Drejt shkatërrimit të plotë “Shpella e shkruar” e Lepenicës, një nga më të vjetrat në Ballkan

166

Ergys ALUSHI

Vizatimet e zbuluara në këtë shpellë, dëshmojnë se treva e Shqipërisë Jugore është një nga vatrat e qytetërimeve neolitike me autoktoni relative me të gjatë. Por, kjo dëshmi rrezikon të zhduket dhe të mos shërbejnë më për asgjë si pasojë e papërgjegjshmërisë së individëve të caktuar që I kanë dëmtuar, por edhe si pasojë e indiferencës totale të institucioneve të mbrojtjes e ruajtjes së monumenteve. Shumë nga vizatimet që mendohet të jenë të periudhës së gjysmës së parë të mijëvjeçarit të tretë para Krishtit, janë dëmtuar nga shkarravitja mbi to e emrave të njerëzve apo dhe vizatimeve të ndryshme. “Shpella e Shkruar” është zbuluar në vitin 1970 dhe është shpallur Monument i Kulturës i kategorisë së parë në vitin 2015 e Lepenicës. Shpella ndodhet në rrjedhjen e mesme të lumit Shushicë, 800 metra mbi nivelin e detit, në faqen lindore të malit të Shushicës, 34 km në juglindje të qytetit të Vlorës. Për të mbërritur tek piktura, ose, siç e quajnë vendasit, tek “Shpella e shkruar”, duhet të marrësh rrugën automobilistike Vlorë-Kuç e, pasi të ndalesh fshatin Lepenicë, të ngjitesh në këmbë për dy orë, për të arritur tek “Shpella e shkruar”, nga ku mund të zotërosh me shikim tërë luginën e mesme të lumit të Shushicës. Në tavanin e shpellës gjenden të vizatuara 19 figura antropomorfe e 8 figura gjeometrike. Vizatimet janë të realizuara me bojë minerali, ngjyrë kafe. Gjatësia e këtyre figurave antropomorfe është e ndryshme, ajo lëviz nga 15 cm deri në 18 cm, ndërsa gjatësia e figurave gjeometrike lëviz nga 12 cm, që është figura më e vogël, në 32 cm, që është gjatësia e figurës më të madhe. Shpella e Shkruar e Lepenicës është nga më të vjetrat në Ballkan e në Evropë. Në pikëpamje të paraqitjes grafike, nga mënyra se si janë vizatuar figurat e njerëzve, nga mënyra e vendosjes së gjymtyrëve, piktura e Lepenicës ka mjaft elemente të përbashkëta e pika takimi me pikturën shkëmbore të Zhlijebit afër Vishegradit në Bosnje, me pikturën shkëmbore të Tsogerit në Thrakinë perëndimore. Përputhjet më të mira piktura e Lepenicës i ka me pikturat e artit shkëmbor perëndimor dhe konkretisht me ato të shpellës Parto Badisco në Puglia të Italisë së Jugut, të varrit Branka në Sardenjë, me pikturat e ishullit të vogël Levanzo në veri të Sicilisë dhe pjesërisht me pikturën Olmeta në Kep të ishullit të Korsikës, Francë. Vizatimet e Shpellës së Lepenicës i përkasin gjysmës së parë të mijëvjeçarit të tretë para Krishtit. Realizuesi i këtij vizatimi ka vendosur në qendër figurën e njeriut, gjë që do të thotë se kemi të bëjmë me një kult, me një nderim ndaj njeriu. Nga Shpella e Shkruar e Lepenicës, përballë duken shpellat e Velçës, të cilat janë afërsisht të së njëjtës kohë. Piktura e Lepenicës, si një nga më të vjetrat në Ballkan, dëshmon se treva e Shqipërisë Jugore është një nga vatrat e qytetërimeve neolitike me autoktoni relative me të gjatë. Drejt shkatërrimit të plotë apo të pjesshëm janë edhe disa monumente të tjera në krahinën e Lumit të Vlorës, për të cilat ka shumë pak kujdes dhe janë lënë në harresë. Nga monumentet më të rëndësishme në këtë zonë që dëmtohen dita ditës janë rrënojat e qytezës së Amantias, ura e Bratit e rrënoja të ndryshme kalasë e urash, pa përmendur banesa e monumente të ndryshme natyrore.