Dr. Sadik Elshani: Profesorët kroatë për Aleksandër Moisiun

1044
Një bashkatdhetar nga Maqedonia, kishte sjell disa incizime, me zërin origjinal të Moisiut. Zëri i artistit ishte mjaft i pastër, kumbues, melodik, i artikuluar mirë, i rrjedhshëm dhe kishte një shqiptim të përkryer. E kam të vështirë ta përshkruaj atë zë, prandaj po e quaj “zë moisian”, pra që është karakteristik vetëm për të.
Kur vazhdoja studimet në Universitetin e Zagrebit, kisha vendosur që gjatë pushimeve të verës të shkoja në një vend perëndimor, për të mësuar një gjuhë botërore, anglisht ose frëngjisht. Meqënëse kurset verore ishin më të lira në Francë, atëhere u përcaktova për frëngjishten. Shkova në Institutin Francez në Zagreb dhe aty mora një broshurë për kurset verore, që zhvilloheshin në Francë. Ata më rekomanduan një kurs, që organizohej në qytetin Menton, në bregdetin Azur. Arsyeja ishte se drejtues i atij kursi ishte profesori Raymond Warnier, lektori i parë i gjuhës frënge, në Universitetin e Zagrebit (1921) dhe themeluesi i Instituti Francez në Zagreb (1922). 
Profesori i frëngjishtes
Pas një udhëtimi të gjatë me tren, mbërrita në Menton dhe shkova në bashki, se ajo ishte adresa, që e kisha në broshurë dhe vetëm e thoja emrin e profesorit. Ata më çuan në një lice, ku do të mbahej kursi dhe aty takova profesorin Warnier, një burrë i gjatë me flokë të thinjura dhe me moshë diku rreth të tetëdhjetave. U përshëndetëm, pasi ai fliste një kroatishte shumë të pastër, kishte një kujtesë të jashtëzakonshme. Këmbyem fjalët e zakonshme, raste të tilla dhe më tha se nuk kishte problem për vendosjen time. Unë shkova nja dy – tri ditë përpara se të fillonte kursi dhe isha studenti i vetëm. Profesorët ishin aty dhe po përgatiteshin për fillimin e kursit. Një profesoreshë më tregoi se bashkëshortja e profesorit ishte polake. Kështu, përmes rusishtes dhe kroatishtes mund të komunikoja me të gjitha gjuhët sllave. Nipi i profesorit kishte ardhur nga Parisi për t’i kaluar pushimet dhe shoqërohej me mua. Një ditë më tha se gjyshja e tij donte të më takonte (unë ende nuk e kisha takuar atë). Ajo me të birin dhe nusen e tij ishin në plazh dhe ne shkuam t’i vizitonim. Edhe gruaja e profesorit ishte në moshë të shtyrë dhe po më fliste kroatisht. Unë u habita, sepse e dija që ishte polake. E pyeta se prej nga ishte dhe ajo më tha se ishte nga Zagrebi dhe quhej Vera. I tregova se ç’më kishte thënë profesoresha franceze, ndërsa ajo më tha se francezët i ngatërrojnë vendet e Lindjes. Për mua, kjo ishte një befasi e këndshme. Meqënëse unë studioja në Zagreb, atëhere biseduam për atë qytet, gjendjen në Jugosllavi, Kosovë etj.
Karriera diplomatike
Me kalimin e ditëve unë isha bërë shumë i afërt me ta, gati si anëtar i familjes së tyre. Gjatë bisedave të zakonshme, mësova shumë për jetën e tyre dinamike, mjaft të angazhuar e interesante. Ata kishin qëndruar në Zagreb gjer në vitin 1935, pastaj profesori kishte shkuar në Portugali, atashe kulturor pranë ambasadës franceze atje dhe më vonë kishin shkuar në Brazil, me të njëjtën detyrë. Në Zagreb ishin shoqëruar e miqësuar me elitën kulturore e intelektuale të Kroacisë së atëhershme, sidomos kishin patur shumë miqësi me skulptorin kroat me famë botërore, Ivan Meshtroviq (1883 – 1962), piktorët e bashkuar rreth grupit “Zemlja” (shqip: toka), të udhëhequr nga piktori i njohur kroat, Kersto Hegedushiq (1901 – 1975). Shumë piktorëve kroatë, profesori Warnier u kishte siguruar bursa për të studiuar në Francë. Ata kishin qenë në shumë vende të botës, por Zagrebin e mbanin në zemrën e tyre. Gjithashtu, profesori Warnier ishte një njohës shumë i mirë i Ballkanit. Drekën dhe darkën e hanin me ne, në kuzhinën shumë të mirë të liceut. Këtë kohë e shfrytezonim për të biseduar, për t’u njohur më mirë me njeri – tjetrin. Një profesoreshë nga Sarajeva, që njihej me ta më herët, sillte një grup të madh studentësh. Unë isha shqiptari i vetëm. 
Mbresat nga Shqipëria
Një ditë, në një nga këto biseda, po flisnim për udhëtimet e tyre në vende të ndryshme. Znj. Warnier u kthye nga unë dhe më tha se kishin qenë edhe në Shqipëri. E pyeta se si kishte mundur, kur dihej që udhëtimi për në Shqipëri, në atë kohë, ishte shumë i vështirë, edhe pse Shqipëria kishte marrëdhënie relativisht të mira me Francën, krahasuar me vendet e tjera perëndimore. Ajo më tha se kishin qenë para Luftës II Botërore, sepse një miku i tyre, në atë kohë, po bënte gërmime arkeologjike në Shqipëri. Unë i thashë se ka qenë Leon Rei (1877 – 1956). Ajo më pyeti me habi, se ku ia kisha dëgjuar emrin atij. I tregova se përmendej në librin “Historia e popullit shqiptar” dhe se ai ishte arkeologu i parë, që kishte bërë gërmime arkeologjike ilire, në Shqipëri. Pastaj ajo tregoi sesi kishin udhëtuar me makinë nëpër rrugë të paasfaltuara, kishin parë gra të mbuluara me ferexhe etj. Për shkak të moshës, profesori Warnier fliste shumë pak. Por, pasi përfundoi zonja e tij, ai shtoi se, gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri, ishin takuar edhe me Mit’hat Frashërin (1880 – 1949), intelektualit, shkrimtarit, diplomatit, publicistit, atdhetarit të pashoq, kryetarit të Kongresit të Manastirit, birit të Abdyl Frashërit. Meqënëse po bisedonim për Shqipërinë, nga kurreshtja i pyeta nëse kishin dëgjuar për Aleksandër Moisiun. Më tepër u nxita edhe nga fakti, se ata kishin qenë në moshë të pjekur, kur Moisiu ishte në kulmin e karrierës së tij dhe se ata ishin intelektualë të një kalibri të tillë. Profesori bëri një lëvizje të ngadalshme me kokë, në drejtim të zonjës së tij, sikur donte të thoshte, se ajo ka për të treguar diçka. Ajo kishte marrë një shikim, një pamje të fytyrës, sikur ishte tretur diku në kujtime. Prandaj, shumë e habitur, më pyeti: “Po ti, ku ke dëgjuar për të?!” Sigurisht i është dukur e çuditshme, që një djalosh nga Kosova kishte dëgjuar për një aktor, i cili kishte gati 45 vite qëkur ishte ndarë nga kjo botë. Unë i thashe se kisha dëgjuar e kisha lexuar shumë për të, pasi ai ishte aktor i lindur nga prindër shqiptarë dhe ai ishte i vetëdijshëm për prejardhjen e tij shqiptare. Ajo u shpreh me shumë habi: “Shqiptar?!” Unë pastaj, ndër të tjera, i tregova për kërkesën e A.Moisiut, që i kishte bërë Zyrës së Gjendjes Civile në Durrës, për ta marrë shtetësinë shqiptare dhe deklaratën e tij, që ai nuk donte të vdiste si aktor gjerman. Pasi u bind, ajo ma ktheu: “Ja, jam para vdekjes dhe nuk e paskam ditur kombësinë e Moisiut?!”. Pastaj tha se, për shkak të mbiemrit të tij Moisi, atëhere ishte përhapur fjala se ai ishte hebre, prandaj edhe ishte përndjekur nga nazistët.
Kontaktet me Moisiun
Më tutje, ajo zonjë vazhdoi: “Kur kemi qenë të rinj, me babain shpesh shkonim nga Zagrebi në Vjenë, për të parë në teatër shfaqjet, ku luante Moisiu. Dhe, kur kthehesha në Zagreb, për një javë ose dhjetë ditë nuk doja ta hapja gojën dhe të flisja me njeri, vetëm që zëri i Moisiut të mos më dilte nga koka”. Kjo shprehje e Zonjes Warnier ngërthen në vete, jo vetëm karakteristikat fizike të zërit të A.Moisiut, por edhe emocionet, që ai ngjallte dhe mbresat që vuloste te adhuruesit e teatrit, që ishin bërë pjesë e jetës së tyre. Duhet të kesh një imagjinatë shumë të zhvilluar për ta parafytyruar, sesi e ka ndier veten në ato çaste, ajo vajzë e re dhe shumë artdashës të tjerë.
Vërtet mbetesh pa fjalë, kur dëgjon një rrëfim dhe një vlerësim të tillë, por edhe ndihesh shumë krenar, se personi për të cilin flitet është bashkëkombasi yt. Ky ishte ai Moisiu i famshëm, që me lojën dhe zërin e tij i bënte për vete artdashësit, ngjallte ndjenjat e tyre dhe linte mbresa të pashlyeshme në zemrat dhe mendjet e tyre. Ky ishte arti magjik, i përjetshëm dhe i papërsëritshëm i Aleksandër Moisiut. Unë, atëhere, ende nuk kisha patur rastin ta dëgjoja zërin e tij, por kisha lexuar për atë zë të tij të bukur, emocionues e madhështor. Madje, është domethënës një pohim i Franc Kafkës: “Zëri dhe gjestet e Moisiut na shfaqen si diçka e paparë, deri më tani, në skenën europiane”.
Në vitin 1980, kur studioja në Zagrebit, klubi i studentëve shqiptarë, “Shkëndia”, festoi në mënyrë madhështore 100-vjetorin e lindjes së A.Moisiut. U organizua një ekspozitë dinjitoze, me fotografi, u shfaq edhe një recital, për jetën dhe veprën e tij. Ndërsa të pranishëm ishin shumë personalitete të njohura, të jetës kulturore e publike, të atij qyteti. Një bashkatdhetar nga Maqedonia, kishte sjell disa incizime, me zërin origjinal të Moisiut. Zëri i artistit ishte mjaft i pastër, kumbues, melodik, i artikuluar mirë, i rrjedhshëm dhe kishte një shqiptim të përkryer. E kam të vështirë ta përshkruaj atë zë, prandaj po e quaj “zë moisian”, pra që është karakteristik vetëm për të. Në atë çast m’u kujtua Zonja Warnier dhe vlerësimi i saj për zërin e A.Moisiut. Mendoj se vlerësim më të mirë nuk mund t’i bëjë asnjë kritik teatri dhe askush tjetër, se vlerësimin më të mirë e bën publiku. Kush mund të bëjë përshkrim, karakterizim më të mirë, se ai i saj: “zë, që të mos dalë nga koka”?!
Epilog
Nga viti 1978, kur kam qenë për herë të parë dhe gjer në vitin 1988, kur kam ardhur në SHBA, pesë herë kam qenë pjesëmarres i atij kursi. Profësoreve dhe miqve të mi, si dhuratë, u sillja prodhime artizanale shqiptare dhe në librarite e Nicës u bleja veprat e Kadaresë, për të cilin disa kishin dëgjuar, por nuk i kishin lexuar veprat e tij. Me vonë, I.Kadareja u bë i adhuruari i tyre. Mësova se profesori Warnier kishte lindur më 1899 dhe ishte studiues me shumë autoritet i veprës së Apollinerit dhe kishte bërë shumë studime për Ballkanin. Në vitin 1981, bashkëshortët Warnier kanë qenë për vizitë në Dubrovnik dhe unë i kam takuar ata. Profesori Warnier është ndarë nga jeta më 1987, ndërsa korrespondencën e fundit me Zonjën Warnier e kam patur më 1990. Nga djali i saj, disa vite më vonë, kam marrë një letër dhe më njoftonte se nëna e tij ishte në një azil pleqsh.
Sigal