Dr. sh. Vangjel Dh. Kasapi/ Bajram Curri – komandant i përgjithshëm në ushtrinë e parë shqiptare

1015
Sigal

Me guxim të patundshëm u shqua si organizator e udhëheqës i kuvendeve, por edhe i organizmave mbarëkombëtare

Dragoi i Dragobisë, fatkeqësisht s’ka as datë e as vend të saktë lindjeje. Si vit i lindjes shënohet 1862-shi, ndërsa si vendlindje Krushea e Madhe në Gjakovë, por “Unë,- thoshte Bajrami me të qeshur,- kam lindur në karro, rrugëve, gjatë udhëtimit që bënte familja ime për në vendin e internimit”[1]. Gjurmët e prejardhjes e të kundërshtimit të Currajve rrënjosën te “Vigani misirli” virtytet dhe një botë pambarim idealesh kombëtare. Qëndrimin kundër administratës osmane nuk ia zbutën as shkolla, as grada kolonel, as funksioni i lartë, si komandant i përgjithshëm i zaptive në Shkup, sepse “uniforma e bimbashit nuk mund ta prishte një shpirt shqiptari, si ai i Bajram Currit. Uniforma turke nuk qe një mendësi turke e Bajram Currit”[2]. Urrejtja ndaj rolit “turk” i shtohet në rrjedhat historike të çështjes shqiptare, nën jehonën e platformës epokale të Rilindjes e të Pavarësisë. Ky “Bajrak i gjallë”, i zgjuar e i trimëruar në varg rrethanash, arriti të bëhet prijës i talentuar popullor i strategjisë, nga një luftëtar i thjeshtë deri komandant i parë i përgjithshëm i Forcave të Armatosura, në shtetin dhe ushtrinë e parë të mirëfilltë shqiptare (1920-1921). U formua tek ai një burrë me personalitet të rrallë, një politikan i madh shteti me autoritet të padiskutueshëm. Shtëpia “Ura e gurit” në Shkup, Kosova e Shqipëria, Serbia e Greqia, Turqia e Austro-Hungaria e njohin Currin më shumë sesa ky përkufizim. Bajram Curri hyri i përgjegjshëm dhe mbeti i përjetësuar në stafetën e strategjisë kombëtare të çlirimit, emancipimit dhe mbrojtjes së pavarësisë.

Me vizion e karakter të shëndoshë

Bajram Curri, për 26 vjet (1899-1925), me personalitet, me vizion e karakter të shëndoshë, përkushtim të pathyeshëm dhe guxim të patundshëm u shqua si organizator e udhëheqës i kuvendeve, por edhe i organizmave mbarëkombëtare. U përzgjodh në plejadën e lidershipëve ushtarako-politikë më të spikatur të kombit, si Idriz Seferi, Isa Boletini, Abdyl Frashëri, S. Vokshi, Azem Galica, Hasan Prishtina, Ismail Qemali, I. Spahia, E. Isufi, Fan Noli, K. Qafëzezi etj. Përherë i distancuar nga personazhet negative, me prirje në dobi të opsioneve të fuqive të huaja, nismëtar e drejtues i Kuvendit të Lidhjes Shqiptare të Pejës (1899), si një mendimtar që nuk u trembej betejave, por kërkonte armë që t’i futej luftës. Në mbledhjen e Ferizajt (1908) u shqua si ndër më të përparuarit e kryengritjes, në ultimatumin dërguar Sulltanit, që të rivendosë kushtetutën pasi, në të kundërt, do të marshohej me armë deri në Stamboll. Si nënkryetar i klubit atdhetar “Bashkimi” (1908) ishte ndër themeluesit e saj, si dhe partizan i Kongresit të Manastirit për shkollën shqipe (1910). Në Kuvendin e Junikut, në vitin 1912, Bajrami ishte ndër 250 përfaqësuesit që kërkonin autonomi, i dyti në radhë pas Hasan Prishtinës. Në komitetin “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” Curri konsiderohet këshilltari më i kualifikuar i shtabit. Në vitet 1917 dhe 1920 Bajram Curri iu drejtua qeverisë sovjetike që të rivlerësonte strategjinë për rivendosjen e kufijve të Shqipërisë, të 1.5 milionë shqiptarëve, dhe t’i ktheheshin Shqipërisë 26 mijë km katrore të lëna jashtë territorit etnik. Në Kongresin e Lushnjës, si një figurë e madhe në skenën ushtarako-politike shqiptare, Bajram Curri zgjidhet një nga 37 anëtarët e Këshillit Kombëtar (Parlamentit), ndërsa në dy qeveritë e para atij iu dhanë dy poste: ministër pa Portofol dhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Pas fitores së Revolucionit të Qershorit 1924, Bajram Curri delegohet në Gjenevë, ku parashtron me forcë të drejtat e popullsisë shqiptare të Kosovës. Në vitin 1881 rreshtohet përkrah Sulejman Vokshit, por ende nuk i takon të prijë e të urdhërojë. Vargani i kryengritjeve të viteve 1882-1895 e nxjerr Bajram Currin në krye, në rangun e komandantit. Bajrami me Zekën, të dy kapedanë, marrin në dorë uraganin e 1893-shit në Kosovë. Grupimi i Currajt të 2 000 malësorëve godet mbi kolonat turke. Këtu ai përvetësoi rregullat fillestare të taktikës popullore, që ndryshonin nga arti ushtarak turk. Bajram Curri paraprin lëvizjet e viteve 1896-1900, hallka dhe mësime këto luftarake në prag të shekullit XX. Ai përpunon çdo veprim ushtarak që u krye në vilajetet shqiptare për betejat vendimtare, që përbëjnë objektin e periudhës para Pavarësisë. Në vitin 1911, në Malësinë e Mbishkodrës shpërtheu epopeja e dytë. Kosova potenciale nuk duhej të veçohej nga kryengritja e Mbishkodrës, ndaj Bajram Curri vepron me strategji në krahun lindor, duke ruajtur grupimin perëndimor të Ded Gjo Lulit. Prijësi mbyll një drejtim me rëndësi strategjike, që të çon në thellësi në Tropojë–Lekbibaj–Shkodër. Forcat e Gjakovës, të organizuara për luftë popullore, zënë pikën kyç të Qafë-Morinës. Pas dhjetë ditësh luftime, kolona turke shpartallohet. Gjatë betejës së tretë të përgjithshme Curri zë një vend të rëndësishëm në kryengritjen kombëtare (1912) në strategjinë çlirimtare, në finalizimin e Pavarësisë dhe në organizimin e ushtrisë në katërkëndëshin Pejë–Tropojë–Has–Gjakovë, që konsiderohet teatri verilindor i frontit të përgjithshëm, zonë kjo strategjike që mbulon Rrafshin e Dukagjinit. Shtabi i luftës ia besoi strategjinë grupimit të Bajram Currit e Hasan Prishtinës. Bajrami, ky prijës popullor, me vizione ushtarake, njohës i terrenit alpin e mjeshtër i aftësive të fuqive ushtarake të bashkatdhetarëve, ndan forcat dhe shkallëzon detyrat. Kryekomandant Hasani i bindet profesionalizmit të Bajramit. Objektivi i parë ishte Peja. Garnizoni armik rrethohet dhe mbahet i izoluar për dhjetë ditë, ndërsa ushtaraku i mprehtë shqiptar i zhvendosi forcat në Qafën e Prushit. Goditja ishte e përqendruar dhe befasuese, me zjarr të afërt deri në përleshje mbi batalionet turke, që e mbanin Qafë-Prushin si gjë të çmuar. Rezultatet: katër batalione turke shpartallohen, me 300 robër. Fitorja e Currit në Qafë-Prush erdhi në kohën e duhur për Shqipërinë. Bajrami, si organizator e komandant, njohës i thellë i artit tradicional shqiptar e i atij aziatik, diti të zbatojë konceptin e bashkërendimit në një luftë të përgjithshme të 60 mijë çlirimtarëve të Kosovës. Ai konceptoi zhvendosje të veprimeve luftarake nga Peja në Gjakovë, zotërim të Rrafshit të Dukagjinit, konservim të arritjeve dhe avancim drejt çlirimit të Prishtinës. U organizuan tri drejtime e tri kolona në marshimin drejt Shkupit, ashtu siç i planifikoi Bajrami, Boletini dhe Seferi. Lëvizja e gjatë dhe goditjet e njëpasnjëshme, si një ushtri e rregullt, bëjnë që kryeqendrat, qytetet dhe katundet të thërrisnin “Rroftë Bajram Curri!”.

Ideja, bashkimi i katër vilajeteve

Afrohej kështu bashkimi i katër vilajeteve në një hapësirë autentike gjeostrategjike. Por monarkitë e gadishullit, të shtytura nga Fuqitë Supreme të Europës, shpallën Luftën e Parë Ballkanike. Udhëheqja e kryengritjes së përgjithshme, përfshi këtu edhe Bajram Currin, tregohet realiste. Përballë agresionit vdekjeprurës ata e përmbysin strategjinë, nga mësymja mbi turqit në mbrojtje ndaj ushtrive të Aleancës. Bajrami argumenton tezën “Populli i Shqipërisë i kap armët, jo që të mbrojë ekzistencën e Turqisë në Ballkan, por që t’u dalë zot tokave të veta!”. Afrohet kështu si aleat me Turqinë. Komandanti autoritar u gjet në grupimin kryesor të veriut, Pejë–Bjellopoj deri në Gjakovë. Curri u bë flamurmbajtësi i divizës “Atdhe! Komb! Jetë! Pavarësi!”, si dhe bashkorganizator e drejtues i qëndresës në “tri shtyllat e Rrafshit të Dukagjinit: në Pejë, Prizren e Gjakovë”.[3] Rezistencë dhe kundërveprim në “brezin strategjik”, që ushtria serbe të mos e kapërcejë Drinin. Dalja në Durrës e mbyllte shansin e zbritjes së shtabit të lartë të kryengritjes në udhëtimin historik drejt Vlorës që, falë betejës së Drinit etj., fitoi kohë në proklamimin e Pavarësisë e të shtetit të parë. Në arritjen e qëllimit final politik gjetën konkretizime vështrimet gjeostrategjike të një udhëheqësi ushtarak madhor si Curri, kundrejt strategjisë së shtabeve Beograd–Cetinjë–Athinë.