Duro Mustafai/ Partizania me këmbë të prera…

1268
Sigal

Ervehe Gorishti, vajza  vlonjate që u hodh nga shkëmbi  për të mos  rënë në duar të nazistëve gjermanë        

Në ato vitet e para të pas çlirimit, një vajzë tek ecte në rrugë do të tërhiqte vëmendjen e të gjithëve… Ishte e vetmja vajzë e re në qytetin e Vlorës ,që nuk kishte këmbë, e vendin e tyre e kishin zënë patericat..Për ata që e shihnin, ajo ndoshta ishte një fytyrë  e pa njohur për të gjithë, por ishte një emër i dëgjuar, që përmendej shpesh  për heroizmin e saj të rrallë… E quanin Ervehe Gorishti. E shikoja tek ecte mbështetur tek dy patericat dhe diçka e veçantë por e dyshimtë më bënte të pyesja veten.. “Është, apo nuk është ajo,  vajza trimëreshë , që foli atë ditë tetori në varrimin  e  katër heronjve të Topanasë?… Atëherë unë i sha i vogël, vetëm 10 vjeç, por jo më kotë thonë se fëmijët e kësaj moshe nuk i harrojnë gjatë  gjithë jetës, ngjarjet që lënë  plagë në shpirtin e tyre..Po çfarë kish ndodhur në të vërtetë ? Ishte 16  tetori i vitit 1942. Në të gdhirë të kësaj dite, pas një rrethimi e lufte prej disa orësh,  në një shtëpi prej qerpiçi në lagjen “Topana”, fashistët italianë, vranë  katër të rinj antifashistë.    Ata luftuan, aq sa u tund Vlora, në atë shtëpinë e vogël  prej qerpiçi. Dhe kënga tregon  se, “Shtëpia me kallamba, në Topana, / U ngrit si fortesë, u bë kala”   Kjo këngë, që lindi ato ditë, e që këndohet edhe në ditët tona, u kushtohet të katër heronjve vlonjatë : Mumin Bajramit nga Kallarati, me tre shokë të tij, Hajredin Bylyshit, (nga Tërbaçi), Bajram Tushit (nga Vërmiku) dhe Hyqmet Buzit (nga qyteti i Vlorës). Ata ishin të rinj, nxënës të Shkollës Tregtare, që ishte kthyer në një çerdhe  të luftëtarëve të lirisë. Dhe, më  i madhi prej tyre, ishte Hajredini 21 vjeç, ndërsa më i vogli  Hyqmeti, 16 vjeç. Po luftuan burrërisht, gjer në fishekët e fundit, kundër disa dhjetra milicëve fashistë të armatosur rëndë. Më kujtohet se në ditën e vrasjes, së katër heronjve, kur nënës së njërit prej tyre,Bajram Tushit nga Vërmiku, do t’i thoshin se i ishte vrarë djali, në të gjitha lagjet e Vlorës , do të qarkullonin vargjet një kënge, që thuhej se i kishte ligjëruar nëna për djalin e saj, që nuk desh ta besonte  se ish vrarë…  Ato vargje drithëruese, as sot nuk i kam harruar…“Shamia   lyer me gjak, /Korba korba o Bajram,/ Erdhën nënës e i thanë,/Bajramin ta kanë vrarë,/-Jo, Bajrami është i gjallë,/Ka dalë malit partizan,/ Po lufton për vatan”… Heroizmi i djalit të rënë, në një moshë fare të re,dhe shpresa se mund të ishte gjallë jetonin në shpirtin e nënës… Por, kur u bind  për  gjëmën, priste që  gjaku i djalit të saj dhe i  bijve të tjerë të nënave,të  sillte fitoren e lirisë, e të bëhej dritë për vendin dhe njerëzit e Shqipërisë.  Dhe  pikërisht nga kjo  familje me tradita atdhetare e Heroit Bajram Tushit, njëri nga pasardhësit e saj, Gëzim Tushi, është një nga sociologët shkencëtar, ndër më të njohurit e kohës që jetojmë.. Të kohës që ende kërkon që gjaku i të rënëve të mos harrohet e të hapë rrugë të reja drite e diturie…

Mbi varret e katër heronjve, foli një vajzë  heroinë

  Vlora u bëri një varrim te pa parë, bijve të saj. Në Budak,në atë kodrën karshi “Sheshit të Flamurit”, të gjithë banorët lanë shtëpitë, të mëdhenj e të vegjël u gjendën atje. Po ajo që  tërhiqte vëmendjen, ishte pjesëmarrja masive e grave dhe vajzave vlonjate. Fashistët e armatosur, vështronin nga larg, e nuk guxonin të bënin asgjë… Isha fëmijë, po i mbaj mënd të  gjitha  ato që ndodhën në atë ceremoni prekëse, tronditëse e madhështore . Të ushtonin në vesh thirrjet … “Poshtë Fashizmi!”, fjalimet patriotike dhe kënga:

 “Se mjaftë në robëri, Moj e mjera Shqipëri O djem rrëmbeni pushkët|,Ja vdekje, ja liri!….

…Dhe pas kësaj, do të ngrihej në kodërzë e përballë të gjithëve, një vajzë e re e hijshme, 16-17- vjeçare iu drejtua turmës me mijëra vetë me fjalët: “Vëllezër e motra! … Sot po varrosim katër bijë nënash, që fashistët u morën jetën, se donin të jetonin të lirë, në një Shqipëri të lirë. Nesër mund të vrasin edhe të tjerë. Çfarë presim më, të na shfarosin të gjithëve? Të gjithë të marrin armët, në luftë kundër fashizmit barbar…”. Vajza foli shkurt se nuk e linin  thirrjet “Poshtë fashizmi”… Dhe, kur do të mbaronte së foluri, atë e shoqëroi kënga – “Sot po dridhet tirania an’ e mbanë,/ Sot po digjet e po  bëhet shkrumb e hi, / Se u mbushën malet plotë me partizanë,/ Se u ngrit sot gjithë rinia për liri”…

Më vonë do të mësonim se ajo që foli për katër  të rënët në Budak, qenkësh vajza e vetme e Bazo Gorishtit, atij luftëtarit, që në Luftën e Vlorës iu bashkua çetës atdhetare të kapedan Sali Vranishtit, e në luftën antifashiste ish- pjesëmarrës i Brigadës së V-të sulmuese…  Ishte ajo, vajza  e  bukur, që pas çlirimit do të ecte rrugës me paterica. Ne dinim,  që  natën e asaj dite tetori, ajo nuk u pa më në qytet, se për t’u shpëtuar fashistëve, kishte dalë malit partizane. Po nuk dinim asgjë për jetën e saj në luftë… Nuk dinim pse ajo, vajza trime, që me fjalën e saj, kishte ngritur në këmbë qytetin e Vlorës,  do të vinte në Shqipërinë e lirë, me këmbë të copëtuara. Këtë do ta mësonim nga të tjerët, sidomos, nga shoku i saj i luftës, ish- komisarit Babaçe Faiku. Se ishte ai që e kish ngritur në krahë Ervehenë, e mes plumbave të gjermanëve, i kishte shpëtuar jetën. Këtë edhe Erveheja e përmendte  me mirënjohje. “Unë, nuk kam vëlla, por edhe sikur të kisha ai ishte vëllai im më i mirë”-, po ishte edhe luftëtari trim më i mirë”-. Dhe Erveheja, do të përmendte me admirim Babaçe Faikun, atë aviatorin e famshëm të viteve të socializmit, që aviatorët më të mirë të kohës  e veçonin si më të mirin e tyre… Dhe vajza, që ishte dalluar edhe vetë për trimëri, do të thoshte me modesti  …“Babaçja më bëri që të jetoj, se e çarmatosur, e me këmbë të copëtuara mund të isha kapur nga nazistët. Por isha e bindur që e gjallë nuk do të dorëzohesha, se  kjo ishte tradhti”… Dhe….

TRADHTIA  MË DUKEJ MË E TMERRSHME SE VDEKJA…

Viti 1942 erdhi me një terror të ashpër të fashistëve ndaj luftëtarëve të lirisë. Në atentate kundër eksponentëve fashistë e bashkëpunëtorëve të tyre, vriteshin edhe anëtarë të njësitit gueril… Dhe ceremonitë e varrimit të tyre në qytet, i organizonin gratë dhe vajzat, të rinjtë, për shkak të arrestimit, qëndronin larg këtyre ceremonive, ku flitej e hidheshin parulla kundër pushtuesve fashistë.

…Erveheja,vajza trime e njësitit gueril të Vlorës, ishte në  krye të ceremonisë së varrimit të dëshmorit të parë në Qarkun e Vlorës, Teli Ndinit, pastaj do të merrte pjesë edhe në varrimin e dëshmorëve Jonuz Peja dhe Elham Doçit gjeri te varrimi i katër heronjve të Topanasë, ku edhe foli haptas kundër fashistëve. Pas kësaj ajo doli partizane… Dhe, do të bënte një rrugë të gjatë e të vështirë mes shokëve partizanë, sidomos kundër nazistëve gjermanë, në luftimet në Treblovë, Kocul, Gorrisht, Ploç etj.. Po ajo që do linte gjurmë në gjithë jetën e saj ishte lufta për mbijetesë gjatë operacionit armik të Dimrit, dhjetor 1943-janar 1944. Nazistët u sollën me tërë egërsinë e tyre ndaj forcave partizane. Dhe njësitet partizane, në kushte të vështira të motit, mungesës së ushqimit e veshmbathjeve, iu kundërvunë nazistëve me heroizëm të rrallë… Një heroizëm të tillë do të shfaqte edhe Ervehe Gorishti.

Ajoi tregon… “Gjendeshim në majë të kodrës së Beunit, të fshatit Vajzë të Vlorës. Ishin ditët e acartë të Operacionit armik të Dimrit. Nazistët ishin afër nesh e përgatiteshin të na sulmonin. Forcat tona të batalionit “Perlat Rexhepi” të shpërndara në pozicione të ndryshme, e kuptuan qëllimin armik. Dhe para se të na sulmonin, u vendos ti sulmonim ne nazistët në bazën e tyre. Për këtë aksion duheshin  20 partizanë vullnetarë, ndërmjet tyre, dola edhe unë vullnetare… Por nuk më pranuan… “Ti,- më tha komandanti, do të qëndrosh tek shkëmbi me një mitraloz të lehtë, e bashkë me një shokë tjetër me mitraloz të rëndë, do të mbështesni shokët gjatë tërheqjes pas përfundimit të aksionit”. Ky ishte urdhër. Dhe kështu veprova. Por, para se të nisej për aksion, komisari ynë Babaçe Faiku, që mendonte se mund të mbetej edhe i vrarë, më dha çantën e tij me dokumente sekrete, e më porositi… “Po nuk erdha i gjallë, çantën time dorëzoje në Komandën e shtabit”… Nga ai aksion ne dëgjuam të shtëna me automatikë e bomba, pastaj, parullën e shokëve për t’u tërhequr. Po gjermanët, në forca të shumta, kishin dalë nga rrethimi e po afroheshin të na rrethonin edhe ne. Ishte mbrëmje e ftohtë janari. Drejt nesh po afroheshin ca hije të zeza. Kujtuam se ishin shokët tanë. U dhamë parullën, e pritëm të na përgjigjeshin me kundër parullën, siç vepronim në raste të tilla lufte. Po në vend të saj erdhën te ne breshëri automatiku dhe të folura në gjermanisht… Shoku që kisha pranë u plagos dhe mitralozi i tij heshti. Unë shtiva njëherë, po gjermanët më panë e donin të më zinin të gjallë. Atëherë i thashë shokut të mos dorëzohemi… “Ne të vdekur e të vdekur jemi, prandaj të hidhemi nga shkëmbi poshtë në humnerë. Dhe u hodha e para,..pas meje edhe shoku, për fatin e të cilit nuk u mësua kurrë.”… Dhe Erveheja ish hedhur nga shkëmbi, ashtu si patën bërë gratë  suljote… Të nesërmen atë do ta gjenin shokët në humnerë, pranë një përroi  me të dy këmbë të thyera dhe trupin e gjakosur e me automatikun të coptuar.. Por çanta me dokumentet e komisar Babaçes, ishte  në shpinë e kjo e gëzoi…..Por më shumë gëzoi, kur pa  shokët që e kërkonin. Dhe para saj doli Babaçja. Ai e ngriti në krahë dhe i tha të mos fliste se gjermanët ishin aty rrotull. “Më lini të vdes, u thashë shokëve, shpëtoni vetën tuaj, se unë e vdekur jam”. Po fjalët e Babaçe Faikut i kam edhe sot në mëndje..”Ne të kemi motër dhe motrën as të vdekur nuk e lëmë në duar të armiqve…!” Dhe unë shpëtova. Për mjekimin tim në fillim më çuan në spitalin e Gjirokastrës me emrin e rremë “Trëndafile Hasani”, pastaj në Janinë. Pas çlirimit qeveria jonë më dërgoi për shërim në një spital të Beogradit, por edhe këtu mbeta me plagë të shëruara. Vetëspitalin e Moskës, gjeta një farë shërimi. Po këmbët e mija nuk u bënë kurrë të mijat, se unë nisa të eci po me paterica. Sidoqoftë edhe kështu isha e dobishme. Se  për 14 vjet punova si N/drejtoreshë e spitalit të Vlorës..Në këtë kohë Erveheja martohet me Asqeri Çelën,një nga djemtë më të mirë të Vlorës. Pati një vajzë e dy mbesa, që për të njëra ishte Diell e tjetra Hënë-

 Për jetën e kësaj heroine të heshtur, sipas skenarit të gazetares së mirënjohur Zenepe Luka, u bë një film dokumentar që u mirëprit nga vlonjatët që e donin se edhe ajo për Vlorën dhe vlonjatët,rrezatonte vetëm miqësi e dashuri..Por, vetëm pak ditë para se Komiteti i veteranëve të Luftës për Vlorën, dhe kryetari  Muharrem Veshi, kishin vendosur t’i festonin 82 -vjetorin e lindjes, heroina Ervehe Gorrishti, u nda nga jeta. Dhe bashkëshorti i saj, Asqeri Çela do të  na thoshte se ajo përsëriste shpesh atë ngjarjen e tetorit 1942, ku iu vranë katër nga shokët e saj e që (pas plagosjes së rëndë ), dhe ajo mund të ishte dëshmore e lirisë… Por, ajo mbeti e gjallë për t’u bërë dëshmitare e atyre viteve dhe ngjarjeve të pa harruara…