Dritëro Agolli, njeriu që lëshon ende dritë për të gjithë

1545
Sigal

Flet Kryetari i Shoqatës “Labëria” Prof.Dr.Ago Nezha:Shtëpia e Dritëroit ishte me dyer të hapura dhe muze familjar për të gjitha shtresat.Si ndërhyri tek Enveri që Robert Ndrenikës të mos i hiqej roli i një sigurimsi,pas arratisjes së vëllait dhe pse votoi kundër ligjit 7501

Shtëpia e Dritëroit, ishte me dyer të hapura, muze familjar, që vizitohej në çdo kohë të ditës, dhe nga të gjitha shtresat dhe rrymat

DRITËROI, NJERIU QË LËSHON ENDE DRITË PËR TË GJITHË

Dritëroi ndërhyri tek Enveri kur Robert Ndrenikës i hoqën një rol si sigurims se i ishte arratisur i vëllai

– Dritëroi, bëri problem te Enver Hoxha bursën për  familjen Buçpapaj

-Debati i ashpër i Agollit me ish- Nën/Kryetarin e Parlamentit Namik Dokle,  për ligjin e pronave 7501

Nga Prof. Dr. Ago Nezha

Kushdo që ka takuar Agollin ka përjetuar emocione, mbresa të bukura, kujtime të këndshme, mësime të vyera,që kanë ngelur të pashlyera në ndërgjegjen e vet. Imazhi i njerëzve të mëdhenj të tundon, por edhe të mundon psikologjikisht, se si do mund të komunikosh e bisedosh duke qëndruar në lartësi të pabarabarta, me diferenca të mëdha kulturore, krijuese, por edhe moshore.

Kam shumë kujtime me të që i përcjell në kohën kur kanë ndodhur..

Me madhështinë e tij, që shkrihet si një copëz akulli nga ngrohtësia e bisedës, me modestinë, mençurinë dhe mirësinë e tij që përcjell ndaj kujtdo që i rri pranë, pa u kuptuar, shumë shpejt ndihesh si i barabartë me këtë gjeni të letrave shqipe dhe të mendimit të mençur popullor. Atë, e duan shumë njerëzit e të gjitha shtresave dhe krahinave të Shqipërisë. Intelektualët dhe fshatarët, lebërit dhe malësorët, korçarët dhe shkodranët, myzeqarët dhe kosovarët, nga të gjitha trevat shqipfolëse. Siç shkruan vetë Dritëroi: “ai thotë se unë e mbaj shpirtin gjallë me dashurinë e njerëzve. Unë kam miq vazhdon ai, që më vijnë në shtëpi e nuk më lenë të mërzitem, sepse sjellin me vete ndonjëherë edhe ndonjë shishe me raki. Bashkëbisedojmë për gjëra të ndryshme, e kështu kalon koha”. Shtëpia e Dritëroit, ka qenë me dyer të hapura, një muze familjar, që vizitohet në çdo kohë të ditës, dhe nga të gjitha shtresat dhe rrymat, të majtë e të djathtë, komunist e ballistë, socialistë e (demokratë në qoftë se ka të tillë). Aty hyjnë e dalin çdo ditë me dhe pa orar, intelektualë e fshatarë, Jugorë e Veriorë, pa dallime politike e krahinore. Më ka rënë rasti të jem për vizitë disa herë në shtëpinë e Dritëroit, e kam pirë për kënaqësi edhe ndonjë gotë raki me të, por për aq pak kohë që kam qëndruar, kam parë që nuk pushonin së ardhuri miq e dashamirës, jo vetëm me raste përvjetorësh por edhe në ditë të zakonshme. Aty kam takuar të ndierin Pjetër Arbnorin, Visar Zhitin, Moikom Zeqon e plot të tjerë. Vizitorët te Dritëroi, s’kanë gjeografi e as kufi . Vijnë nga vendlindja e tij Devolli, vijnë lebër, malësor, myzeqar, e kosovarë. E kjo dukuri, është një nga cilësitë e tija të veçanta, që ja rrit madhështinë dhe e bën të dallueshëm nga të tjerët. Shtëpia e Dritëroit, është një muze mendimesh,kujtimesh, historish, kulture e idesh. Aty, gërshetohen, mençuria popullore, me traditën dhe eksperiencën jetësore. Siç thotë Sami Frashëri: “ Në qoftë se ka dy filozofë që nuk gabojnë, njëri nga këta është eksperienca”. Dhe eksperiencën njerëzore, popullore, kulturore, politike e demokratike, i gjen të qëndisura e të shprehura me urtësinë e “Biblës” te fjala dhe veprat e tija kolor. Burimin popullor, këtë pasuri shoqërore të pamat,me mjeshtërinë e penës së tij, kurrkush më shumë e më mirë nga shkrimtarët shqiptarë, nuk ka ditur ta vjelë e ta ngrejë në art, si Dritëro Agolli. E kjo cilësi, vjen nga mençuria, tradita, dhe thjeshtësia që e karakterizon këtë model të shqiptarizmës.

Vargu poetik, rrjedh si uji i kristaltë nga bjeshkët që s’ngopesh kurrë duke pirë.

Kur lexon poezinë e Dritëroit, ndiesh në një lëndinë në stinën e Pranverës që lodrojnë shqerrat, lulëzojnë lule delet dhe gurgullojnë burimet e kristalta të bjeshkëve. Ato janë të pasura me nektarin popullor, me një varg melodioz dhe lëngëzim, që të shtojnë oreksin ti kesh gjithmonë pranë. Dashurinë e poetit për Shqipërinë, e gjen të shprehur në gjithë veprat e tij poetike, por maja e këtij motivi, është hedhur në vargje te poema “Nënë Shqipëri”. Sa aktuale tingëllojnë edhe sot vargjet: “Lërmë të bie në prehrin tënd të ngrohtë,

o hallemadhja ime shekullore! “

E Shqipëria, kjo hallemadhja e përjetshme edhe sot lëngon nga hallet, varfëria, korrupsioni, prostitucioni dhe siç po duket horizonti politik, me dhimbje e themi, por ajo s’ka për tu shëruar kurrë. Ndërsa dashurinë për vendlindjen, e gjen të qëndisur si një nuse të bukur te poema “Devoll-Devoll”.

“Po, Devoll, i tillë qenkam unë,

Paskam marrë baltën tënde arave,

Në një trastë leshi ndënë gunë,

Për t’ja sjellë, Lidhjes së Shkrimtarëve”…

Ky lirizëm romantik shpaloset edhe te poema “Baballarët”.

”Nga shpate ngjiti e nga shpatet zbrisni,

Të hollë si kosorë e jataganë”…

Aty, vargjet derdhen si gruri në lëmë, që kur i “mbledh” e i lexon, të ngjallin nostalgji. Këto vargje flasin për origjinalitetin, tabanin popullor, për natyralizmin, për bukurinë dhe thjeshtësinë e fjalës. Vepër pas vepre, hap pas hapi, në krijimtarinë e tij,ai është i veçantë. Dritëroi i ka përcjell mendimet e kohës me nervin e tyre origjinal. Te vëllimi poetik “ Lypësi i kohës”, shkruan:

“Në vendin tim, e në vendin tënd,

 një kokë e çmendur një vend e çmend”.

E gjithë vepra, pa folur për vargjet që cituam më sipër, është një refleksion i situatës kritike që kalon vendi. Por në veprat e tij poetike nuk kanë munguar të përcillen edhe poezitë romantike për fshatin, parmendën, rrushin dhe rakinë, “dy miq” të ngushtë të jetës së tij të trazuar, që si ka tradhtuar kurrë, për asnjë rast, as në rini e as në pleqëri. Ai është karakterizuar sa nga humanizmi aq edhe nga sentimentalizmi, qytetaria dhe guximi i Devolliut. Dritëroi, në krijimtarinë e tij të pasur, stigmatizon fenomenet më evidente të jetës, si gëzimet, ashtu dhe hidhërimet, të cilat na i përcjell si bashkudhëtare të njeriut, duke i përshkruar në thellësinë e origjinalitetit të tyre. Në veprat e Dritëro Agollit, e sheh realitetin si në pasqyrë. Jeta aty na vjen e gjallë, konkrete, reale, pa artifice. Është besnik i paepur i gjithë vlerave njerëzore. Njëkohësisht është besnik edhe i gjithë realiteteve kohore. Nuk di të stisë, të kamufloi, të zmadhojë e hiperbolizojë.

Për çdo ngjarje apo dukuri, ai ka folur me emrin e vërtetë

Me gjithë kufizimet që kishte në kohën e monizmit, përsëri ai nuk ka ndenjur duar kryq, pa fshikulluar fenomenet frenuese të shoqërisë, si burokratizmin, paaftësinë degjenerimin e pushtetit etj. Për këtë këndvështrim, me gjithë autoritetin që gëzonte në sferat e larta të shoqërisë e të pushtetit, nuk shpëtoi dot pa ju ndaluar botimet në prozë e në poezi, si “Zhurma e Erërave të Dikurshme”, dhe nuk kaloi pa kritika dhe romani satirik “Shkëlqimi dhe rënia e zotit Zylo “. Profili i Dritëroit ka treguar bukur,se gjatë gjithë lakadredhave të jetës së tij, ai gjithmonë ka qenë vetvetja. Jeta është një teatër ku vërtiten të mirët me të këqijtë, të ndershmit me imoralët, të vërtetët me gënjeshtarët, të mençurit me budallenjtë, të shëndoshët me invalidët, ziliqarët e maskarenjtë, me altruistët e rralluar në pyllin e demokracisë. Në këtë teatër njerëzor, Dritëroi gjatë gjithë jetës së tij është ndodhur në llogoren e njerëzve me fytyrë njerëzore.

Dihet dhe është nder që Dritëroi ka qenë një personazh i rëndësishëm në të dy kohët, në monizëm dhe në demokraci

Njihet jo vetëm si një gazetar dhe shkrimtar i talentuar, por edhe Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë dhe deputet në disa legjislatura në monizëm dhe në demokraci. Në të gjitha pozicionet që e ka vendosur jeta, me karakterin e tij liberal dhe social, në rastet me dilema të diskutueshme, ka ruajtur ekuilibrat mes palëve, duke krijuar një klimë sa më të shëndetshme, për individ dhe kolektivin e institucionit që ka drejtuar. Ky qëndrim, e ka bërë atë që të kujtohet nga bashkëpunëtorët e tij me dashuri e respekt, që ruhet në ndërgjegjen e të gjithë brezave. Altruizmi i tij nuk ka njohur kufijtë e nepotizmit, militantizmit, klientelizmit dhe krahinalizmit, por është gjendur për ata njerëz që ju privohesh një e drejtë, ose denigroheshin për motive politike. Për ta ilustruar këtë ide, po sjell dy shembuj sinjifikativ, që vijnë nga sistemi që lamë pas. Në familjen Buçpapaj të Tropojës, meqenëse kishte marrë bursë për letërsi njëri prej dy djemve Skënderit dhe Mujës, nuk lejohesh sipas kritereve të kohës që të fitonte edhe një kandidat tjetër në këtë fushë. Dritëroi, duke qenë me shërbim në Tropojë, mësoi këtë fakt dhe i shqetësuar, e bëri problem deri te Enver Hoxha, që i dha aprovimin edhe djalit tjetër të talentuar. Jo vetëm kaq, por kur mbaroi shkollën Skënderi u emërua në një fshat të Tropojës, në Tëplan dhe Dritëroi e tërhoqi në Lidhjen e Shkrimtarëve në detyrën e redaktorit të revistës “ Nëntori”, që ishte një vlerësim jo pak i vogël për atë vend pune. Ironia që përdori Dritëroi në Sekretariatin e Komitetit Qendror të Partisë, ishte tepër therëse për sistemin. Ai tha: “mirë që se ka edhe Turqia këtë vendim që të mos arsimohen dy fëmijë nga një familje, se nuk do i kishim sot tre vëllezërit Frashri, me gjeninë e tyre.” Ky mendim, kaloi si re e zezë pa u kuptuar. Rastet janë të shumta, që m’i kanë treguar personalitete të kohës, që kanë qenë pjesëmarrës në mbledhje në instanca të larta.

Dëshiroj të sjell edhe një shembull, që lidhet me aktorin e njohur e të talentuar Robert Ndrenika

Për çështje biografie, Robertit i hiqet roli në një film që kishte të bënte me sigurimin e shtetit. Roli, si të gjitha debutimet e tij, ishte realizuar shumë mirë. Ky veprim pati jehonë dhe sensibilitet në rrethet intelektuale, pa folur më për ato artistike. Dritëroi, pasi u informua si Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, pati rastin të marrë pjesë në një mbledhje të Sekretariatit të Komitetit Qendror të Partisë, që diskutohej për problemet e letërsisë dhe artit. Kur e mori fjalën për ecurinë e këtij sektori, ai, denoncoi edhe faktin se mbahen qëndrime ekstremiste ndaj personaliteteve të artit, duke e ilustruar me rastin e Robert Ndrenikës, që i hiqet roli në mënyrë flagrante. Enver Hoxha, ndërhyri dhe e pyeti: Dritëro, çfarë njeriu është ky Roberti ? Dritëroi iu përgjigj: Njeri dhe aktor shumë i mirë, por ka një vëlla të arratisur, ndaj e penalizojnë. Enveri tha: “Në dreq le të vejë vëllai përderisa ky është, jo vetëm njeri, por edhe aktor shumë i mirë, ndaj ai të mos pengohet të luajë në role aktoreske.” Këto episode, e plot të tjera që nuk ia vlen të ndalemi gjatë, flasin qartë për ndjeshmërinë, ndershmërinë, botëkuptimin, guximin dhe qëndrimin para situatave kritike, që edhe mund të keqinterpretoheshin nga strukturat e larta të partisë.

Dritëroi, ka qenë gjithmonë vetvetja, nuk ka qenë kurrë koniunktural

Në të gjitha situatat politike, ai ka qenë gjithmonë barometër i ekuilibrave midis forcave opozitare. Ishte ai që qetësonte situatën, edhe në ato raste kur ngrihej temperatura dhe pika e vlimit shkonte deri në shpërthimin e kapakut të “tenxheres” së Parlamentit. Ai, ka qenë kritik jo vetëm ndaj kundërshtarit politik, por edhe brenda familjes së vet politike, kur ka pasur përplasje për motive meskine apo interesa të ngushta primitive. Janë të shumta rastet, kur Dritëroi ka rregulluar klimën e acartë midis dy kampeve opozitare. Këtë situatë e kemi përjetuar nëpërmjet, medies kur ka pasur përplasje të panevojshme pozitë –opozitë. Edhe në momentet më nevralgjike për çështje madhore të vendit, siç ishte rasti i Ligjit 7501 për pronat, Dritëro Agolli, ka votuar kundër këtij ligji vrastar, që e mban Shqipërinë peng prej 26 vjetësh dhe që e ka zënë rob përjetësisht. Mjafton të sjell në vëmendje të lexuesit një episod në Parlamentin Shqiptar, në dialogun e Dritëroit, me ish-Nën/Kryetarin e Parlamentit Namik Dokle, përfaqësues i Partisë Socialiste. Kur e pa që Dritëroi votoi kundër këtij ligji, Namiku i tha: “Se ky veprim del jashtë programit të Partisë, për më tepër që ti je dhe anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste.”

-Po, ia priti plaku i mençur, “ke të drejtë”, është e vërtetë kjo që thua ti, po bjena socializmin se votoj unë pro, tashti po votojmë për kapitalizmin. Në sistemin që po ndërtojmë, nuk ka kuptim që tokën dhe pronën time që e kam trashëguar në breza, ta marrë tjetri që s’ka asnjë lidhje me të.” Sigurisht, që ai ligj makabër, triumfoi se njerëzit e shpellave dhe kasolleve me kashtë që e kishin pushtuar “kështjellën” e parlamentit, u shkonte për shtat, ai ligj vrastar. Kontributi dhe qëndrimi i Dritëro Agollit, ka qenë gjithmonë në poligonin e së vërtetës.

Në vitet e demokracisë

Edhe në vitet e demokracisë, ai nuk zgjodhi rrugën e emigrimit për të siguruar qetësinë personale, por qëndroi në llogoren e luftës për të vendosur rendin e ri demokratik. Pavarësisht infeksioneve të rënda që kanë prekur demokracinë në Shqipëri, fjala e Dritëroit, ka qenë ilaçi për të shëruar plagët e infeksionin që ka prodhuar politika në këto 26 vjet. Dritëro Agolli, për kontributin e tij të shquar mban tituj e medalje të shumta. Ndryshe nga shumë shkrimtarë të tjerë Dritëroi, ka vlerësuar lart mësimet që ka marrë në shkollën e mesme në Gjirokastër duke u njohur me traditat dhe zakonet e Labërisë dhe siç është shprehur ai, “se po të mos kisha qenë në Labëri, s’do isha ky shkrimtar që jam sot.” Këtë konsideratë për trevën e Labërisë, Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria “, ia ka shpërblyer duke e vlerësuar me Titullin “Mirënjohje e Labërisë”, titull ky, më i larti që ajo jep për njerëz të shquar, që kanë afeksion e kontribut për Labërinë dhe që kanë marrë pjesë në veprimtaritë e saj.

Kam shumë kujtime personale nga mëndja dhe dora e Dritëroit, që i ruaj si relikte të çmuara. Në bibliotekën time, kam shumë libra të dhuruara me autografi n e tij. Në një rast, që Dritëroi ishte për vizitë së bashku me Sadien në shtëpinë time, pa në raftet e bibliotekës edhe poezitë e Robert Bërnsit, që i kishte përkthyer vetë. E di ç’më ka ndodhur më tha Ai: Unë s’kam asnjë kopje të këtij libri se m’i kanë marrë pa më pyetur. I thashë se më duket kam dy kopje (mbasi unë kisha një zakon që librat që më pëlqenin shumë blija nga dy). Kështu ndodhi, e gjeta kopjen e dytë, dhe ia çova në shtëpi. Nuk vonoi shumë dhe një ditë prej ditëve, më merr në telefon dhe më thotë: “ Hajde në shtëpi tek unë se ka pjellë Bërnsi”. Ai kishte përkthyer edhe shumë poezi të tjera dhe kishte botuar një vëllim tepër voluminoz që ma dhuroi, si gjithmonë, me autografin e tij.

Këtë altruizëm e madhështi, që shkrihet në thjeshtësi, te rrallëkush mund ta gjesh. Me mençurinë dhe qetësinë që e karakterizon, ai diti të zbresë në tapetin e psikologjisë së fëmijës, që me urimin e tij, e inkurajoi, këshilloi dhe rrit besimin te krijuesit e rinj. Këtë gatishmëri, e kam përjetuar vetë në fillimet e mia letrare, ku vëllimin e parë me poezi “Lot në sytë e detit “, kam kënaqësinë dhe nderin që parathënien e ka shkruar i madhi Dritëro Agolli. Jeta e Dritëro Agollit është një romancë më vete, që kur njihesh me të mëson nga eksperienca e tij. Dritëroi, nuk ka ditur të ankohet, e s’ka qenë kurrë qaraman, dhe pse fati nuk e ka përkëdhelur. Ai, ka ditur t’i kapërcejë pengesat që i kanë dalë rrugës në shtigjet e jetës.