Dr. sh. Vangjel Dh. Kasapi/ Vehbi Hoxha – shtatmadhor i përmasave strategjike

2453
Sigal

Vehbi Abaz Hoxha lindi më 13.03.1916 në katundin Tërbaç të Vlorës, në një familje deiste të besimit mysliman. Babai i tij ishte hoxhë fshati, por me ndjenja atdhetare të shquara. Arsimin fillor. Vehbi Hoxha e kreu në vendlindje, ndërsa në vitin 1935 përfundoi studimet në shkollën e mesme tregtare italiane në Vlorë. Pas dy vjetëve si i papunë, u regjistrua në një kurs veterinarie dhe, me përfundimin e tij, u emërua polic veterinar. Pas shtatë muajsh e pushuan nga puna, por gjeti punë si sekretar-llogaritar në shoqërinë italiane “TEMVAN”, dhe “MONIAL”, më vonë në “SESA”, ku punoi tre vjet e gjysmë. Qysh herët (l937), Vehbiu u lidh me elementë të bindjeve të majta dhe nga simpatia për ta hyri në Grupin Komunist të të rinjve. Shkrirja e grupeve dhe formimi i PKSh-së e gjen Vehbi Hoxhën në Vlorë, si anëtar partie i celulës së parë, ku i deleguar i KQ-së ishte Koçi Xoxe. Ka qenë përgjegjës i njësiteve guerile të Qarkut të Vlorës dhe përgjegjës ushtarak e politik i zonës së Mesaplikut. Pas demaskimit të fraksionit komunist të Vlorës, Vehbi Hoxha u shkarkua nga të gjitha përgjegjësitë dhe detyrat ushtarake dhe u përjashtua edhe nga PKSh-ja, pa afat të caktuar. Pas tre muaj e gjysmë, me mbështetjen e Mehmet Shehut,pranohet përsëri në PKSh. Vehbiu punoi e luftoi aktivisht si ilegal në Vlorë, sepse ishte shpallur person shumë i kërkuar nga autoritet fashiste. Në dhjetorin të 1942-shit, me urdhrin e Qarkorit, largohet nga puna ilegale në qytet dhe dërgohet me detyrë në zonën e Mesaplikut. Në qershor të 1943-shit Vehbiu u inkuadrua në çetën partizane “Halim Xhelo” të Qarkut të Vlorës e mandej në çetën partizane të Mallakastrës. Në muajin gusht 1943, me formimin e Brigadës së Parë Sulmuese u rreshtua në efektivat e saj dhe caktohet komandant toge, në tetor emërohet zëvendëskomisar kompanie dhe në dhjetor komandant i Kompanisë të Batalionit V të Brigadës së Parë Sulmuese. Disa ditë pas çlirimit të Shqipërisë, emërohet komandant i Brigadës së 24-t Sulmuese. Në prillin të 1945-s Vehbi Hoxhës i ngarkohet detyra e komandantit të Brigadës së 17-të Sulmuese me gradën Kapiten I. Pas riorganizimit strukturor të ushtrisë, në shkurt të 1946-s, Vehbiu emërohet komandant i Regjimentit të 3-të të Divizionit të Tretë të Këmbësorisë, ndërsa në maj të po atij viti emërohet komandant i Regjimentit të 31-të të Divizionit të Pestë të Këmbësorisë. Në gusht të 1947-s, pasi ishte graduar major, Vehbi Hoxha emërohet komandant i Regjimentit të 7-të të po atij divizioni. Në dhjetorin e 1947-s dërgohet për studime të larta në Akademinë Ushtarake “Frunze” në Moskë. Në këtë akademi, gjatë katër vjetëve përvetëson njohuritë bashkëkohore të artit ushtarak, të taktikës, artit operativ dhe të strategjisë ushtarake, merr pjesë në zhvillimin e shumë detyrave, si dhe metodikave ushtarake të nivelit taktiko-operativ. Në tetor të vitit 1951 i përfundon studimet me rezultate të larta. Më 26.11.1951, me gradën nënkolonel, Vehbi Hoxha emërohet shef i degës operative në Drejtorinë I të Shtabit të Përgjithshëm, ku punoi me përkushtim e seriozitet, derisa u dërgua përsëri për studime të larta ushtarake në Moskë, në Akademinë Ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm “Voroshillov”. Në këtë institucion dhe nivel pedagogjik-akademik të lartë, Vehbiu pajiset me risitë më të fundit të artit ushtarak të niveleve operative-strategjike. Merr njohuri të plota për drejtimin e njësive të mëdha operative dhe e zgjeron horizontin tashmë të kristalizuar si kuadër i lartë i përmasave të mëdha shtatmadhore. Në “Voroshillov”, Vehbiu, tashmë kolonel, përvetësoi shprehitë e përdorimit praktik të llojeve të armëve, si tanket, Flotën Luftarake Detare, aviacionin, artilerinë e armët bërthamore. Në Moskë, tërbaçioti u pajis me një kulturë të gjerë e të përgjithshme. Ai u njoh me veprat e rëndësishme muzeale, teatrin, operën, baletin, sportet. Theksojmë se koloneli ishte amator i pasionuar i banjave të ftohta në akull e ujë të ftohtë. Këto sporte i vazhdoi gjatë edhe në atdhe. Pasi i përfundoi studimet me rezultate të larta, në moshën 40-vjeçare, në kulmin e pjekurisë profesionale kthehet në atdhe dhe në 23.11.1955 emërohet përsëri shef i Degës së Përgatitjes Operative në Drejtorinë I të Shtabit të Përgjithshëm. Pas një viti e gjysmë, më 1966-n, Vehbi Hoxha emërohet drejtor i Drejtorisë së Zbulimit në Shtabin e Përgjithshëm. Edhe në këtë drejtori të rëndësishme, koloneli shpalosi bagazhet e përgatitjes dhe të përvojës së tij të gjatë profesionale si komandant dhe drejtues. U shqua si organizator i zoti dhe tepër praktik. Për këto merita, me vendim të Presidiumit të Kuvendit Popullor, në vitin 1957 gradohet gjeneral-major. Në zbulim, gjenerali punoi me sukses për shtatë vjet. Rezultatet e tij dhe të vartësve të tij, si kolonel Andon Sheti, Spiro Adhami, Ll. Jakova, Ilo Prifti, K. Kurti e shumë të tjerëve ishin të lavdërueshme. Aktiviteti i drejtorisë u vendos mbi baza të shëndosha shkencore dhe u pajis me mjetet dhe aparaturat e nevojshme për përballimin e një aktiviteti të gjerë profesional të zbulimit, zbulimit radioteknik, zbulimit të trupave, njohjen e ushtrive të huaja etj. Në këtë kohë drejtoria ishte pajisur me kuadro tepër të përgatitur dhe të përkushtuar, si dhe zhvillonte një aktivitet të gjerë botimesh e përkthimesh, të cilat pak më vonë do të arrinin nivele të larta dhe cilësisht të reja. Në vitin 1963, gjenerali emërohet komandant i Korpusit të 7-të të Këmbësorisë dhe tre vjet më vonë, në vitin 1966, emërohet komisar i Korpusit të 9-të të Këmbësorisë. Në të dyja korpuset, në atë të Burrelit dhe të Shkodrës, ku gjeneral Vehbi Hoxha punoi dhe drejtoi për rreth katër vjet e gjysmë, evidenton aftësitë e tij të veçanta si komandant dhe drejtues i njësive të mëdha operative. Vendimet e urdhrat e tij të mençura dhe të matura, në dhjetëra stërvitje të mëdha e të vogla me trupa, ishin origjinale dhe model për komandantët e rangjeve më të vogla. Ai drejtonte me shembullin e tij personal por, kur e donte nevoja, edhe për përgatitjen e zbuluesve në ngjitjet alpine apo kalimin e pengesave ujore.Plot përvojë e besueshmëri, më 26.12.1967, Vehbi Hoxha emërohet drejtor i Drejtorisë Operative të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe më 1970-n emërohet edhe zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm, ku punoi pesë vjet, duke përballuar një volum pune të tensionuar dhe të mbushur me aktivitete të rëndësishme me shpalosje në bazë ushtrie dhe vendi. Ai drejtoi përgatitjen e shumë metodikave të rangut të lartë për stërvitjet e mëdha me trupa të korpuseve, të shtabeve, grupit mësimor të ministrit, Shefit të Shtabit të Përgjithshëm apo të drejtorit të Drejtorisë Operative. Vehbi Hoxha ka firmën kryesore në shumë materiale të rëndësishme teorike, organizative e praktikave. Nën vëzhgimin, korrektimin dhe redaktimin e gjeneral Vehbiut kalonin qindra materiale, studime, relacione e konkluzione plot kompetencë për Këshillin e Mbrojtjes. Ai gëzonte respektin dhe dashurinë e vartësve, të cilët e dëgjonin plot vëmendje dhe e ndihmonin pa u kursyer; nën drejtimin e tij realizohej shërbimi efikas operativ i situatës tokësore, detare dhe ajrore, si dhe gatishmëria luftarake në njësitë dhe repartet e ushtrisë. Vehbi Hoxha ndiqte me seriozitetin më të madh disiplinën e reparteve të gatshme artmitraliere, baterive e ABD dhe AKA, aviacionit dhe anijeve me shërbim 24-orësh. Gjeneral Vehbi Hoxha, me ekipin e zgjedhur dhe me përvojë të madhe profesionale të drejtorisë, si me Emest Jakovën, Stavri Qeleshin, Vehip Alikajn, Vangjel Kasapin, Gjergj Titanin, Pandi Dushkun, Malo Hashurvën, Novruz Zejnatin, Vexhi Gjonin, Dhimitër Dukën, Maksi Sabushin, Lida Rrapon, Ymer Preçan, me të palodhurën Afërdita Brahimi etj, përballonte një volum pune marramendëse, qoftë në drejtimin dhe ndjekjen e situatave korrent të njësive dhe reparteve, në përgatitjen taktiko-operative të oficerëve dhe shtabeve, në hartimin, freskimin dhe mbajtjen e dokumenteve tepër sekrete të rëndësishme për kohë lufte, kontrollin e gatishmërisë luftarake, përgatitjen e dokumentacionit për koordinimin e prognozave operative, për fortifikimin xhenier të vendit, si dhe dhjetëra probleme. Vehbi Hoxha trashëgoi punën e palodhur dhe modelin e aktivitetit të mrekullueshëm të Petrit Dumes, Nexhip Vinçanit, Vaskë Gjinos, Spiro Shalësit, Llazi Angjelit, Mujo Sokolit, si dhe krijoi një atmosferë, stil dhe metodë pune të harmonizuar e të saktë. Në vitin 1972 emërohet inspektor i përgjithshëm dhe më 1974-n përgjegjës i grupit të inspektorëve të përgjithshëm në MMP. Vehbi Hoxha emërohet drejtor i Drejtorisë së Kontrollit të Përgjithshëm të MMP-së dhe më pas i besohet detyra e komandantit në Akademinë Ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm, ku shërbeu deri në vitin 1977. Në moshën 61-vjeçare doli në pension.