Dr. Vangjel Kasapi/ Major Ahmet Lepenica – udhëheqësi i moscopëtimit të Shqipërisë

250

Ai udhëhoqi fuqinë popullore përballë gjeneralëve akademistë të njohur të Europës, si Piaçentini, Gotti, Maxoni dhe Pulieze

Në juglindje të Vlorës shtrihet fshati i bukur i Lepenicës, ku gjendet piktura e Lepenicës, një krijim i rrallë prehistorik (mijëvjeçari III p.e.s ). Këtu lindi në vitin 1872 Ahmet Lepenica, i cili shërbeu si ushtar dhe oficer në Perandorinë Osmane. Më 1899-n, kur ndodhej në Turqi, për akte trimërie në luftëra të ndryshme është graduar deri kapiten dhe ka marrë tri medalje. Në jetën e Ahmet Lepenicës janë shënuar shumë ngjarje të rëndësishme. Më 1912-n, kur u ngrit flamuri në Vlorë, u arratis prej trupave turke dhe kur Isa Boletini erdhi në Vlorë, në krye të 400 ushtarëve kosovarë, në mbrojtje të qeverisë dhe pavarësisë së vendit, kapiten Lepenica i udhëhoqi ata. Trupit të drobitur të Shqipërisë iu vërsulën armiq të shumtë: serbët nga veriu, grekët nga deti, esadistët nga brenda, mbeturinat e ushtrisë së Xhavit Pashës nga Fieri e Berati. Por dy heronjtë, Isa Boletini dhe Ahmet Lepenica, u dolën përpara në Vjosë mbeturinave turke të gjeneral Pashës, të cilin e detyruan të kthehej për nga limani i Semanit. Po me këtë sukses shqiptarët e detyruan edhe flotën greke të largohej nga skela.

Ahmeti u angazhua në ngritjen e trupave të xhandarmërisë. Më 1913-n, Ismail Qemali e dërgoi në Lushnjë, si komandant të Xhandarmërisë, në krye të 100 xhandarëve dhe nëpunësve. Në atë kohë, në afërsi të Lushnjës ndodhej ende ushtria serbe, armike e pavarësisë së Shqipërisë, e cila u largua. Kështu që, sa herë qeverisë së Ismail Qemalit iu desh një dorë e fortë, i drejtohej kapiten Lepenicës. Në vitin 1914 rebelët esadistë u vërsulën me devizën “Dum babën”, duke shkelur flamurin e kombit shqiptar. Zëri i atdheut e thirri edhe këtë herë trimin dhe shqiptarin Ahmet Lepenica, për të treguar se shpirti shqiptar rron dhe do të triumfojë. Në këtë përpjekje rebelët antishqiptarë u thyen. I vlerësuar shumë prej bashkëkohësve, Lepenica u gradua major, sepse e shpëtoi për herë të dytë pavarësinë e Shqipërisë.

Në vitin 1914, kur qeveria e Athinës krijoi të ashtuquajturën Lëvizje të Epirit të Veriut dhe “palikarët grekë” shkelën vendin tonë, duke djegur e therur gra dhe fëmijë, major Ahmet Lepenica u ngarkua të organizonte qëndresën e popullit, të çlironte krahinat e pushtuara dhe t’i bashkonte me tokën mëmë, duke ngritur atje flamurin shqiptar, xhandarmërinë dhe administratën shqiptare. Major Lepenica u ndodh atje ku ishte rreziku më i madh, ku kërkohej guximi e trimëria. Me një kompani (120 veta) dhe 400 djemtë e Isa Boletinit, Ahmeti çliroi Leskovikun, Kolonjën, Tepelenën, Gjirokastrën, Përmetin etj. Luftëtarët e udhëhequr prej major Lepenicës kapërcyen një mal me vështirësi, por ata fituan, sepse luftonin për të rilindur kombin e tyre. Komandant i Xhandarmërisë së Vlorës dhe i Lushnjës, major Lepenica, qëndroi në këtë detyrë deri kur Shqipëria u pushtua prej Italisë.

Pas përfundimin të Luftës I Botërore (1918) Italia vazhdoi ta mbante të pushtuar Vlorën, prandaj vlonjatët filluan të interesohen për fatin e atdheut. Kështu, në mars të 1919-s, në Brataj të Mesaplikut, u formua shoqëria “Mbrojtja shkollore”, me synim përgatitjen e popullit për të çliruar Vlorën. Ngjarjet rrodhën shpejt. Më 16.11.1919 përfaqësuesit e Vlorës iu drejtuan tri fuqive të konferencës së Parisit: ShBA-së, Anglisë, Francës. Populli heroik formoi Komitetin prej njëmbëdhjetë vetash. Njëri prej tyre ishte Ahmet Lepenica. Më 28 nëntor 1919 qytetarët vlonjatë dhe fshatarët shpërthyen në një demonstratë të fuqishme nëpër rrugët e qytetit, e cila u shndërrua në përleshje me pushtuesit. Në krye të kësaj demonstrate, bashkë me patriotë të tjerë, qëndronte edhe major Lepenica.

Pas përfundimit të Luftës I Botërore, major Ahmeti ushtronte detyrën e komandantit të Xhandarmërisë në Lushnjë (1920). Ahmeti kishte marrë me vete edhe 14 ushtarakë të tjerë, të cilët kishin shërbyer në mbrojtje. Gjithë fuqinë e xhandarmërisë që komandonte në Lushnjë e kishte vënë në mbrojtje të Kongresit. Kongresi i Lushnjës hasi në kundërshtimin e komandës italiane në Vlorë. Por, “Zotëri e Tij Ahmet Lepenica ka dhënë një ndihmë të çmuet për mbrojtjen e mbledhjes së Lushnjës, duke i bërë një shërbim të çmuar Atdheut”. Pa këtë mbrojtje ushtarake, nuk do ta kishim Kongresin e Lushnjës dhe mrekullinë e Vlorës; pra, nuk do ta kishim rifituar Pavarësinë e Shqipërisë.

Sapo përfundoi Kongresi, Ahmeti u kthye në Vlorë për organizimin e kryengritjes së armatosur, me besim të madh se populli priste vetëm sinjalin. Ndaj, fshat më fshat e derë më derë i ngriti njerëzit në këmbë. Më 10.03.1920, Ahmet Lepenica, si përfaqësues i krahinës së Mesaplikut, mori pjesë në mbledhjen që u bë me parinë e qytetit dhe të fshatrave të Vlorës, ku u vendos “që çështja e Vlorës të zgjidhej me armë”. I rëndësishëm është edhe takimi në Lepenicë, më 27.02.1920, ku mori pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Sulejman Delvina. Lepenica u zgjodh prej tij, pasi ajo ishte vendlindja e Ahmetit, mikut të tij që nga koha e Turqisë. Paria e Vlorës, miq nga Mallakastra dhe kryeministri Delvina, ishin në besë të Ahmet Lepenicës dhe u siguruan prej tij. Sinjali i kryengritjes u dha më 29.5.1920, kur në malin e Barçallasë (Dukat) u mblodh parësia e qytetit dhe e fshatrave të Vlorës. Në këtë kuvend u vendos: “Kundërshtimi i armikut me armë gjer në shuarje e shfarosje, në qoftë se nuk do ta lironte vetë e me të mirë vendin e zaptuar. Me solemnitet Ahmet Lepenica u betua në Kuran: “Më thertë me gjithë ç’kam!”. Vendimi u firmos dhe u vulos prej gjithë pleqësive të Prefekturës së Vlorës. Në Barçalla u zgjodh një këshill kombëtar prej 30 vetash. Nga gjiri i tij doli komiteti “Mbrojtja Kombëtare” prej 12 anëtarësh, ku një prej tyre ishte Alem Mehmet Lepenica. Kryetar i komitetit u zgjodh Osmën Haxhiu. Komiteti emëroi Shtabin e Luftës me oficerë, i cili do të drejtonte veprimet ushtarake. Në krye të Komisionit dhe Shtabit u emërua major Ahmet Lepenica. Më 4.6.1920, komiteti “Mbrojtja Kombëtare” vendosi major Ahmet Lepenicën Komandant të Përgjithshëm të Trupave Kombëtare.

Major Lepenica e mori detyrën e lartë në sajë të personalitetit të tij të njohur, atdhetarizmit të flaktë, dijeve në fushën e strategjisë e të artit popullor ushtarak, përvojës në luftëra, besimit të madh që populli kishte te ky bir i denjë i tij. Detyra e Komandanti të Përgjithshëm ishte shumë e vështirë e me mjaft përgjegjësi historike. Por Ahmeti e kreu detyrën me sukses. Derisa erdhi në Luftën e Vlorës, ai kishte kaluar me fitore dhe lavdi shumë beteja në gjithë territorin e Ballkanit, ndaj edhe populli kishte thurur shumë legjenda për të, si “nuk e zë plumbi”, “ka lindur oficer me fat”, “ai s’mundet kurrë” etj. Edhe gjatë kësaj lufte ai u tregua strateg, trim, organizator i shkëlqyer, udhëheqës i shquar popullor. Ahmet Lepenica e udhëhoqi fuqinë popullore përballë gjeneralëve akademistë të njohur të Europës, si Piaçentini, Gotti, Maxoni, Pulieze etj., dhe fitoi mbi ta. Koha e caktuar në ultimatumin që iu dha komandës italiane në Vlorë mbaroi. Fuqia shqiptare, pas urdhrit të komandantit Lepenica, i çarmatosi të gjitha stacionet e karabinierëve, ndërsa karabinierët i mbajti robër. Kështu, major Lepenica, në komandë të fshatarëve të Vlorës, Kurveleshit dhe Tepelenës niste udhën e lavdisë kundër një ushtrie moderne. Ranë Kota, Gjormi, Vjaza, Dukati, Radhima, Drashovica, Matohasanaj, pa përmendur stacionet e karabinierëve, të shpërndara në krahinë. Mbetej vetëm Llogaraja e Gjormi. Në këto rrethana, kur “Llogoraja, kjo kala e pa kapërcyeshme”, për dy ditë nuk po dorëzohej, Ahmeti vajti vetë, hartoi planin dhe, me goditje të rrufeshme, ajo ra. Tashmë mbetej vetëm Tepelena dhe qyteti i Vlorës.

Lufta e Vlorës zgjati dy muaj (5.06–2.08.1920). Kjo periudhë është e mbushur me ndeshje dhe fitore të bujshme të palës shqiptare. Këto fitore i detyruan qeveritarët italianë ta pranonin atë që kishin kundërshtuar. Bisedimet italo-shqiptare për t’i dhënë fund luftës i përkasin pa mëdyshje faktorit ushtarak, armëve shqiptare, fshatarëve trima të Vlorës, Tepelenës e Kurveleshit, nën udhëheqjen e Komandantit të Përgjithshëm të Trupave Kombëtare major Ahmet Lepenicës. Kjo tregonte se komiteti “Mbrojtja Kombëtare” njihte qeverinë e Tiranë, por nuk njihte administratën e pushtuesit të vendosur në Vlorë. Kështu, major Ahmet Lepenica u emërua Komandant i Përgjithshëm i Xhandarmërisë, si dhe mbeti Shef Shtabi, nënkomandant i Luftës. Nga pikëpamja e rëndësisë dhe e pasojave, Kongresi i Lushnjës dhe Lufta e Vlorës mund të barazohen me Shpalljen e Pavarësisë, në nëntor të vitit 1912. Me fitoren e Luftës së Vlorës, populli shqiptar e shpëtoi vendin nga një fund tepër tragjik, nga copëtimi i tretë i trojeve shqiptare. Në këto arritje, ndër më të mëdhatë në historinë e kombit, ka meritën edhe major Lepenica, sepse udhëhoqi dhe çoi drejt fitores një nga betejat më të rëndësishme që kanë bërë shqiptarët gjatë udhës së gjatë të historisë së tyre.

Pas Luftës së Vlorës, major Lepenica u emërua Komandant i Fuqisë së Xhandarmërisë së Vlorës, komandant i detashmenteve të Lushnjës dhe komandant i Krahut të Vjosës. Politika greke vazhdonte provokacionet, ndërsa pjesa më e madhe e territorit, Vlora dhe Gjirokastra, sapo kishin dalë nga pushtimi italian; Himara ndodhej akoma nën pushtimin grek. Këto detyra Ahmet Lepenica i kreu me devocion, me aftësi dhe kompetencë të lartë ushtarake.