Dr. Hasan Luçi: Revolucioni studentor Francez në maj 1968

1014
Sigal

Intervista/ Flet Dr. Hasan B. LUÇI, ish-zbulues politik i Shqipërisë në Francë

Albert Z. ZHOLI

 

Si kryhej Ceremonia e paraqitjes së letrave kredenciale (të besimit) dhe nga kush?

Në fakt dorëzimi i letravekredenciale do të thotë dorëzimi i besimit të përfaqësimit të vendit përkatës dërgues tek autoriteti më i lartë i vendit pritës, pra zyrtarizmi i funksionit të kryediplomatit të vendit dërgues. Quhen letra besimi, por kjo është sa për sy e faqe, se në fakt, bëhet punë informimi, njohje dhe ndikimi për nxitjen dhe zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe, secili vend në interes të vet, pra një realitet politik i pranishëm me mirëkuptim finok dhe në fusha të tjera, sipas forcës politike dhe ekonomike të dy palëve. Pra, kredencialet duken të besueshme nga burimi i tyre, por ky besim varet dhe kushtëzohet nga gjendjet reale politike të secilit vend.

Dorëzimi i këtyre letrave është hapi i parë i fillesës së veprimtarisë zyrtare të titullarit të një përfaqësie diplomatike, ku zakonisht, ky shoqërohet nga bashkëpunëtorët e vet më të afërt, të rangjeve të larta.

Të dyja herët, me mbërritjen time në Francë, selia jonë njoftoi MPJ-në franceze, pasi ishte dhënë pëlqimi para nisjes. Po kështu u bë edhe largimi me notë zyrtare. Të dyja herët që arrita në Paris, kolegët që zëvendësoja, nuk dhanë pritje lamtumire për miqtë e tyre, siç është zakoni i praktikës diplomatike dhe për t’u paraqitur pasardhësin. As unë s’bëra një gjë të tillë. Kjo praktikë me rëndësi nuk ndiqej prej nesh për arsye financiare (kursimi), por ky rregull dëmtonte, në fakt, punën se bëhej shkak për largimin e miqve nga diplomatët zëvendësues. Kështu secili duhet ta fillonte nga e para për të zënë miq të rinj, shpesh duke injoruar e harruar edhe të vjetrit me arsye subjektive të ndryshme, por kështu humbisni miq me vlerë, që edhe fyheshin, pasi nuk përshëndeteshin siç e meritonin në pritje ose personalisht në takim. Unë fillova t’u bëja vizita kolegëve të mi ose atyre të rangut më të lartë si atashe konsullor, i shtypit e i kulturës, ose për probleme praktike. Për të njohur personelin diplomatik, sipas rangut të çdo shteti shfrytëzohej libri vjetor i botuar nga MPJ-ja franceze. Diplomatët e  tjerë bënin vizitat e njohjes ose në klube, siç ishte ai i diplomatëve të Amerikës Latine, të atasheve të shtypit etj, ku ne merrnim pjesë rrallë po për arsye financiare. Nuk bënim jetë mondane siç bënin të tjerët, gati të përditshme.

Herën e parë u largova nga Parisi në ngjarjet tragjikomike të revolucionit studentor francez në maj të vitit 1968, kur qyteti ishte në kaos demonstratash. Kur u largova herën e dytë, u bëra vizita miqve kryesorë, si: prof. Pol Miliez, Godeber, A. Behar, I. Leturner, çiftit Brezol, zonjës Myri, prof. Lakost dhe Kastelan, Bertolino, zonjës Anik Miske, zonjushës Deleg etj.

Meqenëse në Paris kalonte ministri ynë i jashtëm, etj., doli nevoja që ne diplomatët të njiheshim me shërbimet protokollare të MPJ-së franceze, ku të drejtoheshim për të kërkuar sallonet e nderit të pritjes a të përcjelljes në aeroport, në stacionet e trenave, në porte. Mua më binte më shpesh rasti, si punonjës i konsullatës në fillim, që të mbaja lidhje më tepër me ata punonjës dhe më vonë si diplomati me njohje më të vjetra atje. Kështu njoha mjaft punonjës të këtyre shërbimeve, të cilëve u bëja edhe vizita, herë pas here, dhe urime e ftesa për festat tona dhe për Vitin e Ri, duke u bërë edhe ndonjë dhuratë (raki, konjak, punime artistike, libra etj.).

Të dy herët, me mbërritjen në Paris, selia jonë njoftonte protokollin e MPJ, si për çdo punonjës, po kështu edhe kur largoheshim, me notë zyrtare dhe dorëzohej dokumenti i dhënë nga kjo ministri dhe patenta franceze e automjetit.

MPJ e Francës kishte një aparat të shkëlqyer të “shërbimit të udhëtimeve zyrtare”, një shërbim gjithnjë në gatishmëri, ku njoha inspektorët Eranj, Rozhe Reno (i shërbimit qendror të udhëtimeve zyrtare), zonjën Nikolë Grandini-Ofrua etj., me të cilët punova kur patëm nevojë për pritje e përcjellje të zyrtarëve tanë më të lartë gjatë kalimit në Francë ose gjatë qëndrimit atje, siç ishin shokët e udhëheqjes, ministri i jashtëm që shkonte e kthehej nga OKB etj.

Në sektorin e protokollit të MPJ të Francës njoha diplomatë simpatikë si zonjën Blaush për sallonet e nderit në aeroportet Orli e Burzhe, po kështu de Frezine, O’Konor etj.

Më 2 Prill 1974 vdiq në moshën 63 vjeçare presidenti i Francës Zhorzh Pompidu dhe në varrimin e tij mori pjesë ambasadori J. Malo, sipas protokollit francez.

-Në këtë situatë çfarë të bri përshtypje në Francë, çfarë aktiviteti mbreslënës?

 

Në paradën ushtarake në Paris për festën kombëtare të republikës më 14 korrik 1972 për herë të parë parakaluan gra ushtare. Kështu po shtohej roli i gruas edhe në Francë, ku kërkonin të drejta barazie si në RPSSH, Izrael etj. Kjo favorizoi faktin e njohur nga shtypi se Shqipëria ishte nga vendet e para për femrat në ushtri, mjekësi, arsim etj. Kjo u bë objekt bisede mes diplomatësh e miqsh, të cilët bënin edhe ndonjë shaka.

Si i ngarkuar me punë, në 1975 mora pjesë në ceremoninë festive në Harkun e Triumfit të presidentit Valeri Giskar d’Esten. Kjo festë bëhej madhështore, por ndryshe ishte të ishe i pranishëm dhe ndryshe ta shihje në televizor, pasi aty vëreje lloj-lloj fytyrash e mimikash, si në një panair, ku të çudisnin reagimet e njerëzve, përfshi diplomatët, që qenë më seriozët, por aspak të thjeshtë duke i bërë karshillëk njëri-tjetrit, sidomos ata të vendeve të mëdha, që merrnin pamje sa ceremoniale, aq edhe për të qeshur.

Paradat ushtarake në Shanz Elize dhe në sheshe të tjera (p.sh. në “Lë Shamp de Mars” (fusha e Marsit), ku i bëri një vit de Goli ose në “Invalid”) më bënin përshtypje jo nga armatimi, për të cilin atashetë ushtarakë të lindjes përpiqeshin të zbulonin armët e reja franceze, por nga pompoziteti, veçanërisht ushtrimet e lojërat me shpata të njësive mercenare me famë, me hap të thyer e të lehtë(krijuar më 1831 nga mbreti Lui Filip), pa kërcitjen e çizmeve të ushtrive lindore me hap të drejtë. Më bënte përshtypje mospasja e llozeve të pushkëve, një masë më e mençur se jona, ku duke pasur llozin si virtyt atdhetar, pati edhe probleme e kapje atentatorësh. Veteranët zezakë, arabë etj., qenë kripa e paradës dhe e tribunës, të cilët mbanin plot dekorata në gjokset e tyre nga luftërat për madhështinë e Francës koloniale dhe për këtë ata qenë krenarë. Kjo është një pasqyrë vetjake, që secili sheh e tregon veten, për rrugën e bërë derisa del në pension, drejt rrugës së parajsës që askush s’e ka parë.

 

 

  Për letratkredenciale te mbreti i Belgjikës

 

Në janar të vitit 1974, shoqërova ambasadorin Javer Malo për paraqitjen e letrave kredenciale te mbreti belg Boduen I. Gjatë këtij udhëtimi ne morëm edhe gratë dhe u vendosëm në “Palas Hotel Kontinental” në qendër të Brukselit. Është hotel i madh i kohës koloniale belge. Zumë dy dhoma ngjitur me derë të brendshme për të hyrë te njëra-tjetra, kurse shoferi në papafingo, sipas zakonit atje. Aty, në sallonin e dhomës, na erdhi shefi i protokollit, njëkohësisht edhe ministër i punëve të jashtme, i tregtisë së jashtme dhe i bashkëpunimit për zhvillim. Në këtë takim morën pjesë edhe zonjat tona, te veshura me dekolte të bëra për pritje të tilla dhe, vërtetë, na u dukën shumë më të bukura dhe i qesëndisëm. Diplomatin belg e pritëm me shampanjë etj. Ai na shpjegoi se si zhvillohej ceremonia e kredencialeve. Një gjë që më mbeti në mëndje nga ai person mjaft simpatik, ishte pohimi i tij se ai ftohej aq shumë për dreka e darka nga të gjitha përfaqësitë e shteteve në Belgjikë (ambasadat e shteteve, të vendeve anëtare në NATO-s dhe të KE-së), sa hante ose jo 2-3 herë në vit në shtëpinë e vet, dhe nuk qe hiç i kënaqur, se duhej të rrinte me vesh të ngrehur dhe sy hapur, duke vuajtur për gjumë se rrihej vonë në to.

Të nesërmen, në orën e caktuar, vajtëm në pallatin mbretëror, por në vend që të hynim ku duhej, kaluam aty afër, na priti shefi që doli te hyrja dhe na çoi në katin e dytë. Ne ishim të veshur me frak. Na çuan te mbreti, i cili shoqërohej nga shambelani i madh. Javeri para meje, mbante fjalën e rastit, kurse unë shikoja me kërshëri stolitë që kishin veshur belgët. Mbreti qe veshur thjesht, por të tjerët që nga hyrja dhe rojet qenë stolisur bukur me plot dekorata e shirita me ngjyra e me shpata. Mbreti na dha dorën dhe bëmë fotografi, pastaj ai dhe Javeri biseduan veç, siç e do protokolli, kurse unë qëndrova me shefin e protokollit dhe me oficerët e lartë duke biseduar shkurt mbi Shqipërinë e Belgjikën, por me ngrohtësi.

Pasi mbaruam kredencialet, bëmë vizita në Bruksel në qendrën e qytetit, ku vizitorët fetarë puthnin një gur floriri, i cili dukej se qe ngrënë nga fërkimet. Vizituam Plutoniumin, ish-ekspozitën belge me famë, e përuruar më 1958, rezidencën mbretërore Laeneken etj., mjedise historike, kulturore e turistike.

Pas darke dolëm rreth hotelit dhe kaluam nga stacioni i trenit “Nord”, po ç’të shihnim: në të dyja anët e rrugës kishte ndërtesa me dhoma me drita të kuqe në katet e para, ku në vitrinat e xhamta, rrinin vajza të mbuluara me napa të holla të tejdukshme, disa prej të cilave tregonin fare lakuriqësinë e tyre, disa rrinin këmbë mbi këmbë. Ato bënin shenja ndjellëse dhe gratë tona u skandalizuan, se atje ishin më ndryshe nga ato të Parisit.

Ditën tjetër na ftuan miqtë e shoqatës dhe vizituam qytetin Bruzh, i njohur për monumentet kulturore, ku hëngrëm edhe drekën. Për darkë miqtë na çuan në një restorant në qendër të Brukselit, në sheshin, ku birra jepej me ca gota të stërmëdha që ne s’mund t’i mbaronim. Të nesërmen na ftoi ambasadori kinez, i cili organizoi një drekë madhështore, ku provuam stomakun e peshkaqenit, i cili grave tona u nxori zorrët. Ambasadori kinez gromësinte si qen dhe lëshonte edhe ndonjë p…, por ne i duruam zakonet e miqve! U çliruam prej andej, ku mezi mbanim gazin, ia mbathëm në Vaterlo dhe shkuam në kodrën e famshme, ku ndodhet muzeu që e vizituam. Javeri na tregonte historinë e atyre ushtarakëve në atë fushë të gjerë të Vaterlos dhe vërtetë e dinte sikur të kishte qenë pjesëmarrës në betejën e fundit fatkeqe të Napoleonit. Ne, me krenari e quajtëm atje Napoleonin me origjinë shqiptare, siç është,se kadëshmi të personave të kohës së tij.

Javeri na u bë ciceron në kodrën, ku kishte qenë edhe herë tjetër, nga ku shihnim terrenin, në të cilin u zhvillua beteja e fundit me Napoleonin, d.m.th e Evropës feudale kundër revolucionit frëng. Qënia me origjinë shqiptare e Napoleonit na e shtonte madhështinë e përleshjes. Napoleoni nderohej në muze, në dyqanet dhe në suveniret në atë fushë të gjerë belgjiane të vendit të vogël, ku interesat e vendeve të mëdha mundën Napoleonin e madh, një ironi e fatit. Vlen të shënohet kjo ngjarje në Vaterlo : Kur gjenerali francez Pier Kambron, të një reparti të gardës së Napoleonit, e ftoi armiku të dorëzohej, ai iu përgjigj : “Garda vdes, por nuk dorëzohet”. Dikush shton se ai gjeneral tha edhe fjalët : “një m…”. U kthyem në Paris edhe me motive për shaka të ndryshme.

Meqenëse në Belgjikë shkonim, herë pas here, për punë të ndryshme, si çështje kulturore, sporti etj., merrnim gjithmonë vizë, kështu që pata  takime me diplomatët belgë në Paris më tepër se sa me ata holandezë.

Kur shkoja në Belgjikë, sipas rasteve, por gjithnjë, shkoja dhe merrja takime në MP e Jashtme, në institucione të tjera kulture, ekonomike etj., si dhe në organe të shtypit belg dhe tek miq të tjerë belgë. Bëja kujdes, siç qe praktika diplomatike atje, që të takoja etnitë si valon dhe flamandë, zakonisht të tillë qenë vendosur edhe në detyrat përkatëse, meqë Belgjika ishte një federatë, kurse më vonë ajo u kthye në konfederatë me rajone autonome, për t’i dhënë mundësi vetëqeverisjes dhe njohjes më të mirë të pakicave të vendit, për të përforcuar bashkëjetesën në kushtet integruese të vendit dhe në Evropën e kohës.

Kështu bëja takime kortezie me drejtorin politik z. Van Den Blok, në sektorin e tregtisë me z.Glotar, me sekretarin e përgjithshëm z. Grandry etj. që i përcaktoja sipas nevojave dhe arsyeve justifikuese të takimit, për të mos i bërë krejt formale.

Më 19/4/1977 Dh. Lamani i paraqiti letërkredencialet te mbreti belg, Boduin, ku e shoqërova, me që njihja vendin më mirë. Në ceremoni morën pjesë gjenerali Debsh, adjutant i mbretit; baroni de Posh; shefi i ceremonisë etj. “Zëri i Popullit” e dha njoftimin (më 20 prill, f.4). Kësaj here qëndruam pak në Bruksel, bëmë nga një vizitë kortezie  në MPJ belge. Takuam 2-3 vetë dhe disa shqiptarë e kosovarë.