Eleni Kitu, ra dëshmore në malin e Murganës

1060
Nga Sevo Tarifa
“Në shtëpinë e vogël jetojnë 
njerëz me zemër të madhe”. 
Naim Frashëri 
Koshovica është fshati më i fundit në Jug të Gjirokastrës. Vija e kufirit kalon fare pranë banesave, madje në një shtëpi vija kufitare kalon në mes të saj! Banorët janë punëtorë, të urtë e syhapur. burra e gra trima. Edhe me fëmijët ishin krijuar “njësitet e vigjilencës”. Para syve të tyre. Vështirë se kalonte një i panjohur. Ata të ndalonin, të pyesnin ku shkon dhe të kërkonin letër njoftimin! Ndryshe të çonin në postën kufitare…! 
Andrea Gaço ishte për vite me radhë sekretar i organizatës së rinisë të fshatit dhe pastaj i partisë. Një djalosh dinamik, që i kishin lezet mustaqet, trupdrejtë e këmbëlehtë, që bridhte në ato anë dhe gjithnjë me punë fushe dhe mali dhe me aktivitete shoqërore. Edhe kur stina kishte më pak punë fshati, ai i gjente punë vetes: merrej me veprimtari edukative sidomos me rininë, dërgohej i deleguar në organizatën e rinisë të Llogos apo të Sotirës dhe ndihmonte Komitetin e Rinisë të Rrethit në rolin e një instruktor vullnetar, shkonte në shtëpitë e pleqve dhe kujdesej për shëndetin e tyre. Fshati ishte kompakt. Te Lefter Karjani vente gjithnjë, e tërhiqte këtë veteran të Luftës edhe për biseda me rininë, e gjente kohën edhe për të prodhuar raki nga koçimaret! Kur i shkonte miku në shtëpi, i nxirrte pagurin me këtë raki dhe i thoshte: “pi, se rakia është e mirë, nga koçimaret”! E doja dhe e respektoja shumë këtë njeri me shpirt të pastër, merrja pjesë edhe në aktivitete patriotike e dëfryese që organizonte ai me rininë. Një ditë më befasoi, duke më treguar për dëshmoren e fshatit, Eleni Kitu. Ishte një grua nja 55 vjeç, por shumë e varfër, punëtore e madhe. punonte në ara të agallarëve. Jetonte në një shtëpi fare të vogël. Në shpirt kishte dashurinë për fshatin, për vendin, urrejtjen e rezervonte ndaj armiqve. E gatshme të ndihmonte lëvizjen dhe Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Një herë erdhi në Koshovicë një kompani partizanësh. Partizanët duheshin ndihmuar, për transportimin lart në mal të armëve e municionit të luftëtarëve të lirisë, që këto të mos binin në duar të armiku. Fshatarëve iu bë thirrje: kush do të mund të na tregojë rrugën për t’i transportuar këto materiale? Ua tregoj unë rrugën,- u dëgjua një zë nëne: ishte zëri i Elenit. Ajo i dinte aq mirë rrugët, shtigjet, shkrepat dhe gërxhet e malit të Murganës, se në këto vende kishte kullotur e ruajtur dhitë e fshatit. Ato monopate ajo i dinte mirë se atje kishte prerë dru dhe mbledhur rigon. Dhe u bë udhërrëfyese e kompanisë partizane. Ajo e para e kolona pas saj u nisën drejt udhës malore mbi fshat. Rrugë e vështirë. Ajo mbrëmje e 14 nëntorit të vitit 1943 nuk harrohet. Koha ishte e keqe: shi e stuhi, era të grinte. Eleni vazhdonte rrugën, printe përpara, edhe pse filloi errësira. Vështirësitë nuk e frikësonin, përkundrazi ndiente kënaqësi e krenari që ndihmon partizanët, duke marrë përsipër një detyre të rëndësishme, që i shërbente çlirimit të vendit. Sa kishin ikur pushtuesit fashistë italian, ia mbërritën nazistët gjermanë, forcat e të cilit po i afroheshin edhe fshatit Koshovicë. Sa bënë një copë udhë, ia dha një shi i dendur, që binte mbi këta udhëtarë të natës. Sikur të mos mjaftonte shiu, era dhe të ftohtit, filloi të bjerë dhe dëborë. Ata vuanin duke ecur udhë e pa udhë atë natë, banorët e fshatit e kishin mendjen tek ata. Pyetej Eleni nga partizanët: U lodhe, nënë? Jo, bir,- përgjigjej ajo dhe vazhdonte ecjen, duke u mbajtur nga shkurret. Dhe i vinte mirë që pyetet nga një zë i ëmbël e dashamirës i një partizani. Kishte punuar shitëse një një dyqan e në fushë argate, por s’e kishte pyetur njeri kaq ngrohtë. Punonte tërë ditën kokulur dhe kthehej në shtëpi me një qese misër ngarkuar në krahë. Ato rrugë mali i kishte bërë edhe më parë dhe i dinte përmendësh. Kishte kaluar edhe vetëm, por vetmia nuk e trembte, ishe mësuar. Tani është me bashkudhëtarë partizanë dhe s’do t’ia dijë. nuk ka një, por shumë bij dhe bija dhe ngjitet përpjetë si një vajzë e re. E moshuar, por e vendosur, e fortë. Moshën e madhe ia ulin djem e vajza, trima partizanë, me moshën e tyre të re. Megjithë moralin e lartë të saj, e zuri një kollë e fortë që s’po i pushonte. Ecte, por në gjunjë ndiente këputje. Ngadalësoi ecjen. Një partizan hoqi xhaketën e tij dhe ia hodhi krahëve nënë Lenit. Një tjetër propozoi “të ulemi pak e të çlodhemi”. Por Eleni nuk ishte dakord, ajo donte të arrinin sa më parë në majë mali, atje “shohim e bëjmë”,- shprehej ajo. Dhe ecën akoma dy orë përmes atij tufani të natës. Duheshin dhe pak hapa e të arrinin në vendin e caktuar, por tani nënë Leni, ajo që nuk donte të ulej, u ul tani mbi borë! Qëndroi dhe kompania. Partizani i parë i foli, por s’merrte përgjigje! E preku me dorë për ta përmendur, por asnjë zë s’dëgjohej prej saj. Trupi i lodhur i nënës filloi të ftohet. Nëna ishte në frymëmarrjen e fundit. S’ka më jetë! Nëna trime nuk arriti dot deri te vendi i caktuar, por misionin e çuan në vend partizanët që ajo shoqëronte, të cilët u takuan me bashkëluftëtarët e tjerë dhe vazhduan luftën. Kompanisë partizane që njohu këtë nënë, i dukej sikur ajo nënë tashmë dëshmore i shikonte në marshim e në luftë dhe ai dimër do të kthehej në pranverë. Banorët e Koshovicës ndien krenari për heroizmin e bashkëfshatares së tyre, nënë Lenit, por edhe pikëllim për vdekjen e parakohshme të saj. Dhe u ngrit kënga: …Me një qeshje përmbi buzë/ Dhe me zemër të çeliktë… 
Sigal