Sigal

Si i bëra miq, të mërguarit pa mëkate

 Leonard VEIZI

(Vijon nga numri i kaluar)

Ai thotë se studimi i temës rreth veprimtarisë së Mërgatës Shqiptare, filloi si nevojë e planifikuar në punë për të përgjithësuar përvojën e kësaj veprimtarie në planin e njohjes dhe përshkrimit të veprimtarisë armiqësore që ky kontingjent zhvilloi në favor të fuqive dhe spiunazheve të huaja sidomos në vitin 1953, por edhe deri në vitet ’90. Ka marrë gradë të lartë si oficer i zbulimit shqiptar, por ka marrë gjithashtu edhe gradë shkencore në shkencën historike, ndërkohë që një pjesë të madhe të karrierës së tij e ka kaluar edhe si diplomat në përfaqësitë shqiptare të akredituara në perëndim. Ndërkohë ka vendosur gjithashtu që gjithçka ka grumbulluar në vite, dhe që padyshim janë pjesë e historisë, t’i hedhë në letër, për t’i bërë publike shumë nga të fshehtat e Luftës së Ftohtë, në mes të së cilës, thjesht për arsye të pozicionit gjeografik, ishte Shqipëria

Librit historik “Veprimtaria Sekrete e Mërgatës Politike Shqiptare (1944-1992)” temë e gradës shkencore, që siç shprehet vetë ai, i ka vënë vulën edhe kryeministri britanik Toni Bler, i cili ka pohuar zyrtarisht se bota e lirë tentoi pa sukses që të përmbyste rrëgjimin komunist në Shqipëri gjatë luftës së ftohtë nëpërmjet bandave disersioniste, siç dëshmohet në këtë vepër. Në rrëfimin e tij ekskluziv për “Telegraf” koloneli në rezervë Hasan Luçi, gjithashtu mbajtës i titullit shkencor “Doktor” ndalet në veprimtarinë e mërgatës shqiptare gjatë viteve 1944-1992:

Që kur e filloi mërgata veprimtarinë që ju e cilësoni”armiqësore” ndërsa ata “antikomuniste”?

“Mërgata” shqiptare u demaskua që gjatë luftës sepse u bë bashkëpunëtore e kuislingëve të brendshëm dhe e faktorit fashist kriminelët e arratisur në 1944 kishin qenë në anën e armiqve dhe duheshin kaluar në gjyq, siç ishte politika e koalicionit antifashist botëror, por që fatkeqësisht u përdorën për të përmbysur pushtetin e zgjedhur në Shqipëri sipas normave të kohës. Kështu që kjo mërgatë e rëndoi gjendjen e vetë politike dhe juridike duke u vënë në shërbim të të huajve për të ndërprerë punën normale të popullit shqiptar për rindërtimin dhe përparimin e vendit. Kjo mërgatë e rifilloi veprimtarinë e saj qysh në 1945 nën tutelën dhe mbështetjen politike ekonomike të ushtarake nga të huajt për të realizuar qëllimet e tyre. Pra kjo mërgatë vijoi t’u shërbente të huajve me të njëjtën monedhë si edhe boshtit fashist botëror, për të marrë pushtetin që e humbi në luftë me popullin e vet.

Si e cilësoni sot, kur situata politike ka ndryshuar në Shqipëri?

Ne veprimtarinë e saj, ia nxori bojën vetes dhe nuk ka as të drejtën morale të kërkojë sot pastrimin e veprimtarisë së kaluar sepse nuk mund t’i arrijë qëllimeve duke vijuar luftën dhe debatin politik të nisur nën fashizmin. Pinjollët e kësaj mërgate duhet të njohin mirë historinë të mos kërkojnë qiqra në hell sepse ata që bashkëpunuan me fashizmin janë përgjegjësit e kësaj lufte të ashpër historike që nuk mund të ketë kthim mbrapa. Se pari duhet të njohim gabimet dhe fajet e veta sepse u bë ajo nismëtare e kësaj lufte politike dhe pastaj të gjykojë dhe të vlerësojë edhe gabimet e luftës së klasave që u zhvillua pas çlirimit nën luftën dhe presionin e gjithanshëm që bëri kjo mërgatë e vënë plotësisht në shërbim të antishqiptarizmit.

Ju mendoni që të gjithë të mërguarit shqiptarë luftuan kundër regjimit komunist që u vendos në Shqipëri përgjatë 45 viteve?

Jo. Në fakt shumica e këtyre të mërguarve ishin të gënjyer dhe nuk mori pjesë në këtë luftë. Me përjashtim të atyre që ishin ideologët e kësaj veprimtarie dhe njerëzve të mashtruar apo të detyruar për të fituar bukën e gojës sepse në vitet e para të pasçlirimit ata e dinë se ç’kanë hequr nëpër kampet e punës dhe si mercenarë në vendet e ndryshme ku i dërguan e mbajtën të izoluar dhe ku i përpunonin kundër popullit të vetë dhe as kundër popujve të tjerë si mercenarë dhe në fakt u përndoqën. Pjesa dërmuese e kësaj mërgate, ishte masa fshatare e rajoneve kufitare që u gënjye nga propaganda e huaj dhe në fakt shumica qëndroi indiferente dhe iu fut punës për të mbijetuar pasi iu prenë edhe financimet në kampet e përqendrimit në vendet fqinje dhe u lejuan të mërgonin në vendet e largëta.

A keni bërë shumë armiq gjatë punës tuaj me diasporën, me një pjesë të së cilës keni qëndruar ballë për ballë?

Në radhët e kësaj mërgate politike unë pata mundësinë falë mirëkuptimit atdhetar dhe luftës për mbrojtjen e lirisë dhe pavarësisë se Shqipërisë dhe kombit shqiptar bëra miq të mirë, të cilët edhe nëse kishin bërë krime gjatë luftës u penduan dhe shlyen me punën e tyre këto faje duke dhënë të dhëna reale mbi veprimtarinë armiqësore kundër Shqipërisë, disa prej tyre edhe duke u vetëmohuar në këtë luftë. Fatkeqësisht disa prej tyre edhe sot kanë mbetur anonim pa u rehabilituar siç e meriton puna e tyre në dobi të atdheut.

LIBRI / Pjesë nga vëllimi i Hasan Luçit; “Veprimtaria sekrete e mërgatës politike shqiptare”

Lufta e shqiptarëve kundër mërgatës politike shqiptare

Emigracioni politik shqiptar, si shërbëtor i fuqive të huaja armike, bëri një qëndresë të fortë ndaj rendit socialist në vendin tonë, pasi humbi privilegjet e pushtetin e vet. Lufta e këtij reaksioni e detyroi popullin tonë, që edhe pas LANÇ-it, të vazhdonte luftën parimore e të ashpër kundër mbeturinave të tij në mërgim, në arrati. Kështu nga viti 1945, në luftë dhe përpjekje me bandat terroristo – diversioniste të shërbimeve sekrete të huaja, me armiqtë e jashtëm e të brendshëm, kanë rënë duke dhënë jetën: 889 dëshmorë, prej të cilëve 18 janë shpallur Heronj të Popullit, 20 gra, 94 oficerë, 88 nënoficerë, 395 ushtarë dhe 302 njerëz të thjeshtë të popullit duke mos, qenë këto shifrat e sakta se janë më tepër, veç atyre përjashta. Ky gjak i derdhur shërbeu e shërben për mbrojtjen e fitoreve të lirisë e pavarësisë të popullit tonë. PPSH prishi planet e reaksionit shqiptar të brendshëm e të jashtëm, qysh në mbarim të LANÇ-it dhe i vijoi masat kundër tij deri në vitet ’90. Kështu që më 22 shtator 1944 u vendos konfiskimi i tokave të tradhtareve të arratisur ose jo dhe lënien e tyre në përdorim të bujqve; në dhjetor 1944 me vendimin për konfiskimin e pasurisë të tundshme të të arratisurve politike, duke i kthyer në prona shtetërore. Kjo masë më vonë u plotësua me konfiskimin e pasurisë së atyre që kishin bashkëpunuar me armikun ose me organizatat tradhtare etj., si dhe ato të pushtuesve ose shtetasve të tyre. Në janar 1945 u bë edhe tatimi i jashtëzakonshëm mbi fitimet e realizuara gjatë luftës, që goditi bazën financiare të kundërrevolucionit të brendshëm, borgjezinë e pasur, bazë e të arratisurve jashtë shtetit. Edhe me reformat e tjera ekonomike dhe masat politike e shtrënguese më vonë, i hoqi mundësinë këtij reaksioni për t’u ringjallur. Krahas u bë edhe goditja e banditizmit politik e agjenturor të spiunazheve të huaja, që organizuan e kryen ndërhyrjet e një pas njëshme në vendin tonë pas Çlirimit. Kështu nga vitet 1945 – 1960 nga ana e organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme u likuiduan 950 banda me më shumë se 4.000 bandite e diversantë të arratisur; u zbuluan dhe u goditën më shumë se 300 organizata kundërrevolucionare me 3.000 pjesëmarrës: 35 radiostacione marrëse e dhënëse; 6.000 armë e materiale tjetër subversiv klandestin, të gjithë këto të zbulimeve të shteteve imperialiste e revizioniste. Forcat e kufirit në bashkëpunim me forcat e tjera të MPB dhe të ndihmuara nga populli vetëm gjatë viteve 1945 – 65 kapen 4421 elemente armiq, 1426 u vranë e u kapen. Vetëm në vitet 1946 – 1986 u kapën ose u vranë 2242 elemente armiq. Veç këtyre u përballuan mijëra provokacione dhe incidente kufitare. Kështu nga 1945 – 1965 pati 5172 provokacione, nga të cilët tokësore 229 i, ajrore 2627, ujore 254, kurse nga 1956 – 1986 gjithsej 6042 provokacione, nga të cilat tokësore 4572, ajrore 539, ujore 831. Siç shihet pjesërisht populli ynë ka përballuar një veprimtari të ethshme subversive, por armiqtë tanë e kryesisht CIA e UDB-a kanë bërtitur se në Shqipëri ka terror, kurse në fakt spiunazhet armike vetë e kanë ushtruar terrorin fashist kundër RPSSH dhe vendeve të tjera, veç atij kundër popujve të tyre.

KUNDËRSHTARËT

Si u izoluan grupet antikomuniste

Propaganda borgjeze-revizioniste shpifte kurdoherë kundër veprimtarisë se pushtetit popullor. Të gjitha vendimet e Partisë që janë marrë kundër renegateve të arratisur ose jo kanë qenë të drejta e të argumentuara në përgjithësi sipas ligjeve të luftës e të kohës. Mbrojtja e tyre apriori e tradhton synimin e mërgatës me këtë mbrojtje që u bëhet. Partia dhe populli ynë kanë qenë me unitet të plote e jo siç na akuzojnë armiqtë edhe në këtë çështje. Armiqtë tanë kanë akuzuar se në Shqipëri Sigurimi i Shtetit ka bërë çfarë ka dashur, por MPB është drejtuar nga Partia dhe ka kryer punën e tij në luftë me armiqtë se siç thoshte E. Hoxha “Platforma e punës që u ka caktuar Komiteti Qendror i Partisë organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme është e gjerë dhe e qartë”. Edhe në rastet sektare apo oportuniste të vërtetuara në punën e MPB, Partia pat ndërhyrë për të ndrequr gjendjen e siguruar partishmërinë e veprimeve të Sigurimit të Shtetit. Mosbesimi që kanë dashur të mbjellin armiqtë për Sigurimin, policinë dhe ushtrinë tonë nuk ia ka arritur qëllimeve sepse pakënaqësia kundër tyre nuk është ngritur në popull sepse këto ishin organe të popullit zot i vendit e i fateve të veta këtë synim e ka nxitur edhe qëndrimi i qarqeve reaksionare fqinje, të cilët kanë vazhduar veprimet armiqësore duke rënë ndesh me qëndrimin parimor të PPSH ndaj tyre. Partia ka përballuar edhe shpifjet e spiunazheve të huaja e reaksionit shqiptar kundër përfaqësive tona jashtë shtetit, se ato gjoja merreshin me spiunazh. RPSSH ka mbajtur qëndrim parimor ndaj fqinjëve dhe vendeve të tjera, ndaj minoritetit grek në vendin tonë dhe ndaj Kosovës e Çamërisë prandaj shpifjet e reaksionit shqiptar e të huaj në këtë drejtim janë hedhur poshtë nga vetë jeta. Në fakt emigracioni politik po dekompozohej gjithnjë e më shumë. Në këtë drejtim edhe demoralizimi i vetë këtij kontingjenti ishte jo i vogël. Mjafton të përmendim se që në 1946 krimineli Alush Leshanaku shkruante në arrati brenda vendit: “Jam i mbyllur në kafaz si luanët në kopshtin zoologjik të Romës”, kurse në 1950 si diversant në mal po ai theksonte: “Nuk kam as mundësinë më të vogël për të komunikuar” në ditët kur ai gjeti vdekjen e sigurt si diversant që vepronte kundër vendit të tij me mision e ngarkuar nga CIA e zbulimi Italian. Jo vetëm kaq, por nga të gjitha proceset e diversanteve dhe literatura e reaksionit dalin qartë grindjet, rrahjet, vrasjet etj. veprime bashkudhëtare, që kanë ndodhur e ndodhin në mes të reaksionit shqiptar jashtë nën nxitjen e shërbimeve sekrete të huaja dhe krerëve reaksionarë. Këtë proces degjenerimi e dekompozimi e ka nxitur edhe lufta e popullit tonë sipas mundësive për të shpejtuar atë në radhë të armiqve të brendshëm e të jashtëm të reaksionit shqiptar, pasi vetëm kështu me lufte aktive. populli ynë mbrojti fitoret e veta deri në vitet ’90. Kontradiktat midis armiqve tanë, PPSH-ja i ka shfrytëzuar në çdo etapë të zhvillimit të luftës kundër armiqve, se siç ka thënë edhe Stalini “… vetë armiqtë e jashtëm kanë kontradikta me tjetrin në lidhje me Shqipërinë të jetë vetëm e njërit ose e tjetrit” (6) % Për këtë arsye ka pasur e ka grindje midis anglo – amerikanëve dhe në veçanti midis shovinistëve fqinjë për Shqipërinë e Kosovën. Kështu p.sh., kur Caldarisi tentoi në rrugë të fshehta për ndarjen e territorit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris me Mosha Pijade, që nuk pranoi e denoncoi atë publikisht, siç thoshte Enver Hoxha se ”në këtë plan inkuadrohen edhe të gjitha përpjekjet e tyre për të goditur synimet dhe pretendimet e të tjerëve, veçanërisht të monarkofashistëve greke në lidhje me copëtimin e Shqipërisë”. Këto grindje janë reflektuar edhe në agjenturën e tyre, në emigracioni politik shqiptar.

ORGANIZATAT

Grindjet në radhët e këtij reaksioni qenë të karakterit të trefishtë: se pari, ato janë grindje midis krerëve reaksionarë, të cilat së dyti, shprehin grindjet midis shteteve e zbulimeve armike, padrone të tyre dhe, së treti, ato janë grindje midis krerëve dhe masës së njerëzve të gabuar, që siç, ka thënë Enver Hoxha “i mori rryma e gabuar e tradhtisë dhe që iu ishte premtuar “parajsa” nga ‘”baballarët e kombit”. Aq është e vërtetë përçarja sa nga viti 1945 deri më sot janë bërë të njohura rreth 100 organizata, grupe e fraksione. Nga radhët e ballistëve kanë dalë 9 fraksione, 5 nga Legaliteti, 7 nga BKI, 10 nga emigracioni kosovar, 3 nga QEVA, 4 nga emigracioni ekonomik reaksionar, 11 grupe te vogla qe s’janë me, 13 grupe te vogla qe veprojnë ende sot, 8 grupime fetare, 15 grupe terroriste diversioniste etj. “Zbulimet armike, ka thënë Enver Hoxha, e kuptonin se kishin të bënin me një kope çakejsh e një stan lepujsh, por… duhej bërë. Secili nga krerët e reaksionit në mërgim mbronte interesat e padronit qe e grazhdonte”.

Shifra të publikuara në vëllimin “Veprimtaria sekrete e mërgatës politike shqiptare”

Nga vitet 1945 – 1960 nga ana e organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Forcave të Kufirit në bashkëpunim me popullin u likuiduan 950 banda me më shumë se 4.000 bandite e diversantë të arratisur. Gjatë viteve 1945 – ‘65 u kapen 4421 elementë armiq, 1426 u vranë e u kapën. U zbuluan dhe u goditën më shumë se 300 organizata kundërrevolucionare me 3.000 pjesëmarrës: 35 radiostacione marrëse e dhënëse; 6.000 armë e materiale tjetër subversiv klandestin, të gjithë këto të zbulimeve të shteteve imperialiste e revizioniste. Vetëm në vitet 1946 – 1986 u kapën ose u vranë 2242 elemente armiq. Kështu nga 1945 – 1965 pati 5172 provokacione, nga të cilët tokësore 229 i, ajrore 2627, ujore 254, kurse nga 1956 – 1986 gjithsej 6042 provokacione, nga të cilat tokësore 4572, ajrore 539, ujore 831. Veç këtyre u përballuan mijëra provokacione dhe incidente kufitare. Nga viti 1945 deri më sot janë bërë të njohura rreth 100 organizata, grupe e fraksione. Nga radhët e Ballit kanë dalë 9 fraksione, 5 nga Legaliteti, 7 nga BKI, 10 nga emigracioni kosovar, 3 nga QEVA, 4 nga emigracioni ekonomik reaksionar, 11 grupe të vogla qe s’janë me, 13 grupe te vogla qe veprojnë ende sot, 8 grupime fetare, 15 grupe terroriste diversioniste

(Vijon nesër)

 NESËR DO TË LEXONI

-Puna 30- vjeçare me Ministrin e Brendshëm, Kadri Hazbiun.

-Rivaliteti mes Shërbimit Diplomatik dhe Shërbimit Sekret

-Pse drejtuesit e lartë heshtën përpara dosjeve sekrete