“E Premtja e Zezë” e Ushtrisë malazeze në Plavë e Guci

327
Përparim Rexhepi

Me rastin e 140-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit
Traktati i Berlinit (13 qershor-13 Korrik 1878) njohu pavarësinë e Malit të Zi dhe zgjerimin e tij me territore shqiptare, por kaloi një vit dhe Cetina ende nuk e kishte marrë Plavën e Gucinë, për shkak të kundërshtimit të vendosur të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Princ (Knjaz) Nikolla, në korrik 1879, vendosi të pushtonte ushtarakisht Plavën e Gucinë, pasi forcat osmane ishin larguar dhe mendohej se shqiptarët nuk kishin kapacitete luftarake kërcënuese. Mali i Zi ishte një vend i vogël dhe mjaft i prapambetur, me një popullsi rreth 180 mijë banorë, por me një mbështetje të gjithanshme nga Rusia, që synonte një dalje ne detin Adriatik. Situata u vështirësua papritur, pasi në verë 1879, në Mal të Zi bëri një thatësirë e jashtëzakonshme, me pasojë një zi të tmerrshme buke. Qeveria ruse dërgoi me ngut në shtator-tetor në portin e Tivarit anije me drithë, që sollën edhe armatim, municion, si dhe vullnetarë e mercenarë. Pa këtë ndihmë, sidomos në drithë, operacioni ushtarak i Malit të Zi në Plavë e Guci nuk mund të ndërmerrej. Vullnetarë nga krahina të ndryshme të Shqipërisë ishin të gatshëm për të ardhur në Plavë e Guci, por drejtuesit e Lidhjes së Prizrenit gjykuan se ushtria e Malit të Zi ishte relativisht e vogël dhe ajo mund të përballohej nga luftëtarët vendas, si dhe ata të krahinave përreth. Lidhja e emëroi Aliun komandantin e të gjitha forcave shqiptare, që do të mbronin Plavën e Gucinë. Ai, së bashku me Jakup Ferrin, përbënin çelësin e organizimit, komandimit dhe drejtimit. Në këto treva organizimi ushtarak për luftë ishte ndërtuar mbi bazën e bajrakut, kurse mobilizimi i luftëtarëve do të bëhej mbi bazën e kushtrimit “burrë për shtëpi”. Çdo krahinë kishte bajrakun e parë: Hoti në Malësinë e Madhe, Oroshi në Mirditë, Kabashi në Pukë, Rugova në bajraqet e Pejës, Gashi në Malësi të Gjakovës. Shtabi i Mbrojtjes së Plavës dhe Gucisë vendosi që forcat më të shumta do të përdoreshin për mbrojtjen e Plavës, pasi ishte drejtimi kryesor, ku pritej të mësynte ushtria malazeze. Nga krahinat shqiptare, sipas urdhrit të Lidhjes, u dërguan ndihma të mëdha në armatim, municion e ushqime. Veçojmë ato të dërguara nga Haxhi Zekë Biberaj nga Peja, miku më i ngushtë i Ali Pashë Gucisë. ( Të dy këta drejtues të shquar të Lidhjes, u vranë më vonë nga një lidhje e shërbimit sekret serb: Aliu, më 1889 dhe Haxhi Zeka, më 1902 dhe të dy janë varrosur, pranë njeri-tjetrit, në një xhami në Pejë). Pas vrasjes nga shqiptarët të Mehmet Pashë Maxharit, të dërguarit të Sulltanit, që ishte mburrur se do t’ia dorëzonte Malit të Zi Plavën e Gucinë, Porta e Lartë iu drejtua Rusisë me lutjen që të ndërmjetësonte tek Mali i Zi që të pranonte territore të tjera, kryesisht në Bosnjën Jugore sepse kundërshtimi i Lidhjes së Prizrenit ishte shumë serioz. Por lutjet e Portës së Lartë nuk u morën parasysh, ashtu si dhe kundërshtimet në oborrin e princ Nikollës nga vojvoda Petar Vukotiq (vjehrri i tij) dhe ministri i Luftës, vojvoda Ilia Plamenac, të cilët e vlerësonin ndërhyrjen e ushtrisë malazeze në Plavë e Guci “ një aventurë me plot komplikacione të panjohura, rreziqe dhe pasoja të papritura”. Më 1870, në Malin e Zi u bë për herë të parë regjistrimi i meshkujve të aftë për luftë, nga mosha 16-60 vjeç, të cilët rezultuan 16.700 vetë. Me këto burime njerëzore u krijuan 7 brigada këmbësorie, si dhe brigada e Gardës së Princit, që u ndeshën me ushtrinë e Lidhjes së Prizrenit në Plavë e Guci. Malazezët kishin reputacion për shfrytëzimin e terrenit tepër të ashpër malor, kushteve të vështira të motit, natës dhe befasisë, në luftimin trup me trup e sidomos në përdorimin e jataganëve. Pas dështimit të sulmeve të bandave të armatosura malazeze në brezin kufitar, Knjaz Nikolla në tetor 1879, emëroi Mark Milanin, nga fisi Drekaloviq në fshatin Kuç, me origjinë shqiptare, komandant të Grupimit prej 4500 vetësh në Andrejevicë, me detyrë pushtimin sa më shpejt të Plavës e Gucisë. Por me që numri i luftëtarëve shqiptarë po rritej vazhdimisht, në mes të nëntorit, Cetina dërgoi 1500 forca të tjera në Andrejevicë. Grupimi me rreth 6 mijë luftëtarë pushtoi fillimisht një karakoll (pikë kontrolli kufitare) në fshatin Pepaj dhe një tjetër në fshatin Arzhanicë, duke përparuar në thellësi të territorit shqiptar. Edhe Teodor Milani (vëllai i Mark Milanit) sulmoi në drejtim të Gucisë. Luftimet vazhduan të ashpra dhe të përgjakshme, për rreth 24 orë pa pushim në Plavë e Guci. Vetëm në sektorin e Gucisë pati mbi 140 luftëtarë shqiptarë, të vrarë e të plagosur, mes tyre, edhe komandant Ismail Omeraga, të cilit malazezët ia prenë kokën dhe ia dërguan si shenjë të suksesit në Cetinë. Kjo provë force tregoi se luftimet ishin të barazpeshuara, por malazezët nuk mundën ta pushtonin dot Plavën e Gucinë “me një vrull, me një sulm”. 
Mos e hiq çizmen, Mark Milani!
Knjaz Nikolla i dha urdhër Mark Milanit që, në fillim të Dhjetorit 1879, të jepte goditjen kryesore për të pushtuar Plavën nga tre drejtime; Sekiricë-Arzhanicë, Pepaj-Visitor dhe bregut të Limit, duke u nisur nga Murina për të dalë në Ivanpolje. Por në mënyrë të befasishme shqiptarët, më 4 dhjetor 1879, sulmuan pararojën malazeze pranë fshatit Velika, duke i zmbrapsur. Atëherë kaloi në kundërsulm Todor Milani, me dy batalione Vasojeviq, i cili i “theu” shqiptarët dhe filloi t’i ndjekë ata në drejtim të Plavës. Forcat shqiptare bën një tërheqje taktike, duke lënë në dorë të malazezëve fushën e Nokshiqit dhe një pjesë të bregut fushor të Limit, por duke mbajtur nën kontroll lartësitë dominuese. Më pas, ato kaluan në kundërsulm nga krahët dhe shpina, të ndihmuar nga nga rezervat, që mbërritën nga Rrafshi i Dukagjinit, nëpërmjet Qafës së Çakorit dhe e të Diellit, si dhe luftëtarët e Gashit e Krasniqes, që erdhën nga drejtimi i Plavës, në bashkëveprim me forcat e Rugovës, të komanduara nga Çel Shabani, Nuro Kurti dhe Kurt Asllani. Mark Milani për të mbështetur Teodor Milanin, që u vu në pozitë të vështirë, sulmoi me forcat e 2 batalioneve ( Kuçit dhe Bratanozhiqit). Gjatë betejës, Mark Milani hyri në një shtëpi shqiptare në Nokshiq, ku ndodhej një plakë. Mark Milani, i cili dinte shqip, ndërsa po tentonte të hiqte njërën çizme nga këmba, i kërkoi asaj t’i piqte një kafe. Por plaka iu përgjigj: “Mos e hiq çizmen, Mark Milani. Druaj se nuk do të kesh kohë ta pish kafen”. Dhe ashtu ndodhi. Shqiptarët kundërsulmuan shpejt nga krahët e shpina dhe malazezët u gjendën të rrethuar, ndërsa Mark Milani u detyrua t’i hipte kalit e të largohej me shpejtësi. Sipas historianëve malazezë, në luginën e fshatit Nokshiq, në dëborën e thellë dhe acarin e madh, forcat e Mark Milanit u mbrojtën në kushte tepër të vështira dhe me humbje të rënda. Në mbrëmje, mbërritën në ndihmë 2 batalionet, Moraçki dhe Rovovaçki, që thyen rrethimin shqiptar dhe mundësuan tërheqjen e dy batalioneve të Mark Milanit, të dhjetuara nga humbjet. Po atë mbrëmje, u tërhoqën edhe forcat e Teodor Milanit. Qeveria malazeze u mundua ta fshihte këtë disfatë, që nga ana ushtarake vlerësohej si jo e madhe, por nga ana politike ishte një humbje e rëndë. Sipas saj, ushtria malazeze pati 85 të vrarë dhe 107 të plagosur, kurse shqiptarët-1 mijë të vrarë e të plagosur. Humbjet reale të Mark dhe Teodor Milani ishin nga 500, deri në 700 të vrarë, kurse shqiptarët 300-400 të vrarë e të plagosur. Cetina, përmes gazetës ”Gllas Cërnagoraca”, theksoi se në këtë luftë morën pjesë nizamët turq, të veshur me kostume shqiptare “përndryshe, shqiptarët nuk do të guxonin të sulmonin malazezët, sepse e dinin mirë se si kishin dalë në të kaluarën”(!) Goditja politike që mori Mali i Zi nga ndeshja në Nokshiq tregonte nënvleftësimin që i kishte bërë qeveria malazeze Lidhjes së Prizrenit. Ambasadori turk në Cetinë, pas kësaj disfate, i kujtoi princ Nikollës që të mos e nënvleftësonin Lidhjen Shqiptare, sepse ajo ishte numeroze dhe e vendosur, sa që mund të kundërshtonte edhe vetë Portën e Lartë. E vërteta është se Cetina, në të gjithë aktivitetin e saj diplomatik dhe ushtarak e injoroi Lidhjen e Prizrenit dhe kjo, siç venë në dukje autorët malazezë, “solli frute të hidhura”. 
“ E premtja e Zezë” e ushtrisë malazeze në Nokshiq.
“Mark Milani, Milanica, 
Asht Shqipnija tanë me plisa, 
Tanë plisa e jatagana, 
e pvet Kuçin çka i bana, 
derë për derë i shkoi gjama…”.
Princ Nikolla, në këto rrethana, u detyrua të shpallë mobilizimin e përgjithshëm ushtarak. Gjithsej, u mobilizuan 23 batalione, me 11.500 luftëtarë. Mali i i Zi ishte vënë në gjendje lufte, sikur do të ndeshej me Austro-Hungarinë apo me Turqinë. Para se trupat malazeze të niseshin drejt Plavës e Gucisë, ato u bekuan nga Kryepeshkopi i Malit të Zi, përpara kishës së dinastisë Petroviç në Cetinë, ku luftëtarët u betuan, para varrit të Shën Petrit të Malit të Zi. Pasi festoi 6 Janarin, ditën e Ujit të Bekuar, ushtria malazeze, më 8 janar 1880 ( Ditën e Premtes së Zezë, kështu ka ngelur në kujtesën kolektive të malazezëve kjo ditë, për shkak të humbjeve të mëdha), filloi mësymjen kundër pozicioneve shqiptare në vijën e parë të mbrojtjes, në lartësitë e Visitorit, Murinë, Velikë, Pepaj, Gërçar, etj, që u parapri nga goditjet e artilerisë( banorët shqiptarë i quanin topat “makinat e xhehnemit”). Sulmet e malazezëve ishin aq të furishme, saqë vija e parë e mbrojtjes shqiptare u thye. Malazezët iu afruan Murinës, pushtuan Velikën dhe sulmuan Nikshiqin, ku ishin vendosur forcat kryesore shqiptare, të komanduara nga Jakup Feri. …Ditën e tretë të luftimeve, më 10 janar, forcat shqiptare u tërhoqën, nga qafa e Previjës në Guci, gjatë lartësive të Visitorit dhe Qafa e Xhamisë mbi fshatin Pepaj, duke dhënë përshtypjen se ishin thyer. Trupat e Teodor Milanin depërtuan në drejtim të Gucisë, nëpërmjet lartësisë së Visitorit, Previjës dhe të Gërçarit, kurse ato të Mark Milanit, nga Qafa e xhamisë në Pepaj, nga njeri krah dhe nga Sekirica e Arzhanica, nga krahu tjetër.. Forcat e Teodor Milanit zbritën nga lartësitë në pjesën fushore të bregut të Limit dhe u shfaqën në Prelimpal dhe Ivanpolje. Edhe katundet Martinaj dhe dy Brezovicat u pushtuan prej tyre. Forcat e krahut të majtë, të komanduar nga Mark Milani, depërtuan me shpejtësi nga fshati Murinë në kodrat dhe fushat e Arzhanicës dhe u futën në Velikë. Por sulmi kundër vijës së dytë të mbrojtjes shqiptare në bregun e lumit Lim nuk shkoi sipas parashikimit të komandës malazeze. Shqiptarët e zbrapsën armikun dhe i prenë shtigjet e kalimit të lumit Lim, në të dyja frontet, në Previjë të Gucisë, si dhe në drejtim të Plavës, ku prishën dy urat ekzistuese, një në fshatin Brezovicë dhe tjetra më poshtë saj, si dhe trapet në vaun e Çelikradit të Skiqit të poshtëm. Ndërsa forcat malazeze kishin avancuar në frontin e Gucisë, duke kapur qafat e duke u ulur në afërsi të Gërçarit, nga njëra anë dhe nga Visitori e deri në Martiniviq në anën tjetër, Ali Pashë Gucia u dha urdhër forcave të Gucisë të dilnin në shpinë të forcave malazeze, nga ana e Lipovicës. Në ndihmë të këtyre forcave që do të realizonin manovrën krahmarrëse dhe shpinëmarrëse shkuan edhe forcat e konsiderueshshme të luftëtarëve të Krasniqes, të komanduar nga Binak Alia, Halil Bajraktari, Ali Neza dhe Niman Syl Toplani, si dhe nga Kelmendi dhe Rrafshi i Dukagjinit. Ali Pashë Gucia në këtë mënyrë siguroi epërsinë e nevojshme të forcave shqiptare, por edhe ruajtjen e bashkëveprimit mes tyre sepse nga mosnjohja e terrenit dhe humbja e ndërlidhjes, rreth 400 luftëtarë, të ardhur nga Malësia e Madhe në Shkodër, u rrethuan dhe u asgjësuan nga forcat e Teodor Milanit, më 09.01.1880, në Qafën e Previjës. Trupat malazeze u gjendën para rrezikut të rrethimit dhe asgjësimit të plotë, por Teodor Milani, duke shfrytëzuar mjegullën, borën e madhe dhe terrenin e vështirë malor, me humbje të mëdha ( numri i saktë i të vrarëve nuk dihet, por dy batalione malazeze u zunë rob), manovroi duke kapur lartësitë dominuese të Visitorit dhe i shpëtoi rrethimit. Pasi malazezët i dolën pas shpine Jakup Ferit në Çelikgrad, ai nuk ra në panik dhe nuk i lëvizi trupat e tij, duke llogaritur që të pengonte ardhjen e forcave të tjera armike nga bregu i Limit dhe njëkohësisht tërheqjen e forcave të Mark Milanit, kur të sulmohej nga rezerva shqiptare. Ai i dërgoi lajm drejtuesve të luftëtarëve të Rrafshit të Dukagjinit (kryesisht Podguras, Vokshas, Strellcas dhe Batushas), Nuc Shahmanit, Ajdin Kurtit, Rustem Ukës dhe Hamza Batushës, që të ishin gati për t’u futur në luftim, por në kushtet e mungesës së ndërlidhjes, pamjes së kufizuar nga moti i keq, rezerva shqiptare u fut në betejë më shpejt se duhet, duke menduar se forcat e Jakup Ferit ishin asgjësuar dhe malazezët mund të futeshin në Plavë. Ky nxitim nuk e bëri të plotë rrethimin e grupimit të Mark Milanit dhe i krijoi disa hapësira të vogla për të manovruar. Ndërkohë, forcat shqiptare, të komanduara nga Ali Pashë Gucia, pasi thyen dhe detyruan të tërhiqet grupimin e Teodor Milanit, kaluan nga Gucia nëpër kodrat e Plavës dhe i dolën përpara forcave të Mark Milanit, që tashmë gjendej i rrethuar nga ushtria shqiptare në fushën e Komarajt. Mark Milani, duke vlerësuar se, në kushtet e krijuara, jo vetëm nuk mund të pushtonte dot Plavën, por rrezikonte të asgjësohej, dha urdhër për tërheqje dhe për të çarë rrethimin në dy drejtime: kapjen e kodrave e lartësive mbi Nokshiq dhe poshtë fushave për të kapur bregun e Limit e kapërcyer lumin, me synim shkëputjen e kontaktit luftarak. Por pengesa kryesore për t’u tërhequr drejt Limit dhe Nokshiqit ishin trupat e Jakup Ferit, që u përballën me forcat e shumta dhe elitë të ushtrisë malazeze, këmbësorisë, kavalerisë dhe Gardës së Princ Nikollës. Në këto luftime të ashpra, më 10 ose 11 janar 1880, u vra edhe Jakup Ferri. Bënte dhe një acar kaq i egër, sa që sipas historianëve malazezë, nga qielli binin shpendë të ngordhur nga të ftohtit e madh. Mbizotëronte luftimi trup me trup. Ndodhte që shqiptari dhe malazezi e kapnin njeri-tjetrin nga fyti me njërën dorë, kurse me dorën tjetër ja prisnin kokën në një kohë njeri tjetrit. Një numër të vrarësh nuk kishin plagë zjarri dhe as të armëve të ftohta, por vetëm shenjat e mbytjes me duar. Forcat malazeze, me në krye Mark Milanin, mundën të çajnë rrethimin dhe u drejtuan nga Limi, por kalimi i lumit në kushtet e dimrit, mungesës së urave dhe trapeve, si dhe të sulmeve të shqiptarëve ishte tepër i vështirë. Shumë luftëtarë malazezë, të përfshirë nga paniku, u detyruan të futeshin në Lim, por me përjashtim të kalorësve, të paktë ishin këmbësorët, që mundën të dilnin në bregun tjetër. Beteja mes forcat shqiptare dhe atyre trupa malazeze vazhdoi edhe në ujërat e Limit. Trupat e luftëtarëve shqiptarë dhe malazezë, të kapur fyt për fyt me njeri tjetrin, shkuan nëpërmjet lumin Lim, deri në Vishegrad, në Bosnjë. Mark Milani mezi kaloi Limin, duke qëndruar i kapur fort pas kalit të tij. Pas këtyre humbjeve të rënda ushtria malazeze, u tërhoq në Sutjeskë. Forcat shqiptare e ndoqën armikun përtej lumit Lim, por nuk vazhduan sulmet në thellësi të territorit të Malit të Zi. Në fushën e betejës mbetën rob gati dy batalione me ushtarë malazezë të forcave të Mark Milanit dhe rreth 200 të plagosur, armatim e municion, kuaj kavalerie dhe ngarkese, etj. Ja si e përshkruan rapsodi popullor këtë disfatë:
“Po hip Marki (Mark Milani) në Previje, 
Shikon Limin me tyrbije, 
Ça ky Lim që dirgjet zi,
Haj, medet vojnikët e mi…”.
I dërguari i Austro-Hungarisë në Cetinë, baroni Temel konstatonte se, në tërësi, bilanci i ndeshjeve ishte në anën e shqiptarëve, kurse kryekonsulli austro-hungarez në Shkodër, Shmuker, i cili ndoqi nga afër zhvillimin e betejës, i raportonte Vjenës se“Vetë malazezët pohojnë se, në luftën e Velikës dhe të Pepajt shqiptarët luftuar burrërisht dhe fituan mbi ta. Dhe me të vërtetë, fuqia e Lidhjes ( së Prizrenit) e theu atë ushtri malazeze që ka qenë kurdoherë e zonja t’u bëjë ballë forcave turke. Shqiptarët luftuan të shtyrë nga ideja kombëtare”. Malazezët i fshehin humbjet reale të tyre, jo vetëm në kohën e Lidhjes së Prizrenit, por edhe më pas. Shifra më e besueshme e humbjeve të tyre duhet të jetë rreth 3 mijë të vrarë, 1 mijë robër ( 4 batalione) dhe shumë të plagosur. Edhe shqiptarët pësuan humbje të rënda, u vranë rreth 1 mijë luftëtarë nga Plava e Gucia dhe rreth 600-700 vullnetarë nga Rrafshi i Dukagjinit, Gashit, Krasniqes, Malësia e Madhe e Shkodrës, si dhe qindra të plagosur. Humbje të mëdha pësuan edhe në trupin komandues, mes të cilëve Jakup Ferri, Çel Shabani i Rugovës, Nure Kurti e Kurt Asllani etj. Pas tërheqjes së ushtrisë malazeze, Ali Pashë Gucia dha urdhër që të gjendeshin trupat e luftëtarëve shqiptarë të vrarë dhe të varroseshin me ceremoni. Për një javë rresht, me qindra banorë, me lopata në duar kërkonin dhe zbulonin në borë trupat e të rënëve, atje ku ishin zhvilluar luftimet. Në Çelikgrad pjesa e brendshme e transheve dukej si e veshur me një cohë të kuqe nga gjaku i shumë luftëtarëve shqiptarë, malazezë dhe i kuajve të vrarë. Kur u pastruan bora në transhetë në Çelikgrad, u gjetën të ngrirë, nën bore, trupat e luftëtarëve shqiptarë dhe malazezë, të kapur fyt fytas, si dhe shumë armatim, i braktisur nga malazezët, flamuj luftarakë malazezë, mes tyre dhe një flamur i Gardës së Princ Nikollës, pushkë të reja ruse dhe 4 flamuj rusë etj. Sulltani pranoi kërkesën e Princ Nikollës për ta zhdëmtuar Malin e Zi për dëmet e mëdha që pësoi ushtria malazeze në Plavë e Guci, por nuk dërgoi asnjë ndihmë apo kompensim për shqiptarët. Fitorja mbi ushtrinë e Malit të Zi, që gëzonte reputacion luftarak, bëri një bujë të madhe në Evropë. Ushtria e Malit të Zi, 10 vjet më parë, më 1877, kishte dalë fitimtare ne ndeshjet me forcat e ushtrisë osmane. Fitorja në Plavë e Guci bëri që shtypi i Evropës të merrej me çështjen shqiptare dhe trimërinë shqiptare, që ia kaloi asaj malazeze. Kjo betejë ishte prova e parë e vështirë luftarake që e kaloi me sukses ushtria shqiptare e Lidhjes së Prizrenit, që do t’i shërbente asaj në ndeshjet e mëvonshme për mbrojtjen e Hotit, Grudës dhe Ulqinit nga ushtria malazeze, si dhe me forcat e mëdha të ushtrisë osmane.