Dr. Neki Jaup Dredha/ Doktor Ali Mihali, doktori i të varfërve

1958
Sigal

Ai ishte atdhetar dhe shkencëtar i shquar i  mjekësisë,  qysh nga pragu i shpalljes së Pavarësisë Kombëtare e deri sa u nda nga jeta

Doktor Ali Mihali, ishte atdhetar dhe shkencëtar i shquar i  mjekësisë dhe  qysh nga pragu i shpalljes së Pavarësisë Kombëtare e deri sa u nda nga jeta, ndriçoi si ylli i dritës te ballina e Spitalit të Vlorës.

Qyteti bregdetar i Vlorës, zemra e Labërisë, ka patur ngaherë mjekë me shkallë shkencore dhe ndjenjë të lartë njerëzore. Ata i shërbyen  banorëve të kësaj treve zulmëmadhe, madje, edhe më gjerë, me mish e me shpirt. Ndër ta, shquhet dr. Ali Mihali, Musa Delvina, Ibrahim Dhrami, Ismet Gega, Pavli Flloko, Kostandin Kauri, Isuf Hysenbegasi, Dhimitër Shyti, Mihal Angjeli, Hasan Shehi, Pertef Kallfa, Irfan Pustina, Zyhdi Tepelena, Tol Beltoja, Kosta Kutulla, Nikolla Myrzabegu, Ali Bendo, Liri Balili, Xhorxhi e Pavlina Andoni, Aristidh Sopiqoti, Piro Velo, Barjam Kruja, Engjëll Isarai, Evelina Sheshi,  si dhe shumë e shumë të tjerë, të cilët jetën e tyre e vunë në shërbim të shëndetit të popullit. Mjeku njeri, nuk është si politikani, që rreh gjoksin e bën be e rrufe, sidomos në kohë fushatash zgjedhore, se do të jetë shërbëtorë besnikë i sovranit popull. Madje, zotohet se do të vjelë mendimin, dëgjojë fjalën e tij të çmuar e do të punojë me ngulm e ndershmëri për të lehtësuar sadopak plagët e mahisura në shekuj, duke përmirësuar e rritur në vazhdimësi kushtet ekonomiko-social-kulturore, që populli ynë, nga më të lashtit në Evropë, të radhitet në krahë të popujve të tjerë të përparuar. Mirëpo, zotimi i tij, pasi rehatohet në kolltukun, që i besohet, venitet, zakonisht, me kalimin e kohës. Siç duket rëndom, ai mendon se karrigia e bën më të ditur se kultura e truallit, që e mban mbi supe. Po kjo gjë nuk ndodh me mjekun njeri e të talentuar, që jetën e tij e vë në shërbim të të sëmurit. Ai, jo vetëm që i shërben njeriut të shëndoshë dhe të sëmurë deri në fund të jetës, por merr pjesë shpirtërisht në hallet dhe vështirësitë e jetës së tij, si dhe jep mendime të vlefshme te organet drejtuese, për të përmirësuar kushtet shëndetësore të tyre. Mjeku njeri, e përjeton dhembjen, ankthin, vuajtjen, lëngatën dhe gjendjen e rëndë e  tepër të rëndë të të sëmurit, si diçka vetjake, që e gërryen përbrenda, derisa ai të shërohet plotësisht. Pra, bëhet njësh me dhembjen e tij. Jeta e mjekut është e veshur me shqetësim e dhembshuri njerëzore të veçantë. Ai përjeton çaste gëzimi e lumturie vetëm në kohën kur çelen dhe qeshin sytë e të sëmurit.  Një i tillë ishte kosovari atdhetar e mendjendritur dr. Ali Mihali, i cili i shërbeu banorëve të trevës labërore me ndjenjë të lartë dhembshurie dhe përkushtimi, për 41 vjet rresht. Ai nuk rrahu gjoksin përpara të sëmurit, por u dha me mish e me shpirt, për të shëruar sëmundjet, që gjallonin anekënd vendit. Dr. Aliu mjekoi, po ashtu plagët çnjerëzore, shkaktuar nga andartët kanibalë, ose hunët e Greqisë (siç i quante zonja e madhe Edith Durham), të cilët, gjatë viteve para, gjatë dhe pas shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, u turrën mbi truallin arbëror si bisha të tërbuara e të uritura me thikë e urë në dorë dhe e lanë vendin me gjak e dogjën anembanë Toskërinë, deri te portat e Vlorës. Po puna e këtij mjeku shpirt njeriu nuk mbaron këtu. Pas kasaphanës së përbindshme të andartëve grekë, doktori e shtriu veprimtarinë e tij te një tjetër fushëbetejë e përgjakshme, që pllakosi mbi Vlorën e Flamurit. Atje, ku pikonte këtë herë gjak nga plagët e luftëtarëve të lirisë, që si luanë u ndeshën dhëmb për dhëmb me ushtrinë pushtuese të mbretit Viktor Emanuelit të Italisë. Këtu, në Luftës çudibërëse të Vlorës, heroizmi i së cilës la gojëhapur popujt e Europës e më tej. Një i tillë ishte mjeku i kudogjendur, i cili jetoi me vuajtjet dhe mjerimin e popullit hallemadh, si dhe mjekoi me dhembje në shpirt e zemër plagët e tij. Ato plagë, krahas dhembjes dhe rrjedhjes së gjakut, që kërcënonin jetën, cenonin edhe pamjen e jashtme të fytyrës së tyre. Një të plagosurit, që plaga e tij i therte në zemër, doktori me keqardhje i thotë: “Kam frikë, o trimosh, se nga lëndimi i fytyrës do të prishet bukuria”. Për habi të doktorit, ai ia priti me krenari: “Të rrojë Shqipëria”! Kjo përgjigje burrërore e këtij labi atdhedashës ia shtoi besimi dhe i dha forcë e zemër mjeku njeri, që jetën e shkriu atje, ku rrihte dhe e donte zemra e kombit. Me këta trimosha — mendoi ai — që e marrin vdekjen në sy dhe hidhen mbi armikun e armatosur gjerë në dhembë, pa iu dridhur qerpiku, duke kënduar: “Ja do mbetet Vlora jonë, ja do bëhet shkrumb e hi!”, Vlora, kurora diellore e kombit arbëror, do të jetë domosdo e lirë.

Në këtë truall, larë me gjak, ku hodhi rrënjët liria, u lartësua dhe lulëzoi mjeshtëria mjekuese e doktorit atdhetar Ali Mihalit. Pra, ai nuk u dha pas qejfeve dhe pasurisë, siç u dha ndonjë politikan i kohës, që vinte dhjamë në kurriz të luftëtarëve mëmëdhetarë dhe i ktheu kurrizin atdheut për tridhjetë aspra.

 Spitali Rajonal i Vlorës

 Aliu u lind në qytetin e Prishtinës në vitin 1887. Pra, në një nga qytetet më me emër të Kosovës martire, djepit të luftërave të pareshtura për liri dhe pavarësi, tek e cila zë fill Lidhja e Prizrenit (10 qershor 1887), që përkon me vitin e lindjes së tij. Në këtë mjedis atdhedashurie ai u edukua me ndjenja atdhetare qysh në vitet e fëmijërisë. Vitet e rinisë dhe të shkollës së mesme e të lartë i kaloi familjarisht në Stamboll. Këtu kreu studimet e larta për mjekësi. Pasi i mbaroi ato shkëlqyeshëm, emërohet në Janinë mjek ushtarak me gradë major në ushtrinë turke. Në vitin 1911, Aliu transferohet në qytetin e Vlorës, vatrën, ku merrte zjarr rrufeja. Aty drejtoi shërbimin shëndetësor në mjedisin e karantinës, që ishte vendosur pranë molit, në Skelë. Puna e mjekut e futi dr. Aliun shtëpi më shtëpi të trevës së Vlorës. Ajo i dha mundësi, që të njihej me skamjen dhe  mjerimin e dukshëm të popullit, i cili, krahas varfërisë, përjetonte mungesën e ujit, të kulturës së përgjithshme (populli ishte gati 100% analfabet) dhe asaj mjekësore, si dhe mungesën e plotë të shërbimit mjekësor. Këto dhe shkaqe të tjera ishin një shtrat i ngrohtë, ku ngrinin kokë sëmundjet e ndryshme, si disenteria, tifoja e zorrëve dhe e morrit, difteria, barku i verës, kolla e mirë, pneumonitë, tetanozi  e të tjera, që bënin kërdinë në popull, sidomos te fëmijët. Nga ana tjetër, moçalishtet, ku notonte Vlora dhe trevat e saj pranë Valltos së Dukatit dhe Lumit të Vjosës, ishin një mjedis i përshtatshëm, për rritjen dhe shtimin e mushkonjës anofele, e cila me anë të pickimit përhapte palzmodiumin e malarjen nga njeriu i sëmurë te njeriu i shëndoshë. Ethja e malarjes e dobësonte dhe e rraskapiste të sëmurin aq shumë, sa nuk kishte mundësi te punonte, ose të ngrinte, qoftë edhe sende me peshë të vogël. Këtë gjendje dramatike populli e skaliti te thënia logjike: “Tre vlonjatë nuk ngrenë dot një thes me kashtë”. Po ashtu, ajo përbënte shkakun kryesor, që çonte sidomos fëmijët në shtratin e vdekjes.  Këtë dukuri, mendjemprehtësia popullore e gdhendi te shprehja lapidare: “linde djalë, bëni varrë; lindi kalë, vuri shalë”, të cilën e citonte, më vonë me dhembje të thellë shpirtërore, mjeshtëri i gojëtarisë mjekësore vlonjate, dr. Pavli Flloko, në kohën kur ligjëronte për malarien e sëmundjet ngjitëse të tjera te tregu i fshatarëve, para portës së Spitalit dhe te kinemaja e qytetit (para shfaqjes së filmit) çdo të diel. Prapambetja,  varfëria, padija e tejskajshme e banorëve të kësaj treve dhe e mbarë vendit, që kishte kultivuar Perandoria Osmane gjatë pesë shekujve të shfrytëzimit të tyre, rëndonin si “guri i Sizifit” në të përpjetën e malit mbi shpinën e tyre. Kjo lëngatë e rëndë dhe vdekjeprurëse, që kanoste vendin, i pikoi në zemër dhe aq shumë e trishtoi doktorin atdhetar Ali Mihalin, sa filloi t’i shikonte me neveri pushtuesit osmanë dhe gradën që mbante. Për këtë shkak ai krijoi lidhje dhe bashkëpunoi me vetëdije të plotë me atdhetarë të shquar të trevës së Vlorës labërore, si me Ibrahim Avdullain, Elmas Xhafer Kaninën, Hamza Isain, Kol Karbunarën, Beqir Velon, Zini Hamzarain, Jani Mingën, Osman Haxhiun, Sali Hallkokondin, Qazim Kokoshin e shumë atdhetarë të tjerë. Këta e njohën atë më mirë me ngjarjet e kohës dhe përpjekjet e gjithanshme të popullit, që kishte ngritur krye nga Veriu në Jug, për të thyer njëherë e përgjithmonë vargonjtë e skllavërisë dhe, për të shpallur Pavarësinë e Shqipërisë. Po Ali Mihali, si mjek ushtarak, me njohuri të gjithanshme, rritur në një familje dhe mjedis shqiptarësh me ndjenja atdhetare të zjarrta, si me Naim bej Frashërin, Hamza Isain e të tjerë, i shikonte edhe vetë përpjekjet titanike, që bënin atdhetarët shqiptarë, për t’u çliruar nga thundra e Perandorisë Otomane. Lëvizja mbarëpopullore atdhedashëse frymëzoi dhe farkëtoi te mjeku i talentuar e atdhetar Ali Mihali ndjenjat e dashurisë për një Shqipëri të lirë e të pavarur. Në shpirtin e tij ngriti kryet aq shumë urrejtja dhe përbuzja për pushtuesit otomanë, sa hodhi poshtë me neveri dhe përçmim spaletat e majorit dhe i ktheu njëherë e përgjithmonë krahët, ushtrisë osmane. Ai u rreshtua me vullnet të plotë në radhët e veprimtarëve atdhetarë të trevës dritëdhënëse të Labërisë. Ky veprim e zëmëroi pamasë komandën e ushtrisë osmane. Ajo për këtë shkak e dënoi atë me vdekje, në mungesë. Po dr. Ali Mihali i shpëtoi kosës perandorake. Ai u strehua dhe gjeti ngrohtësi, si shqipja në Flamur, te çerdhet e shqiponjave atdhetare labërore, të cilat e pritën me bukë e kripë e zemër të bardhë. Aty  shërbeu si mjek dhe veprimtar i palodhur për çështjen e lirisë dhe çlirimin e vendit nga thonjtë e hienave të vjetra dhe të reja deri në ditën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe, pas saj. Më 28 Nëntor 1912, në çastin solemn, kur profeti i kombit Ismail Qemal bej Vlora (nga ballkoni i sarajeve të Xhemil beut, që ndodheshin atje, ku lulon tashmë Lulishtja e mrekullueshme e Pavarësisë) valëviti Flamurin Kombëtar dykrenor, lotët e gëzimit të dr. Aliut u përzien me çurgun e lotëve të Isa Boletinit e të bashkatdhetarëve të tij, ardhur nga gjithë trevat shqiptare e jashtë tyre.

Shërbimi mjekësor në trevën e Vlorës ka filluar, aty nga viti 1850, në kohën që Instituti Administrativ i Shëndetësisë së Perandorisë Otomane emëroi në Vlorë mjekun Dervish Ibrahim Mahmutin, me prejardhje po nga Vlora, i cili kishte mbaruar Fakultetin e Mjekësisë në Stamboll.