E nisën luftën kundër forcave partizane dhe jo kundër pushtuesit

1248
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Dolën në shesh partizanët
Vendosja e sistemit demokratik në Shqipëri, bëri që mjetet e propagandës, të minimizojnë luftën e partizane dhe rëndësinë që pati për këtë luftë në organizimin dhe drejtimin e saj Frontit Nacionalçlirimtar. Po ngrenë nga hiri, kontributin e Ballit Kombëtar, Legalitetit dhe të disa bajraktarëve në veri të vendit, si protagonistë në LANÇ-it. Në disa dokumente të Luftës nuk mohohen përpjekjet e bëra nga këto forca, sidomos në fillimet e saj, kundër italianëve. Krerë të Ballit Kombëtar, në formacione të veçuara luftarake, bënë përpjekje me pushtuesin e huaj si H. Lepenica, I. Golëmi, A. Ermenji, S. Butka dhe S. Muço. Udhëheqja kryesore e Ballit, nuk ka qenë për luftë. Me pushtimin e vendit prej gjermanëve, u bashkuan haptas dhe nisën luftën kundër forcave partizane. T’i bësh kontribues në luftën kundër pushtuesve të huaj, është sa qesharake aq dhe ironizuese, kur bota e di kush luftoi dhe kë përkrahu gjatë kësaj lufte. I madhi Fan S. Noli do të shprehej se desh Perëndia dhe dolën në shesh partizanët, dhe jo vetëm e nxorën Shqipërinë nga hendeku i vdekjes, por edhe e vunë në radhën e të gjallëve, pranë shteteve aleate.
Përshëndetjet në luftë
Strategjia, taktika, qëndrimi dhe motivi i palëve, të Frontit Nacionalçlirimtar dhe të Ballit Kombëtar në Luftën e Dytë Botërore, kishin dhe përshëndetjet që përdorën në luftë. Fronti Nacionalçlirimtar përdori parullën: “Vdekje fashizmit-Liri popullit”. Në përmbajtje është e qartë. Kjo përshëndetje shpreh qëllimin për të cilin luftëtarët kishin dalë në luftë. Përshëndetja fillonte me ‘vdekje fashizmit’, gjë që shpjegohet për çfarë ke marrë armën dhe ke dalë në mal, që ishte vdekja, zhdukja dhe përzënia e nazi-fashistëve prej Shqipërisë dhe vendosja e lirisë për popullin.

Ndërsa përshëndetja e Ballit Kombëtar ishte “Shqipëri e shqiptarëve-Vdekje tradhtarëve”. Me këtë përshëndetje theksohet se Shqipëria është e shqiptarëve, fakt tepër i njohur, pasi nuk mund të jetë e të tjerëve, si dhe nuk janë munduar të fshehin platformën e tyre pro nazi-fashiste. Që Shqipëria të ishte e shqiptarëve, duhej të luftohej pushtuesi i huaj, gjë që ballistët nuk e përmendin. Pjesa “Vdekje e tradhtarëve”, është më absurde dhe armiqësore ndaj luftëtarëve të lirisë. Sipas ballistëve kërkohej vdekja e tradhtarëve, që ishin 70.000 luftëtarë dhe mijëra të tjerë shqiptarë, që luftonin realisht kundër nazi-fashizmit. Bashkëpunimi i Ballit Kombëtar dhe Legalitetit me pushtuesit e huaj, është i vërtetuar katërçipërisht. Balli ishte kundër luftës çlirimtare, që me pushtimit italian, duke vazhduar me komplotin Dalmacio-Këlcyra dhe veprime të tjera të tyre. Bashkëpunimi i Ballit Kombëtar me pushtimin gjerman të Shqipërisë u bë krejt i hapur. Mit’hat Frashëri më 7 tetor 1943, kur gjermanët sapo kishin pushtuar Shqipërinë, me anë të një qarkore për komitetet krahinore të Ballit, porosiste “të pezullohet çdo operacion luftarak kundër forcave gjermane, tash për tash. Më vonë do t’ju dërgohen edhe direktiva të tjera”.
Oficerët britanik dëshmitarë në luftë
Oficerët e misionit Britanik në Shqipëri ishin dëshmitarë që kanë theksuar disa herë se kush ishte duke luftuar në Shqipëri, kundër nazi-fashistëve. Gjeneral Devis i shkruan qendrës “Tani unë rekomandoj një ndryshim. Situata ka evoluar kaq shumë kohët e fundit, sa që duhet urgjentisht të demaskohet Këshilli i Regjencës, Balli Kombëtar dhe zogistët. Të gjithë po bashkëpunojnë me gjermanët”. Ndërsa oficeri tjetër britanik, Reginald Hibbert ka shkruar: “Nacionalistët i humbën shanset e tyre plotësisht, sepse nuk ngritën as gishtin kundër gjermanëve, madje as në çastin e fundit, duke i ruajtur forcat vetëm e vetëm për veprime kundër partizanëve”. Gjithashtu dhe oficerët britanikë Maklin dhe Smaili, të cilët nuk kishin marrëdhënie të mira me partizanët dhe qëndruan më gjatë pranë Abas Kupit, në raportin që i dërgojnë qendrës shkruajnë: “LANÇ-i është forca kryesore ushtarake dhe me kapacitet ushtarak në Shqipërinë e jugut dhe qendrore… Ne duhet të mbështesim partizanët me ndihma ushtarake, sepse këto janë forcat efektive në vend”.

Në Luftën e Dytë Botërore qëndrimin e ballistëve, na e sqarojnë dhe më mirë, ushtarakët që drejtuan trupat gjermane në Shqipëri. Kështu, Nojbaher, nazist i rangut të lartë në Ballkan ka shkruar se “Burrat e Ballit Kombëtar, kurrë nuk u ndeshën me forcat tona. Ata i përdorin energjitë e tyre kundër partizanëve në jug të vendit. Praparoja jonë nga banditë shqiptarë, sigurohej nën drejtimin e fiseve dhe klaneve të tyre. Ata na mbronin nga partizanët”. Ballistët e periferisë, janë të shqetësuar për qëndrimin e tyre, ndaj luftës partizane. Komandanti i Ballit, Abas Ermenji i shkruan komandant Safet Butkës se “ne e heqim punën zvarrë, siç e kemi hequr gjer tashti, më mirë t’i hedhim armët në strehë. Duhet të lëvizim, se po s’lëvizëm, Inglizi do të përkrahë anën tjetër, që lëviz e lufton”. Një luftëtar, i cili gjatë luftës u vu në shërbim të zbulimit anglez dhe amerikan, i thotë oficerit të misionit Britanik, Antony Kuejl se, dikur kam qenë ballist i vendosur, mirëpo një ditë pashë se Balli ishte krah për krah me gjermanët, duke luftuar kundër shqiptarëve e partizanëve. Që nga ajo ditë nuk jam as ballist e as komunist. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, forcat e Ballit, Legalitetit dhe të tjerë aleatë të tyre, qëndronin nëpër qytete, pa u shqetësuar nga italianët dhe gjermanët, ndërkohë që partizanët, jetonin maleve, me vuajtje, sakrifica të mëdha dhe nën presionin e armikut. Pushtuesit e huaj dhe ballisto-zogistët, ishin bashkë dhe luftonin kundër luftëtarëve çlirimtarë.

Historia ka vërtetuar se Balli Kombëtar, që ka luftuar kundër pushtuesve të huaj, nuk i është ngritur një këngë, që t’u jetë kënduar ballistëve për trimëri gjatë luftës. Kjo forcë që e quan veten pjesëtare të luftës, si në formacionet e tyre luftarake nuk gjejmë një vajzë apo grua të rreshtuar, siç u rreshtuan në LANÇ-in rreth 6.000 gra dhe vajza e ku shumë prej tyre dhanë jetën për çlirimin e atdheut.

Pretendohet se Abas Kupi me forcat e tij të Legalitetit, nuk u bashkua me pushtuesin siç u bashkuan krerët e Ballit Kombëtar. I numëron kontributet kundër gjermanëve një urë të hedhur në erë oficeri britanik David Smaili, i cili qëndroi deri në fund pranë Abas Kupit. Abas Kupi me forcat e tij qëndronte afër Tiranës, në Brrar e Krujë dhe nuk u shqetësua asnjëherë prej gjermanëve. Këta e kishin lënë të qetë se nuk përbënte ndonjë rrezik për ta. Ndërkohë, gjermanët i ndoqën luftëtarët deri në malet e Korçës, të Skraparit dhe të Labërisë. Kështu që edhe Abazi ishte aleat i gjermanëve dhe forca e vetme që luftonte kundër tyre ishin vetëm partizanët. Ushtaraku më i lartë britanik, Gjeneral Devis shkruan për Abas Kupin se ai ishte një dhelpër e vjetër gjeniale, por sipas meje ai nuk kishte ndërmend të luftonte dhe të dobësonte krahun e tij ai priste që gjermanët të dobësonin partizanët.
Flakën tej shansin
Pas 45 vjet shtet diktatorial, erdhi në sistemin e pluralizmit edhe partia e Ballit. Bashkëpunimi i saj me pushtuesit e huaj, mbetet njollë e zezë në veprimtarinë e BK. Antikomunistë kanë qenë amerikanë e anglezë dhe popuj të tjerë popuj, por ata u përfshinë në luftë për të përballuar sakrifica të mëdha, kundër murtajës nazi-fashiste.
Po qe se Balli Kombëtar, me idenë antikomuniste, do ishte përfshirë në luftën antifashiste si ushtria partizane, fati i Shqipërisë mund të kishte qenë ndryshe. Shumë qartë e shpreh Riginald Hibbert, oficer i misionit Britanik në Shqipëri, në librin e tij “Fitorja e Hidhur”, se “Ishin krerët nacionalistë shqiptarë, që e flakën tej shansin për të luajtur një rol në Shqipërinë e pasluftës, me ngurimin e tyre për të marrë pjesë në luftën kundër pushtuesve të huaj”. Po ky oficer britanik, më tej shkruan se “Nacionalistët miopë në çështje botërore, mbrojtës dhe mbajtës të një rendi shoqëror, të cilin dhuna e italianëve dhe gjermanëve, tashmë e kishin rrënuar, të pa aftë për vetë sakrifica që kërkonte rezistenca kundër gjermanëve, qëndruan kryeneçësisht pasivë, deri në fund dhe rrëshqitën nga vetëkënaqësia në dëshpërim e shfarosje”. Aleatët anglo-amerikanë në Luftën e Dytë Botërore, por më tepër anglezët luftuan me të gjitha mënyrat që Balli Kombëtar, Legaliteti dhe disa bajraktarë të Veriut të ishin pjesëmarrës në luftë kundër hitlerianëve, por nuk ja dolën. Balli Kombëtar bëri aleancë të hapur me pushtuesit gjermanë, anglezët nuk u morën më me ta. Anglezët deri në fund ndihmuan Abas Kupin, i cili kishte hedhur pushkë kundër italianëve, ndërsa kundër gjermanëve nuk e shtiu fare. Balli Kombëtar, Legaliteti dhe disa bajraktarë të Veriut ishin në pritje. Ata prisnin të ikte pushtuesi i huaj nga Shqipëria dhe forcat partizane të ishin dëmtuar nga lufta, që me ndihmën e aleatëve të merrnin drejtimin e Shqipërisë. Llogaritë nuk ju dolën. Ata kanë përgjegjësi historike para kombit, pasi nuk u treguan luftëtarë dhe të vendosur, pushtetin e pritën nga jashtë dhe jo me luftën dhe përpjekjet e tyre me sakrifica, siç e kërkuan, luftuan dhe e morën partizanët. Ç’faj kanë partizanët që bënë sakrifica dhe mundi e djersa e tyre u dha fitoren. Këtë s’e bëri Balli Kombëtar dhe forca të tjera, në luftë, por dhe sot.
Sigal