Duro MUSTAFAI/ “ …Ju lutem, vetëm ballist  mos më bëni”…

875
Sigal

Më Dukat të Vlorës, një ngjarje me regjisorin e Kinostudios, Muharrem Fejzo

Me regjisorin e njohur të Kinostudios,  Muharrem  Fejzon , autorin e shumë filmave artistikë me vlerë, gjendeshim në fshatin Dukat të Vlorës. Me ne ishte edhe shkrimtari Vath Koreshi, që  atëherë punonte me mua si redaktor i gazetës “Drita”. Muharremi na kishte ftuar në sheshin e xhirimit për të parë skenën e fundit të filmit “Gunat mbi tela”, skenën e “Ultimatumit” , dërguar Gjeneral Piaçentinit. Ishte një gjë e bukur e prekëse, tek shikoje ata qindra “fshatarë kryengritës”, tek  ngrinin dyfekë e hanxharë lartë mbi kokat e tyre, e betoheshin te flamuri në kodër, se do ta hidhnin në det “breshkaqenin” … Ndërsa si sfond do na vinin në vesh vargjet, që ato ditë pata krijuar enkas  për filmin, muzikuar nga kompozitori i mirënjohur vlonjat, Kujtim Laro.. Muzika e atij mjeshtrit të Madh, të bënte  ta jetoje luftën  me sakrificat e gjakun  e derdhur për atdhe. Të rrëqethnin tonet e melodisë dramatike dhe heroike, mishëruar  me vargjet… “Besëm lidhëm në flamur/,Ne do rrojmë, se rron liria /, Tokë e dashur, je  e jona/, Është  e jona Shqipëria”….. 

Foto nga Filmi “Gunat mbi tela”

Ishte muaj i nxehtë korriku i vitit 1975, vapa qe  e papërballueshme për ata qindra kooperativistë, të veshur rëndë me guna  të leshta, që ishin figurantë e në rrolin e luftëtarëve kryengritës në “Luftën e Vlorës”.Dhe, tek shikoje atë, artistin e madh,  Lefter Pajën, të mbytur në djersë, po me një mitraloz  të rëndë italian, që nuk e hiqte nga dora, mendoje se lufta ishte midis nesh. Po një luftë tjetër ishte edhe vapa…Prandaj xhirimet kishin nisur qysh në orën 4 të mëngjesit… Aty nga  dreka, kur dielli përvëlues qëndronte në kupën e qiellit, gjithçka për skenën e asaj dite, kish mbaruar..Për një çast do të hidhja vështrimin te Ilia Terpini, operatori i palodhur i Kinostudios dhe njëri prej më të zotët e atyre viteve. I merakosur për punën e tij, ai pati dëshirën të pyeste … “E, si ju dukën ato sekuencat e filmit ?… Se vërejta që po shikonin me vëmendje? ”. .. “Ishin pamje, reale, të mrekullueshme”,- tha Vathi, i entuziazmuar. Kurse unë do të shtoja… “Unë nuk jam specialist si Vathi, po mu duk vetja i përfshirë në një luftë që as në ëndërr se kisha parë, po të ishte ëndërr tani do ta ndjeja veten të lumtur, se u kisha shpëtuar batareve të plumbave të italianëve, e se tani ndjehem gjallë…”. Dhe,. qeshëm të gjithë së bashku, me vështrimin te regjisor Muharremi, që sapo ish- afruar. E përgëzuam edhe atë, që na kish falur çaste të të bukura, që nuk i kishim përjetuar më parë…

.

 Gjatë xhirimeve të filmit “Gunat mbi tela” në Dukat, me  kinoregjisorin Muharrem Fejzo dhe shkrimtarin Vath Koreshi

… “ATË RROL E  LOZA NJËHERË, POR S’MË DOLI GJË…”

Ndërkohë, aty pranë një rrapi, Muharremit i kishte tërhequr vëmendjen një burrë thatanik me një qylaf të bardhë në kokë, që kishte mbështetur shpatullat tek rrapi e gjatë gjithë kohës kish ndjekur xhirimet e filmit. Pas një vështrimi të shpejtë te burri me qylaf, Muharremi do të drejtohej nga ne…- “Ja, sa ta mbaroj  filmin e do të nis punën për një film tjetër për Luftën partizane”, pastaj shton…  “Më ka tërhequr vëmendjen figura e atij burrit atje  dhe  tregon me dorë burrin me qylaf të bardhë. Sa shumë do t’i shkonte atij figura e një ballisti. Qoftë duke thënë vetëm një fjalë, qoftë edhe si figurantë i heshtur”… Ne hodhëm sytë për të parë burrin që Muharremi kërkonte ta bënte personazh filmi. Po ai, i zgjuar siç janë përgjithësisht, dukatasit, me sa duket kish kuptuar që  bisedohej edhe për të. Prandaj do ngrihej në këmbë e do afrohej me fjalët… “Djemo, mos e kini fjalën për mua ?…- Po i them, ky regjisori do të bëj edhe një film tjetër për Luftën kundër fashistëve. Regjisori ka menduar të jeni edhe ju figurant?-

-“Mua në film?, Oh, ju marça të keqen, o faleminderit o djemo, faleminderit. Po ça do më bëni, më bëni partizan, ose më mirë më bëni komisar, që ta marrë vesh fshati  se çoç kam qenë edhe unë…”.

-Jo, -i thotë Vathi, -ti do jesh në rrolin e një ballisti, po s’ka pse shqetësohesh se është rrol filmi. Pastaj për këtë do të shpërblehesh”- dhe i shpjegon shpërblimin. Në atë kohë edhe figurantët, që rrinin e nuk thoshnin asnjë fjalë në filma e teatër merrnin një honorar  ditor prej 150 lekësh, që nuk ishte gjë e vogël… Dhe njerëzit kërkonin  të ishin pjesëmarrës në filma. Po burri me fytyrë të imët e të mprehtë, do të na thoshte… “Jo, jo, mua mos më jepni asnjë lekë, veç më bëni partizan, ballist, në asnjë mënyrë…”. Na çuditi këmbëngulja e tij dhe prapë,  i shpjegojmë…-“Dëgjo këtu, mor xhaxha, -i thotë Vathi, nuk është ndonjë gjë e madhe, ti do jesh, ky që je, me këtë qylaf  të bardhë, me  shkabë, do mbash edhe një dyfek të gjatë, italiani, po do të marrish 150 lekë në ditë, kaq… Apo jo, shoku regjisor? Dhe Muharremi pohon me kokë… Ndërsa Vathi përsëri shton… “Hajde, jepi emrin regjisorit, që kur të vijë për filmin në Vlorë, të të kërkojë.. Hajde se rrol kinemaje është, një rrol….Atëherë, dukatasi, gjithë seriozitet do të përgjigjej…. “Ah, jo mor djema, jo, se atë rrol e loza njëherë e, s’më doli gjë” … E nisi të merrte rrugën drejtë fshatit. Ndërkohë, do të largoheshim edhe ne, por përpara na del sekretari i partisë së fshatit. Ai më kish njohur e miqësisht do më pyeste se çfarë kishim biseduar me atë burrin… Pastaj na porositi të bënim kujdes, që të mos e fusnim në film, se  ka qenë ballist, e po të dilte në ekran,do ta digjnin filmin… Më vonë do të merrnim vesh se burri në fjalë, kish  nja 100 kokë bagëti e  dikush i kish thënë se, po të bashkohej me partizanët, ata do t’ja shisnin vendin  rusëve e serbëve. E do mbetej pa shtëpi, pa liri e prokopi… Por, me Ballin  ai kishte qenë vetëm 15 ditë  dhe pushkën nuk e kishte shkrepur asnjëherë… Ai, e kishte kuptuar se ballistët ishin bërë bashkëpunëtorë të fashistëve e tradhtarë të vendit  dhe në krahë të tradhtarëve,  s’mund të qëndronte, prandaj  i kishte braktisur ata… Megjithatë, e ndjente se në ato vitet e luftës për çlirim, ai kishte ndjekur, një rrugë të gabuar… Dhe, mendonte se me  rolin  e partizanit në film, mund të  rehabilitonte veten… E për këtë këmbëngulte,  “Ju  lutem mos më bëni ballist, më bëni partizan…”.  …. Kish kaluar koha e drekës. Rrugës për në Vlorë bisedonim e qeshnim… “I shkreti njeri dikur kishte  qenë  ballist e tani, me ndryshimin e kohëve,  kërkonte ta bënin partizan. Mendonte se kështu mund t’u largohej  bezdive, që i shkaktonte biografia, e tij dhe, duke  u bërë  “partizan”,  qoftë edhe figurant në një film, mund t’i shpëtonte  edhe luftës së klasave…  Ishte mesi i ditës, kur mbërritëm në  Ujin e Ftohtë, në plazhin e Ri… Aty takuam bashkëshorten e Muharremit, Nadian me të dy djemtë e vegjël. Regjisori Muharrem Fejzo, duke e ditur që xhirimet e filmit do të zgjasnin për një muaj, kishte prurë nga Tirana, për të pushuar në plazh, edhe familjen e tij. Por atë ditë, Nadia me fëmijët nuk kishte dalë në rërë dhe Muharremi do të pyeste, …Pse? Koha është e bukur, dielli i nxehtë, e ju keni qëndruar brenda në kabinë…?”.

-Pse mos nuk deshëm ne? Po, ashtu na ndodhi… Dhe Nadia do na shpjegonte me një ndjenjë pakënaqësie… “Unë  hapa çadrën, e vendosa atë në rërë dhe nxitova te kabina për të marrë fëmijët, por kur erdha, nën çadrën tonë pashë që ishin shtrirë  katër të rinj… Me butësi u thashë:  “More djema, ju lutem largohuni që këtej. Po ata  nuk luajtën nga vendi. Ju thashë përsëri, djema, ju lutem largohuni, se kjo është çadra ime…  Kur njëri  tërë seriozitet e me ton të lartë më thotë: “Çadra është e jotja, por toka është e jona !”. E pashë që ata s’kishin për të lëvizur nga vendi, e unë, pa e zgjatur, mora  fëmijët për dore e u largova. Kjo na shqetësoi,  të dy me Vathin, shkuam te çadra , ku rrinin e bisedonin të qetë, të katër të rinjtë… I përshëndesim dhe u themi… “Pse, mor djema na turpëroni, si përzutë nga çadra, familjen e regjisorit ?  Ai vjen nga Tirana që të bëjë një film për Vlorën tonë e ne vlonjatët i themi largohu, se, “kjo është toka jonë”… Ne dimë që vlonjatët janë mikpritës, kurse ju na turpëroni…”. Të gjithë, dëgjuan me vëmendje e të gjithë thanë: “Na falni, na falni, ne nuk e dinim që ishte familja e regjisorit dhe deshëm të bënim shaka, por bëmë gabim. Ne kemi ndjekur disa xhirime të filmit në “Sheshin e Flamurit”, jemi mahnitur. Me regjisorin jemi takuar, atë e njohëm, por të shoqen nuk e njihnim…”. Dhe, para se të largoheshin, do të na luteshin t’i thoshim regjisorit dhe të shoqes, se u kërkonin falje, e se ishin të gatshëm ti ndihmonin, për çdo nevojë që do të kishin… Ditë më vonë, Nadja do të na thoshte se,  ata të rinjtë, vinin përditë te çadra jonë e pyesnin në se ndokush i bezdiste e nëse kishim nevojë për ndihmë… Por, kishin dëgjuar se regjisori do të bënte një film tjetër. Ai do të ishte një film për luftën antifashiste. Dhe ata, të rinjtë  e “bezdisshëm”, ndoshta pasardhës të partizanëve, kishin kërkuar  të merrnin pjesë në film, qoftë edhe si figurantë, pa para, por të ishin në rrolet e partizanëve, që  luftonin kundër fashistëve e bashkëpunëtorëve të tyre,  ballistë.  A thua se ajo ngjarja e Dukatit, kish mbërritur edhe në qytet ?  Dhe ai, burri me qeleshe, u dukej sikur thoshte:  “Ju lutem mos më bëni ballist”…