Dritëro Agolli: Gjuha shqipe është gjuha e zotit

1353
Sigal

Film dokumentar për shoqatën “Bashkimi Shqiptar”, të emigrantëve në Lion të Francës

Mbas filmit dokumentar “Vatra shqiptare në Amerikë”  Ilia Terpini shkoi në Lion të Francës i ftuar nga shoqata “Bashkimi Shqiptar” për të realizuar një film dokumentar për aktivitetin e kësaj shoqate, e cila është krijuar 15 vite më parë.  Kjo shoqatë kishte një aktivitet shumë të madh dhe kryesorja ishte që kishin hapur dhe shkollën shqipe, me qëllim që të mësohej dhe të mos asimilohej gjuha shqipe tek fëmijët e tyre. Skenari i këtij filmi u realizuar nga skenaristi me përvojë  Mark Dodani, i cili kishte 3 vjet që bënte pjesë në këtë shoqatë.  Regjisor dhe drejtor fotografie i filmit Ilia Terpini.  Regjisor montazhi: Lulëzim Sula, formulues muzike: Majlinda Bëzolli dhe folës Xhelil Aliu.  Konsulent i filmit Avni Azizi dhe Bush Shula. Ideator i këtij filmi është ish- nxënësi i kësaj shkolle shqipe, sot kryetar i shoqatës “Bashkimi Shqiptar” Labinot Bislimi. Filmi u realizua në bazë të intervistave të shumë aktivistëve të kësaj shoqate dhe Kryetarit të parë të saj z. Xhevat Bislimi, një personalitet i shquar. Në këtë komunitet ka bërë vizitë dhe shkrimtari i shquar Dritëro Agolli. Ja si shprehet ai për mësimin e gjuhës shqipe dhe për aktivitetin e shoqatës shqiptare në Lyon “Bashkimi Shqiptar”

Dritëro Agolli:  Gjuha shqipe është gjuha e zotit

 Të mos lejojmë që fëmijët e emigrantëve të dinë gjuhën shqipe

 I përshëndes të gjithë pjesëtarët e shoqatës patriotike-atdhetare “Bashkimi Shqiptar” në Lion të Francës. Ruaj kujtimet  më të mira për ta, kur e vizitova para disa vitesh.  Në atë kohë kam takuar shumë shqiptarë edhe të emigracionit të ri, por edhe të emigracionit të vjetër. Atje kam vënë re se gjuhën shqipe nuk e kanë harruar, edhe me të rinjtë. Dhe tani që ata vazhdojnë të mësojnë gjuhën shqipe është një nga gjërat më të bukura, por edhe më patriotikja.  Duke i përshëndetu ndjekësit e shkollës “Fan Noli”, mua më kujtohen  fjalët e Fan Nolit për gjuhën shqipe, por më kujtohen njëkohësisht fjalë më të vjetra për vlerësimin e një gjuhe. Edhe bibla e thekson se, e para është gjuha, fjala.  E thotë këtë se, gjuha është një ndër elementët më kryesorë të indentitetit kombëtar, siç është gjuha konstitucioni shpirtëror, zakonet, këngët e vjetra vallet e të tjera që hyjnë së bashku me gjuhën formojnë atë që quhet indentiteti i njeriut, d.m.th se nga është ky njeri. Pra, këto elementë të traditës tregojnë adresën se nga është ky njeri, prandaj më bëhet qejfi që këta djem e vajza mësojnë vazhdimisht që të mos harrojnë gjuhën shqipe. Ka njerëz që e harrojnë gjuhën shqipe, megjithatë, në shpirt e mbrojnë atë, konstitucionin shpirtëror, madje dhe në ecja unë shqiptarët i njoh, me një fjalë i dalloj kur shkoj në ndonjë vend të huaj dhe nga ecja kur i shoh them me vete “ky është shqiptar”, sepse është mësuar në këtë natyrë të veçantë shqiptare me male, me brinja dhe me fushë, ndaj dhe ecjen e ka ndryshe nga të tjerët. Ndaj si janë të veçantë në ecje shqiptarët kanë të veçantë dhe gjuhën ndaj uroj të mësojnë sa më mirë gjuhën, pasi është një nga gjuhët më të vjetra të Europës.  Me këtë dua të them se, duke mësuar shqipen, mësojnë edhe atdhetarizmin,  mësojnë edhe për ndryshimet në këtë atdhe dhe mësojnë të ruajnë gjuhën  nga fjalët e huaja pasi këto  hyjnë edhe ën gjuhët e tjera të botës, hyjnë dhe në gjuhën shqipe. Kjo tregon përparimin, lidhjen e kombeve, lidhjen e marrëdhënieve me Europën, kjo është gjuha. Prandaj duhet të mësohet gjuha shqipe, sepse është një thesar ndërkombëtar, është një pasuri europiane. Njeriu sa më shumë gjuhë të dijë aq më i mençur bëhet. Kështu që, unë i përgëzoj, ta mësojnë sa më shumë gjuhën e të parëve, që edhe kur të vijnë këtu të dinë të komunikojnë më mirë me të gjitha fjalët e gjuhës sonë, që duket si gjuha e Zotit.   Për mësimin e gjuhës shqipe të fëmijëve emigrantë jashtë atdheut duhet që të kujdeset dhe më shumë shteti. Ai duhet të sigurojë tekstet shkollore, mjetet didaktike si dhe ambientet, ku duhet që të bëhet mësimi. Kështu bëjnë të gjitha qeveritë e vendeve që kanë emigrantë.  Për këto duhet të ekzistojnë dhe marrëveshje bilaterale midis dy vendeve, pasi emigrantët e kanë shumë të vështirë të sigurojnë ambientet për mësim. N.q.s ata mund të japin mësim falas, kurrsesi nuk mund të inaugurojnë ambiente shkollash. Por shoh që ndërgjegjësimi kombëtar i emigrantëve është shumë i madh. Kjo tregon se, të gjithë emigrantët e duan shumë atdheun, e duan shumë gjuhën e tyre dhe për këtë sakrifikojnë shumë. Personalisht jam shumë i emocionuar për çka pashë në Lion. Të gjithë sa bëhen për gjuhën shqipe bëhen në mënyrë vullnetare, bëhen mbi bazën e dashurisë për gjuhën. Por në fund të fundit, emigrantët kanë shkuar jashtë atdheut, për një jetë më të mirë, për një ekonomi më të mirë, ndaj them që ata janë shumë të angazhuar me punë dhe nuk mund të jenë në gjendje që të mësojnë dhe gjuhën shqipe fëmijëve pasi vijnë të lodhur nga puna, vijnë me shumë stres dhe sado ata të mësojnë gjuhën nuk janë profesionistë, nuk janë mësues të mirëfilltë dhe nuk mund të japin një dëftesë reale, që fëmijët të mësojnë apo dinë gjuhën shqipe. Janë institucionet e mirëfillta ato që përcaktojnë se sa  është përvetësuar mësimi nga fëmijët.  Kam shkuar në shumë vende, ku ka emigrantë dhe kam mësuar për përpjekjet e tyre individuale që fëmijët të mësojnë gjuhën shqipe. Edhe në Greqi ka shumë përpjekje të tilla. Janë hapur disa shkolla. Por të gjitha janë mbi baza vullnetare dhe ambientet janë në shkollat greke, ku fëmijët mësojnë greqisht. Organizimi nuk është perfekt. Ndaj duhet një bashkëpunim më i madh mes qeverisë, ambasadave dhe emigrantëve. Gjithkush, duhet të bëjë sa më mirë detyrën që i takon. Pra, qeveria ka punën e saj dhe detyrat e saj, ambasada punë  e saj dhe  emigrantët detyrimet e tyre. Vetëm kështu ne mund të bëjmë atë që duhet që fëmijët të mësojnë gjuhën e nënës dhe të mos jenë analfabetë në këtë gjuhë. Duke marrë parasysh numrin e madh të emigrantëve në botë dhe numrin e fëmijëve të emigrantëve do të thotë që n.q.s tek këta fëmijë nuk mësohet gjuha shqipe, pas disa vjetësh të kemi një analfabetizëm masiv.

Xhevat Bislimi: U largova nga Kosova se rrezikohesha të burgosesha për herë të dytë

Shoqata “Fan Noli” në Lion të Francës në ndihmë të gjuhës shqipe

 “Si shumë shqiptarë u detyrova të largohem nga Kosova se rrezikohesha të burgosesha për herë të dytë nga serbët. Në Lion gjeta 3-4 shqiptarë, kështu që bashkë me ta formuam Këshillin e Lëvizjes Popullore të Kosovës. Pastaj morëm vendim të formojmë shoqërinë shqiptare “Fan Noli”, të cilën e themeluam në 11 Mars të vitit 1991 me rastin e 10-vjetorit të shpërthimit të demonstratave në Kosovë. Qëllimi kryesor ishte ruajtja e identitetit kulturor, gjuhësor i shqiptarëve që ishin vendosur në Lion, qoftë për arsye ekonomike, qoftë për arsye politike, sepse ishim të përndjekur nga pushtuesit serbë. Në fillim kishim vështirësi, se ishte një komunitet i vogël. Megjithatë siguruam një lokal të përshtatshëm për atë kohë. Aty themeluam, edhe shkollën e parë shqipe për shqiptarët që jetonin në Lyon dhe në rrethinat e tij. Pastaj bëmë një bibliotekë me rreth 2 000 libra, një bibliotekë që zor se e kishte komunitet tjetër në Francë.  Kështu filluan të mblidhen shqiptarët, ku u krijua një vatër e ngrohtë, vatër atdhetare, kulturore, për shqiptarët që jetonin në Lion dhe rrethinat e tij. Pastaj me kohë filluam botimin e një gazete të përkohshme të quajtur “Rruga jonë”. Për të nxjerrë gazetën na ndihmoi z.Tefik Kucaj, i cili ishte mysafir nga Tirana, Prof. Doc, i historisë, mik dhe atdhetar i mirë, i cili ndihmoi shumë për çështjen e organizimit të luftës së armatosur në Kosovë. Pastaj vendosëm dhe kontaktet e tjera me shqiptarë që ishin në qytete të tjera të Francës, si Parisi, Marseja, etj… Filluam të koordinonim aktivitetet. Kjo shoqatë u bë vatër e mobilizimit të vullnetarëve që niseshin për luftë në Kosovë. Një pjesë e mirë e shqiptarëve kontribuuan dhe me fonde për të përkrahur luftën e UÇK-së, për çlirimin e Kosovës.  Pjesë e kësaj shoqërie ishin shqiptarët nga të gjitha trevat. Aty gjeje shqiptarë nga Tirana, Shkodra, Elbasani, Gjirokastra, Kumanova, Shkupi, Tetova, Prishtina, Ferizaj, Gjilani, pra nga të gjitha krahinat deh qytete e Shqipërisë. Ne y bëmë një.  Kjo ishte e veçanta e kësaj shoqërie, sepse bashkoi, pa asnjë dallim krahine apo pikëpamje politike gjithë shqiptarët.  Unë kam qenë në Kosovë i organizuar në radhët ilegale të Kosovës, isha anëtar i organizatës “Lëvizja e Popullit të Kosovës”, në Francë isha kryetar, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm e më vonë anëtar i kryesisë i LDK-së.  Gjithashtu, isha përfaqësues politik i UÇK-së, në Francë, për organizim, mobilizimin, mbledhjen e fondeve, njerëzve për ti dërguar në Kosovë. Pastaj bashkë me shqiptarët në Tiranë, e shumë qytete të tjera shqiptare u mobilizuam për dërgimin e vullnetarëve në luftë në Kosovë.  Meritë e veçantë i takon shtetit shqiptar, sidomos popullit shqiptar,  të cilët me një përkushtim e përkrahën lëvizjen, mundësuan luftën,  sepse përgatitjet e ushtarëve të UÇK, bëheshin në Tiranë dhe nga Tirana futeshin në Kosovë.  Që andej binin armatimet, atje mjekoheshin luftëtarët (në Shqipëri), Përkrahja diplomatike ka qenë e pazakonshme. Falënderojmë shtetin shqiptar, SHBA, faktorin ndërkombëtar, që e përkrahën këtë luftë.  Unë kam qenë një nga pjesëtarët e grupit diplomatik të UÇK-së,  që bashkëpunoi në ekipin e delegacionit që kishte ardhur në Rambuje. Atje organizuam dy manifestime që patën jehonë të madhe në mbarë Francën. Shtypi francez, media vizive franceze,  shkroi në mënyrë afirmative për shqiptarët dhe çështjet e tyre, ku delegacionin e tyre e drejtova unë. Rambujeja ishte një sukses i luftës dhe përpjekjes diplomatike e politike. Këtu u hap rruga për ndërhyrjen e NATO-s dhe dëbimin përfundimtar të forcave serbe nga Kosova. Në këtë shoqatë kanë ardhur shumë personalitete nga Shqipëria.  Këtu në këtë shoqatë ka ardhur Dritëro Agolli me bashkëshorten Sadijen. Ishte një takim i ngrohtë, i cili na dha zemër, na inkurajoi që të vazhdonim misionin e nisur”.

Lavdosh Jakupaj

Një nga intervistat e përfshira në këtë film ishte dhe ajo e z. Lavdosh Jakupaj, drejtor i shkollës shqipe, i cili vlerësoi hapjen e shkollës shqipe vetëm me ndihmën e komunitetit të mërgatës së shqiptarëve. Këtu në këtë shoqatë bën pjesë elita e intelektualëve shqiptarë, ku studentët, themeluan shkollën shqipe, për të ruajtur kulturën dhe më e rëndësishmja gjuhën e bukur shqipe. Mësimi i kësaj gjuhe ishte dhe kërkesa e vazhdueshme e prindërve, e cila vazhdon edhe në ditët e sotme.

“FILIZAT E DIASPORËS MËSOJNË SHQIP”

 Qyteti i Lionit shtrihet nga qendra e Francës në lindje të saj. Lioni bashkohet nga dy lumenj madhështor Ron dhe Son. Përbri lumit Ron, i cili përshkohet nga ura madhështore janë vendosur kompleksi i ndërtesave të Universitetit Lion 2, të cilat i japin një pamje mbresëlënëse këtij mjedisi. Majë kodrës qëndron hijerëndë Katedralja, e cila duket sikur e përshëndet këtë qytet. Brenda saj do të shohim afreske fetare dhe një sallë madhështore, ku ndër shumë gjuhë të ndryshme do të hasësh dhe një citat në gjuhën shqipe. Jo shumë larg shtrihet sheshi Hotel de Ville zbukuruar me monumente, shatërvanë, ndërtesa madhështore, midis të cilave shquajmë teatrin. Jo shumë larg ndodhet Universiteti Internacional në George De Loyp, ku ndodhen dhe ambientet e shkollës shqipe “Fan Noli”. Qyteti i Lionit përshkohet anë e kënd me autobusë, tramvaj dhe metro, të cilët sigurojnë në nivelet më të larta lëvizjet komode të qytetarëve. Popullsia e qytetit me gjithë rrethinat arrin rreth 8 milionë. Qyteti i Lionit është i përmendur për pasuritë e shumta turistike si muzeume, pamje madhështore, me ndriçime dhe projektime madhështore. Nuk mundet të lesh pa përmendur festën e dritave, e cila bëhet një herë në vit për 5 net rresht, ku del i gjithë qyteti nëpër rrugë, dhe me mijëra turistë nga të gjitha anët e botës. Por ajo që të bën shumë përshtypje është mërgata shqiptare. Në këtë qytet të Francës qysh para viteve ’80 erdhën emigrantë nga viset shqiptare në sasi të vogël për shkaqe ekonomike. Më vonë një valë e dytë emigrantësh do të vijnë nga fillimi i viteve ’90 nga trojet e Shqipërisë natyrale, kryesisht nga Kosova, Maqedonia , Mali I Zi dhe nga Shqipëria Londineze, gjithashtu nga lugina e bukur e Preshevës, Medvegjes dhe Bujanovcit. Emigrantët e kësaj periudhe ishin të lidhur kryesisht me gjendjen e rëndë që po mbretëronte në trojet shqiptare në Kosovë. Ashtu si pas Lidhjes së Prizrenit, që u formuan shumë shoqëri atdhetare në mërgatë, për të ndihmuar çështjen shqiptare, nga rreziku i pushtimit nga fqinjët, ashtu u krijuan dhe shoqëritë në vitet ’90 që të ndihmojnë çështjen shqiptare në trojet e veta. Në këtë kontekst do të formohet edhe shoqëria “Fan Noli ” në Lion të Francës me kryeiniciatorin Xhevat Bislimi. Që në fillim u ndje nevoja e fëmijëve shqiptarë që krahas gjuhës frënge të mësonin edhe gjuhën amtare, me qëllim që t’i shpëtonin asimilimit, dhe së fundmi të ktheheshin në atdhe të pajisur me dije e kulturë për t’i shërbyer kombit. Numri i të ardhurve nga trojet shqiptare nuk kalonte 300 veta, për të realizuar qëllimin madhor që fëmijët të pajiseshin me gjuhën shqipe dhe kulturën e saj. Më 11 Mars 1991 u hap shoqëria “Fan Noli” në kuadër të së cilës u hap edhe shkolla e parë shqipe. Për këtë eveniment madhor na flet z.Xhevat Bislimi, personaliteti publik, politologu, Kuadër i lartë i LPK-së, ndër themeluesit e UÇK-së, pjesëmarrës në Rambuje dhe më vonë Deputeti i Kuvendit të Kosovës, sot anëtar i Kryesisë së PDK-së. Bashkë me të ishte dhe i ndjeri Adem Zeneli dhe Fatmir Idrizi, i cili u zgjodh kryetar.