ai u dashurua me erën e deles e të trëndelinës së maleve të Kurveleshit, që në fëmijëri dhe talentin e blegtorit esnaf e manifestoi me përkushtim në kopetë e dhenve të Kooperativës Bujqësore “Asim Zeneli” I kujtojmë sot brezat me nderim Xha Nustretin për ndershmërinë, drejtësinë, bujarinë e patriotizmin e tij. Familja e Rushit Jupajt u lidh ngushtësisht me LANÇ, Vella i Nusrefit ishte ndër luftëtarët trima të Brigadës së #-të partizane duke luftuar me trimëri e i veshur me këto tradita blegtori Nusret Jupaj ishte ndër barinjtë më në zë e më fisnik dhe dhënë dhe rendiment të lartë në prodhimin e qumështit deri në 7 kv qumësht në muaj.

Po barinj të tillë të përkushtuar që në vend të jastëkut vinin gurin e mbështesnin kokën, që në vend të dyshekut vinin kashtë, që në vend të jorganit kishin për mbulesë sharkun e që s’u ngopej kurrë sy me gjumë, fshati “Asim Zeneli”, fshati me banorë Kurveleshas ishte gati në çdo derë si Ali Lela, Bahri Shena, Riza Haxhi, Merqez Shehu, Lime Haxhi, Dine Shasha, Sejdi Kapo, Xhevat Buzo, Memo Meta, Rasho Qendro, Mine Haxhi, Bajram Shasha, Bajram Hita, Dajti Llapi, Habib Jaupaj, Fejzo Imeri etj të cilët tërë jetën ia kushtuan blegtorisë, u lindën u rritën e u ndanë nga jeta me erën e deles e freskinë e maleve. Bariu Avdi Llapi është nderuar me titullin e lartë “Hero i punës Socialiste” në vitin 1976.

TRADITAT NË BREZA

Tradita të shkëlqyera në mbarështimin e blegtorisë kanë pasur dhe kanë edhe barinjtë e Lazaratit, një fshat në afërsi të qytetit të Gjirokastrës me popullsi labe. Janë me emër çobanët e Lazaratit si esnafë të zanatit. Ata shquhen për kujdes të veçantë në tërë jetën e tyre për delen e dhinë. Ta kishte ënda të bisedojë me barinjtë e këtij fshati Ali Aliko, Osman Aliko, Damo Kazma, Osman Dajlani, Murat Kazma, Lutfi Gjyli, Musllim Buci, Hasan Mamo, Magrip Gaba, Ino Aliko, Çelo Gjolleshi, Ali Mahmuti, Idriz Proko, Idriz Gerveshi, Aqif Bejko, Metat Pollo, Ino Gaba, Rakip Skëndi, Banush Çela, Izet Mahmuti, Shukri Basha, Xhevat Basha etj.. Ishte traditë e bukur në Labëri që këtë zanat fisnik e trashëgonin në breza. Bariu me sqimë nga Lazarati, Ali Aliko këtë e trashëgoi në 4 nga 7 djemtë e tij pikërisht te Sehiti, Zequa, Inua, e Diftiri. Njëri nga djemtë e tij Mahmuti(ose siç e quanin në fshat Beleci) mori zanatin e veterinerit që u shërbeu me profesionalizëm kopeve të dhenve e lopëve. Në biseda me këta barinj mëson se stanet e tyre atje lart në mal ishin edhe strehë e çetave atdhetare që luftonin për lirinë e mëmëdheut. Ali Alikua na fliste me krenari për çetën e Çerçiz Topullit që strehonte për javë e muaj të tërë në stanin e tij.

Në kohë të caktuara të vitit, kryesisht në verë , në stan shkonin dhe nënat, gratë dhe vajzat e barinjve të cilat i ndihmonin ata në gatimin e pjekjen e bukës, në pastrimin e sofrës e të konakut. Të tillë, plot pasion ishin dhe blegtorët e Mashkullorës. Ndër ata kujtojmë me nostalgji Omar Myrtaj, Halil Haska, Myro Bitri , Levend Dadaj, Nebi Myrtaj Bajo Ahmeti, Dalan Resuli, Veli Resuli, Idriz Bitri, Veli Haska, Selim Bitri, Resul Resuli, Brahim Beqiri, Nuredin Dadaj etj..

Ata ishin dhe këngëtarë të talentuar, në stanet e tyre në Kare, Gorofolë, Majë e Frashërit gjëmonte me një bukuri magjepsëse kënga e bukur labe.

BARINJTË E MASHKULLORËS

Barinjtë mashkulloritë në bisedat që bënin në grykën e Shtrungës, flisnin me krenari për traditat patriotike të krahinës për luftëtarët trima të Labërisë, Zenel Gjolekën, Hodo Nivicën, Çobo Golemin, Bilal Golemin, Çelo Picarin, Sulo Beqirin e në veçanti sillnin kujtime na ato ditë të marsit të vitit 1908 kur në fshatin e tyre, pas atentatit të vrasjes së bimbashit turk në Gjirkostër, Çerçizi me çetën e tij u strehua tek patrioti Shahe Haska, vëllai i njërit prej luftëtarëve të kësaj çete, Zeman Mashkullora (Haska) deri në ditën kur u zhvillua ajo betejë heroike e 18 marsit 1908 që në histori ka hyrë me emrin “Lufta e Mashkullorës”. Barinjtë Mashkulloritë, në vitet e LANÇ-it i bënë stanet e tyre baza për strehimin e partizanëve të furnizimit me ushqime. Në ato stane, nën kujdesin e patriotizmin e këtyre barinjve kishin bazë të sigurtë anëtarët e shtabit të Qarkut dhe të Zonës së parë operative Vlorë-Gjirokastër. Ishte esnaf, i urtë, babaxhan e me përkujdesje të jashtëzakonshme për blegtorinë e imët, bariu libohovit, Selam Tosumi. E kush nuk e respektonte të mrekullueshmin e gojëmblin Xha Selam. Për të gjitha sezonet e pushimit që ekzistoi shtëpia e pushimit të pionierëve “Thanas Ziko”, në Kalanë e Libohovës, Selam Tosumi, bariu i kujdesshëm e njeriu i mirë, e merrnin bari me tufën e dhenve të këtij institucioni që kishte në ekonominë e tij. E donin me shpirt pionierët Xha Selamin nga të gjitha rrethet që vinin e pushonin aty. Rrethi i Gjirokastrës për vetë konfiguracionin gjeografik të tij është dalluar për mbarështimin e blegtorisë së imët, ndaj dhe barinjtë që e mbarështonin ishin të shumtë.

E ç’tu thuash barinjve të Picarit për përkushtimin e tyre në këtë traditë shekullore, kanë dhënë kontribut sit ë gjithë barinjtë e tjerë: Izet Seferi, Muho Koko, Mukait Halo, Latif Shaqo, Orhan Demiri etj..Barinjtë vlleh ngritën në kodrën e Tavanit, në Odrie fshatin blegtoral “Andon Poçi”, në vitin 1960. Ata kanë qënë esnaf në mbarështimin e blegtorisë së imët si Mite Mejdi, Ilia Mejdi, Din Jano, Kristo Topulli, Jorgji Shituni, Kita Thomai, Jorgji Dodi, Koçi Niça, Kosta Karamani, Gjergji Fuqi, Dhimo Kola, Kita Shupuçi, Leonidha Niça etj..

Është për tu përmendur bariu esnaf Manol Basho i cili është shquar edhe si gazetar e poet i talentuar, Foto Fuqi, një ndër kuadrot e shquar në ekonomi, ish deputet në një nga legjislaturat e Kuvendit të Shqipërisë, Ilia Kuro, një nga kryetarët e Komunës Odrie etj.. Kudo ku ata veronin apo dimëronin në Krabajt e Vjetra , në rrëzë të shpatit, Malin e Sipërm, Subash, Shëshi me gropa etj.. tregonin kujdes të madh për tufat ku kullosnin e siç thotë populli për çobanët esnafë “u kishte lezet kërraba”. Po barinjtë ishin mjeshtër të prodhimit në mal e të rënies së cules (fyellit), langarit a bilbilit. Ata me dru lisi, ahu, pishe, bredhi, panja, etj.. gdhendeshin në orët që kullosnin dhentë a dhitë, punime të bukura si kërraba, bastuni, lugë, shpendë, kafshë, parmenda, bucela për ujë etj.. Është i njohur për këto punime artistike bariu golemas Bejo Kërra, Muslli Buci, Daver Myrtaj, Dalan Haska etj.. Shumë nga barinjtë Gjirokastritë nga sa përmenda më lart, kanë marrë pjesë me dinjitet me fyejt e langaret e tyre në sa e sa festival folklorike ku kanë marrë edhe çmime si Zeqo Gjyqi, Dine Boçi, Musa Buda, Jonuz Lula, Asllan Nora, Safet Pula, Hysen Hodaj, Maksut Karabina, Mustafa Saraçi, Haqo Seferi. Pra, barinjtë nuk kanë qenë thjesht çobanë, për të mbarështuar blegtorinë, por edhe luftëtarë, prindër të përkushtuar, njerëz esnafë pse jo edhe artistë popullorë dhe bejtexhinj gjithashtu dhe mundës si Nuro Muhameti.

Ata janë dhe mbeten pjesë e traditave shekullore më të mira për popullin tonë sit ë tillë janë në listën e nderit të shqiptarëve që meritojnë të nderohen edhe me titj nderi siç nderohen patriotë, shkencëtarë muzikantë , aktorë, këngëtarë, shkrimtarë, poetë, piktorë, ushtarakë, pushtetarë, mësues, pedagogë, skulptorë, për kontributin e dhënë për sigurimin e popullit me qumësht, mish, lesh e nënprodhime të tyre.

U ndala në këtë shkrim te barinjtë e atyre zonave ku kam qenë me punë e ku kam patur takime me ta si gazetarë, por Gjirokastra në 11 komunat e 2 bashkitë ka shumë barinj të cilët meritojnë të nderohen si patriotë të devotshëm të vendit tonë.