Ekskluzive/ Hartimi i famshëm i Qemal Stafës: “E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë. Nji jetë e re po lulëzon gërmadhash”. Punimet ndër vite të nxënësve të Skënder Luarasit dhe hartimi i famshëm i Qemal Stafës për Leninin. Ja si u dënua Qemali për idetë revlucionare

2096
Sigal

Botuar ekskluzivisht nga gazeta “Telegraf”/Qemal Stafa nën optikën e mësuesit të letërsisë Skënder Luarasi dhe intelektualëve shqiptarë. Nga hartimi i famshëm tek Deklarata e Qemalit në hetuesinë fashiste

VIJON

 

Qemal Stafa: Hartimi:

Provim i tre muejshit të tretë ,

Klasa V-B, Shkodër 19.IV.1935

 

“E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë

Nji jetë e re po lulëzon gërmadhash.”

 

Fjalë t’arta, fjalë plot kuptim.Tash sa vjet duelën rrjedhshëm prej pendës së një idealisti të madh, të Schillerit, shpirti i të cilit, i etshëm për gjana të reja, ndër të cilat vendin ma të parë e zente lirija e popujvet, lshonte za kushtrimi në shkretinën e thatë të idealismës s’asaj bote të vjetrueme ku rronte. Schilleri e kishte kuptue të vjetrën. Edhe na e kemi kuptue.

E vjetër asht ç’do gja qi kohnat e kalueme na kanë lanë.Systemi shoqnuer, arti i dikuershëm, feja, dasija mes popujvet, janë të tilla.Njeriu vetvetiu i prirun nga përparimi i shef të metat e kohnavet të kalueme, dhe dishiron t’i ndreqë. Kndej çpikjet e reja e të çuditshme në ç’do lamë të kulturës.

Dëshirin e rrënimit të të vjetrës njeriu e ka dishmue ku e kur ka pas rast francezi në Revolucionin e Math të Francës, Galileu me ligjin e tij, Lindbergu me udhtimin prej Amerikë, në Francë, Rusi me ndryshimin esistemit shoqnuer…(Borgjezë hapni veshët mirë!)

Tash të vrejmë imtësisht e mitë të gjitha sendet e vjetra.Sytemi shoqnuer i sotshëm, asht ai i sa mijë vjetvet, i ndryshuem në disa pika, por aq pak, sa nuk të bie në sy.

Bota asht e ndame në kontinente, kta në shtete, shtetet në qytete e krahina, deri sa mbërrimë ke njeriu e ke idenat e tija. Pasunija, qi asht pika e mbështetjes së të gjithë veprimevet, asht e ndame keq(hap sytë sa të duesh kapitalist). Njani ka miljarda e miljarda, n’sa tjetri nuk ka as nji dysh. Disa kanë tokë të gjana për mbjellje n’sa t’afërmit e tyne nuk kanë as bukë(bukë themi) të hajë. Thonë qi asht zhdukë skllavnija.Jo,nuk asht zhdukë, po ka marrë një trajtë tjetrë,atë të ndihmës. Në vend të kamxhikut të drejtuesit të robie tasht penda e bankjerit, në vend të Kesler agait asht polici qi regjistron gratë publike, viktima të vorfnisë dhe të pa-drejtësisë së shoqnisë. Nuk flas për shpatat e Jeniçerëvet të zëvendësueme me vezët në sqetulla, për Gijotinën e zavendësueme me karriken elektrike.

Të gjitha kto i kemi trashigim prej kohvet të kalueme, pse e kanë burimin në ndamjen e pasunisë. T’ishte pasunija e ndame me drejtësi, barabar e të punojshin të gjithë njerëzit e botës për nji qëllim, sa ndryshe do t’ishte jeta!

Statistika zyrtare diftojnë haptas se gjaksinat ma të ndryshme, vjedhjet ma të mdhajat, kan pasë për shkak vobegsin.

Prej këndej shofim se asht gja e domosdoshme ta ndryshojmë ndamjen e sotshme të pasunis (gja e vjetër) e ta zëvendsojmë me nji ndamje të drejtë, e të njinjishme (gja e re). Rusët e kanë ba me kohë:shembull ky se e vjetra shembet.

Edhe na do ta bajmë. Arsimi, ajo dritë e popujve si e quente Viktor Hygo-i përpara u epej vetëm princave e bujarve (nobles). Sot djali i puntorit rrin në nji shkoll me djalin e ministrit qi e mjel: shenjë të sigurta, se bota asht neveritë prej të vjetrës dhe don të renë. Të shofim fenë, opiumin e popujve. Në kohnat e vjetra populli nuk i kuptonte kshillat e drejtuevet të tij: Për me ba arabin të lahej, e të paguente taksat kalifit ishte nevoja e nji Muhammedi qi t’i predikonte popullit ignorant se asht, ekziston, nji zot qi i çon në xhehnem ata qi nuk lahen , qi nuk bajnë gymnastikë, e nuk i lajnë rregullisht taksat. Deri këtu asht mirë. Por të shohim kto tjerat. Nën maskën e ktyne rregullave sa e sa poshtërsina u banë. Sa e sa herë turma e popullit e qorrueme prej drejtuesve të fes së sajë, u bante robneshë e nji tyrani. “Jepni Çezarit, çasht e Çezarit, e zotiut ç’asht e zotit!’’ Sa bukur e diftojnë kto fjalë qëllimin e fesë. Ku ka nji kishë, aty ka nji mbret.

Shekulli XX po e shkatrron të vjetrën. Në vend të saj shton shkollat laike, të majtun prej shtetit, plotëson bibliotekat;lavron shkencat (anmikët ma të mdhajat të fesë:ku je Galilei para turrës së druvet?)shndron kishat e xhamijat në muzeume antiklerikale.Të vimë ke harti.Harti i deri-tashëm, qi veç trajtës së bukur nuk kishte tjetrë cilësi, nuk i përmbushë nevojat t’onë.Ç’më duhet mue nji poezi e bukur në trajtë por e vorfën në idena, nji pikturë me bojna të bukura po pa nji ide?

Poezija e sotshme përveç trajtës, ka edhe idenë, atë ide qi lufton vuejtjet e puntorit, mundin e bujkut.Piktura e sotshme nuk ka aq bukuri të trajtës se të idesë.Mos kërkon në kuadrat moderne gra të bukura, skena idyllike, shenjtorë të rrethuem prej ëngjëjsh e ku ta di unë sa përralla tjera.Kërko në to, përkundrazi të pikëzuem me ngjyra të gjalla mundimin e nji hamalli kur ngren nji arkë të madhe mbushë me…shishe shampanje.

Edhe na shqiptarët do ta rrënojmë të vjetrën.Mbi të do ngrehim madhnisht flamurin e kuq të vllaznimit, të kulturës e të pasunis.Kemi besim në vetvete, prandaj guxojmë.

Asht zemra e nji të riu pesëmbëdhjet-vjeçar qi ju flet.

Shkodër, 19 Qershuer 1935.

Xhemal Broja :

”E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë,

Nji jetë e re po lulëzon gërmadhash”

 

Provim i tre muejshit të tretë,19.6.1935

Klasa V-A, Shkodër

 

Flamurtari plak i vendit po jepte shpirt. Të gjithë paria ishin mbledhë në shtëpinë e tij.Dojshin me pa për herën e fundit atë, qi në nji kohë i prite në luftëtë gjithë kombit,qi shkonte ku ishte rreziku ma i madh….Në kjoftë se dielli nuk i hynte në shtëpi, nuk ishte i Zoti ma me dalë e me e kërkue.Po jepte shpirt ai që liri ishte fryma e tij…me dhimbje që kombin po e linte pa udhëheqës e të shkatërruem. I vinte keq se në çastin e fundit të jetës shifte rrënimin e Kombit, qi aq fort e kishte çmue.

Por kur shef se ndërmjet të parësive,ishin edhe djelm të ri, nji dritë i shndriti syt, bahet ma i gjall…

Për ditë po shofim se prej gërmadhash të kombeve të vjetra,po lulëzojnë jetë të reja. Shembëllën e kemi në Rusinë, e cila u sundonte prej Carëve të fëlliqët,qi kishin shtyp popullin, e nuk ia nepshin të drejtën e qi i bajshin sa e sa kobe të tjera të ndyta e se nën pushtetin e tyre po shkonte Rusija dita me ditë në rrënim,sot,banë qi prej atyne gërmadhash , të lulëzojnë një jetë e re,plotë gjallni.

Gjithashtu kemi edhe në Turqinë, e cila përpara, në kohën e sulltanëve, nuk ishte në këtë gjendje qi asht sot….Aty nji mendje e trashë e sulltanit, e influencueme prej baballarëve të tij ma të liq sa ai, kishte fatin e të gjith popullit në dorë.

Sot po prej atyne rrënimesh po lulëzon nji jetë e kandshme, nën nji atmosferë mendimesh të lira…

Fjalët e të famshmit Schiller, qi i ka thanë nëpër mjet të flamurtarit plak, dita e ditës e me një shpejtësi të madhe po profetizohen.

  1. Arshi Pipa:

“E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë,

Nji jetë e re po lulëzon gërmadhash.”

Provim i tre muejshit të tretë.

Klasa V-A, Shkodër 19-IV-1935

 

…Nji provë e re hedh poshtë të vjetrën e raskapitur, sikurse nji ndërtesë e vjetër, kalbun themelesh, rrëzohet për me i lshue vendin nji tjetre ma të bukur e ma të madhnishme, ashtu prej gërmadhave të kulturës së vjetër të mbijë lulja e djelmnisë së sotme.

…Në shekullin XX duhet me shporrë mendimet e vjetra,qi nji bar i ri të lulëzojë aty ku mbinin ma parë ferrat…(Petro Luarasi; Një hartim i Arshi Pipës,Republika,16.6.1991)

  1. Zija Boriçi:

E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë,

Nji jetë e re po lulëzon gërmadhash.”

Provim i tre muejshit të tretë ,

Klasa V-B,Shkodër 19.IV.1935

 

Neve do të bajmë hapat shumë ma të mëdha kah ana e përparimit qi të mbërrijmë të krahasohena ma shtete të Evropës. Djelmënia e sotshme asht e mbushun me cilësinat e virtytet ma të mira. Sot po gëzojmë të gjithë port zëmrat t’ona nuk qëndrojnë në paqe deri qi çlirojmë vllaznit t’onë qi gjinden në Kosovë e Çamëri, vajtojnë me kenë nën kët sundim të lirë e të hareshëm. Ata nuk gëzojnë kurrë të drejtat e veta. Neve djelmënia e sotshme me gjithë qi gëzojmë, por dot përpiqemi me gjithë shpirt dhe me nji forcë të bashkuar dot bajmë qi të valojë ky flamur kuq e zi qi na u trashigue prej nji Fatosit shqyptar ndër ato vende dhe së bashku të celebrojmë një gëzim dhe hare.

  1. Abas Sali Shehu (Abas Sahu):

     E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë,

Nji jetë e re  po lulëzon gërmadhash.

 

Provim i tre muejshit të tretë ,

Klasa V-B,Shkodër 19.IV.1935

 

…Njerëzia e lashtë qi nuk dinte as me folë, dalngadalë erdhi tue u mësue me folë e ma vonë edhe me shkrue… filloi me u qytetnue e me u ba e dijshme. Grekët e vjetër si edhe shumë fise të tjerë, n’ato kohë nga padija …përuleshin përpara çdo fuqije të saj (natyrës) e tue e njoftëm kët’ fuqi si një Zot, kalojshin kohën e tyne herë tue lutë Zotin e tyne qi mund t’ ishte: nji gur, nji ka i bukur, nji ylber, nji prrue i rrëmbyeshëm, e shumë kësisoj, e herë bajshin edhe therorina shum të mdhaja, tue pre kokën e njerëzvet për nder të këtyre zotave të shumtë.

Ma vonë këta vese dhe kto besime shumë të kota filluen të merren nëpër kambë prej popujve ma që vijshin tue u qytetërue e tue kuptue të vërtetën e fuqive të natyrës. E pra qe se kjo kohë ku njerëzit hupshin pothuaj se edhe jetën e tyne për besimet qi kishin rrënjosë në zemrën e tyre, u zhduk e u shemb. Por mandej tue besue kush në nji mënyrë e kush në nji tjetër, filluen të dalin grindje midis njerëzisë…, secili mundohej që besimi i tij t’u përhapte e me intriga të kota, mundohej me i mbushë mendjen tjetrit. E nji kaq u përhapën këto intriga, sa ata të dijtunit qi e kuptojshin gjendjen thojshin: “Besojmë se ma me lehtësi mund të shpëtojmë një njeri të mbytun në pus, se sa fanatikun prej verigave të besimit (fesë), predikonjësit e së cilës i kanë verbue sytë…” Dalëngadalë njerëzia u dha shkelmin vesevet dhe gjithnjë erdhi tue ba hapa kah nji përparim, kulturë ma e naltë, njashtu do të vijojë më tej: çdo zakon qi e kanë lënë trashëgim të parët, në rast se i përshtatet kohës, ta naltësojë; por në rasë se nuk ka të bëjë me ditët e soçme, t’i japi shkelmin. Thonë se popujt e kohnave të vjetra kanë pasë rrnue në terr. Në të vërtetë dielli i soçëm edhe atëherë ka pasë shndritë…por njeriu n’atë kohë ka qenë i pa dijtun, kalonte jetën dosido dhe nuk mendonte për tjetër veçse me hangër. Pra mendja e tij ka qenë krejt në terr…

Vetëm atëherë do të shofi dritë mbarë bota, kur njerëzia të kujtojë kohën në të cilën gjendet, të dijë se si me kuptue arsyenat e vërteta e të dallojë se me çfarë këmishe duhet me u veshë për me mujtë m’u ba ballë ndryshimevet të kohës. Vetëm atëherë…njerëzia do të bajë qi ndër trashëgime të plakura e ndër udha t’errëta të shkëlqejë një ide e të shndrisë një diell ma me fuqi e të ringjallet nji jetë krej t e re.

  1. Elez Braha:

“E vjetra shembet, kohet po ndryshojne,

Nji jetë e re po lulezon gërmadhash”

 

Provim i tre muejshit të tretë ,

Klasa V-B, Shkodër 19.IV.1935

 

Si një dërrasë, e cila vumun tash sa kohe mbi një proskë nis të kalbet prej lagështisë së tepërt, ashtu edhe ata njerëz që janë zhytur në mentalitetin e vjetër po zhgatërrohen. Disa prej botës njerëzore të dhanë mbas fatalizmës, nuk ja nisin asnji pune të zorshme pëer ta krye, ata të tanë punën e kanë varë në ishallahin! Thonë: “Kështu asht thanë e kështu le të bëhet”. Ata nuk mendojnë se me ishallah nuk qitet gja në dritë. Punën e randë jo që s’e fillojnë, por madje edhe s’e vrejnë me sy. S’kanë faj, kanë gjetë badihava. Kështu gjatë shekujve kund nëpër terr me mundime të mëdhaja erdhi njerëzia deri në ditët e sodit. Prijësit e tyre ne nji mënyrë a në nji tjetër u munduan me e lye sadopak përjashta ndërtesën shoqërore. Ata nuk menduan aspak, se dikur ato themele të lujtshme do të rrënohen e se në vend të tyne do të vendoset një ndërtesë e re, e fortë, e cila do të perballonte çdo dallgë apo pengim. E me të vërtetë, ato themele të luejshme po rrezohen dita ditës. Djalëria, shpresa e ardhshme, po i ban sytë katër e po vëzhgon çdo gja që del përpara. Ajo s’ia dëgjon më fjalën fatalistit… Djali thotë: “Na do të jemi e do ta bajmë, ç’a ju s’keni mundësi me ba”. E fatalisti plot idhnim ia pret: “Po na kallzoni ju të rinjtë se shka batë? ” -Jo na s’kemi ba, por do ta bajmë”. Dita ditës mentaliteti i kalbun po zhduket, krymbat e dyshimit po farojnë; mbi rrënimet e tyre po lulëzon një jetë e re. Njeriu ka lindë i lirë e gjithkund asht ndër pranga. Këto na i thotë Rusoi, i përmenduri dijetar e edukator freng. E mbasi njeriu asht lindun i lirë, duhet ta gëzojë këtë liri e jo sikur deri tash. Ndryshimin e kohës dhe të shemburit e së vjetrës na i dëftejnë fletët e historisë…Po na a thue të rrimë në terr si deri tash e të shohim rreth e rrotulltue ka le një jetë e re e të heshtim? Ah! jo! Djalëria e jonë nuk do të rrijë ende në gjumin e randë të fantazmës. Duhet të sgjohet e me hapa të mëdhaja të drejtohet drejt rrugës së mbarë. Duhet të punojmë, po të punojmë me pa ia da, kështu që të fitojmë dritën e arësyes dhe të bajmë që gërmadhash të lulzojë nji jetë e re.

 

Pjesën më të madhe të hartimeve të nxënësve të tij profesori i letërsisë Skënder Luarasi i dorëzoi në muzeumet e gjimnazeve në qytetet e Tiranës, Vlorës dhe Shkodrës.

 

Edhe hartimet e tjerë të Qemal Stafa gjatë këtij vjeti shkollor qenë të pasura në ide. Në njërin ai shkruante: “Përveç trimërisë, për me qenë burrë duhet me pas edhe një cilësi tjetër: Urtësinë”; në një tjetër: “Cilësitë e shqiptarit duhet të jenë: Gjithmonë fjalë pakë e punë shumë, burrni e trimni”, porse ky i fundit tregon sa shpejt i përvetësonte Qemali idetë e reja dhe burrninë me të cilën i mbronte. Hartimin e tij e lexova në klasë si shembull. Nuk munguan nxënës që rendën të lajmërojnë drejtorin për idetë revolucionare të shprehura.

– Në pranverën e vitit 1933 në Gjimnazin e shtetit kishte ardhur Qemal Stafa. Në një hartim shtëpie me temë: “Të rinjtë dhe pleqtë” të dhënë nga mësuesi S. Luarasi, Qemali haptazi shkroi për Leninin. Disa nxënës ishin caktuar për të ndjekur e për të dhënë informata në drejtorinë e shkollës…

 

Selim Shpuza shkruan: “Kur një mësuesi jo shkodran (Skënder Luarasit) filluan t’i vinin letra anonime se, po të mos hiqte dorë nga mësimet e tij jo prozogiste, ia kishin për t’ia treguar qejfin Qemal Stafa dhe shokët e tij dashamirës të mësuesit përparimtar, caktuan roje, si të thuash, që kur mësuesi dilte prej konviktit ta shikonin mos e sulmonin njerëz të ligj.”

 

Nasho Jorgaqi: ”Mësuesi i gjuhës shqipe i Qemal Stafës, Skënder Luarasi aq herët e njohu talentin e Qemal Stafës dhe aq fort i vlerësoi punimet e tij, sa ai i mblodhi, i ruajti, dhe jemi të gëzuar që i kemi këto shënime të klasës së pestë…”

Studjuesi Nasho Jorgaqi shkruan:

“E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë, nji jetë e re po lulëzon gërmadhash”.Është një nga hartimet e Qemalit, shkruar më 1935-n…Tema e hartimit u nxuar nga dy vargje të dramës ”Vilhelm Teli” të Frederik Shilerit, të përkthyera nga Prof.Skënder Luarasi që aso kohe jepte lëndën e letërsisë në klasën e Qemalit. Hartimi u lexua në klasë dhe bëri jehonë në mes të nxënësve të gjimnazit. Nxënësi 15-vjeçar u thirr në drejtorinë e shkollës dhe iu tërhoq vërejtja. U botua për herë të parë në gazetën ”Rinia”, 15 maj 1949”.