Dr. sh. Vangjel Dh. Kasapi/ Arif Hasko – në rreshtin e parë të Ushtrisë Shqiptare

1941
Sigal

Në dhjetor 1951 u emërua komandant i Korpusit II në Krujë

Më 10.12.1918, në familjen e Hasko Hasanit, në vendin e quajtur “Mëmë”, afër një gërxhi, lindi në fshatin Tërbaç të Vlorës djali që e quajtën me emrin Arif. Përgjatë viteve 1927-1930, Arif Hasko mbaroi në Tërbaç shkollën fillore e më pas më Vlorë vazhdoi Shkollën Tregtare. Më 05.03.1940, në moshën 22-vjeçare, së bashku me disa shokë të tij u përjashtuan nga shkolla për pikëpamje antifashiste. Atëherë filloi edhe kalvari i vuajtjeve e i sakrificave të tij, në luftë për të siguruar jetesën. Me ndihmën e miqve e të familjes, sidomos të shkrimtarit Shefqet Musarai, Arifi punoi në Tiranë në një firmë tregtare të Xhevdet Selfos. Këtu u njoh me Enver Hoxhën, i cili në mënyrë të tërthortë i foli për lëvizjen antifashiste në Shqipëri. Në vitin 1941 u kthye në Vlorë dhe filloi punë si sekretar në Postë-Telegraf. Në këtë qytet, për Arifin situata ishte më e favorshme, pasi kishte miq nga të shkollës dhe tashmë ishte më i pjekur. Grupi i shokëve të vjetër i krijoi mundësinë që të fillonte jetën revolucionare, duke marrë pjesë në mënyrë të organizuar në lëvizjen antifashiste. Me krijimin e PKSh-së (1941) Arif Hasko u pranua në radhët e saj, duke qenë një nga “200 petritët e parë”. Bënte pjesë në celulën e parë të partisë në Vlorë. Ajo e zgjodhi përgjegjës ushtarak të saj, anëtar të njësitit gueril. Bashkë me shokun Babaçe Faiku, Vehbi Hoxha e F. Muçon mori pjesë në kryerjen e disa aksioneve të rrezikshme për kohën: prerja e telave telefonikë, rrëmbimi i armëve të sekuestruara nga gjykata, në atentatit kundër një spiuni, që u krye në qendër të qytetit etj. Në vitin 1942, për veprimtari të theksuar në lëvizjen antifashiste, Kuestura Fashiste e Vlorë e shënoi emrin e tij si element i rrezikshëm. Në këto kushte, Arif Hasko u detyrua (shtator 1942) të kalojë në ilegalitet në krahinën e Treblovës. Rruga e aksioneve e bëri drejtues ushtarak, pasi kjo ishte rruga e vërtetë e shkollës ushtarake. Veprimtaria e deritanishme me aktivitetet antifashist, shoqëruar me ndonjë aksion luftarak partizan, bëri që në prill të 1943-shit Arif Hasko të caktohej efektiv në forcat partizane, si komisar i çetës partizane “Hakmarrja”. Nga kjo çetë, më 22.06.1943 krijohet batalioni “Halim Xhelo”. Arifi qëndroi në krye të batalionit deri në dhjetor të vitit 1943. Luftimet kryesore të batalionit ishin ato tek ura e Peshkopisë dhe aksioni në Malin e Bardhë kundër një autokolone që vinte nga Tepelena. Luftimet ishin të ashpra dhe italianët pësuan humbje. Më 16.9.1943 Arifi mori pjesë në luftën e Drashovicës, ku edhe u plagos rëndë e qëndroi i shtruar në spital për 20 ditë. Katër muaj pas formimit të Brigadës së Parë (nëntor 1943), Heroi i Popullit Arif Hasko transferohet si efektiv i kësaj njësie të madhe teknike-operative. Në këtë njësi u emërua komisar i Batalionit të Pestë. Në detyrën e komisarit të batalionit qëndroi deri në fund të muajit gusht 1944. Në këtë kohë, Mehmet Shehu dhe Tuk Jakova (komandant e komisar brigade) u ngarkuan në detyra të tjera të rëndësishme. Komandanti i brigadës u emërua Muhamet Prodani, ndërsa komisar Arif Haskua. Qëndroi në detyrën e komisarit deri në çlirimin e kryeqytetit. Pas çlirimit të Tiranës, Arifi u ngarkua me detyrat e zëvendëskomisarit të Divizionit V dhe VI. Sikurse shihet, për Arifin filloi era e re, ajo e krijimit të formacioneve të mëdha luftarake, pas 28 majit 1944. Detyrat që merr Arifi në këto formacioni të mëdha luftarake ishin shumë të rëndësishme. Po të shkelje parimet, ndaheshe keq me Arif Haskon. Kështu ndodhi midis tij dhe Kryesisë së Komitetit Kombëtar të Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, për vendin ku do të ishin varreza e gjermanëve të vrarë në vendin tonë. Arifi u shpreh se ishte dakord që çdo njeri të ketë një varr, por jo atje ku kanë qenë varret e dëshmorëve.

Nuk është e lehtë ta përshkruash portretin e Gjeneral-Lejtënant Haskos, sepse ai disponon një aktivitet të pasur dhe të larmishëm lufte e si udhëheqës ushtarak nga viti 1944–1976 për modernizimin e ushtrisë sonë. Komandanti i MKA-së, gjenerali trupvogël plot vullnet e pasion ishte vërtet i zoti. Ishte me profil gjitharmësh e drejtonte me kompetencë llojet e armëve dhe njësitë e tyre (aviacionin, AKA-në, Raketat KA, mjetet e Radiolokacionit) të MKA-së. Arif Hasko dinte të drejtonte e të ndihmonte për të zgjidhur problemet e panumërta e të ndërlikuara që mbartet MKA-ja gjatë Luftës së Ftohtë, por ishte edhe i rreptë në kërkesën e llogarisë. Gjithashtu, dinte ta vlerësonte njeriun e punës, por kishte nevojë edhe për mendimet e dhjetëra specialistëve, duke pyetur për probleme të ndryshme. Na dëgjonte kur përgjigjeshim bindshëm dhe pastaj vendoste. Pas marrjes së vendimit, nuk lejonte të kishte më diskutime.

Sikurse veprimtaria e kuadrove të lartë të Ushtrisë Shqiptare, edhe ajo e gjeneralëve vihej në peshore, për të vlerësuar punën e secilit në të mirë të Shqipërisë. Puna e Arif Haskos tregoi se ai ishte një ndër kuadrot e klasit të parë. Të gjithë me kontributet e tyre i shërbyen popullit shqiptar, ndaj edhe puna për edukimin e brezave ka qenë e admirueshme. Secili ka individualitetin dhe kontributin e tij. Njeri nga këta është edhe Gjeneral-Lejtënant Arif Haskua, me pamjen e njeriut serioz. Kurdoherë i vëmendshëm në bashkëbisedime me kolegët dhe vartësit. Këto e veti të tjera kanë bërë që edhe ai të jetë një nga majat e larta në Ushtrinë Popullore Shqiptare. Kur ishte në funksionin e zëvendëskomisarit të Divizionit VI u çmobilizua nga ushtria (shkurt 1946), duke u emëruar me detyrën sekretar politik i Komitetit të Partisë për Vlorën. Por në qershor të 1946-s u mobilizua përsëri dhe u emërua Komisar i Divizionit V në Gjirokastër. Në dhjetor të 1944-s u emërua komisar i Divizionit në Peshkopi e më pas komisar i Divizionit II në Shkodër. Në qershor të 1948-s Arif Hasko u dërgua për studime në Bashkimin Sovjetik, në Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm “Voroshillov” në Moskë. Në vitin 1950, pas mbarimit të studimeve kthehet në atdhe, ku emërohet komandant i Brigadës së Këmbësorisë “Mesapliku” në Shkodër e më pas komandant i Divizionit VIII në Korçë.

Sukseset e Arif Haskos në punë bënë që ai t’i ngjisë me radhë shkallët e hierarkisë ushtarake. Në dhjetor 1951 u emërua komandant i Korpusit II në Krujë. Ky korpus mbulonte drejtimin e Tiranës nga zbarkimet në bregdet, si dhe zonën e mundshme të desantimit ajror në Fushë-Krujë. Pas saj emërohet Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Popullore Shqiptare. Në vitin 1958 gjenerali gjitharmësh u emërua Komandant i Mbrojtjes Kundërajrore të Shtetit (MKA). Arif Hasko i urrente intrigat dhe të paaftët, si dhe dinte të orientonte drejt situatat e vështira, kur një pjesë e efektivit qëndronte në gatishmëri luftarake të shkallës parë. Në detyrën e komandantit të MKA-së Arifi qëndroi një kohë të gjatë, e cila e mundësoi jo vetëm të drejtonte, por edhe të mësonte më shumë. Pas detyrës së komandantit të Forcave Sulmuese, merr detyrën më të lartë të zëvendësministrit të Mbrojtjes për problemet ekonomike. Këtë detyrë e kreu me kompetencë të plotë deri në vitin 1976, kohë kur doli në pension.

Arif Hasko ka marrë pjesë në katër delegacione të rangut të lartë, duke përfaqësuar Ministrinë e Mbrojtjes në Bashkimin Sovjetik. Ka komanduar dy parada të mëdha ushtarake, që janë zhvilluar në vendin tonë, atë që u organizua në vitin 1954, kur ishte Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, dhe atë të vitit 1958, kur ishte në detyrën e komandantit të MKA-së. Ka qenë deputet i Kuvendit Popullor (1956-1960) si përfaqësues i popullit të Matit, si dhe delegat i Kongreseve të Partisë. Sa herë që ne ushtarakët takoheshin me të, megjithëse ai ishte pensionist, të shikonte mu në dritë të syrit, ashtu siç bënte kur ishte ushtarak. Ne që kemi punuar me të i njohim mirë cilësitë e tij të vërteta prej ushtaraku të lartë. Arif Hasko jetoi pleqërinë e thellë, por nuk e përkul asnjëherë nga mosha e koha. Për vlerësimin e punës së Arifit, si gjatë luftës edhe pas çlirimit, flasin 20 dekoratat e tij që ia zbukuronin gjoksin. Dy nga këto, si ushtarak i përmasave ndërkombëtare, i kishte marrë nga Presidenti rus.

Porse, më 06.10.1982, organet e diktaturës e arrestuan në Tiranë, duke e akuzuar se nuk kishte qenë dakord për heqjen e gradave, për vendosjen e Komiteteve të Partisë në ushtri, për sabotim në ushtri në fushën ekonomike etj. Pas një vit hetuesi, Arifi foli në gjyq. U pyet një numër i madh dëshmitarësh: disa ishin edhe kolegë të tij. Nga këta, tregonte Arifi, të paktën 12 prej tyre nuk treguan të vërtetën, ndërsa pjesa tjetër tha të vërtetën. Si i pandehur, Arif Hasko i provoi trupit gjykues se këto akuza nuk përbënin tradhti. Vite më vonë, atyre dëshmitarëve që në gjyq deshën ta groposnin Arifi nuk u mbajti mëri. Sipas Arifit, ata i takojnë së kaluarës dhe nuk ia vlen më… Këta janë gjeneralët tanë që bënë luftën dhe udhëhoqën modernizimin e forcimin të ushtrisë. Këta u treguan trima si në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare edhe në rastet si këto që tregonte Arif Haskua. Trimi di të falë. Falja është karakteristikë e trimave. Populli dhe ne shokët e tyre mburremi me ta. Trimat e LANÇ-it asnjëherë nuk u trembën nga vështirësitë dhe nuk u përulën përpara tyre.