Dr. Sh. Vangjel Dh. Kasapi/ Spiro Moisiu – Gjenerali i fushëbetejave shqiptare

393

Ai numërohet ndër personalitetet ushtarake me atdhetari shumë të fuqishme.

Spiro Moisiu është një ndër personalitet e njohura në popull e në strukturat e armatosura, si një aktor i madh në fushëbetejat e historisë së vendit të tij, me po të njëjtin personalitet si edhe kushëriri i tij i famshëm, aktori me famë botërore Aleksandër Moisiu në skenën e teatrit. Spiro Moisiu rrjedh prej familjes së Moisive të Kavajës, e njohur për traditat e saj patriotike. Arsimin e mesëm e kreu në Vjenë. Austri, duke marrë kështu kulturë të gjerë perëndimore. Përshkoi një jetë të gjatë ushtarake, rreth treçerek shekulli, duke shërbyer për 45 vjet me radhë në strukturat ushtarake të vendit dhe 16 vjet si personalitet shtetëror shoqëror. Plot 81 vjet (3.05.1900–12.11.1981) njeriu, shtetasi, patrioti, intelektuali, ushtaraku dhe lidershipi i botës shqiptare jetoi në paqe, në luftë, në punë, në shoqëri e në familje, duke e trashëguar ndër breza e duke e lartësuar emrin e Shqipërisë. Spiro Moisiu, si një ndër rastet e spikatura, rezulton produkt i historisë dhe njëherazi personazh kryesor, diku edhe protagonist i tri periudhave më të rëndësishme me vlera themelore kombëtare të kombit: gjatë ndërtimit të shtetit dhe Forcave të Armatosura Shqiptare (1921-1939), gjatë antifashizmit dhe luftës së armatosur të popullit shqiptar në suazën e Luftës së Dytë Botërore (1939-1945), për rindërtimin e vendit, konsolidimin e shtetit, modernizimin e ushtrisë dhe mbrojtjen e atdheut (1945-1981). Përgjegjësitë që ai shfaqi gjatë detyrave, potencialet fiziko-intelektuale që derdhi dhe kontributet teoriko-praktike në fushën dhe shkencën ushtarake përbëjnë një fond të parevokueshëm të trashëgimisë së tij në qytetërimin modern shqiptar.

Si qytetar dhe udhëheqës, si ushtar dhe gjeneral, duke shërbyer pa ndërprerje 60 vjet, kryesisht në profilin ushtarak, Spiro Moisiu renditet ndër figurat njerëzore shumë të pakta për jetëgjatësi, punë dhe kontribute. Ai sfidoi me ngadhënjim si luftëtar, si komandues dhe si strateg në gjashtë luftëra për pavarësi, çlirim, progres dhe mbrojtje të atdheut. Ky motiv nis me qëndrimin duke mbrojtur me armë në dorë Kongresin historik të Lushnjës (1920), betejat për sprapsjen e ndërhyrjeve ushtarake jugosllave (1921, 1922, 1924), heroikën, si simbol i qëndrimit të Shqipërisë në Luftën Italo-Greke (1940) të popullit e ushtrisë greke etj. Por kapitullin më të ndritur për të e përbën rezistenca dhe kundërveprimi ndaj agresionit fashist të 1939-s, e më pas në udhëheqje të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Gjatë kësaj epopeje ai ideoi, planifikoi dhe urdhëroi zhvillimin e një sërë operacionesh të mëdha strategjike për çlirimin e atdheut: sprapsja e dy mësymjeve naziste (atë të dimrit 1943 dhe të verës 1944), kundërmësymja dhe mësymja e përgjithshme e UNÇ-së (pranverë-verë 1944), beteja për çlirimin e Tiranës (nëntor 1944), operacionet e divizioneve të UNÇSh-së në ndjekje të nazistëve në tokat Jugosllave etj. Në harkun e zgjatur kohor 1919-1981 Spiro Moisiu mbajti mbi shpatulla rreth 30 funksione ushtarake, shtetërore e shoqërore, që nga detyra më e thjeshtë deri në Komandant i Shtabit të Përgjithshëm i UNÇSh-së (10.07.1943), Shtatmadhor i Ushtrisë Kombëtare (1944-1946), si dhe udhëheqës parësor ushtarak i një lufte madhore çlirimtare.

Moisiu, si ushtarak dhe personalitet i shquar, përligji virtytet morale dhe kapacitetet ushtarake me tetë shkallët e gradimeve të njëpasnjëshme deri në Gjeneral-Lejtnant (24.05.1944) dhe me 15 llojet e urdhrave e të dekoratave. Falë ambicies, intelektit dhe vullnetit, për të qenë në pararojë të mendimit e të veprimit ushtarak, Spiro Moisiu e plotësoi ciklin e arsimimit të lartë me përfundime “Shumë mirë”. I dhënë pas profesionit të oficerit, ai kaloi nëpër disa kurse kualifikimi e perfeksionimi, përfshi edhe atë Shtatmadhor (1928-1939). Nga aspirant, arriti gradën e majorit, një vlerësim ky i lartë në atë kohë, kur Shqipëria kishte vetëm 22 majorë. Në Shqipëri, Spiro Moisiu figuron si poliedrik, nga ushtarakët madhorë të rrallë, me katër gjuhë të huaja. Ai përvetësoi dhe konkretizoi me këmbëngulje urtësitë doktrinare: “Dy sende janë të nevojshme për me i dalë në krye kësaj pune, studimi që e bën të hollë mendjen dhe stërvitja që zhvillon kuptimin praktik”. Idhuj e tij orientues në kalvarin e gjatë ishin dhe mbetën dy strategët e mëdhenj me famë botërore, Skënderbeu dhe Napoleon Bonaparti. Spiro Moisiu numërohet ndër personalitetet ushtarake me atdhetari shumë të fuqishme. Saktësisht, për ta portretizuar plotësisht atdhetarinë e tij, duhet ta vështrosh këtë figurë nga “larg”, për të shmangur imtësitë e vogëlsitë, me qëllim që të dalin në pah vetëm ato virtyte, pamje dhe vlera thelbësore. Atdheun e konsideronte të vetmen gjë të shenjtë, të përjetshme dhe të paprekshme. Te Moisiu gjejmë të mishëruar postulatin e Barletit, se “Dashuria për atdhe është më e madhja nga të gjitha, më e madhe se dashuria për fëmijët”. Qeveritë u ndërruan njëra pas tjetrës, kurse busulla e tij mbeti e drejtuar kah atdheut, flamurit, kombit. Ushtria dhe mbrojtja e atdheut përfshinë gjithë jetë e tij, të cilën ai ua përkushtoi pa asnjë rezervë. Si trim mbi trimat, Moisiun e karakterizoi besa dhe fjala e dhënë. Në memorien e kombit, Moisiu mbetet si njeriu dhe udhëheqësi më popullor, që me gojën e ëmbël, thjeshtësinë e komunikimit, pa frazeologji të tepërta, pa bujë dhe pa premtime, me atë humorin e tij tipik për çdo kategori e moshë njerëzore, bëri për vete dhe s’iu nda në asnjë çast të jetës luftës e halleve të populli. Populli e njohu heroin në luftë, por, sidomos pas çlirimit të vendit, gjatë viteve 1945-1980, u bind se ai nuk synonte grada, poste dhe privilegje për pasuri dhe lavdi. Ndërsa për ushtarakët dhe luftëtarët e lirisë në fushë stërvitje dhe fushë beteja, major gjeneral Moisiu, si një lider me botë dhe përvojë të pasur, meritoi nderin “Ati shpirtëror” i njerëzve. Ai jo vetëm i donte njerëzit, i njihte mirë ata e realitetin ku jetohej në Shqipëri, por edhe i ndihmonte me ç’të mundte, si njeri me zemër, me gradë dhe me funksione. Spiro Moisiu besonte dhe prirej nga parimi universal se kontakti me njerëzit e mësonte dhe e korrigjonte, sidomos nga njerëzit mendarë e trima. Shpirti i tij human dhe demokratik nuk njohu sharje, hakmarrje dhe prapaskena; ai dha pa kursim vetëm dashuri, respekt, ndihmë dhe mirësi. Moisiu zotëronte një matës të vet origjinal: nuk i bënte tjetrit atë veprim, të cilin nuk do ta dëshironte që ta bënin të tjerët kundër tij. Sa i thjeshtë me popullin dhe ushtarakët, çuditërisht po aq kryelartë me eprorët dhe qeveritarët. Nuk shfaqte pretendime dhe kërkesa. Mjaftohej dhe kënaqej me atë që i takonte, kur shihte si jetonte populli. E urrente gënjeshtrën dhe hipokrizinë. Urrente vesin, armiqtë dhe pehlivanët, por jo njeriun. Se urrejtja, këshillonte ai, të çon në hakmarrje dhe, për pasojë, të shndërron deri në tiran. Mendimi teorik dhe vepra ushtarake e Spiro Moisiut, veçanërisht ajo e periudhës 1939-1947 dhe pjesërisht e viteve 1948-1965, barasvlerësohen me kontributet e një mendimtari, reformatori, organizatori dhe strategu. Dokumentacioni i LANÇ-it dhe i viteve të pas 1945-s përbëjnë një vëllim pasuror me autorësi ose bashkautor Moisiun, për të cilin historiografia ka heshtur. Dy vëllimet “Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm të KP të UNÇSh” (I, II dhe ato në arkiva) dëshmojnë për trashëgiminë që gjeneral strategu i la atdheut, kombit, ushtrive shqiptare. Porse tashmë jemi në etapën historike të rehabilitimit të autorësisë dhe rivlerësimit të figurës së ndritur të gjeneral major Moisiut, për t’i dhënë “Cezarit atë që i takon Cezarit”. Ndreqja e çdo defekti të historiografisë ndaj kësaj figure i shërben historisë kombëtare, sikurse përmbledhja në një botim të posaçëm të krijimtarisë së tij për ushtrinë e mbrojtjen. Spiro Moisiu hyri në historinë e ushtrisë shqiptare me dinjitet dhe potencë, duke i përkitur plejadës së gjeneralëve, komandantëve të mëdhenj dhe shtatmadhorëve të Europës, ShBA-së e Ballkanit në kapërcyellin e pas Luftës së Dytë të Përbotshme. Duke qenë një nga shtyllat e fuqishme të çlirimit e të mbrojtjes së atdheut, të organizimeve dhe modernizimeve të ushtrive shqiptare, është nder për kombin të evidentohen e të çmohen vlerat morale, ushtarake dhe atdhetare të një patrioti të dalluar, mendimtari dhe lidershipi ushtarak të shquar si Moisiu i “skenës teatrale ushtarake”. Spiro Moisiu konsiderohet ndër personalitetet e spikatura të veprimtarisë shtetërore dhe shoqërore të vendit tonë. Krahas vlerave në rrafshin ushtarak, ai u ngarkua, luajti role të rëndësishme dhe la gjurmë si deputet për 36 vjet pa shkëputje dhe titullar i Kuvendit Popullor, i Frontit Demokratik, i Veteranëve të Luftës etj. Kur flasim për një shoqëri të organizuar e të fuqishme vullnetare në ndihmë të Ushtrisë e Mbrojtjes (si ShNUM-i), nënkuptojmë Moisiun dhe anasjelltas. Populli me të drejtë e quajti “Gjeneral dhe mik të tij”, “Komandant i një ushtrie në rezervë, e gatshme për në front”. Origjina, emri, puna dhe autoriteti i tij i pashoq ishin të pranishëm e u ndjenë kurdoherë edhe në fushat e jetës shqiptare. Kudo ku shërbeu ai vendosi nga një gur në pasurinë dhe ardhmërinë e atdheut e ushtrive shqiptare, duke mos dëmtuar askënd dhe pa përvetësuar asgjë nga pasuria kombëtare. Ai burrë qortonte të korruptuarit: “Atdheu nuk është lopë që duhet mjelë!”. Spiro Moisiu u brumos me traditat e mrekullueshme shqiptare, me idealet dhe ndjenjat kombëtare. Ai mbeti një shtyllë e shëndetshme kurrizore e shqiptarizmit, një intelektual nacionalist i rangut kombëtar, një kockë e pakapërdirë për këdo dorë të huaj dhe manipulues të brendshëm. Vlerat e tij të rëndësishme si shqiptar, prijës dhe gjeneral me reputacion u demonstruan haptas dhe fort në situatat më të mprehta të zhvillimeve historike, politike e ushtarake, atëherë kur kërkohej dhe vendosej fati i Shqipërisë. Moisiu u radhit me shpirt e dha më të mirën në frontin antishovinist dhe kundër ndërhyrjeve të pareshtura ushtarako-politike të Jugosllavisë. Si një hero i mirëfilltë, ai guxoi të përplaset me fashizmin dhe nazizmin, duke u vënë në radhën e parë të rezistencës dhe udhëheqës i rëndësishëm i saj. Spiro Moisiu qëndroi në gatishmëri me popullin e ushtrinë për një mbrojtje afatgjatë ndaj sulmeve provokative të monarkëve fashistë grekë dhe ngacmimeve të kufijve nga fqinjët. Si ndër gjeneralët e përgjegjshëm dhe të pastër s’u lëkund, por u vu në ballë të qëndresës gjatë konfliktit politiko-ushtarak me sovjetikët. Fatmirësisht, gjatë gjithë jetës ai përqafoi modelin, vizionet, strukturat, doktrinat, mentalitetet dhe praktikat më përparimtare e demokratike të botës perëndimore (të anglezëve, amerikanëve, gjermanëve, austriakëve dhe, pse jo, edhe të Italisë). Duke gërshetuar trashëgiminë historike, përvojën vetjake në Ushtritë Mbretërore e të UNÇSh-së, me refuzim kombëtar për të mos pranuar “eksperiencën jugosllave, që nuk kishte gjë më tepër se ne”. Gjatë Luftës së Dytë Botërore Spiro Moisiu nuk i paragjykoi ato fuqi të mëdha, por i vlerësoi me objektivitet dhe sipas konjunkturave. Ja përse për qarqe të caktuara agresive e antishqiptare Moisiu mbeti përherë në rrethin persona non grata. Emri, jeta dhe vepra e Spiro Moisut do të shkëlqejë përjetësisht. Edhe ato vlejnë si një pikë referimi krahas personaliteteve ushtarake të kombit, për të përfituar nga gjithçka e vlefshme në dobi të krenarisë, përparimit dhe partneritetit tonë në bashkësinë ndërkombëtare. Duke e sistemuar edhe Moisiun ushtarak në panteonin e shqiptarizmës, plotësojmë një borxh për të shtuar dhe zgjeruar aureolën e pavdekësisë së Shqipërisë. Prandaj, le të skalitim në galaktikën ushtarake shqiptare edhe një yll tjetër të ndritur të lavdisë të merituar. Më në fund, për të duhet të trokasë edhe një fjalë tjetër e madhe “Nderi i Kombit”.